back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Ziso Kamberaj – Lirika e Shqipërisë absolute – nga Prof. Pino Bonanno

Gazeta

Ziso Kamberaj dhe Profesor Bonanno
Ziso Kamberaj dhe Profesor Bonanno
Piktori Ziso Kamberaj ka një qajse të veçantë
si ndaj objekteve edhe ndaj subjekteve që bëhen pjesë e artit të tij.
Ai përthith ide, frymë dhe çështje sociale të kohës së vet dhe i vendos
mbi strukturat reflektive që përbëjnë shpirtin e tij të veçantë të vëzhgimit
duke i bashkuar herë mbas në kuadro që ndokujt mund t’i shfaqen edhe paksa të ftohtë,
të mistershëm dhe mosemocionues. Ziso Kamberaj, këta lloj lexuesish të artit,
nuk e trazon, përkundrazi jep edhe atij të kuptojë se piktura është përtej peizazhit,
portretit, natyrës së qetë, tablove epike apo lirike…
Ziso Kamberaj, përmes punëve të tij na dëshmon se te Arti mbrrihet përmes ideve moderne,
akumilimeve shpirtërore dhe kulturës së thellë të vëzhgimit të kohës që ai përket…
jozef radi, qershor 2020
.

Ziso Kamberaj – Lirika e Shqipërisë absolute

nga Prof. Pino Bonanno*

Nga sot, po çel “Pino-tekën” time të veçantë ku mbledh mendime, thellime të miqve artistë që admiroj, frekuentoj dhe vlerësoj. Edhe këtë herë do rri e kaloj kohë me ta, për kënaqësinë e bashkëndarjes së zgjedhjeve të mija me miqtë e facebook-ut, por edhe më shpresën për të hasur për ta po aq admirim nga ana e një publiku gjithnjë e më të gjerë. Këta miq artistë kanë të gjithë një përgatitje kulturore të shkëlqyer sa i takon njohjes së artit, por sidomos një aftësi të jashtëzakonshme përpunuese që i bën ata “të mëdhenj” përtej vetë synimeve e bindjeve të tyre. Ata jetojnë kohën e tyre me freskinë e faktit që u duhet të njohin veten tek ajo pa kërkuar skonto apo rrugë që t’i bien shkurt për t’i dhënë vetes veti të arrira. Punojnë me intensitet gjithnjë e më të madh pa pritur pëlqime pavarësisht, të vetëdijshëm që ajo që ka rëndësi është vetëm rezultati i punës së tyre, duke prodhuar vepra që kanë shumë për të thënë si në shprehje ashtu dhe në përmbajtje. E dinë mirë që dy elementët gërshetohen gjithnjë në projektimet dhe në realizimet. Ata janë 3 artistë tërësisht shqiptarë dhe 1 ruso-shqiptar: Ziso Kamberaj, Artan Peqini, Viktor Ferraj dhe Valeri Tarasov. Të katërt dalin nga e rëndësishmja dhe pjellorja Akademi e Arteve të Bukura e Tiranës. Një shkollë nga cilësitë didaktike të së cilës shumë akademi të Europës dhe të botës do duhet të merrnim mësime, për nga prania e shkëlqyer e mësuesve-artistëve të nderuar dhe për nga programet e rrepta që u duhet të respektojnë studentët e saj.
.
Ziso Kamberaj - Quo Vadis?
Ziso Kamberaj – Quo Vadis?
I pari ndër ta është Ziso Kamberaj. Ka lindur në Tiranë, por është shumë i lidhur me Vlorën, qytet karakteristik i jugut të Shqipërisë, qyteti i familjes së origjinës në të cilin kthehet shpesh pasi jeton mes Tiranës dhe Mynihut. Ka studiuar në Tiranë dhe është diplomuar në pikturë monumentale në Akademinë e qytetit, vend i rëndësishëm pikëtakimi kulturor, politik, artistik. E kam njohur në vitin 2004 në Dalmaci (në Split), gjatë një simpoziumi arti dhe qe e lehtë të hyja në empati me të, aq sa ende sot miqësia jonë është shumë e fortë. Gjëja që më goditi menjëherë ishte thjeshtësia e tij e natyrshme, përulësia dhe kryeneçësia aspak e pakët e tij për të ditur të diskutojë mbi gjithçka, me njohuri, mendjemprehtësi dhe ironi. Në atë rast, e pashë të punonte me intensitet të madh përpunues, duke përdorur teknika të përziera, gjithnjë në kërkim të elementëve të rinj materiali dhe ngjyrash që e përkufizuan më mirë atë që kish në mendje të realizonte, por që nuk arrija aspak t’i jepja formë pasi deri një orë para se të përfundonte veprën përfundimi i saj ishte i padeshifrueshëm. Ishte ai që deshi që unë të shkoja pranë rektoratit të Akademisë në Tiranë ku do të kisha disa takime e do të mbaja disa konferenca me studentë e profesorë. Dy vjet më vonë, ai dëshiroi që të prezantoja ekspozitën e tij të rëndësishme në Vlorë. Ashtu si dhe, në disa raste, më shoqëroi nëpër Shqipëri me qëllim që të njihja mirë vende dhe kultura karakteristike të “vendit të shqiponjave”. Quhet kështu për shkak të një legjende shumë interesante, e cila tregon për një fëmijë që donte të shpëtonte një zog shqiponje dhe për këtë u kurorëzua mbret dhe e quajtën “Shqipetar”, pra, biri i shqiponjës dhe mbretëria e tij u njoh si Shqipëria, Toka e Shqiponjave. Karakteri i tij i sinqertë, krenar dhe shumë i shkëputur nga bota zyrtare e artit e bën të jetë ngaherë kritik dhe në konflikt ndaj sistemit të artit që kërkon të jetë gjithnjë e më i heshtur tek pranon të gjitha “imponimet” e tregut.
.
Ziso Kamberaj - (dis)Habitatstadt Berlin
Ziso Kamberaj – (dis)Habitatstadt Berlin
Për Zison, vepra e artit është një brendësi, një vizion i botës, që është mbi të gjitha mjet për të formuar: një përmbajtje që shtjellohet në realizimin e një forme. Pra, nuk ekziston dualizmi formë-përmbajtje, por përmbajtja është në formën e parë, në dinamikë, si përmbushje e një procesi formues.
Veprat e tij shprehin përmes formës, në gjuhën e metaforës, konceptimin e realitetit karakteristik të kulturës, të kohës ku ato prodhohen.
Atëherë shqetësimi kryesor i tij nuk është më vetë vepra, por kërkimi i një udhe, një hapje e mirë, në thelb, mendimi që para-ekziston para saj.
Ai ka një nevojë të pangopshme për t’u ushqyer me copëza, me përditshmëri që qëndrojnë pezull në një kohë dhe hapësirë të papërcaktuara, por është po aq i ndërgjegjshëm teksa na sugjeron një kusht, një gjendje pasigurie, brishtësie, trazimesh të pafjala dhe kryeneçe.
Vepra të përpunuara për të theksuar daljen jashtë nga e përditshmja e për t’u dhënë formë të re fabulave të mistershme të një realiteti të ri: ai që është rritur brenda nesh, ai që ëndërrohet përmes referimeve të kujtesës.
Ziso pikturon me atë çka precipiton nga një përqendrim i fortë psikologjik, për të na sugjeruar ndryshime të qenësishme për mënyrën tonë të zakonshme të të parit.
Krijon imazhe formale lehtësisht të identifikueshme, por çorientuese për masat kromatike të përdorura, për prerjet e perspektivës, për kundërvëniet mes të plotës e të zbrazëtës, mes të çelëtës e të errëtës.
Ekuilibri kompozues kërkohet me shumë kujdes përmes përdorimit të disa ngjyrave mbizotëruese, që shtrihen për të theksuar pikërisht nevoja të brendshme të të thënit artistik të tij.
Janë tipike heshtjet e gjata të tij, ku nuk lë të shfaqet prania e artistit dhe ku është gjithnjë në mungesë të evoluimit të kujdesshëm të tij, duke qenë se në izolim të plotë vijon të pikturojë, duke gjetur shtysa të reja për të krijuar.
Ish drejtori i Galerisë Kombëtar të Tiranës, Abaz Hado, një ditë tha se “Ziso është piktori i vetëm që flet keq për veten”. Nga ana tjetër është vetë Kamberaj ai që pohon lirisht se ndonjëherë turpërohet të thotë se është një piktor, parapëlqen të thotë se është një mekanik kaldajist, një motorist, një që pi duhan e sheh shtëllungat, retë…
E gjitha kjo “lojë mungese” tashmë është gati një petk që e vesh pa vështirësi. Ka një mur të trashë ndarës mes piktorit dhe marrëdhënies së tij me artin që bota e merr si përkufizim historik. Përqwndrimi për të realizuar veprën që e kënaq e bën atë të jetë kërkues, aq sa piktori e ndien si një nevojë të brendshme që ndonjëherë i shërben për të kuptuar gjendjen fiziologjike, ndërsa herë të tjera për të qenë ashpërsisht autokritik. E megjithatë, unë e di që ai është i vetëdijshëm dhe krenar për mënyrën e tij të të qenit artist që prodhon shumë më mirë se sa të tjerët e konsiderojnë. I druhet “gjykimit” dhe nuk e kërkon atë që të mos duhet të përgjigjet e pra të shfaqet. Ai thotë: “Merrem me art, më shumë për t’u perfeksionuar, për ta kuptuar atë, edhe sepse në botë gjen forma arti nga më të ndryshmet që kanë vetëm tendencën për të ngjallur bujë, për të kapur shijet banale të publikut të gjerë, që në këtë rast është edhe blerësi më i madh, duke shfrytëzuar shijet, tendencat e kohës, të ditës për të bërë vetëm e vetëm veprime komerciale spekuluese ku kuptimi i veprës së artit humb çfarëdolloj vlere estetike”. Qeshi me lot kur më tha që Vittorio Sgarbi, duke vizituar një ekspozitë të tij në Parlamentin Europian në Strasburg tha: “ky piktor do të lërë gjurmë”. Ndërsa qeshte, pëshpëriti: “e hëngra”.
.
Ziso Kamberaj - Totem der Moderne
Ziso Kamberaj – Totem der Moderne
Për Zison, procesi i krijimit ka tri kohë: e shkuara, e tashmja dhe natyrisht e ardhmja, dhe të tria shënjojnë një trajektore dhe e bëjnë piktorin të zhytet në kujtime, në ngjarje reale të së tashmes dhe në përfytyrimin për të ardhmen. Për asnjë nga këto kohë, ndonëse bashkohen, nuk do ishte e mundur të prodhohej qeliza e “krijimit” nëse nuk do arrinin të shkriheshin me ngacmimet dhe informacionet që na rrethojnë.
Ndërgjegjësohet për të thënë: “Të filtrosh këto tri kohë në një vepër 41 cm me 46 cm, që nga ana tjetër do ishte autoportreti im, në dy dimensione, është për mendimin procesi më i vështirë, ashtu si në gjithë zhanret e artit të sotëm në botë. Kjo është si të shkosh në Hënë duke u hedhur pupthi”, vazhdon më tej piktori, duke dashur të thotë se sa e vështirë është të ruash këtë ekuilibër.
Për të është shumë e rëndësishme të zhytesh thellë, brenda vetes, por është po kaq e rëndësishme të jetosh hapësirën që na jep ajrin, të dalësh në sipërfaqe për tu ndier i vërtetë në kohën tonë.
“Zhytja më shërben, por në kohën kur dal sipër ndërgjegjësohem që nuk më intereson më, që ndoshta nuk ishte e nevojshme. Pastaj jam i bindur që gjithë sa kam bërë duke u zhytur është diçka krejt vetjake, duke qenë se nuk më intereson opinioni i të tjerëve, sidomos ai mediatik. Por konkluzioni i një miku më dhemb vërtet, ose më bën shumë mirë”.
.
Ziso Kamberaj - Totem der Moderne
Ziso Kamberaj – Totem der Moderne
* Prof. Pino Bonanno – Kritik arti, studiues, shkrimtar, lektor arti.
Shkëputur nga Arte, Pino-Teka, 2020. Përktheu nga italishtja, Keti Ylli

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.