back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Gjashtë Skica letrare nga Arjola Zadrima

Gazeta

Arjola Zadrima te Arka
Arjola Zadrima te Arka

Gjashtë Skica Letrare

nga Arjola Zadrima

Arjola Zadrima në harkun e pak kohëve
ka marrë çmimin “Penda e Kristalte”
për librin “A ban me m’lshue pak rrugë”
me rastin e 25 vjetorit te Martin Camajt
dhe dy çmime për poezinë e pabotueme.
Paraqitja e këtyne skicave letrare asht nji inkurajim
për botimet e mavonshme të saj…
.
7 maj 2017 - Dy çmime për Arjolën
7 maj 2017 – Dy çmime për Arjolën

Dhoma numër 14

Dyert shpesh ngjajnë njilloj. Pak ndryshim kanë prej njena tjetrës. Aroma gjithmonë e neveritshme. Ora e mbetun në ballë më ban me mendue se asht prej aty ku ndalet koha. Bluza të bardha, stetoskopë, hapa të lehtë, diku nji karrige me rrota, ma andej nji barrelë.
Shumë për sytë e mi të lodhun. Heshtja e mureve grih sikur t’i merr qelizat e gjalla tue t’i vdekë nji nga nji. Përballje. Karrigen me rrota e kalova kryenaltë gati tuj thanë ndër dhambë, “ka dashtë Zoti s’më duhesh ma, a të thashë se çohem gjithmonë në kambë”.
Mama më terhjek kadalë nëpër koridor. Dhoma numër 14 dhe unë, i njëjti shtrat, e njëjta unë, i njëjti tërbim brenda meje.
“Vajzuke, qetë!” Doktori, sikur mi lexoi mendimet.
Pohova me krye. Deshta me i thanë, po unë jam gjithmonë e qetë, krejt e qetë, jam dreqi vetë!
Duert më humben thellë në dyshek si me dashtë me i shfry nervat e grumbullueme.
Përjashta shi. Edhe sot bjen shi…
Qe pra nuk asht ndonji frikë e madhe, dhoma numër 14, shtrati ku ndejta nji muej, koridori me aromë të qelbët. Kam gjetë nji unë, që si dron ma. Nji unë të qetë, nji unë që ecë, nji unë që tërbimin e msheh thellë.
Oh, sa shumë veta.
Tana këto mendime i thyen kritika e doktorit, shikjo se s’je tue e mbajtë fjalën… etj etj etj
Ndër mend më erdh Alé. Përtej këtyne mureve të randueme me smundje, asht jeta.
Due me shkue në shtëpi.
Njerëzit, më kanë çuditë prej gjithmonë, tue mendue se ferri asht nji vend ku digjesh tue u ba hi. Veç unë e di të vërtetën, ferri asht këtu, e kam jetue në dhomën 14.
-Mami, mami!
Djali, m’zgjoi edhe nji herë prej andrrave.
-Alé shpirt hajde ta push* mama gurabinë.
(2015)
*puth
Amësi... me Alen
Amësi… me Alen

Nji ndër njimijë, me fat!

…dhe nji here përballë numrave me frikën në shpinë.
Infermjerët e turnit, u avitën tue m’përshendetë, tue m’përgezue, edhe pse, s’isha tue ndje kurgja. Më kishte mposht frika. T’dridhna më përshkuen trupin kur nji zojë po ecte me shpirt ndër dhambe në koridorin e madh. Ishe betue mos me shkelë ma n’spital, por çka me ba, duhet ndonjiherë. Kur mjeku u shfaq para meje, u mblodha pak, ndonëse me sillej e tanë jeta mbi krye dhe diçka me trazonte ne stomak.
-He gufe, prap ti këtu!? M’erdh ma i butë zani i mjekut që m’kishte psikologjisë prej syve, “Ke frikë eeee, hajde se asht marre unë jam krenu me ty!”.
I buzëqesha.
Ditët kanë fillue me ndryshu, heshtjet janë gjithnji të njëllojta. Sot u përballa me frikën që kisha thellë në vedi. Mujta. Ato muret e verdha janë dëshmi e nji dishprimi që s’ja thashë kërkujt. Çuditnisht isha unë e drejtë, e gjallë e tanë jetë para dhomës numër 14.
Zilja e telefonit më treti prej ferrit te mendimeve, zani përmbas ma ngrohu shpirtin,
-Dush, mbaroi drita e babës…
Mama më kapi dorën, të dyja kaluem derën e madhe të spitalit, ndiva erën në ftyrë kuptova se çdo gicilim sado i vogel ishte jeta.
Nji ndër njimijë me fat!
(2015)
.

Kornizë

Kthehem në shtëpi. Sapo hap derën sytë ndeshin sytë e tij. Sa i bukur brenda asaj korrnize të vorfën. Ka ditë ku ulem përballë. I flas. Mundohem me imitue gjestet e zakonshme. Luejtjen e dorës së djathtë në shenjë miratimi, përkuljen e kryetit dhe atë çudinë që e kishte të vetën. Sot e pashë gjatë. Muejt ikin pa u ndie por ai vazhdon me kenë diku. Kam ende në kujtesë gjana të vogla që e bajnë tanësinë e kësaj jete. Përshembull sot asht dashtë me më marrë në telefon.
-Jolë veshu ma trashë, asht ftohtë e mos del “cirifuq”!
Prapë kisha me i thanë, që e di vetë çka veshi e gjithsesi kishe me e shtue një shall.
Më duket sikur ende ma ban kafen e nadjes sidomos kur nji ditë ma parë jena grindë kot. Më vjen me qeshë e me kja kur kujtohem se i thoja, “po pra po, më merr me të mirë me nji kafe!”
Ai tue qeshe thoshte, “Ruj se e pin”!
Mandej më rrokte me zor e thote,” he se boll u bane zevzeke!”.
Më njihte mirë.
Sot asht një ditë ku jam zhytun brenda zemrës.
Aty e gjej gjithmonë.
(2016)
Me Camajn te Camaj
Me Camajn te Camaj

Asht ora 10 e mbramjes.

Asht ora 10 e mbramjes.
Heshtja lëkund venën në gotën teme. Jetoj në qytetin e orëve memece. Në çdo hap, çdo tip ka diçka perverse me m’thanë. Kjo s’më çudit ma. Më qetëson fakti që s’më njohin. Mjaftohem me këtë.
Çka po ban në këtë orë?
Ndonjë kokteil vodke. Më intrigon kjo. Me mend po ulem nga rruga e ambasadës Amerikane në Romë drejt Caffè De Paris që për fatin tim të keq, asht mbyllë.
S’ka pak që kalova në pedonale, ku mbidyndet me pijedashës. Çfarë kontrasti.
Prapë intrigohem. Ecin dy unë. Njena në Shkodër tjetra në Romë. Ato vullkanet nuk shpërthejnë këtu.
Nuk ka një Hard Rock Caffè ku të ulem me nji kokteil vodke, e të mbështillem me ngrohtësinë e një çasti.
Një dite mbas mbërritjes mendova se kam lindë diku në rrënojat e perandorëve romakë. E gjithë ajo mrekulli e pluhnosun brenda syve të mi, të magjeps.
Ndërsa çdo gërmadhë etruske më sëmbonte në shpirt, koha ecte pa mëshirë.
Asht ora 10 e mbramjes, ti jeton në qytetin e zemrekut të tokës. Atje dashnia nuk asht në të shkuemen, as në të ardhmen ajo livrohet histori e gjallë në amfiteatrin e Flavios.
Natën e mirë Ty, që s’ke harrue se kjo jetë asht nji.
Gota jeme e shprazun me tundon. E mbusha prapë. Sonte eca dorë për dorë me jetën nëpër Romë.
.

Orkide

Mbi skrivani dy foto. Askush veç unë. Tingulli i athët i shfletimit depërtoi thellë. Ka nji të shkueme brenda çdo njeriu. Asht ajo koha ku gjithçka ka ecë si tren ekspress, e ti nuk je ndalë në shumë stacione deri në destinacion.
Mbrenda fotove dy të shkueme. Njeriu dhe ndjenja. Njeriu ikë, gjithmonë ikë. Ikë prej dashnisë së madhe, sidomos kur ajo asht ma e madhe se ai vetë. Ikë prej zhgënjimit, sidomos në moshën e zhgënjimeve. Ikë prej shumçka e mbi tana ikë prej vehtes. Len gjithçka mbas, nji andërr përgjysë, nji jetë në mëdyshje e nji zemër dysh.
Ndjenja mbetë jetime, mbrenda ditareve të pluhnosuna, mbrenda zemrave të paajrosuna. Mbrenda atyne foto njerëzit kornizojnë të shkuemen, përsosmëni akute.
Heshta gjatë. Edhe e shkuemja mundet me ndërtue urë me të ardhmen, por ata dy kishin mbetë të njëjtit. U kishte kushtue çerek shekulli ajo urë. Tepër vonë me zgjue thëngjij. Tepër vonë me u drashtë apo me u dashtë.
Sirena e lokomotivës më zgjoi prej mendimeve. Me fotot ndër duer zbrita, nuk ishte tren ekspress, ndalesa e rradhës asht jeta.
Një ditë do t’u rrëfej nipave për dy njerëz që për hir të lirisë dhanë dashninë.
Ai tingulli i athët i shfletimit kishte aromën e lules që mbaja në çantë.
.
Na u desht me u ba shoqe...
Na u desht me u ba shoqe…

Një grue rreth të 40

Një grue rreth të 40 asht e ndjeshme dhe egër njikohësisht. E ka jetue ferrin e parajsën. I pëlqejnë shëtitjet e gjata, vetmia, muzika klasike, e lehtë mbi të gjitha e shoqnueme me nji gotë pije.
Një gruë rreth të 40 nuk ka frikë. Ajo ka kurajë dhe ecë me hapa viganë drejt realizimit të saj. Lexon shumë, i pëlqejnë këmishat e najlonta të shkurta seksi, dhe të gjata deri në fund të kambve. Nuk i vesh për një burrë. Thjesht ndihet shkëlqyeshëm me vedin. Pëlqen gjoksin të çlirët, shkujdesun, pambërthyem mbas sytjenave. Aroma e trupit të saj duhet me e dehë ma së pari Atë.
Një gruè rreth të 40 nuk mërzitet për kurgja, ajo gjen diçka ma interesante se mërzia. Nëse nuk i kushton vëmendje i kushtohet tanësisht vehtes. Një grue e tillë asht sfidë, qysh në shikim. Liria e saj të tremb, të ban me u ndje inferior. Por asht ajo vetë që kërkon esencën e gjithçkaje.
Një grue rreth të 40 asht botë e pazbulueme, shenjti e djalli flenë brenda saj. Ajo asht çka dëshiron me kenë dhe nuk mundet me e ndalë askush. Asht e zoja e vedit dhe nëse të fal vëmendje je me fat.
Një grue e tillë të kalon nëpër hundë e të len veç aromën. Dhe nuk e vendos ti sa ka me zgjatë ajo aromë.
Kaq kisha.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.