back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

“Ura e Goricës” – peizazh i Ilia Xhimitikut nga Qerim Vrioni

Gazeta

Ura e Gorricës - Foto Ilia Xhimitiku
Ura e Gorricës – Foto Ilia Xhimitiku

“Ura e Goricës” – peizazh i Ilia Xhimitikut

nga Qerim Vrioni

Ura e Goricës

Kjo urë mbi lumin Osum, mbetet një nga objektet ndërtimore më të vjetër dhe më tërheqës të qytetit të shumëndritur të Beratit (sipas piktor Onufrit). Ajo lidh pjesën më të madhe të qytetit me lagjen Goricë dhe me rrugën kombëtare që vazhdon drejt jugut, për në Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Tepelenë, etj. Gjithsesi, emrin urës ja ka dhënë lagjja karakteristike Goricë. Kjo urë, sipas dokumentave të mbërritura në ditët tona, është ndërtuar në shekullin XVII, së pari prej druri dhe, rreth vitit 1780, në kohën e sundimtarit të Beratit, Ahmet Kurt Pashës, u rindërtua më e fortë dhe vetëm prej guri të gdhendur. Në fillim të shekullit të kaluar, ura ishte e mjaft e dëmtuar nga qarkullimi mbi të dhe prej kushteve atmosferike, kështu që në vitin 1927, me një vendim të qeverisë së kohës u vendos rindërtimi i saj, që u bë nga mjeshtër të njohur guri të ardhur nga krahina e Korçës. Prej atëherë, mbi urë lejohen të kalojnë makina ngarkese të tonazhit mesatar, gjë që edhe e ka dëmtuar atë.
Ura e Goricës është automobilistike dhe për këmbësorë, ajo ka një gjatësi, nga bregu në breg rreth 130 metra, gjerësi 5,3 m. si dhe arrin një lartësi mbi sipërfaqen e lumit në kohën e verës deri 10 metra. Ajo ka shtatë (kohët e fundit është zbuluar edhe një e tetë e mbuluar nga dheu) hapësira drite nga 9 deri në 16, 5 metra të gjera. Çdo këmbë ure ka nga tri kamare, thuajse të barabarta me njera-tjetrën. Në të dy anët gjatë gjithë urës ka parmakë prej konstruksioni betoni, rreth 80 cm. të lartë për sigurinë e këmbësorëve gjatë kalimit mbi të.
Kjo urë është vizatuar qysh nga shekulli XIX, nga artistë të huaj (ndër më të shquarit piktorët anglezë Edward Lear dhe Charles Cocrell) dhe pak me vonë (fillimi i shekullit XX), u fotografua edhe nga mjeshtra italianë e të tjerë, si dhe nga vendas, duke i shtypur imazhet më pas edhe si kartolina postale. Prej kohësh, ura përbën një simbol të dashur për qytetarët e Beratit, madje jo vetëm për ata. Ajo është kthyer tashmë në një nga veprat më jetëgjatë dhe më mbresëlënës ndërtimore në vend. Gjithashtu, kjo urë bënë pjesë në urat më piktorike të Shqipërisë, po ashtu përbënë dhe një nga vendet e para që shkelin dhe fotografojnë turistët e huaj kur vizitojnë qytetin. Me vendim shtetëror “Ura e Goricës” prej disa dhjetëvjeçarësh trajtohet dhe mbrohet si objekt “Monument Kulture” i shkallës së parë duke e renditur edhe si një nga ndërtimet më të rëndësishme historike dhe më të bukur arkitekturor të Republikës së Shqipërisë. Gjithsesi, Ura e Goricës mbahet nga shumë studiues, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si ura më e bukur në Shqipëri.

Ilia (Lilo) Xhimitiku - Fotograf profesionist
Fotografi Ilia (Lilo) Xhimitiku

Ilia Xhimitiku

Ilia Xhimitiku është lindur në lagjen Goricë në vitin 1907 (20 korrik), ku edhe u shua 70 vite më vonë. Në atë lagje ai ka kaluar gjithë jetën e tij dhe ka ushtruar veprimtarinë në lëmin e fotografisë, duke u kthyer më vonë edhe në një nga figurat më të shquara të Fotografisë Shqiptare. Shtëpia e Xhimitikëve ka qënë fare afër urës, kështu që për Lilon (kështu quhej edhe i rritur nga bashkëqytetarët fotografi) ura ka qënë ndër objektet e para që ka shikuar kur ka dalë në oborin e shtpisë. Natyrisht ajo i është dukur e madhe, por edhe tërheqëse dhe e veçantë në krahasim me shtëpitë e tjera ngjitur të tijës. Vështrimet e para të urës kanë qënë fillimet e dashurisë së përhershme të djalit me urën. Më pas, djalë i vogël, ai e ka kaluar këtë urë me qindra mijra herë, zbathur, me vrap, në shi, vapë, është hedhur nga ura dhe nga ndarëset e ujit në lum si të gjithë goricarët, që ishin notarë të shkathët. Ndoshta ndonjë herë Liloja çamarok është hedhur në ujrat e ftohta të Osumit edhe për të kapur kryqin ditën e Ujit të Bekuar (6 janar), një nga ritet fetare më popullore të qytetit të një mbi një dritareve. Te kjo miqësi e djalit me urën, janë nxitjet e fotografimeve të shumta që mjeshtër Xhimitiku i ka bërë urës më vonë.
Mjeshtërinë e fotografimit, Ilia Xhimitiku e mësoi nga shkodrani Palok Gurashi. Sot kanë mbetur vetëm disa fotografi të ures nga syri dhe dora e Lilos, nga shumë më tepër që ka realizuar, po të mos harrojmë zhdukjen e shumicës nga zjarri dhe përmbytja që shkatërruan dy herë studion e tij. Natyrisht, disa sosh ndodhen në sëndyqet e moçme të familjeve të vjetra beratase, pjestarët e të cilave fatëkeqësisht ende nuk u dijnë vlerat që ngërthejnë. Kur nisi të përdorte aparatin fotografik, madje ëndëruar edhe para se ta prekte atë, ndër gjerat e para që ka futur në objektivin e tij, sigurisht ka qënë edhe ura, aq familjare për shikimin, hapat por edhe për mendimet e tij.
Gjatë jetës së tij fotografike, Ilia Xhimitiku, përjetësoi me përkushtim e aftësi, thuajse gjithçka ka ndodhur në qytet, foto për dokumenta dhe kujtim, ngjarje familjare, fetare, shoqërore dhe historike. Me këto të fundit, Xhimitiku u kthye në fotokronikanin kryesor të qytetit për një periudhë kohore prej rreth 40 vjetësh. Ai ka kryer kësisoj një shërbim të veçantë e shumë të vyer për studiuesit, historianët dhe urbanistët për të njohur të shkuarën e Beratit, por edhe dashamirësit e shumtë të këtij qyteti të veçantë.

Ura e Gorricës - grafikë Abaz Hado
Ura e Gorricës – grafikë Abaz Hado

Historia e Fotografisë

Me hapjen e dyqanit të fotografisë (1929), Xhimitiku nis punën me plotësimin e kërkesave e komuntetit, për foto familjare, dokumentare dhe kujtimore. Studioja e tij ishte pranë Hotel “Colombo”, për shumë vite kryesori i qytetit, i prishur në vitet ’70, kësisoj Lilo punonte fare afër lumit Osum. Ndërkohë ai fotografon edhe ngjarje shoqërore, fetare e politike të qytetit si dhe fenomene të natyrës, pra foto të paporositura nga dikush. Në këto futen edhe pamjet më mbresëlënëse dhe karakteristike të qytetit, të cilat e tërhiqnin fotografin, si Kalaja, lagjja Mangalem, Ura dhe lagjja e Goricës, Osumi etj. Një pjesë nga fotot e këtyre të fundit u shtypën edhe si kartolina postare. Aparati që fotografonte më së shumti Xhimitiku ishte një “Kodak” amerikan me filma 6X9, të cilët i lante dhe stamponte në studion e tij buzë Osumit. Ai përdorte mbi fotografitë e tij kryesisht dy vula, njera e thatë (me reliev), që e vendoste në anën e djathtë të pjesës së përparme të fotos (Foto Xhimitiku-Berat (Albania), tjetra e njomë (Ilia Xhimitiku-Fotograf-Berat) me ngjyrë mellani, që përgjithësisht vihej në anën e pasme të fotografisë. Të dyja vulat ishin në formë vezake, e thuajse të barabarta në madhësi, ato i shohim sot në mjaft fotografi të familjeve të vjetra qytetare si dokument autorësie të fotokronikanit të njohur, Ilia Xhimitiku. Ndër shumë peizazhe nga qyteti, dallohen fotografitë ku paraqitet lagjja Goricë dhe Ura e saj. Fotografia që kemi ndër duar, mendohet të jetë realizuar nga fillimi i viteve ’40, kur puna me klientët mjeshtrit goricar i shkonte fare mbroth, çka ja shton vlerësimet atij, sepse ai gjente kohë të bënte edhe shkrepje për qejf, tashmë me kërkesa më të larta estetike. Shkrepjet për qejf, përgjithësisht, realizohen në atë raste kur fotografi ngacmohet nga pamja që ka para syve duke i lindur atij ndjesi të veçanta ideore dhe estetike. Bash këto lloj shkrepjesh përbëjnë shumicën e fotove të traditës (Njëqintëvjeçari i parë) që hyjnë në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Në këtë suazë futet edhe ky peizazh fotografik nga Berati i Ilia Xhimitikut.

Ura e Gorricës naten
Ura e Gorricës naten

Fotografia

Fotografia që po diskutojmë hynë në gjininë e peizazhit fotografik. Foto të tilla në Fotografinë Shqiptare kanë realizuar edhe fotografë të tjerë vendas para tij, si Pjetër Marubi, Kristaq Sotiri, Kol Idromeno, Gjon Rrota, Thimi Raci, Kol Maca etj, por edhe pas tij, peizazhi është lëvruar gjerësisht nga shumë fotografë, si Shan Pici, Gegë Marubi, Misto Cici, Ymer Bali, Jani Ristani, kryesisht bardhë e zi, ndërsa dhjetëvjeçarët e fundit ai realizohet më tepër me ngjyra dhe nëpërmjet aparateve digjitalë. Peizazhi quhet “Ura e Goricës”, ndonëse vet ky objekt ze një pjesë fare të vogël në të gjithë sipërfaqen e fotos. Fotografi Xhimitiku ka vendosur mbi trekëmbësh aparatin e tij në ndonjë shtëpi në pjesën e sipërme të lagjes në mënyrë që të mos ta kapi urën as vertikalisht dhe as ballas dhe që lumi ta presi urën brinjas, jo ashtu siç kryqëzohen në të vërtetë të dy, vertikalisht. Shumë herë ura bashkë me lumin janë fotografuar nga sipër, duke formuar një kryq të drejtë (me kënd 90 gradë), po ashtu edhe ballas. Ai e njihte shumë mirë pamjen e urës dhe ndoshta e ka menduar më herët mënyrën e fotografimit dhe përfytyruar se si do shtrihet pamja e zgjedhur në letër pas të gjithë proceseve teknologjike. Xhimitiku, ka zgjedhur një kuadrim të tillë që të fuste në objektiv një pamje ortogonale, me kënd thuajse 120 gradë i gjeri dhe 60 gradë i ngushti, ndërmjet lumit dhe urës. Në të vërtetë, këndi i prerjes së lumit me urën është 90 gradë. Fotografimin pjerrët të lumit me urën e kanë përdorur edhe fotografë të tjerë, vendas e të huaj, por Xhimitiku, mendoj se ka gjetur këndin më të përshatshëm midis urës dhe lumit, ose më ndryshe, mes të ngurtës dhe të lëngshmes, të përhershmes dhe të përkohshmes. Shikimi, ashtu si edhe rrjedha e lumit rrëshqet lirshëm nga e djathta në të majtë, ecën paralel me horizontin në pjesën e sipërme të fotos, derisa del nga katërkëndshi i fotos, lartë në të djathtë të saj, vertikalisht mbi vendin ku edhe ka hyrë në fotografi.

Ura e Goricës me borë
Ura e Goricës me borë

Nga plani i parë, çatia e një shtëpie e deri te Mali i Shpiragut në sfond, largësia është rreth 10-15 km. Në foto vërehet fare qartë thellësia e fushës së pamjes, por jo me kuptimin e mprehtësisë së kontureve, por të planeve perpendikularë me shikimin e vështruesit. Në mjaft peizazhe fotografike, planet përcaktohen nga objekte të ndryshëm, si kodra, male, ndërtesa etj. që bëjnë që shikimi të kaloj nga pika më e afërtë e pamjes te më e largëta si nëpër shkallë. Në foton tonë, shkallëzimi i përmasës së tretë, ose më ndryshe “thellësia e fushës” është i butë. Në planin e fundit duket, sidomos në anën e djathtë, një vijë që paraqet përvijimin rrethor të Malit të Shpiragut që ndanë malin me qiellin. Çuditërisht, në foto nuk vërehet ndonjë njeri, aq më tepër mbi urë, përveç një karroce të vogël me kalë dhe me dy rrota (edhe kjo jo mbi urë), që mesa dallohet, ecën drejtë daljes nga qyteti. Ajo është kapur fare pranë një turbe të vogël bektashiane, që sot nuk ekziston.
Vet urën, mjeshtri e ka kapur në një pozicion të atillë që ajo të shfaqi hijeshi, veçanërisht me tegelin e rregulltë të parmakëve si dhe 10 kamaret e vogla e pesë të mëdhat. Ajo përbën qëndrën vatrore më të rëndësishme dhe më tërheqëse të fotos. Të tjera qëndra vatrore janë rrapishtja, ndërtesa e centralit elektrik mbi të, çatia në planin e parë, një copë shtrati lumi e gjelbëruar etj. Fotografia është mbajtur në një sepje të butë, dhe në shikim të parë të kujton peizazhe fotografike franceze të shekullit XIX. Ajo ka kontrast të butë tonal (sepse fotoja është monokromatike) dhe ka një zgjidhje intriguese grafike. Koha e realizimit të fotos mendohet të jetë rreth mbasdites, gjë që kuptohet nga drejtimi i hijeve të këmbëve të urës, por pa diell të fortë. Stina, mesa rezatohet nga ndriçimi, hijet e objekteve, gjelbërimi i pemëve si dhe sasia ujit të lumit, duhet të ketë qënë pranverë e vonë ose fillimvjeshte. Gjithsesi, fotoja me gjithë linjat grafike të thyera, indukton qetësi e mbahet jo pak para syve duke e kundruar me kënaqësi.
Fotoja, siç e cekëm edhe më sipër, i përket gjinisë së fotografisë së artit (peizazhi). Në ktë hulli, ajo ka edhe karakteristikat e rrymës estetike të fotografisë, Pikturializmi-t, që pati zenitin e tij në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX. Nuk ka të dhën se Xhimitiku ynë e njihte Pikturializmi-n, por dihet se ai kishte shikuar riprodhime të mjaft kryeveprave të pikturës botërore, e këto sigurisht kanë ndikuar në shijet e tij artistike.
Nuk ndodh përherë që fotografimi i një objekti simbol, të japi një fotografi-simbol, ashtu si “Ura e Goricës” e arritur me aftësi dhe dashuri, nga mjeshtri i aparatit, Ilia Xhimitiku. Kështu, ajo ze vend edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare si një nga peizazhet më mbresëlënës të gjysmës së parë të shekullit XX.
Tiranë, nëntor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.