Një tregim i endur me fillin e padukshëm të ndjesive të thella
dhe shpirtin intrigues e felin të një gruaje;
një butësi rrëfimi thuajse ledhatare që të mban pezull
dhe një zgjidhje që lejon njëmijë ndërdyshje të diskutueshme…
Mbetem i bindur, se një shumice lexuesish
mund t’ju lere shijen e admirueshme të një fantazije
ku vozitet ndër qiejt e largët të së mundshmes…
Ndërsa lexoja, u ndjeva pezull, çka ma thekson edhe më tej
mjeshtërinë e të rrëfyerit të autores…
jozef radi, 30 janar 2022
“Zonja” misterioze
tregim nga Ervina Toptani
“Ju kanë thënë ndonjëherë se jeni shumë i pashëm e se parfumi juaj sjell një ndjesi mjaft të këndshme kur mbushem fort me frymë ndërkohe që ju kaloj pranë?”
Kush mund të ishte vallë? Me siguri ndonjë shaka e vajzave të kompanisë. Kishte disa çapkëne bukuroshe që herë pas here bënin ndonjë shaka të tillë… Ai ishte i martuar, me atë gruan e kujdesshme që i zgjidhte parfumin, që i gatuante çdo gjë që ai preferonte, që kujdesej për djalin e tyre në çdo detaj e që ishte mjaft e suksesshme në punën e saj.
Të nesërmen vjen një mesazh tjetër në inbox-in e emaileve. “Sa më pëlqen buzëqeshja jote! Kur bën atë shikimin që i picërron pak sytë si një djalosh i vogël djallëzor, më kenaq pa masë!” Kjo e bëri kurioz. Ndoshta Katia, sekretarja e tij, dinte diçka më shumë rreth njeriut misterioz. Por më kot, as ajo nuk dinte kush mund të ishte. Mesazhet në inbox filluan të shpeshtohen, çdo ditë nga një apo dy të tillë. Ai nuk kishte mundësi të përgjigjej sepse asnjë email i tij nuk shkonte në adresën e panjohur. Gjithçka i kthehej mbrapsht.
“Zonja” misterioze, të paktën dukej që ishte mjaft femër nga çfare shkruante, e kishte bërë të ndjehej të paktën 10 vitë më i ri. Mezi priste të lexonte emailin e rradhës e mbetej me orë në pritje duke kontrolluar herë pas here email-et që vinin. U bënë rreth 2 muaj tashmë që ajo i shkruante rregullisht, madje i dërgonte dhe poezitë e saj të preferuara, grimca ditari personal siç kalonin në mendjen e saj, pa i hedhur së pari në letër. Ndante me të, një lloj “intimiteti” kaq të ëmbël, sensual, të sinqertë sa të mallëngjente. Çfarë po ndodhte kështu? Sa burra nga ata që ai njihte e kishin përjetuar diçka të tillë? Duhet të quhej me fat apo e kundërta?
Ajo i kishte sugjeruar të ulte ca në peshë e ai kishte filluar palestrën prej ca javësh, pa e kuptuar as vetë çfarë dreqin po bënte. Ajo i kishte sugjeruar të vishej me ngjyra pak më të çelura e kështu ishte ndërruar dhe një pjesë e mirë e garderobës. Kishte ndryshuar dhe modelin e flokëve, vetëm parfumi mbetej i njëjti. Asaj i pëlqente aroma e tij. Ishte lodhur me mënyra të ndryshme të gjente se kush mund të ishte gruaja misterioze, por më kot.
Ndërkohë gruaja e tij ishte shumë e kënaqur me ndryshimet e të shoqit. Kishte kohë që i lutej për këto ndryshime por ai ishte gjithnjë i zënë me punë e nuk kishte kohë të “ndryshonte”. Madje ajo i kishte blerë dhe kravatat e reja që i shkonin me këmishat e kostumet e garderobës së re. Ishte e lumtur që ai ndjehej kështu, plot entuziazëm, i qeshur, plot 10 vite më i ri, si atëhere kur u njohën në studimet e masterit të tyre të parë.
Ai ndjehej keq që i gjithë ky ndryshim, kjo lloj ndjenje që ai kishte dhe turp ta pranonte, ky emocion rinor i atribuohej një gruaje tjetër, një gruaje që ai as nuk e njihte, as emrin nuk ia dinte. E shihte të shoqen dhe ndjehej mizerje nga brenda. I lutej që dhe ajo të ndryshonte disi, të dilte më shpesh me miket e saj, të mos kujdesej kaq shumë për të por për veten. Të bënte diçka të re që ta gëzonte, por më kot, ajo ishte e lumtur me jetën e saj, me kujdesin që tregonte për familjen, shtëpinë, punën e saj që e bënte me shumë dashuri.
Emaili erdhi. Ajo i la takim në verandën e nje lokali buzë detit, një vend i mrekullueshëm. Veranda do të ishte e gjitha e prenotuar për atë mbrëmje e askush tjetër nuk do të ulej aty përveç tyre. Ai e njihte vendin, madje njihte dhe menaxherin e restorantit e menjëherë i telefonoi për të marrë vesh se kush kishte prenotuar verandën për mbrëmjen në fjalë. Donte një emër, një përshtypje, diçka sado të vogël për të kuptuar… për të kuptuar asgjë, në fund të fundit. Ai kishte rënë në dashuri me një grua që vetëm normale nuk ishte!
Menaxheri nuk mundi t’i japë asnjë informacion. Gjithçka ishte bërë nëpërmjet telefonit, madje dhe pagesa për prenotimin ishte kryer me një postier. Zonja ishte edhe më e “djallëzuar” se ç’mund të mendonte ai.
Pasditja e shumëpritur erdhi. Ai kishte zënë vend në një qoshe të guzhinës prej nga ku shihej e gjithë veranda e restorantit, në pritje për të “vjedhur” momente nga ardhja e saj. Por ajo kishte ardhur para tij dhe qëndroi gjithë kohën me kurriz nga dera e dritaret e restorantit. Kishte përballë saj vetëm detin. Flokët e verdhë, shpupurisur supeve nga flladi që deti i sillte si përkëdhelje, valëviteshin si dallgë të vogla që formonin onde të lehta në fundin e tyre. Fustani i gjatë, i bardhe, me hapje të gjerë në shpatulla deri afër fundshpinës. Në dorë i dukej një trëndafil i verdhë. Kaq mund të shihej nga vendi ku ai kishte zënë pozicion “sulmi”.
Ora shkoi fiks e një zotëri i vërtetë nuk do e linte kurrë një grua të priste. Ai po ecte ngadalë në drejtim të saj, me zemrën që i rrihte njëmilion rrahje në sekondë, me duart që nuk i kontrollonte mjaftueshëm, me frymëmarrje të rënduar e ndjente që pesha e trupit në çdo hap që ai afrohej drejt saj, sa vinte e bëhej më e paktë. Ndjehej si një pupël që mijra flutura shumëngjyrëshe e kishin marrë në krahët e tyre dhe e shpinin drejt kaltërsive.
Ai qëndron në këmbë disa sekonda, vetëm një hap larg saj. Ndjente se mund të vdiste në çast. Ajo kthehet, buzëqeshte si dielli i qershorit, me sytë e shkëlqyer si dy diamante e me sigurinë e një gruaje të vetëdijshme për “tërmetin” që kishte shkaktuar. “I dashur, ta kisha borxh këtë!”
Ishte ajo, dashuria e tij e madhe, çmenduria që e kishte bërë të ndjehej i madh dhe i vogël brenda një dite të vetme, ëndrra e bërë realitet brenda një realiteti aq të ëmbël ndërkohë që kërkonte ndryshimin. Ishte ajo, gruaja e tij, nëna e djalit të tij, mikja e tij më e mirë. E vetmja grua me të cilën ai mund të dashurohej në çdo stinë, të çdo viti, në të gjitha jetët e tij.
Doja t’ju uroja të gjithëve vjeshtë të mbarë, me nuanca emocionesh që i sjell vetëm vjeshta, stina ime e preferuar. I rashë pak gjatë si urim vjeshtor, por nuk mund të uroja më shkurt se kaq.
Ervina Toptani
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.