back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 13 Tetor, 2024

Zanafilla e Tiranës vendbanim kalon përmes castrum-it… Bajram Peçi

Gazeta

Rrënoja të kullës të këndit verior
Rrënoja të kullës të këndit verior

Zanafilla e Tiranës vendbanim

kalon përmes castrum-it dhe mansios romake

nga Bajram Peçi

Një sprovë që mbetet në kushtet e një hipoteze

Orvatja për rindërtimin e një rruge që do krijonte shmangie të kalimit të mjeteve përmes qendrës së kryeqytetit, projekt ky i kohës bashkiake “Rama”, çoi në zbulimin e disa rrënojave të lashta. Befasia e fillesës së zbulimit u ndesh shpejt me hamendjet e specialistëve. Ato ishin veç se dy:
a)Janë rrënoja të Mesjetës së vonë, shekulli XVII-XVIII
b)janë rrënoja të kulturës romake, mbase diku të shekullit II të erës sonë.
Versionit të parë iu dha më shumë besim dhe këto gërmadha të sapodala në dritë, me mbartje vlerash historike, si të paktat objekte që mund të hidhnin më tej shkëlqim në lindjen e këtij qyteti me shumë pak histori të lashtë, u lanë në harresë. Sidoqoftë, bashkia në atë kohë, i dha rëndësi gjetjes, ndaj bëri disa ndryshime thelbësore: u ndalua në rrugën më të vjetër qytetëse kalimi i mjeteve motorike; u shndërrua ajo në përdorim këmbësorësh; iu dhanë asaj tiparet e një rruge shëtitëse, duke vënë nën mbrojtje traktet e dala sipër. Nga ajo periudhë, askush nuk u kujtua më. E vërteta është se, ashtu siç është shtrirja e përfytyruar e objektit nën dhè, nuk kishte asnjë gjasë që të ndiqeshin vijat rrethuese, besoj katërkëndore të rrënojave, sepse mbi to ngrihen godinat e Parlamentit dhe Akademisë. E megjithatë, pa ngulmuar përafrimin tek analiza, por te të ngelurit mes studimit të krahasuar dhe hamendjes hipotetike, po hedh disa ide për diskutim, sepse u vërejt që puna nuk u vazhdua, çka fliste për mosvlerësimin jo sa duhet të zbulimit dhe përcjelljen e tij në kalendat e një procesi rutinor.

A janë rrënojat një castrum romak?

Lipset përmendur se nuk hasa dhe as pati ndonjë punim ndopak serioz e të besueshëm mbi origjinën, lashtësinë e tyre dhe funksionin e ndërtimit të rrënojave në Tiranë, një objekt ky me burim të pasur lëndor. Në atë periudhë u tha në mënyrë pothuajse të prerë se ndërtimi nuk mund të ishte i periudhës romake, sepse: romakët kanë ndërtuar me tullë të gjerë e jo me gur të latuar(?!); Oktaviani dhe Diokleciani nuk kanë bërë ndërtime në Iliri(?!), e të tjera argumente që hapin veçse kundërshtime (kushdo mund të shfletojë çfarëdo enciklopedie mbi inxhinierinë romake dhe do shohë, madje të ilustruar, se romakët kanë ndërtuar me gur të punuar, me tullë dhe me dru). Nuk u bë ndonjë përçapje për t’u dhënë qytetarëve të interesuar një plan të mundësisë së shtrirjes të ndërtimit të vjetër.
Pa pasur aspak ndërmend të hyj e të merrem me kundërshtimin e tyre, po sjell të shtjelluar pikëpamjen mbi rrënojat e zbuluara pak vite më parë: a janë mbetjet e themelive të një castrum-i romak? Besoj se po! Nga shfaqja e një fragmenti është plotësisht e mundshme të përfytyrosh shtrirjen e gjurmëve të katërkëndëshit të castrum-it romak. Në këtë synim vetiu më çon studimi i planit të hapjes së atyre pak rrënojave të zbuluara, që ndonëse përbëjnë një fragment, mbase shumë më pak se një e katërta e planimetrisë së mundshme, por që tregojnë shumë. Mjafton t’u bësh atyre krahasimin me simotrat europiane. Krahas rrënojave shfaqet ndërtimi ekzistues, me pjesën e sipërme të Mesjetës së vonë, mure që vazhdojnë në linja drejtvizore, ku hamendësohet se janë përdorur themele të mëparshme më të vjetra, por duken edhe themele që administratorët otomanë nuk i përdorën në ndërtimet e mëpasshme. Ato mund të jenë pjesë e rrënojave të ish castrum-it. Në thellësi të gërmimit vërehen elemente të sistemit të kanalizimeve e të drenazhimit, tipare këto të artit ndërtimor romak.
Dihet se deri nga mesi i shek. II-të para erës së re, romakët nuk linin roje legjionarësh në territoret e pushtuara. Ata mjaftoheshin me vendosjen e taksave. Atëbotë, Roma – sipas historianit Grimberg – besonte se administrimi i territoreve të përtejdetit ishte një vështirësi e papërballueshme. Me mbarimin e luftës për zotërimin e Mesdheut, e cila mendohet se ishte beteja e Farsalës në vitin ’49, me ngritjen administrative të sistemit të provincave, bazat e pushtetit ishin hedhur.
Forma më e dukshme e pushtetit romak, shprehej në ndërtimin e rrugëve ushtarako-tregtare. Nga Lindja vinin drejt Romës skllevër, drithëra, stofra të çmuar, mëndafshi, vera e metalet. Roma, qytet i një milion konsumatorëve, këto rrugë duhej t’i ruante nga grabitësit e shkelësit e ligjit. Rruga i shërbente Romës për të mbrojtur të nënshtruarit dhe të nënshtronte të pabindurit. Të gjitha degët e rrugëve lindore, që përfundonin në Dyrrah, Apoloni, Skutari dhe Aulona, mbroheshin në thellësi nga legjione romake. Pikërisht, për këto njësi të famshme ushtarake ngriheshin castrum-et.
Castro-t romake kishin formën e një katërkëndëshi me madhësi 16 deri 20 hektarë. Por ndeshen dhe castrum-e për më shumë se dy legjione me madhësi deri 50 hektarë, sipërfaqe kjo më se e mjaftueshme për madhësinë e një qyteti të lashtë. Sipas lëndëve natyrore që ndodheshin përreth, ishte dhe përbërja e ndërtimit. Diku me bandiera druri, siç ishin castrum-et në territoret gjermanike e danubiane, diku me tulla e diku me gurë. Në dy apo katër qoshet e castrum-it, ndodheshin kullat, të cilat më dendur hasen në formën siç është kulla rrethore në rrënojat e Tiranës. Është pikërisht kjo kullë, me formën e madhësinë e saj, që përforcon qëndrimin e zanafillës romake dhe lehtëson njohjen e origjinës. Në periudhën bizantine, arti ushtarak i fortifikimeve thotë se kullat ndërtoheshin pesëkëndore. Me zbulimin e armëve të fuqishme të zjarrit, bombardat, spingardat e topat, kullat këndore – thonë ata – e humbën rëndësinë e tyre dhe dolën jashtë funksionit. Muret rrethuese të rrënojave të Tiranës, me trashësi tre metra, janë ndërtim që i përkisnin artit ushtarak të periudhës të armëve të ftohta, si shpata, baheja, topuzi, ushta dhe harku me shigjeta. Këto kështjella të përhershme legjionesh rrjedhin si strukturë nga kampet e ndërtuara, ose gjatë fushatave ushtarake, ose ato të pushtetit të sundimit dhe të administrimit. Mbishtresat osmane janë lehtësisht të dallueshme te muri ekzistues, për shkak të tipareve të ndryshme të madhësisë së gurit dhe qenies së tij në gjendje të papërpunuar.
Në qendër të castrum ishin principia (zyrat qendrore) – siç shihet nga plani ilustrues – dhe Via Praetoria, që formonin një T brenda fushës. Të gjitha rrugët e tjera ishin të vogla në krahasim me dy të parat. Në lidhje me Via Praetoria ishin dera kryesore dhe dera Decumana, ndërsa gjatë rrugës Principalis ishin Principalis dera djathtas dhe Principalis dera majtas. Castrum-et romake, përpos legjionit, u mbushën me kolonë të profesioneve që u shërbenin ushtrisë, mbetjet e të cilëve besohet sot nga një shumicë studiuesish se janë vllehët.
Me bindjen, nëse do vazhdonin gërmimet, do ndiqnim linjat drejtvizore poshtë shtresës gjysmëmetroshe të dheut që mbulon rrënojat, shpreh idenë se do dilte nga rrënojat e Tiranës një model castrum. Në shërbesë të kësaj bindjeje është vendosur si ilustrim edhe grafika shoqëruese e konfigurimit të atyre mbetjeve që sheh syri dhe që flet në plotësim të këtij mendimi. Edhe pse jo i plotë, ashtu si miza në qelibar, ka ardhur i ruajtur për kryeqytetin tonë, trakti i rrënjëve të një castrum-i. Besoj se është kështu! Pse vallë, lindjen e Tiranës si vendbanim, të mos ia detyrojmë castros romane?

Fragment i rrenojave të lashta në Tiranë
Fragment i rrenojave të lashta në Tiranë

Nga castrum-et romake lindën qytetet

Shqipja, me mbartjet e lashta latine në shqiptim, është e aftë si gjuhë të vërtetojë më shumë se cilado fushë tjetër, praninë e pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Për rrjedhë të marrëdhënieve pesë shekullore me romanët, jemi populli që qendrën e banuar, qytetin dhe banorët e saj, qytetarët, i quajmë idem si dhe latinët: civit-us (qytet – shqiptohet sipas ligjësive të zhvillimit fonetik të shqipes), si dhe italianët, anglezët, spanjollët dhe portugezët. Ky shpjegim i vlen një tjetër argumenti më të vlefshëm për synimin, atë të lindjes së qytetërimit romak në gadishullin Ilirik. Të gjithë historianët e epokës romake, janë në një mendje kur thonë se, si rregull, castrum-et e lashta romake evoluuan si koloni romake me kalimin e kohës, për t’u bërë qendra të banuara dhe qytete. “Nuk ka vend, sado i humbur qoftë – shkruante nga Dyrrahu, Ciceroni – ku të mos depërtojë arbitrariteti dhe shtypja e Romës”.
Muret përreth castrum-it u populluan me veprimtarë tregtie e shërbimi, si karpentierë, këpucarë, bojaxhinj, poçarë, endës, furrtarë e kasapë. Torino, Como, Pavia, Breshia, Bolonja, Firence, Strasburgu, Zyrihu, Vjena, Këlni, Budapesti, janë ish castrum-e romake. Të gjitha vendbanimet angleze që kanë prapa shtesën Chester, janë ish castrum-e romake. Në Ballkan: Beogradi, Lubjana, Sofja, Edreneja, Nishi. Në Shqipëri, të gjithë emrat e vendeve me prapashtesën kastër, si Gjinokastër, Mallakastër, Palokastër, Kastrat, janë mbetje të emërtimeve të castro-ve të së shkuarës, një kohë kur ende shqiptimi i arbërorëve nuk e kishte shndërruar në formën “kështjellë”. “Rreth kampit – thotë historiani Karl Grimberg – lindte një fshat ose një qytet, ku vendoseshin tregtarë e artizanë”. Rreth mureve të asaj që tani (prej turqishtes) quhet Kalaja e Tiranës, është rritur dhe zhvilluar fillimisht edhe kryeqyteti ynë. Kampet dhe fortesat romake u bënë qendra të rëndësishme të kulturës dhe zhvillimit civil. Roli i tyre për civilizimin e popullatave përfundoi me dyndjet gote e sllave, pas të cilave filloi errësira dhe obskurantizmi mesjetar, por gjurmët nuk ia shleu dot. Te shëmbëlltyra jonë, ne shqiptarëve na shihet edhe Imperum Romanum.

A mund të jenë rrënjët e Tiranës te mansio dhe mutatio?
Po! Ashtu si castrum-i romak, edhe bujtinat e stacionet postare vlejnë të merren në vlerësim si mundësi. Qendrat e banuara, në periudhën e Perandorisë Romake, kanë si bazë të tyre të zhvillimit tre elemente të rëndësishme qytetërimi: castrum-in, që është kështjella e legjionit; mansiones, bujtinë për udhëtarët; dhe mutatio-t, stacione postare dhe vend ku ushqeheshin dhe këmbeheshin kuajt. Termi latin, mansio, rrjedh nga manere, duke nënkuptuar qëndrimin dhe kalimin e natës në një vend, gjatë udhëtimit. Në rrugët romake mansiones ishin në të njëjtën distancë nga njëri-tjetri, mesatarisht 15 milje, duke u imituar ato të perandorisë persiane, por kishte dhe Ad Quintum. Mansiot ishin nën mbikëqyrje të një oficeri të quajtur mansionarius.
Por mansiones nuk kishin për qëllim të strehonin legjionet. Ishin castrum-et ato që ishin në gjendje për të bërë strehimin dhe sigurimin e tyre. Për të plotësuar nevojat e përgjithshme të udhëtarëve, lindën dhe u përhapën forma të tjera të natyrës vetjake, që ishin mutatiot. Ato u shërbenin udhëtarëve, një lloj i shërbimit publik i formuar si një rrjet privat përgjatë rrugëve romake, që më shpesh dalin në afërsi të mansiones. Edhe pse kanë një funksion të ngjashëm, vlerësimi i tyre ishte më pak se mansiones. Ato, mutatiot, jetuan gjatë sepse u ishte besuar edhe shërbimi i postës, me mundësinë e ndërrimit të kuajve për korrierët. Posta me lajmëtarët, me karrot dhe stacionet mutatio, me udhëtarët dhe letrat, u bënë në vite pjesë përbërëse e funksionimit të Perandorisë Romake dhe përhapëse të qytetërimit. Falë tyre, shpejtësia e dërgimit ose marrjes së lajmit arrin në 320 km. në 24 orë. Nga gjurmët e mansioneve e mutatiot e lashta, te ne kanë mbërritur emërtimet e shumë vendbanimeve të ditëve tona. Këtu ndodheshin shërbimet e ngrohjes dhe ushqimit, farkëtarët dhe mjekët për njerëzit dhe kujdesin për kuajt e udhëtarëve e të korrierëve postarë. Duke përdorur këto stacione për kuajt, korrierët e karrot, thuhet se perandori Tiber ishte në gjendje për të mbuluar nga Ilirija, në një ditë të vetme 500 miljet që e ndanin atë nga Mogontiacum, ku vëllai i tij, Drusus Germanicus, ishte në agoninë e gangrenës, për shkak të pasojave të një rënie nga kali.
Në mënyrë të natyrshme, zonës që përfshinte fushën e Tiranës, duhet t’i merret e mirëqenë prania e mansios dhe mutatios. Përpos rrugës Egnatia që nisej nga Durrësi drejt maleve lindore, Kandavia, e përfundonte në Bizant, kjo portë hyrëse e Perandorisë Romake kishte nevojë edhe për rrugë me drejtime të tjera Veri-Jug. Tre prej tyre njihen nga harta e Tabula Peuntiger, harta e Itinerari Antonini Augusti dhe ai Burdigalense, ku jepen distancat nga Durrësi në Kostandinopojë; nga Durrësi në Salonë; nga Durrësi në Actia Nikopoli. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje në lindje të Durrësit, aq sa ishin distancat standarde të stacioneve rrugore, ndodhet fatmirësisht sot një qendër banimi me emrin e lashtë Manzë, që tregon se është pasardhësja e një mansoni, të parit nga Dyrrahu, që ngrihej e shërbente në rrugën drejt fushës së Tiranës dhe ngjitjes drejt Shkodrës. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje nga Manza ndodhet Tirana, me shumë gjasa, vendi ku ngrihej një tjetër manson dhe ku një tjetër mutatio afronte ndërrimin e kuajve për lajmëtarët e lashtësisë. Mansoni “Tyran” nuk është fundi i rrugës, por veçse një stacion i ndërmjetëm. Rruga vazhdon drejt qytetit të Parthinëve, Persqopit ose fortesës së Skuterrës. Rreth pesëmbëdhjetë milje më në lindje, një fragment të kësaj rruge e kam parë vetë në fshatin Fikas, në bregun e djathtë të lumit Erzen (Argenti i lashtësisë) dhe kështjellës se Petrelës.

Një model castrum romak
Një model castrum romak

Nga rrjeti rrugor romak – një mori vendbanimesh të Shqipërisë së sotme

Inxhinieria e famshme romake, pas një ndërtimi castrum, kujdesej për dy elementet bazë të rregullimit të jetës: rrjetin rrugor dhe rrjetin e ujësjellësit për në castrum. Romakët ndërtuan në Iliri një rrjet rrugor të gjerë, i cili, me pak ndryshime, përshkon edhe sot gjurmët e së kaluarës. Gadishulli Ilirik, pasi u nda në provincat e Epirit, Ilirisë, Maqedonisë, Trakës dhe Mezisë, u administrua nga guvernatorë romakë. “Ata ndërtuan – thotë historiani Georges Castellan – një rrjet rrugor që depërtoi thellë në kaosin ballkanik. Rruga Egnatia ishte më e njohura. Të gjitha u pajisën me kalldrëmin për kalimin e karrove, katër kalorësve sup më sup, në të cilat udhëtonin ushtarakë, administratorë, tregtarë me prodhime, artistë. Kolonitë e vendosura gjatë boshteve u bënë prejardhje e qyteteve Adrianopolis, Serdika, Naisus, Singidunum. Porta e hyrjes në Ballkan ishte Durrësi”. “Çdo përrua, çdo lumë – thotë historiani Faverial – kishte një urë të fortë”. Ndërtimi i një zinxhiri fortesash romake përgjatë rrugëve, çoi në lindjen e bashkësive të mëdha.
Nga ky sistem rrugor mund të ketë lindur edhe Tirana vendbanim. Versionet e shtjelluara sa më sipër dhe lidhja e tyre me rrënjët e Tiranës, janë më shumë se një joshje që sjellin mbetjet-rrënoja të një ndërtese të lashtë. Brenda përmbajtjes së thënieve kanë ndikimin e tyre edhe të vërtetat e njohurive mbi strukturën e rrjetit rrugor të lashtësisë. Janë një mori qytetesh e vendbanime në Shqipëri që lindën prej rrjetit rrugor, nga castrum-et romake, mansonet dhe mutatiot. Më shkoqitësit në kuptim janë Kavaja dhe Puka, që rrjedhin nga stacionet rrugore. Kavaja, me ndodhje mileare të përshtatshme për një stacion, nga Dyrrahu ishte stacioni i parë i Via Egnatia, ku ndërroheshin kuajt (kavalo). Puka (Publis) ishte stacioni i ndërmjetëm mes Skodra dhe Theranda-s.

Kur ka lindur Tirana?

Tirana, qytet nga viti 1614?!
Nga ana ime, nuk dua të besoj se kur u ndërtua xhamia e fesë islame dhe hamami i kulturës lindore turke, lindi dhe qyteti. Të pranosh që ai zë fill prej zërit të përvajshëm të muezinit nga minarja e xhamisë, është jo më pak se të jesh pre në grackën e ish-pushtuesit. Fillimi i tregimit të historisë së Tiranës me ndërtimin e xhamisë, u shkon për shtat teologëve dhe fanatikëve islamë të Shqipërisë. Si te grekët, edhe te turqit vihet re dhe njihet megalomania për t’i shpjeguar emrat me kohën e sundimit të tyre, që ndikuan në kuptimin e zmadhimin deri në monstruozitet të përrallave, rrjedhë e epërsisë sociologjike të sunduesit. Kuptohet se shtysat nga të cilat u nisën ata që e “pagëzuan” qytetin ishte Xhamia e Sulejman Pashës. Kjo datë (1023 hixhri) ka qenë e shkruar në xhaminë e vjetër dhe, si e vetmja e dhënë, u vendos për datëlindje. Por, mos vallë lindjen e saj ia detyrojmë Castros romake? Duhet trajtuar pyetja si një e vërtetë ende e paarritshme, për shkak të mjerimit material. Të dëshmosh objektivisht në procesin e madh e të largët të historisë ka shumë vështirësi, sepse është e paarritshme e vërteta, gjë që buron nga brishtësia e shekujve të kaluar prej kombit.
Emri i Tiranës, deri tani, është shpjeguar sa me legjenda fëminore, ashtu dhe me argumente të qëndrueshme. Është thënë se Tirana ka këtë emër se një plakë ju gjegj dikujt se “po tir-anë”; kronikani turk, Evlija Çelebi, si pjellë pushtimi, ndonëse emri Tiranë vjen nga thellësia e shekujve, na thotë se turqit ia vunë emrin “në kujtim të një fitoreje të Sulejmanit në Persi, Teheran” dhe kjo gënjeshtër ka zënë vend prej kohësh në një mori enciklopedish të njohura botërore. Një tjetër studiues e lidh emrin në mënyrë të pakuptimtë me një formacion gjeologjik, “të ranat”. Në vitin 1989, në mbledhjen e Shoqatës të Historianëve të Tiranës, kohë kur punoja me një studim mbi sistemin rrugor-postar të lashtësisë, isha unë që sugjerova të mbahej parasysh nga specialistët edhe Tabula Peutingeriana, ku cilësimi i emrit Therandë tërhiqte dukshëm vëmendjen. Ndonëse koha dhe matja mileare tregoi se Theranda dhe Tirana ishin cilësi të ndryshme, ishte e pabesueshme se si i ndjeri Skënder Jasa, ish-kryetari i shoqatës, e vendosi atë sugjerim timin në nivelin e një pretendimi, gjë që nuk e desha, veçanërisht kur kohë më pas pashë se u rendit në faqet e bashkisë, të “Çelsit” dhe broshurave të hoteleve.
Nga fundshekulli XVII na vjen e vetmja hartë që ka si qendër të banuar “Terrana”. Prej saj vërehet e dhëna me interes: shenjat me simbolin kishtar roman të rangut hierarkik famulli, ndryshe nga Kroia (Kruja), që shënohet me shenjën e dioqezës. Është e vitit 1689, “Albania Propria ouero Superiore detta anche macedonia Ocidentale”, me autor Giacomo Cantelli dhe që botuesi ia kushton Papa Klementit XI (Giovani Francesko Albani). Tërheq vëmendjen fakti se në hartë shënohet prania e një kishe romane. Pra, Tirana ka kishë dhe bashkësi të ritit katolik. Del vetiu pyetja: ka ekzistuar kjo kishë apo është ndërtuar në shekullin XVI? Me shumë gjasa, ka ekzistuar, sepse sunduesi otoman nuk lejonte ngritje të kishave të reja dhe madje, edhe ekzistueset po i nënshtroheshin shndërrimit të tyre në xhami. Islami, me mbizotërimin religjioz të karakterit unitarist dhe totalitar të shtetit teokratik, kishte 200 vjet që e kishte futur zhdukjen e feve të tjera në thelbin e ekzistencës së perandorisë. Nëse do ta pranojmë këtë argument, prania e një kishe në Tiranë në shekullin XV e më parë, si nevojë shpirtërore, do të ishte në shërbim të një komuniteti banorësh, që vetiu të shpie te qyteti apo qyteza.
Tirana nuk del, duke gjykuar me këto që njihen, në harta të mëparshme. Të shkruar, për herë të parë emrin e Tiranës e gjejmë të përmendet në një dokument të Venedikut, në vitin 1418. Madje, nuk përmendet as në listën e qyteteve që përshkoi anonimi i Ravenës, tek “Cosmographia”, në shekullin VII, më pak se 100 vjet pas Prokopit të Cezaresë. Kjo lë të kuptosh se nga viti 560, kohë kur kronikani, në veprën “Mbi ndërtimet”, e rendit Tyrkana-n në kështjellat e ringritura nga Justiniani, deri në këtë periudhë ka qenë thjesht një fortifikim castrum.

Stacion manson në rrugën Egnatia, pesë milje në dalje të Elbasanit
Stacion manson në rrugën Egnatia, pesë milje në dalje të Elbasanit

Tyrkanos i kronikanit bizantin, Prokop i Cezaresë, ka gjasë të jetë Tirana

Më i qëndrueshmi, më bindësi si argument, është rrjedha nga emri i ngulimit të lashtë Tyrkan, një kështjellë kjo që arkeologët s’dihet pse fillimisht e degdisën te ca rrënoja fortifikimi të tjera, shtrirë në shpatin perëndimor të malit të Dajtit. Në vitin 1963, kohë kur për herë të parë arkeologët futën duart në këtë objekt arkeologjik, Neritan Ceka, të cilit ju besuan punimet, ishte përpos se një 22-vjeçar. Përmendet nga kronikani bizantin Prokop, në shekullin VI. Kur gjatë punimeve u gjet një monedhë e Tiber Kostandinit II, që i përket shekullit VI, kjo shërbeu për t’i vënë emrin pa ngurrim. Ka kohë, rreth një dhjetëvjeçar, që nuk po i cilësojnë më këto fortifikime me emrin Tyrkan, por i quajnë “Kalaja e Dajtit”. Kur ende Zgërdheshi dhe Persqopi vijojnë të mëdyshen se a janë ato apo jo dhe kush prej tyre është mbetje e Albanopolit të Ptolomeut?; kur vendvarrimi i Skënderbeut, kisha e Shën Kollit ende mbetet e dyshimtë, si ka qenë e mundur të vendosej Tyrkani në malin e Dajtit, ndërkohë që asnjë dokument, artefakt apo hartë e vjetër, nuk e përcakton? Jepet si shëmbëlltyrë e saj një brez muri fortifikues trekëndor, me gur të papunuar, me tre kulla, ndodhur në 1200 metra lartësi. Në këtë rast, do të mbartja nga dija njerëzore thënien: të pranosh se nuk e ke pasur drejt, do të thotë të bëhesh më i mençur se sa ishe.
E para hartë që zotërojmë, ku Tirana gjendet e vendosur atje ku është sot, siç e përmendëm, është e shekullit XVII, por kjo nuk duhet të merret si përfundimtare. Duket se puna në këtë lëmë kërkon të vijohet, sepse vërtitet ende në boshllëk, pa bërë asnjë përçapje për kërkim në fondin e hartave të të tjerëve, sidomos në hulumtimin e burimeve dokumentare venedikase dhe papale. Në formën e dukshme të veprimtarisë së dobishme shoqërore në mjedisin rrethues të studimeve, veçoj e vlerësoj një punim të z. Ilir Mati, që mbështetet mbi toponiminë, thelbi i së cilës del si përmbajtje në shpjegimin se, “Historia e Tiranës nuk ka pse të mbështetet në legjenda…Më vjen keq kur për historinë e qytetit të Tiranës i mëshohet fort dëshmive gojëdhanore… Sa për mua – shkruan z. Ilir Mati – unë jam i bindur se emri i Tiranës nuk ka të bëjë me krijime mesjetare. Ai mund të ketë ardhur nga emri i hyjneshës të cilën ilirët dhe grekët e thërrisnin Afërditë, latinët Venere dhe etruskët, të ndjekur nga romakët, ndoshta të shpërngulur nga Italia dhe të vendosur rrëzë Dajtit në shekullin e tretë para Krishtit, i thonin Turan. Emër që te Barleti del Tyrann dhe sot shqiptohet Tiranë”. Siç ndodh tek ne, hulumtimi i z. Mati kaloi përgjithësisht pa u vënë re, pavarësisht se ajo përputhej me pikëpamjen e të famshmit J.G. fon Hahn-it. Prej këtij studiuesi mësojmë se format Tuscus dhe Tyrrhenus, që gjenden në Shqipëri, janë me origjinë latine ose etruske.
Më tej: historiani dhe kleriku francez, Zhan Klod Faverial, në një Histori të Shqipërisë (botime Plejad, përkth., Gjergj Ulqini, faqe 112, 2004) na thotë, në referencë të Pukëvil, (konsull i Napoleonit pranë Ali Pashë Tepelenës) se “…plaçkitjet e avarve në Shqipërinë qendrore nuk u kursyen. Ajo ndjeu në kurriz gjëmën e të gjithë luftërave që paraprinë ngritjen dhe rënien e Perandorisë së Poshtme… (v.581). Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune, për të ndalur sulmet e barbarëve”. (Pukëvil, Udhëtime, vëll. I, faqe 393). Sa lexohet, emri Tyranë, tashmë në rangun e një qyteti, na vjen përmes Pukëvil nga shekulli VI. Shënimi nga autori Faverial në faqen 113: Tyrana-Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri.
Do të ndihmohej shumë historia e zanafillës nëse do të dihej: fusha i ka dhënë emrin qytetit, apo qyteti i ka dhënë emrin fushës? Barleti, përmes të cilit mësojmë nga viti 1504, se ekzistonin në mesjetë fusha e Tiranës së Madhe dhe fusha e Tiranës së Vogël (Tirana major dhe Tirana minor, kjo e fundit e vendosur pranë Croyas) nuk e përmend praninë e qytetit. “Historia e Skënderbeut” e Barletit, botim i parë shqip, 1964, përkthyes Stefan Prifti, e përmend emrin Tiranë 14 herë. Në tërësinë e rasteve, Tirana nga Barleti përmendet si e përfshirë në operacionet ushtarake. Në disa prej tyre të bën ta marrësh jo si fushë, por si qendër të banuar. Kështu, në faqen 277, shkruhet, “Skënderbeu… duke marrë me vete thuajse gjithë kalorësinë e vet, u nis për në Tiranë”. Në faqen 477, “…ata u ndalën dhe ngulën çadrat në një vend që quhet Tiranë, tetë mijë hapa pothuaj larg qytetit”. Vlen të theksoj se një largësi hapash, si njësi matëse, e përcaktuar qartë, merr kuptim me një qendër të banuar, por jo me hapësirat e një fushe. Kronikani Prokop përmend ekzistencën në Epirin e Ri të qytetit Tyrkan, por nuk përmend fushë. Në “Raporti dell’ Albania esue citta…”, më 1580, përmendet edhe si qytet, edhe si fshat; Pierr dë Lavarden (Pierre de Lavardin) në variantin anglisht të veprës së tij, “The Historie of George Castriot surnamed Scanderbeg, King of Albania”- London, më 1596, e përmend Tyranna major dhe Tyranna minor. Nga sa shihet, Tirana si emër i takon një kohe të lashtë. Emri i saj ka udhëtuar pa shkëputje në rrjedhë të shekujve.

Një version që shërben për të ecur më tej

Mbuluar nën dhe, me një tis misteri mbi vete, ato presin gërmimin për studimin e shtresëzimeve. Mbi gurët e murit që ndodhen mbi sipërfaqe, me lartësi disa metra dhe gjatësi mbi 70 metra, ndonëse objekti ka statusin e “Monument kulture”, janë lejuar dy ndërtime (hotel e sallë kinemaje) njëra më e shëmtuar se tjetra. E vërteta për t’u thënë u përket arkeologëve. Janë ata që duhet të afrojnë kërkesën për gërmime të mëtejshme studimore brenda katërkëndëshit të supozuar të Castrum-it romak. Janë po ata, arkeologët, që thërrmimet e lëndës së gjetur e që do të gjenden në vijim, t’i bashkojnë. Besoj se do të jenë ata që shpejt do të thirren doemos në ndihmë, për shqyrtimin në brendi të territorit te Parlamenti. Është menduar se gërmimi më tej është i pamundur. Këtej ka ardhur dhe moskokëçarja, mungesa e kërshërisë dhe lënia në harresë. Po prej saj ka lindur dhe ky shkrim-sprovë, që synon të shpupurisë fantazinë e profesionistëve të fushës.
Ndihmesa studimore për historinë e Tiranës në vite janë dhënë nga jo pak historianë e kërkues të fushave të tjera. Nga botimi i parë, ai i 25-vjetorit të pavarësisë e në vazhdim, kanë parë dritën e botimit shumë të tilla, ku veçohen “Historia e Tiranës” e Kristo Frashërit dhe shkrimi studimor i Safete (Sophie) Jukës. Spikat për vlerat sidomos botimi i këtij viti i Gazmend Bakiut, “Tirana, një histori e ilustruar”; vlerësimet e arkitektit-restaurues, Sulejman Dashi; disa shkrime e studime të Ilir Matit dhe Thanas Gjikës; botimet e koleksionistëve Nikolla Xharo e Vasil Xhitomi; artikujt e gazetares Rezarta Delisula. Tërheq vëmendjen edhe një album luksoz i Albert Cmetës, i cili, apriori, nuk ngurron që rrënojat e kështjellës së Tiranës t’i shoqërojë me diçiturën se i përkasin shek. V e.r.
Ndonëse arkeologjia është shkencë dhe si e tillë, ajo edhe prej një monedhe apo prej disa copa tjegullash tipike romake, do të ishte në gjendje të shprehej, historia të jep mundësinë të bësh edhe zgjedhje këndvështrimesh. Në Tiranë e rrethinat e saj, jo pak herë janë zbuluar objekte që i përkasin periudhës romake, ku mes tyre spikat mozaiku, tipar dekorativ i banesave të patricëve e më pas, i kishave. Ky objekt ndodhet fare afër rrugës, si asaj të tashme, ashtu dhe asaj të lashtë që vinte nga Durrësi. Si shpjegohet, a mundet që kjo ndërtesë te kroi i Shëngjinit, të cilën e quajnë herë vilë dhe herë bazilikë, e dekoruar në një sipërfaqe të madhe me mozaikë, të ndodhej e vetmuar? Cilës bashkësie i shërbente kjo bazilikë në shekullin IV? Shpjegimet e varfra të deritanishme kanë lënë të kuptohet se për këto dy objekte, rrënojat e mozaikun, nuk do të kishte pranim të heshtur.
Për rrënojat e rrugës “Murat Toptani”, arkeologëve dhe specialistëve u duhet të hedhin më tej dritë, për të përcaktuar se cilës kohe i përkasin: shek. II; shek. V apo shek. XVII-XVIII. Trakti i gjetur deri tani, nuk është i mjaftueshëm për të mbërritur në një përfundim, pa studiuar shtresat. Jo se s’dua që të përfill argumentet e deritanishme që i largojnë dukshëm në kohë, por besoj se si njëra dhe tjetra duhen thelluar në kërkime të mëtejshme të zonës, për ecjen në labirintin e zgjidhjen e rebusit Tiranë. Por, që të bësh kërkime, nevojiten fonde.
Natyra e këtij shkrimi nuk më lejon të merrem gjerësisht me vlerësimin në fonde që i bëjnë historisë, por shkurt do të jap do shifra: 713 milionë lekë ishin shpenzimet e Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim dhe 437 milionë ato të Aleancës për Shqipërinë Europiane në fushatën e fundit elektorale. Kaq para do të mjaftonin e tepronin për gërmimin e tërë parqeve dhe objekteve arkeologjike të Shqipërisë dhe marrjen e tyre në mbrojtje; në nivel republike, fondet për arkeologjinë ishin shumë më të vogla se dekori i qytetit Tiranë në ditën “Shqipëria pa viza”. Shifrat tregojë se dashuria për pushtetin është ku e ku më e madhe se dashuria për historinë e vendit dhe trashëgiminë kulturore.
Ardhja e ngadaltë e breznive të reja, humbja e kujtesës, roli shtypës i “rulit” pesëqindvjeçar turk, mungesa e shkrimit, humbja e këngëve dhe trashëgimive, na ka lënë si mundësi përpos se studimin e shtresave arkeologjike, të cilat janë gërvishtur paksa. Vetëm përmes fondeve dhe punës të arkeologëve tanë do bëhet i mundur pastrimi i faqeve të Bashkisë së Tiranës, “Çelsit-Tiranë”, e fletushkave të tjera nga marrëzitë e gojëdhënave mbi Tiranën. Pikërisht për këtë, ndihet se duhet nxitur kultura e kundërshtimit ndaj tregimeve të mumifikuara në shekuj, si nevojë për të ndalur vrapin pas fantazmave dhe për të qëndruar me këmbë në tokë.
Gazeta shqip 21-22 dhjetor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.