10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Woodrow Wilson, Flamurtar i Paqës Botërore, përulet me respekt para monumentit të Giuzzepe Mazzinit – nga Pertefe Leka

on

|

views

and

comments

Pertefe Leka
Pertefe Leka

Woodrow Wilson, Flamurtar i Paqës Botërore,

përulet me respekt para monumentit të Giuzzepe Mazzinit

nga Pertefe Leka

Janë dy liderë botërorë, që influencuan në ideologjinë e nacionalizmit modern. Edhe pse në distancë kohore me njeri- tjetrin, lideri amerikan e pati udhërrëfyes teorinë mazziniane “Mendim e Veprim”, kur shkruan: “I not only use the brains that I have, but all that I can borrow”.
Për ne shqiptarët, të dy janë të vlefshëm, sepse idetë e tyre rrezatojnë edhe sot, kur është ndezur një debat politik dhe diplomatik për stabilizimin e Ballkanit. Kur diskutohen hyrje e dalje në Europën e Bashkuar, projektues i së cilës ishte Giuzzepe Mazzini. Kur diskutohen sot ndryshim kufijsh që lidhen me fjalën luftë, që kanë trazuar shpirtra nënash të përvëluara nga humbjet e bijve, kur vazhdojnë të diskutohen të drejtat njerëzore, vendosje piramidash dhe shfrytëzime nënujore pafundësisht, e ne, ende kemi mbetur “një thumb i ngulun në trutë e njerëzisë…” siç shkruate Migjeni. Sa sakrifica kanë bërë shqiptarët 100 vjet më parë, duke iu drejtuar liderit botëror të paqës, Woodrow Wilson, i cili kishte përcaktuar formën e bashkësisë ndërkombëtare të së ardhmes në “Fourteen points”.
Filozofia politike e Presidentit Wilson, është paraqitur shumë thjeshtë në “14 Pika”, por aty ishin vendosur pikat mbi “i”-të: drejtësi dhe vetëvendosje për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, që kërkonin liri politike, mos me lejue pushtimet e huaja, as sundim nga të huajt. Konferenca e Versajës e kishte mbështetë idenë themelore të Presidentit Wilson, në lidhje me të drejtën e popujve për vetëvendosje kombëtare. Kur u pa se Konferenca e Paqes në Paris, nuk po i merrte parasysh kërkesat e shqiptarëve, kryetari i delegacionit, Imzot Luigj Bumçi iu drejtua Presidentit Wilson për krimet e kryera mbi popullsinë shqiptare të Kosovës nga fqinji verior. Kështu vërshuan me letra e takime direkte shumë personalitete shqiptare nga gjitha trevat shqipfolëse, që ngritën zërin e protestuan për padrejtësitë që po i bëheshin vendit tonë. Nuk mungoi edhe vendosmëria e grave, në këte betejë diplomatike. Ishte, Zj. Lejla Dino, bija e Çamërisë, kur pa se babait të saj, Rasih Dino, që ishte caktuar nga komuniteti Çam në Amerikë, të merrte pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, po i nxirrnin pengesa italianët për të kaluar, iu drejtua me një letër liderit Amerikan: “…Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria, që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhemshurve të tyre të rrokullohet nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur…” 1 Janar 1919, botuar Albania
Motrat Qirjazi qenë shume aktive në këto momente. Ata ishin të parat femra shqiptare që vazhduan “Robert Kolegjin”, të sponsorizuara nga diplomati dhe biznesmeni amerikan, Charles Richard Crane, këshilltar i Presidentit Wilson. (Crane kishte lobuar për Shqipërinë më 1912-’13, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në forumet ndërkombëtare. Ai kishte sponsorizuar shumë student shqiptarë për të ndjekur studimet në Robert Kolegj të cilin e kishte themeluar, ai vetë dhe po ashtu kishte vepruar për shkollën e Dakos në Kamzë). Sevastia, së bashku me të shoqin, Kristo Dako, themeluan, “Partia Kombëtare Shqiptare”, për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Sevastia me kurajon dhe guximin që e karakterizonte, iu drejtua fuqive të mëdha, në prag të Konferencës së Paqës, me 12 Tetor 1918, me një memorandum, mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve.
Po ashtu Parashqevia, si delegate e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me misionarin amerikan Charles Telford Erickson, (i cili ia kushtoi tërë jetën Shqipërisë, duke lënë mijëra faqe të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit”), morën pjesë në Konferencën e Paqës, duke informuar Presidentin Wilson për kërkesat e shqiptarëve.
Shoqata Britanike, e kryesuar nga koloneli Aubrey Herbert, avokat i indipendencës së Shqipërisë 1907-‘13, Miss Edith Durham, që ngriti lart konsideratën për shqiptarët, e të tjerë miq të Shqipërisë, edhe pse nuk morën pjesë në ate Konferencë, ata shprehnin një mendim duke u bërë një mbështetje e fuqishme e kauzës shqiptare, në vendimet delikate të Konferencës së Paqës. Nga të gjitha anët, vinin letra pa fund, por tërheq vëmendjen letra e Nikollë Ivanajt, pjesëmarrës i Konferencës, drejtuar Presidentit Wilson me 10 Mars 1920, duke iu lutur liderit botëror, mbi bazën e 14 principeve, se vazhdon të cënohet integriteti politik dhe shtetëror i Shqipërisë nga marrëveshjet e fshehta, që kundërshtojnë pavarësinë tonë popullore, të cilën Shqipëria e kishte arritur ndërkombëtarisht.
.
Woodrow Wilson (1856-1924)
Woodrow Wilson (1856-1924)
Kanë mbetur Monumentale në historinë e luftës diplomatike, fjalët e At Gjergj Fishtës në atë Konferencë… “Qyshse serbët kanë vra me qindra e mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të Nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk kanë kenë serb, as ata të Epirit nuk kanë kenë grekë…”
Shqiptarët e Amerikës kishin fituar besim tek Presidenti i SH.B.A.-së, kur thotë Noli në takimin e tij në Mount Vernon 4 Korrik 1918: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha…” Por garancia më e madhe, ishte vetë plani i Paqës që shtronte Wilson në vendosjen e të drejtave për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.
Këto personalitete të larta të elites intelektuale shqiptare e kanë tejkaluar emrin e presidentit amerikan, duke iu drejtuar filozofisë se tij, wilsoniane si përcaktuese siç shkruan Fishta: “…me përskajue kufijtë e natyrshëm të Shqipërisë simbas parimit të autodecizionit… si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive wilsoniane…” Gj. Fishta 20 qershor 1919.
Protestat e shqiptarëve dhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar nga personalitete më në zë të Shqipërisë dhe të huaj, nuk shkoi kot. Përgjigjja e Wilson-it drejtuar delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Konferencën e Paqës në Paris se “ShBA-të nuk do të nënshkruajnë, kurrë një traktat që copton Shqipërinë…” botuar 25 Prill 1919, gazeta “Franc-Press”. Apo lajmi i rrufeshëm i Wilson, në maj 1919, ku denoncoi shpalljen e Traktatit Italian dhe kërkoi që Shqipëria të jetë shtet indipendent. Me mirënjohje, Noli e konsideron Wilson “Atë (baba) dhe profet” me thirrjen e përjetshme “Na udhëhiq, na udhëhiq!” Kontributi i Wilson vazhdoi edhe në Gjenevë, ku Noli ishte ambasadori i parë shqiptar, Shqipëria u pranue në Lidhjen e Kombeve dhe Pavarësia e vendit u njoh zyrtarisht nga bota.
Në vlerësimin e Konicës për Presidentin Wilson: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument në zemrat e tyre” e bën të lidhur shpirtërisht në kujtesën gjithë shqiptare.
Shqiptarët ashtu vepruan, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, në nderim të mbrojtësit të Shqiptarëve, ngritën në qendër të Tiranës, në sheshin Wilson, Përmendoren e Udhëheqësit të Paqës botërore, që sipas vlerësimit të Nolit: “Një lis i Madh në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar foletë!”. Filozofia e Nobelistit të Paqës, Wilson, mund të përcaktohet me fjalët e tij “Parimi i drejtësisë për gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrdhënie të lirisë me njeri-tjetrin, qofshin të fortë e të dobët”, prandaj, shtatorja e ngritur, në nderim të Tij, nuk është një dekor, por një zë që do të dëgjohet dhe do të na drejtojë me dorën lart përpara, për të mbrojtur,lirinë, pavarësinë, demokracinë, barazinë për të drejtat njerëzore dhe për integritet në Europën e Bashkuar. Ashtu siç treguam ne dhe gjithë popujt e shtypur mirënjohje dhe respekt për humanistin shpresëdhënës, Wilson, po atë konsideratë dhe krenari shpreh lideri amerikan, përpara Monumentit të Mazzinit në Gjenovë të Italisë, kur ishte në Europë në Konferencën e Paqës. “I stand in the presence of this monument and bring my greetings and the greetings of America with our homage to great Mazzini.” (Unë qëndroj në prani të këtij monumenti dhe i sjell përshëndetjet e mia dhe përshëndetjet e Amerikës me homazhin tonë ndaj Mazzinit të Madh” “We have studied the life of Mazzini as much pride as we shared in the glory of history” (Ne kemi studiuar jetën e Mazzinit me shumë krenari, ashtu siç e kemi ndarë në historinë e lavdishme.) Po me atë krenari dhe mirënjohje, italo-amerikanët, ngritën në Central Park, Manhattan, me 1878, bustin e Giuseppe Mazzini-t (1807-1882) (10 vjet më përpara se të ngrihej në Gjenovë ku ishte vendlindja e tij) me mbishkrimin: “Dio e il Popolo” dhe “Pensiero ed Azione”
.

Woodrow Wilson (1856-1924)
Woodrow Wilson (1856-1924)
Ndërsa shtatorja (e ngritur në Washington Park Square in Manhattan) e revolucionarit, Gjeneral Giuseppe Garibaldit (1807-1882) si njeri i aksionit, plotëson teorinë mazziniane “Mendim e Veprim”. Kjo ideologji nuk mbeti e izoluar në disa ndividë, por u përthith nga shumë lider të botës për të zgjidhur probleme kardinale. Principet bazë të kësaj filozofie ishin me organizue një shoqëri politike të re, të bashkuar, të lirë me të drejtat gjinore, indipendente, me sistem republikan. Duke qenë bashkohës i Marksit, Mazzini hodhi poshtë doktrinën marksiste të luftës së klasave, duke i dhënë përparësi bashkimit klasor në sistemin republikan. Ai thotë për Marksin se është sundimtari absolut i partisë, padyshim, ai bën gjithçka për vete, ai është i vetmi që jep urdhëra dhe nuk toleron asnjë kundërshtim. Ai e përshkruan Marksin me një shpirt destruktiv, zemra e të cilit është mbushur më shumë me urrejtje se sa me dashuri për njerëzit (Mazzini e Marks: thoughts upon demokracy in Europe) Pikëpamjet e Mazzinit dhe pikëpamjet fetare janë të lidhura ngushtë në një besim të perbashkët: liri, barazi, unitet, demokraci, arsim të papolitizuar, ku bazën morale të një vendi e përbën fryma patriotike kombëtare. Shprehja profetike e Mazzinit: “Patriotizmi si një detyrë dhe dashuria për Atdhe si një mision hyjnor” i jep prioritet bashkimit nacional ku Zoti i ka përcaktue kufijtë natyral të një kombi. “God has marked the natural borders of the nations”. Por si nacionalist republikan ishte një kampion i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento” për bashkimin e Italisë dhe që e shikon hartën politike të Europës mbi bazën e dy principeve: Demokraci dhe Vetëvendosje, sipas nacionaliteteve. Sot, harta e Bashkimit Europian dhe lidhja e kombeve janë ideuar nga Mazzini, si një vazhdim logjik i bashkimit italian, të realizuar jo vetem nga idetë, por edhe nga aksionet me Garibaldin në krye. Me këte dakortësi Wilson shprehet për vazhdimësi: “Fjalët e profetit dhe liderit tuaj shpresoj të mbillen thellë në zemrat e bashkatdhetarëve te mi.”
Idetë progresive që gjenerojnë ide të reja janë të pavdekshme. Një krenari shqiptare, Elena Gjika, gruaja më e ditur e kohëve moderne, kishte ide të përbashkëta me Mazzinin. Ajo ishte vlerësuar nga Mazzini dhe Garibaldi, sepse kishte mbështetur gjithmonë vlerën e demokracisë në mbrojtje të të shtypurve, të lirisë së popujve të Ballkanit, për të hedhur bazat për ndërtimin e një Europe të Popujve, e cila të tejkalonte Europën e Shteteve. Ajo, do të tregonte historinë e Shqipërisë nga pushtimet e huaja, sulltanët, serbët dhe do të ngrinte çështjen e Çamërisë… “Me që bashkatdhetarët e Skënderbeut, janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur Pellazge i është dashur të mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë. Serb Dushani i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit.Elena Gjika, si mazzinianët, edhe ajo na këshillon, të nxjerrim mësime nga historia që të kemi një Rilindje kulturore, letrare, politike mbi bazën e unitetit intelektual, shkencor e moral, dhe duke ngritur lart emancipimin e femrës”. Detyra më e ngutshme është përhapja e arsimit në gjuhën shqipe për të realizuar Bashkimin Kombëtar. Shkodrani i përmendur, Pashko Vasa, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, Mazzini dhe Garibaldi mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse, si revolucionar i Risorgimentos, në Mestre të Italisë, e rrethuar nga austriakët 1847. Por ajo që e bashkon në ide si mazzinian, është apeli i Pashko Vasës: “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria”, e cila shkonte në të njëjtën linjë me atë që propagandonte Giuzzepe Mazzini. Këto ide ishin të rëndësishme në aspektin religjioz, sepse Shqipëria me tri fe të ndryshme e kishte të vështirë të zgjohej me një fe të përbashkët, por për fat të mirë e përballoi me krenari, pa asnjë kundërshtim duke i dhënë prioritet Shqiptarisë dhe duke mbetur edhe sot modeli më i mirë i tolerancës fetare. Ishte Shkodra e para, me këte ndikim, që në vitin 1905, ku u dukën disa organizime, si “komuna sociale.” Këte ndikim e dëshmon Nikollë Ivanaj në gazetën e tij “Shpresa e Shqypnisë”, të cilën e botonte në Raguzë, në një artikull të Nëntorit 1905, nr. 41. Ai në atë kohë bënte pjesë në organizatën ilegale mazziniane në Itali. Ky ndikim u pasua edhe nga vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, të cilët i shpalosen idetë mazziniane që në numrin e parë të gazetës “Republika” me 24 tetor 1923, në Shkodër. Ishte hera e parë që në Shqipëri dëgjohej termi “Republikë” e cila shënonte fillimin e një lëvizje që rridhte nga idetë demokratike për një trajtë regjimi jo vetëm të një ose disa njerëzve, por të të gjithë klasave që përbëjnë një shtet, me divizën të huazuar nga Mazzini. Republikë, sipas Ivanajve, do të thoshte: “Kombëtari e papersonalizuar në një njeri, do të thoshte atdhedashuri jo e personalizuar në një sekt, apo në një krahinë, do të thoshte atdhedashuri që nuk përulet përpara armikut, atdhedashuri që nuk shitet, atdhedashuri, ku mësohet si mund të luftohet për liri, atdhedashuri që kërkon të vdesësh për atdhe në fushën e betejës…”
Janë pafund mendimet pozitive të njerëzve të dijës dhe të aksionit, atëhere edhe sot. Ata duhet të njihen nga brezi i ri, sepse janë nxitje për veprim. Njerëzit e urtë të Shqipërisë dhe miqtë e saj, duhet të japin kontributin e tyre më të fuqishëm, për të bashkuar popujt e Ballkanit me familjen e vet, ku të gëzojnë së bashku, kufijtë e tyre natyralë që të mos përmendet më “Ballkani – Fuçi Baroti”. Le të jetë shembulli i Presidentit Wilson, udhërrëfyesi i tyre si dhe thënia profetike e Mazzinit: “Patriotizmi si një detyrë dhe dashuria për Atdhe si një mision Hyjnor!”
 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.