back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Zani i Ndërgjegjes – refuzon Heshtjen – nga Sami Repishti

Gazeta

Profesor Sami Repishti
Profesor Sami Repishti

Zani i Ndërgjegjes – refuzon Heshtjen  

nga Profesor Sami Repishti

Këto vitet e fundit, në Republikën e Rusisë, ka fillue nji lëvizje mbarëpopullore që synon inkurajimin për nji diskutim te krimeve komuniste gjatë periudhës ma të keqe të historisë ruse, vitet e satrapit aziatik, Josif V. Stalin. Lëvizja ka përqafue nji “Projekt” për nderimin e kujtimit të viktimave.
Ky “Projekt” ka marrë emnin “Adresa e fundit,” disponon mjete modeste, e përbahet nga vullnetarë, aktivistë, gazetarë, profesorë, artistë, studentë që kanë marrë përsipër si mision me zgjue opinionin publik rus nga letargjia e harresës, ngritjen e ndërgjegjes qytetare, e ringjalljen e kujtesës për viktimat e stalinizmit, sidomos ata të pastrimit masiv, kriminelë, dhe të padënuem të viteve 1937-38 (të njohun në histori si “terrori i madh”). Besohet se vetëm në qytetin Shën Petërsburg (ish Leningrad) gjatë atyne viteve janë ekzekutue rreth 48.000 viktima të pafajshme me gjyq- shumica pa gjyq. Numri i përgjithshëm i viktimave për 16 muejt e “spastrimit të madh” arrin shumën 740.000 qytetarë të ish Bashkimit Sovjetik. Me gjithë enormitetin e kësaj masakre, nuk duhet harrue “dënimi me vdekje nga uria” e viteve 1927-28, sidomos në Ukrainë. Numri i viktimave fshatare e familjet e tyne arrin në 7-8 miljon qytetarë të pafajshëm. Trashëgimi stalinian ka qenë jashtë çdo proporcioni, nji monstruositet që dënon sistemin dhe shërbyeset e tij, anëtarë të PK(b) të BS. Fatkeqsisht, ky sistem u përqafue edhe nga komunistët shqiptarë…!
Ndërmarrja thellësisht njerëzore e “Projektit”, “Adresa e fundit” që fisnikëron popullin rus asht relativisht e thjeshtë. Në banesën e fundit ku ka jetue viktima, vendoset nji pllakë e vogël me emnin, datëlindjen, datën e arrestimit, ekzekutimit ose daljes nga gulagu për ata që mbijetuen Në shumë raste ky akt kujtimi që vendoset në murin ose derën e shtëpisë së fundit të viktimës ngjall shpresën se popullsia rreth e rrotull banesës do të fillojë “dialogun” mbi të kaluemen kriminale, dhe do të mësojë ma shumë për këtë periudhë përbindëshe që u mbajt sekret për shumicën e popullsisë së thjeshtë. Kështu sensi i ndërgjegjes qytetare të popullsive vendase do të ngrihet, sensibilizohet, dhe eventualisht mobilizohet për veprim.
Qëllimi i fundit? Kurrë ma diktaturë, çfardo ngjyre qoftë!
Kjo nismë fisnike ka përballue rezistencë të madhe. Shumica e popullsisë ruse nuk e ndjen veten të qetë, qoftë nga kujtimet e frikës së madhe të së kaluemes, qoftë për arsye se kanë “përkrahë” regjimin e terrorit stalinian, bashkëudhëtare me dhunë ose me dëshirë, dhe ndjehen të turpnuem që kanë mbajtë heshtjen gjatë ditëve kur ishte moralisht imperative me ngritë zanin e protestës. Shoqnia ruse, gjithashtu, asht jo tolerante kur bie fjala për “lavdinë e ish Bashkimit Sovjetik”. “Na kemi fitue ‘Luftën e Madhe Patriotike’ kundër nazizmit. Nuk asht nevoja të pakësojmë lavdinë e kësaj lufte me tregimin e abuzimeve të atyne viteve…” Nji logjikë e këtillë perverse shihet edhe tek disa shqiptarë në interpretimin e LANCL. Unë i quej “hijet e zeza”.
“Qëllimi i jonë,” deklaron nji nga organizatoret, Sergei Porkhomenko, “nuk asht me mbulue të gjithë vendin me pllaka përkujtimore, por me bashkue të gjithë popullsinë”. Ai filloi këtë lëvizje mbasi kishte vizitue Gjermaninë, ku luftohet pa mëshirë nazizmi dhe regjimi i tij në çdo vend, çdo ditë e ma shumë. Simbas tij, kjo nismë nuk pati përkrahjen fillestare, sepse filloi në nji kohë kur Rusia ishte në vitet e kaosit për arsye ekonomike, pabarazisë friksuese në mes vorfënisë dhe pasurive marramendëse të korrupsionit masiv, dhe nga nji sens depresioni që mbuloi vendin mbas prishjes e devolucionit të Perandorisë sovjetike. Në përgjithësi, “…edhe sot shoqnia ruse jeton në nji atmosfere apathie dhe me mentalitetin e atyne që kanë humbë individualitetin e tyne si pjesetarë te ish-perandorisë”, shkruente rishtas gazetarja Sabrina Tavernese, ne The New York Times.

Putin dhe The New York Times
Putin dhe The New York Times

Vetë Presidenti i Republikës së Rusisë, V. Putin, deklaronte: “…shkatërrimi i perandorisë sovjetike ka qenë tragjedia ma e madhe e shekullit 20”. Z. Putin nuk konsideron si fitore historike për të gjithë popujt e ish-B.S. ramjen e diktaturës ma të urryeme në historine e të gjitha kohnave dhe në të gjitha vendet, dhe fillimin e nji jete të re për nji bote të re, relativisht të lirë për afër 300 milion qenie njerëzore. Nji mentalitet i këtillë e ban atë nji shkelës me dhunë të vullnetit të popullit rus, dhe të 15 republikave të ish B.S., sot të pavaruna.
“Adresa e fundit” shikohet edhe si përpjekje e individit me kundërshtue histerinë nacionaliste të kolektivit rus me anë të tregimeve të krimeve të së kaluemes jo të largët, simbas dëshmive të viktimave që e kanë përjetue. Familjarët e viktimave paguejnë afërsisht 50 dollare për nji pllakë të vogël që në përgjithësi asht mjaft e thjeshtë. Vetëm viktimat e konfirmueme me dokumentacion kanë të drejtën e pllakës përkujtimore që vendoset në derën/murin e ndërtesës. Kjo veprimtari kryehet nga vullnetarë ish të përndjekun.
Shpesh herë, ngjan që ish të ekzekutuemët kanë qenë denoncue nga shokët, fqinjtë, ose të panjohunit që për motivet ma të ulta, kane përfitue objektet e paisjet shtëpiake të konfiskueme nga “shteti”: nji pallto dimni, nji palë rroba, këmisha, kravata, nji sahat dore, këpucë ose ndonji karrike… Nji informator me emnin “televizioni” sepse raportonte çdo ditë nji fatkeq ne Polici, mori nji apartment, dhe nji racion buke ma shumë gjate viteve të luftës. Tjerë informatorë morën të holla. Viktimat e “televizionit” kanë qenë 127 intelektualë të arrestuem.
Zbulimi e demaskimi i krimeve staliniste nuk asht nji subjekt që kënaq të gjithë popullsinë ruse; përkundrazi, shumë persona preferojnë me mbajtë heshtjen: le të vdesë e kaluemja me harresë! Ajo që kambëngulin aktivistët e “Adresa e fundit” asht denoncimi i heshtjes, zbulimi i të gjithë krimeve sepse “…janë pjesë e asaj që na jemi, janë pjesë e pandame e historisë sonë” – thotë nji aktiviste. Me luftue grupet që kundërshtojnë “Projektin”, e që kanë mbështetjen jo të hapët të Qeverisë, asht në vetvete nji luftë me mbrojtë identitetin e rezistencës anti-komuniste, për të gjithë viktimet; asht nji përpjekje me detyrue Qeverinë me thye heshtjen që vret, e me ndërmarrë shqyrtimin e krimeve staliniane. Të ashtuquejtunat “ditët e mira me Stalinin” janë ndërtue faktikisht mbi kufomat e miliona qytetarëve, mbi gjakun e derdhun nga ata që kundërshtuen “të Keqen”, përgjigjen ish të persekutuemet që punojnë me evitue vdekjen e tyne të dytë: harresën…
Natyrisht, për shumë familjarë pllaka e kujtimit shërben edhe si pllake vorri, sepse shumica e viktimave nuk kanë pasë varrim dinjitoz, dhe gjurmët e kufomës tyne i ka zhdukë koha, ose dora e pamëshirëshme e kriminelit. Me kët rast, bashkë me vendosjen e pllakës, “Adresa e fundit” disa familje ruse të persekutueme shtrojnë tryezë për miq e të afërm me rikujtue drekën e ngushëllimeve në kohet normale, e në shoqnitë e qytetnueme. “Ne kujtim të atyne që vdiqën pa faj!” asht përshendetja e zakonshme. Dhe “ka qenë nji burrë/grue me talent” për ata që janë shque në jetën e tyne publike.
Shumë të tjerë vizitojnë, shikojnë, luten e largohen më lotë nnër sy. Vdekja nuk lejon kthim! Gjatë nji ceremonie të ketille, nji zonjë 66 vjeçare, mbante katër karafilë në kujtim të babës të dënuem pa faj. “Mbas luftës baba ankohej për mospërfilljen e jetës se miliona të rinjëve rusë që u masakruen gjatë luftës. Ai fliste për sakrificat e panevojshme për vdekjet ‘pa kuptim’. Ishin urdhnat e Stalinit me sulmue kur nuk kishte asnji kuptim!” Por ajo që vret zemrën e kësaj plake janë thanjet e njerëzve të thjeshtë, pa arsim, pa kulturë, të shnjerezuem nga propaganda komuniste e që përsërisin: “Asnji krim nga ata qe fliten, nuk ka ngja!” Ky ashte grushti i fundit…! Këto janë “hijet e zeza”.

Harta e dominimeve ruse
Harta e dominimeve ruse

***
Heshtja e sotme edhe në Shqipëri ka korruptue fitoren morale të popullit tonë deri në nji pikë sa me ba të pamundun njohjen e natyrës represive të nji regjimi, të pamundun me projektue jetën për të ardhmen. Edhe Muzeumi ruejtes i vuejtjeve universale dhe historisë së nji kombi nuk mjafton me ngjallë ndjenjën e dhimbjes për viktimat e terrorit, të nji bote të paimagjinueshme ku kemi jetue. Me kalimin e kohës, dhe me kalimin e nji breznie që jetoi tragjedinë kombëtare e njerëzore, përgjegjsia për transferimin e eksperiencës dhe mësimeve të marruna nga kjo brezni tek ajo që vjen, do të mbetet barrë e arsimtarëve të të gjitha niveleve të shkollave tona. Roli kryesor që luen Muzeumi në arritjen e nji qëllimi të përbashkët – kujtesa e së kaluemes dhe formulimi i së ardhmes – mund të ketë sukses vetëm me përpjekje kundër diskriminacionit të çdo natyre qoftë, dhe dënimi i tij, si dhe Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut, e demokracia.
Karakteritika dalluese e ngjarjeve të vitit 1989, në Gjermani, asht fakti se ata që rrëzuen Murin e Berlinit nuk kishin asnji dëshirë me e rindërtue. Komunizmi kishte humbë apelin e tij “mesianik”(siç!) që gënjeu miliona njerëz qëllimmirë. E kur masat e popujve të zgjuem sulmuen “Bastille-t” e terrorit të kuq nuk doli njeri – as edhe nji njeri i vetëm! – të kundërshtojë, aq ma pak të sakrifikohet në altarin e nji perëndie false dhe kriminale…!
Pyetja e përhereshme që na ka lanë fenomeni “Holokaust”, pyetja mbi cilësitë e natyres njerëzore dhe subjekti i marrëdhanieve në mes të nji Perëndie plot mëshirë dhe së “Keqes” që vizitoi botën tonë dendsohen kur bie fjala tek “i pafajshmi”. Cilësia që predominoi viktimat shqiptare të komunizmit ka qenë “pafajsia”. Mungesa e mbrojtjes së tyne nga cilido dhe si do që të ishte e mundun asht faktori shqetësues… Nuk asht ma nji problem shifrash sa do të mëdha që të jenë ato; asht natyra e vete aktit vrasës që dominon mendimin tonë – dhe dialogun në mes nesh. Asht pothuejse e pamundun me fillue nji jete të re që ka kuptim! Shkrimtari italian, Primo Levi, nuk e duroi torturën e jetës mbas kampit nazist; ndjeu veten ‘fajtor’. Bani vetvrasje, si akti final i rebelimit që nuk qetësohet.
“Nuk mund të shikojmë përpara në se nuk hjedhim sytë mbi të kaluemen, përsa kohë që nuk kemi kuptue si u bamë kështu, për derisa të kuptojmë se kemi humbë kuptimin e jetës, të qenies gjallë….” (Rosenbaum)
Josif V. Stalini konsideronte disa grupe ethnike qe jetojshin mbrenda perandorisë sovjetike “si të pabesueshëm gjenetikisht – anmiq të klasës, për arsye të kombësisë së tyne” (N. Ferguson) prandej duhen eliminue… nji atmosferë që e kemi përjetue gjatë pushtimit serbo-jugosllav të Kosovës (1912-1999).
Në vitin 1947, në bisedë me Milovan Gjilas, nënpresident i Jugosllavisë titiste, Stalini deklaroi: ”Shqiptarët jane si Çuvakët tonë, qenë besnikë…!” Jo njerz me dinjitet, prandej edhe i shfarosi.
Shpesh herë me shkon mendja tek Stalini i jonë liliputian, “nji bretkocë që deshi të fryhet si kau”. A kishte Enver Hoxha urrejtje për “malokët” e Gegët e Veriut? Dyshoj shumë! Megjithatë, që nga viti 1997, deri në vitin 2005, me tri qeveritë e para socialiste (trashëgimtarë të PPSH-se) mbas ramjes se komunizmit në Shqipëri nuk ka pasë qoftë edhe nji “malok” nga Gegët e Veriut të Shqipërisë. As që bahet fjalë për seksionin ma të persekutuem të shoqnisë shqiptare, popullsinë katolike, që u mënjanue krejtësisht sikur të ishin fëmijtë e njerkës e jo të Nanës Shqipëri.
Kështu, nuk ndërtohet Shqipëria, atdheu i përbashkët i të gjithë qytetarëve. Kjo gjendje shumë shqetësuese arrihet vetëm kur harrohet e kaluemja kriminale, harrohen viktimat e së kaluemes sonë kriminale.
Kjo asht nji rrugë pa krye!
Gjate nji vizite ne Shtetet e Bashkueme te ish kryeministrit Ilir Meta, une e pyeta publikisht:
“Si ashte e mundun qe nuk ka ne Qeveri nji minister nga Veriu?”
Ai qeshi me qesëndi, dhe u përgjegj: “ Kemi, kemi, ja ku kemi Arben Imamin… Ka nënën nga Shkodra” (siç!)
Unë heshta!
————–
P.S. Autori asht veprimtar për të Drejtat e Njeriut.
Ridgefield, CT.USA. –
http://www.voal.ch/zani-i-ndergjegjes-refuzon-heshtjen-nga-sami-repishti/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.