back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Jeta e Petro Markos… dhe fshati i tij më i bukuri në botë…

Gazeta

Petro Marko (1913-1991)
Petro Marko (1913-1991)

“Në vitet që pasuan, në jetën që jetoi,
Ai sigurisht punoi dhe krijoi.
Puna ishte burimi i gjallë që i ushqente zemrën.
Të shkruarit, krijimi ishte frymëmarrja e tij. Botimi ishte gjelbërimi.
Familja e ndërtuar ishte toka.
Veç të tjerash tani kishte një grua, dy fëmijë, një shtëpi,
kurdoherë një mace dhe dallandyshet në ballkon.
Kishte dhe historinë. Atë që shkoi dhe atë që ish…
Kishte njohur, kishte ndjerë, kishte kuptuar, kishte luftuar, kishte pësuar…
dhe përsëri gëlltiti dhembjen me pahir, duke mbetur pjesë e ëndrrtarëve…
Por djali i vogël nga Dhërmiu kishte lindur për të qenë shkrimtar.
Nuk qau… Ai zgjodhi rrugën e punës. Puna ishte Jeta për të…
Kush punon, jeton! Dhe Ai punoi…
Njeriu, Artisti, Vullnetari i lirisë, Babai im…”
Arianita Petro Marko

Petro Marko me të bijën Arianita
Petro Marko me të bijën Arianita

Jeta e Petro Markos

dhe fshati i tij më i bukuri në botë…

Petro Marko ka lindur në Dhërmi në 1913. Fëmijëria e tij ka kaluar në fshatin e tij të lindjes për të cilin ai thotë se “Dhërmiu është fshati më i bukur në botë”.
I edukuar nga familje e njohur dhe patriotike himariotase, Petroja më pas do të ndiqte studimet në Shkollën Tregëtare të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën në vitet ‘30-të atë e caktojnë mësues të gjuhës shqipe në zonën e Dropullit. Pikërisht në ato vite Petroja filloi të shfaqte talent në fushën e shkrimeve dhe të gazetarisë. Në atë kohë Petroja kujtonte me respekt Branko Merxhanin, nga i cili u lidh në fushën e botimeve.
“Ora” do të ishte gazeta e parë ku Petro Marko 25 vjeç do të fillonte të shkruante shkrimet e para të cilat sulmonin regjimin e Zogut për prapambetje shoqërore kulturore dhe ekonomike në të cilën ndodhej vendi. Më pas me gazetën tjetër “ABC”, Petro Marko do të shtonte talentin e tij në firmimin intelektual sidomos kundër frymës së re që sapo kishte sunduar në Europë, atë të fashizmit. Për disa shkrime të botuara ai u burgos disa herë nën censurën e fortë të regjimit të Zogut. Petro u shkëput herët nga Himara dhe kontaktet me familjen e tij i mbante për së largu. Atë kohë ishte vendosur në Tiranë dhe rreth viteve 1934-‘35 ai përfitoi një bursë për të ndjekur studimet në Paris ku veçanërisht ministri i atëhershëm i Arsimit të Mbretërisë së Zogut, Hill Mosi e ka ndihmuar duke parë penën e fortë të Petros për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Petro Marko do të detyrohej të ndërpriste studimet kur filloi lufta në Spanjë. Në atë kohë ai u bashkua me patriotë dhe revolucionarë siç thoshte ai në atë kohë që “Të gjithë ishin komunistë të vendosur” për të luftuar ndaj fashizmit. Pikërisht në vitin 1936, Petro Marko së bashku me shumë shqiptarë të tjerë regjistrohet në Brigadat e forcave vullnetare të Spanjës. Atje veç luftëtarëve të të gjitha vendeve ai njohu dhe të famshmin Ernest Heminguej, për të cilin ai thoshte se ishte një kolos i përmasave të mëdha. Ngjarjet e Spanjës Petro do t’i hidhte në letër dhe do t’i botonte në kohën e Diktaturës së Hoxhës, por me një natyrë krejt të veçantë, atë të censurës, të ndalimit të veprave dhe vargjeve dhe të diktuara prej propagandës komuniste e asaj kohe.
Pushtimi i Italisë fashiste e gjeti Petron në mërgim në Francë, i cili ishte kthyer pas Luftës së Spanjës. Në Shqipëri vjen menjëherë dhe takohet me patriotë dhe komunistë përfshi Nako Spiron, Sejfulla Malëshovën, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Koçi Xoxen, etj., dhe merr pjesë në rezistencën guerilje kundër fashizmit. Në vitin 1941, kur vepronte në Tiranë arrestohet dhe çohet në Burgjet e Ustikas në Itali, nga ku lirohet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Petro Marko, Skënder Luarasi, Iliaz Pasha, Mehmet Shehu, luftëtarë të Spanjësj
Petro Marko, Skënder Luarasi, Iliaz Pasha, Mehmet Shehu,
luftëtarë të Spanjësj

Pas çlirimit, Petro Marko do të themelonte gazetën “Bashkimi”, por në vitin 1947 ai do të arrestohej së bashku me grupin e Koçi Xoxes si agjent i anglo-amerikanëve. Pasi ka qëndruar rreth dy vjet në burgjet e komunistëve të Hoxhës, Petroja do të fillonte jetën ndryshe nga ç’e kishte dashur dhe çkishte luftuar për vendin e tij, nën sundimit e gjatë të dinastisë së Hoxhës, kohë për të cilën ai vetë fliste se “ta dinte se Shqipëria do të kishte përfunduar nën diktaturë, do të kishte qëndruar diku në Perëndim dhe prej andej ndoshta do t’i shërbente më mirë vendit dhe kombit të tij, se sa nën kërcënimin e kulisave të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Martuar me Safon piktoren bukuroshe, Petro do të edukonte dhe dy fëmijët e tij Jamarbërin dhe Arianitën, nën frymën bashkohore të artit dhe të kulturës qytetare. Por pikërisht këtu fillojnë dhe aventurat e jetës së tij. Shkrimtari, i cili më pas do të bëhej profesionist i vërtetë, me publikimet dhe reportazhet e tij si në shtyp dhe në botime do të gëzonte shpejt respektin e shumë shqiptarëve dhe patriotëve jo vetëm në vend por dhe jashtë saj.
Botimet e Petro Markos filluan të përktheheshin në gjuhë të ndryshme të botës. Vepra te tilla si “Hasta La Vista”, “Qyteti i fundit”, “Ara në Mal”, “Një emër në katër rrugë”, “Shpella e Piratëve”, etj., do të mbushnin libraritë shqiptare dhe europiane madje dhe deri në Japoni dhe Amerikë.
Me daljen e botimeve të Petro Markos letërsia shqiptare hyri në frymën e letërsisë moderne, origjinaliteti i të cilës i kaloi dhe kufijtë imagjinarë. Pikërisht ishte Dhërmiu për të cilin ai thoshte se ishte fshati më i bukur në Botë, vendi ku Petro do të fillonte të lidhte gjithë krijimtarinë e tij artistike dhe letrare. Dhërmiu dhe Himara do të mbeteshin të paharruara në kujtesën e Petros për të cilin ai thoshte se: “Në atë vend edhe gurët edhe retë flasin bashkë, ndërsa nuk mund ta përshkruante dot me fjalë përplasjen e dallgëve dhe zhurmën e tyre me shkëmbinjtë mbrëmjeve buzë detit…”
Për gjatë gjithë karierës së tij letrare deri sa Petro Markon e larguan nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dhërmiu dhe njerëzit e tij të thjeshtë do të përbënin thelbin e personazheve të shkrimeve dhe veprave të tij, ku shpesh emra dhe karaktere të legjendave të brigjeve të Himarës, do të tërhiqnin me interes botën e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare. Personazhet e librave me heronjë, piratë dhe kapedanë, do të shndëroheshin në filma, ndërsa me botimet e romanëve modernë të letërsisë sonë, ai do të fitonte dhe tituj të lartë si në vitin 1959, çmimin e Republikës.
Pas persekutimit të tij moral dhe profesionist, Petroja nuk hoqi dorë nga veprat dhe shkrimet. Ai shkruante thjesht në një shtëpi për të cilën nuk e ndërroi deri në vdekje përballë Hotel Arbërisë, në një dhomë ku vetëm dëgjohej goditja e makinës së shkrimit dhe ndihej era e thellë e duhanit që ai pinte deri natën vonë. Në shtëpinë e tij kanë hyrë me qindra patriotë dhe bashkëfshatarë si nga Himara dhe vende të tjera të Shqipërisë, probleme halle pse jo dhe talente për të mësuar më pas artin e Petros. Ndërkaq persekutimin e tij ai do ta ndjente akoma më shumë kur Madu siç i flasin shkurt djalit të Petros, do ta futnin në burg për propagandë antikomuniste.

Prindët e Jamarbërit Safo e Petro Marko
Safo e Petro Marko

Në vitet e rrëzimit të diktaturës, Petroja do të kishte në duar dorëshkrimet më të bukura të jetës së tij, por ai dha shpirt në 27 Dhjetor të 1991. Pak kohë më parë ai kishte themeluar Partinë Republikane për të cilën ai thoshte se duhet të bëhet vërtetë republikane me koncepte moderne dhe jo komuniste.
Amaneti që kishte lënë në familje ishte jo shumë i çuditshëmt për njerëzit që kanë lindur në Bregun e Detit Jon. Ai dëshironte të varrosej në Dhërmi. Autori i këtyre radhëve ka jetuar tri vitet e fundit të jetës së Petro Markos, bashkë me të momente trishtimi dhe gëzimi, që nga fillimi i botimeve të Petros dhe deri në vdekjen që s’ju nda për asnjë çast nga pas, pikërisht në atë dhomë të vogël ku Petroja i shtrirë në shtrat priste dhe përcillte me mijëra miq dhe dashamirës së tij, sikur dëshironte të çmallej dhe vetëm të çmallej me ta.
Por ja një natë dimri, ndërsa televizioni shqiptar njoftoi për shuarjen e një prej kolosëve të letërsisë shqiptare Petro Markon, të nesërmen trupi i tij do të udhëtonte dhe do të varrosej pranë gurëve të Dhërmiut, tek varri i të parëve të tij, dhe pse Llogoraja atë ditë mbuluar me borë dhe akull do ta lejonte arkivolin dhe miqtë që e shoqëronin, pa asnjë pengesë. Petro Marko prehet sot në “Fshatin më të bukur në Botë”, në Dhërmi, atje mes ullinjve dhe portokalleve, por dhe aromës së jodit të Jonit.
Pas kaq vjetësh Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani i ka akorduar pas vdekjes titullin e lartë “Mjeshtëri i Madh i Punës” Petro Markos, për meritat e tij të larta në shërbim të kombit, atdheut, artit dhe letërsisë. Me veprën e Petro Markos, Teatri i Qytetit të Vlorës mori emrin e tij.

Petro Marko - Romani "Hasta la Vista"
Petro Marko – Romani “Hasta la Vista”

***
Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.
Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Himarës më 1913. U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë.
Pak kohë studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra). Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare.
Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internazionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që asokohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos.
Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44, Petro Marko do të marrë pjesë në rradhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rrjesht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi.

Familja e Petro Markos
Familja e Petro Markos

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare, Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur nga afër Petro Markon e kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie.
Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1958) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës” (1989). Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundrazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.
Krahas kësaj prirjeje të brendëshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendëshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.
Marrë nga http://www.forumihorizont.com/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.