back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Vetëm dekomunistizimi mund të sjellë dekriminalizimin e shtetit shqiptar! Hakik Mena

Gazeta

 

Hakik Mena
Hakik Mena

Vetëm dekomunistizimi

mund të sjellë dekriminalizimin e shtetit shqiptar!

nga Hakik Mena

Pavarësisht se kush janë dhe kë përfaqësojnë deputetët Doshi dhe Frroku, mënyra e arrestimit të tyre, është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje e frikshme, deri dhe terrorizuese për shoqërinë shqiptare. E them këtë sepse ky akt është bërë, sipas vlerësimit të ekspertëve më të mirë të ligjit, por edhe arsyes njerëzore, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore e krejtësisht në mënyrë arbitrare. Një arrestim i tillë, i transmetuar “live” nga TV-të, brezit të vjetër i ka sjellë ndërmend ditët e para të instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtij skenari, deri tani i mungojnë veç skenat e “zbulimit të armëve në kisha”, por pjesa tjetër është pothuajse një “rilindje” e aktorëve të vjetër të Sigurimit, me prokuror Aranitin e kryexhelat Koçin.
Në këtë situatë kaotike institucionale e ligjore që po kridhet sot shteti shqiptar, logjikshëm shtrohet pyetja: ku e gjejnë guximin ky mishmash politikanësh, deputetësh, prokurorësh e madje edhe ish-kalecësh Sigurimi, – të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me ish byronë e Partisë komuniste – për të orkestruar arrestime të tilla, të ngjashme me reprezaljet e kohës së diktaturës komuniste?! Mos vallë pushtetarët e sotëm, pinjoj të byroistëve, duke menduar se kanë përballë veç një opozitë të plogësht, të pavendosur, pa identitet, e kanë ndarë mendjen ta hedhin edhe hapin e fundit drejt çimentimit të pushtetit të tyre politik?! Dhe si për ta vërtetuar perceptimin tonë për mungesë rezistence, këtë tentativë për përjetësim të pushtetit, “djemtë e byrosë” po rreken ta bëjnë pa u maskuar hiç, krejt ashiqare, e pa ua “bërë syri tërr”, duke kërcënuar, arrestuar madje me tentativa për të eliminuar deputetë të Kuvendit, që janë tekefundit përfaqësues të popullit?!
Në këtë pikë më ngjan e detyrueshme pyetja nëse vërtet neokomunistët në pushtet po kuturisin të hedhin hapin e fundit drejt një sistemi diktatorial, të kamufluar si “pluralizëm shumëpartiak”, por që në thelb është e njejta gjë si modeli “demokratik putinian” apo ish-diktaturat amerikano-latine! Unë dëshiroj dhe uroj të mos jetë aspak e vërtetë, sepse pasojat dhe sakrificat njerëzore do të ishin katastrofale për shqiptarët. Por me ngjarjet e fundit, shihet se këtu kemi të bëjmë me një synim të prekshëm për ringjalljen e ish-diktaturës në formën e saj më të dukshme: – vendosjen e një pushteti personal, në shërbim të “njëshit” të partisë! Sjellje të tilla arbitrare, me shkelje kaq të trasha të ligjeve të shtetit, e në dhunim flagrant të së drejtës dhe lirisë së individit si nocione universale, nuk mund të jenë rastësi apo paaftësi e një institucioni si prokuroria! Kjo e fundit duhet thënë se ngadalë, por vendosmërisht po rrëshqet në prehrin e pushtetit të mazhorancës, saqë të krijon bindjen se paditë kërrehen në zyrat e qeverisë, për t’u cicëruar të nesërmen në sallat e gjyqit. Dosja “Doshi”, – ku akuzohen nga prokuroria dy deputetë për dëshmi të rreme, kurse në fakt, në gjykimin publik, kjo ngjarje është një tentativë e mirëfilltë kriminale për zhdukjen e deputetëve rebelë, – është vetëm një përshfaqje simptomatike e trendit të rrezikshëm që ka nisur për të vendosur një pushtet absolut. “Doshi” është vetëm pika e vlimit, kurse në fakt plani ka nisur të formësohet që herët, me ndryshimet në një sërë ligjesh e kodesh me synim ngushtimin e lirisë së qytetarëve dhe sidomos krijimin e një situate ankthi e terrori shtetëror ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk janë rastësi tamtamet për energjinë, gjobat e makinave, sanksionet absurde e krejt të zhbalancuara në kod penal, e ligjet e tjera organike që rregullojnë marrëdhëniet mes qytetarit e shtetit. Një mendje djallëzore ka punuar fort që të na këllasë në këtë xhungël pasigurie ku ndodhemi sot, ku shumica dërrmuese po mendon kryesisht se si mund të arratiset nga vendi me ç‘të mundë. Le të sjellim në vëmendje të publikut gjithashtu dhe faktin se skenari i asgjësimit të drejtësisë në Shqipëri, po realizohet me nxitjen dhe mbështetjen e krerëve më të lartë të pushtetit neokomunist, por sidomos edhe me “aprovimin” e Parlamentit të Xhikeve, Lenkave e Bab-Lymave të vitit 2015.

Kur Diktatura ulej këmbëkryq...
Kur Diktatura ulej këmbëkryq…

Këta të fundit, në rolin e palakmueshëm të “lolove publikë”, nuk po druhen aspak të vetëdiskreditohen në sytë e gjithë botës shqiptare duke votuar “grusht-bashkuar rreth partisë!” sipas direktivave të “të madhit!” Asnjë zë për be, nuk del kundër. E kjo s’mund të jetë rastësi. Kjo gjë ndodh vetëm në rastet kur krerët e një force politike synojnë të vendosin një pushtet absolut. Ndokush mund të thotë se po e ekzagjerojmë me akuzat për diktaturë dhe mund të na kujtojë madje se mazhoranca e sotme ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira. Po e vërtetë… të gjithë e kemi parë fitoren me “vota” të mazhorancës PS-LSI në 2013, të pagëzuar si fitorja e “një milion shpullave”. Por po ashtu kemi të dokumentuar në histori “déjà vu”-në në formën e diktaturës naziste, që erdhi në pushtet me anë të “votës”, por që më pas e ktheu pushtetin në armë për zhdukjen e kundërshtarëve dhe “armiqve” të pafaj me kampe shfarosjeje e gjenocid ndaj më të dobtëve. E kemi të provuar madje edhe në kurrizin tonë këtë histori pushteti, kur në 1944, një bandë plaçkitësish mizorë nga e ashtuquajtura Zonë e Parë Operative, – e orientuar politikisht nga armiqtë shekullorë serbët dhe rusët, – arriti të vendosë një diktaturë çnjerëzore, e cila për 45 vjet e transformoi vendin në skëterrë antinjerëzore. Këta të sotmit, e dinë të gjithë madje, edhe ata vetë e pranojnë, se janë pjellë gjenetike dhe politike e gjakatarëve të 44-ës. Ata të “parët” ishin ekspertë në krijimin e “fajtorëve pa faj”. Mjeshtra në sajimin e grupeve të “armiqve të popullit”. Ustallarë për të torturuar çdo qytetar me vlera. Me qëllim krijimin e një terrori permanent në të gjithë vendin, i cili duhet thënë se funksionoi në atë kohë. Por edhe këta të sotmit nuk po “zhgënjejnë”. Nuk e kanë harruar aspak “zejen” e tyre të torturës dhe të terrorit fizik e psikologjik mbi njerëzit. Në 1945-ën kjo gjë funksionoi ndoshta edhe për shkak të mungesës së opozitës së kohës dhe papjekurisë së shoqërisë shqiptare, që nuk dinte ç‘ishte komunizmi. Prandaj mund të thuhet se sot kushtet janë të ndryshme, në raport me kohën kur erdhi në pushtet çeta e Enver Hoxhës. Në atë kohë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se komunistët “origjinalë” gëzonin mbështetjen e kampit socialist, dhe kjo nuk ishte e paktë për atëherë! Por sot po shohim në një formë tjetër që përkrahja nga kampi socialist i dikurshëm, është konvertuar tashmë me mbështetjen nga kampi social-demokrat në gjirin e BE-së ku gjendet më shumë se një duzinë vendesh ish-komuniste. E si për bela, burokratët evropianë që caktohen të mbajnë në patronazh Shqipërinë, shumicën e rasteve qëllojnë nga vendet e Traktatit të Varshavës! Dyshimit tonë për një diktaturë ndokush mund t’i kundërvihet me arsyetimin se sot nuk ka më një kriminel gjakatar si Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij. Por unë kam bindjen se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes Edvin Ramës e Enver Hoxhës apo mes Ilir Metës e Mehmet Shehut. Njëlloj janë në etjen e tyre për pushtet e sundim absolut, madje edhe në vese e tendenca kriminale deri kundër shokëve e bashkëpunëtorëve më të ngushtë.
Në këtë skemë na mungojnë disi tipa lombrozianë si Aranit Çela, Nevzat Haznedari, etj., të cilëve vazhdojnë t’u rrjedhin duart gjak, por nga ana tjetër, pasardhësit e tyre në Prokurori të përgjithshme, – të cilët vijnë gati 99% nga shkolla komuniste – nuk u lënë gjë mangët në diabolizëm e perversitet “mësuesve” të tyre. Do të ishte e mjaftë të kujtonim seancën në Këshillin e Mandateve të Parlamentit ku një prokuror gjuhëtrashë, nuk i jepte qëllimisht përgjigje as pyetjes se për çfarë akuzohen deputetët që kërkohej të arrestoheshin! (Sic!) Prokurorë të tillë janë për rekorde “guiness”. Kjo histori me deputetë, skenarë vrasjesh nisi si një aksion për të pastruar radhët e partive nga të “fortët”, nëpërmjet të ashtuquajturit “dekriminalizim”. Në fakt ky “dekriminalizim” s’është gjë tjetër veçse përsëritja e një kënge të vjetër, që këndohej me iso labçe në çdo fshat të krahinave antikomuniste të veriut të vendit, kur zona e thënë pushtohej prej partizanëve. Nuk është e nevojshme t’i përsërisim ato vargje, por më ngjan shumë i dyshimtë fakti që në mbledhjen e këshillit të mandateve në parlament, kishte 9 deputetë përfaqësues nga Zona e Parë Operative, që do të gjykonin për fatin e 2 reaksionarëve “katolikë” nga Mbishkodra. Kjo gjë ra në sy të të gjithëve, megjithëse askush nuk e përmendi, ndoshta nga sikleti, atë shprehjen e djaloshit të përrallës së Andersenit për rrobat e mbretit! Meqë jemi në këtë pikë, nëse ndonjë “babaxhan” ambasadash nga ndonjë vend perëndimor mik i shqiptarëve, dëshiron të purifikojë parlamentin, institucionet shqiptare, partitë e politikën, duhet të nisë fillimisht me dekomunistizimin e tyre. Kriminalizimi i parlamentit, institucioneve, partive e politikës, nuk ka ardhur nga “të fortët” por nga komunistët që kanë veshur mantelin e demokratit. Si përfundim, do të thoja se pa u bërë dekomunistizimi nuk mund të bëhet dekriminalizimi, dhe deri atëherë, ne do te jemi thjesht një shtet rrumpallo-mafioz.
Nji gjë është e sigurt, po të kishte ekzistuar dëshira dhe qëllimi i mirë i politikës shqiptare për të bërë dekomunistizimin e vendit që prej viteve ‘90, – kjo edhe me shtytjen e mbështetjen e sinqertë të vendeve mike të Shqipërisë – vendi ynë do të kishte pasë tjetër zhvillim e tjetër histori. Çdo eksperiment “dekriminalizimi”, për fat të keq është i destinuar të dështojë dhe për këtë do të binden shumë shpejt edhe babaxhanët e ambasadave. Nëse këta të fundit, veprojnë kësisoj thjesht për të lehtësuar komunikimin me lojtarët kryesorë të politikës shqiptare, duke u bërë pa dashje palë më to, atëherë s’bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në dyshim edhe këtë kuazi-demokraci që ekziston ende këtu. Nëse do vazhdohet me këtë filozofi të mbrojtjes së interesave duke bërë allishverishe edhe me djallin, dihet se fundi i kësaj rruge do të jetë i ngjashëm me skenat danteske. Kjo nuk është as e drejtë dhe as dobiprurëse, si për miqtë tanë, ashtu edhe për miliona shqiptarë që kanë fatin e keq të sundohen nga kjo klikë antikombëtare.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.