back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Kulla eme nuk asht e vetme… nga Atjon V. Zhiti

Gazeta

Atjon V. Zhiti (1995-2014)
Atjon V. Zhiti (1995-2014)

Ky është një shkrim i veçantë i Atjon Zhitit, jo vetëm pse i ngjan një legjende dhe një metafore bashkëkohore, por ka dhe rrekjen që të ishte i shkruar në gegërisht. Që të ndjehej më i besueshëm, autori kishte zgjedhur për emër letrar Dardan Shkrelin, ku kishte shtuar se ai “është duke përfunduar doktoraturën në ‘Near East University’ në Qipro për semiotikën interpretative.”
Një ëndërr apo një apel për ndokënd?
Gjithsesi Dardania ishte vendi që Atjoni e donte shumë e i pëlqente të shkonte atje. E tërhiqte gegërishtja, i kuptonte fare mirë mangësite e veta dhe kishte vendosur të studionte Veprën e Martin Camajt që të mund të shkruante dhe në dialekt, por fare prane letrarishtes, duke e parë atë si pasuri, jo vetëm gjuhësore.
Gegërisht donte ta nxirrte shkrimin e tij të parë, ky i mëposhtmi, në gazetën elektronike që kishte themeluar po vetë, “Mesi Radikal”, ndërkaq hapi rubrikat e gazetës, ku i bënte thirrje lexuesit dhe priste shkrime prej tyre. Kaq. Se jeta e tij u ndërpre në moshën 19 vjeçare nga një aksident tragjik. Pas një feste, hipi në motorin e një moshatari dhe në mugëtirën e 20 dhjetorit të shkuar, ai goditi njërën nga burduarat e mëdha, të betonta, kur riparohej austrada Tiranë-Durrës dhe sinjalistika ishte pa ndiçimin e duhur dhe fati zi, Atjono Zhiti iku në terr. E tani në qiell, përveç të tjerash, mbase pret ta shohë të botuar parabolën “Kulla ime nuk asht e vetme”, i shkruar në Milano, ku dhe studionte për filozofi në Universitetin Katolik “Sacro Cuore”.
Dashuria moderne e Atjonit për vendin shkon dhe më në thellësi të kohërave, ku nisin rrënjët e traditave. E donte vendin, sa europian, po aq dhe vetvete, në identitet me virtytet e rralla e të lashta.
Mbase ky shkrim i shpalos ato që deshi, sado pak, pa e ditur në do prekte apo shtonte këtë parabolë të veçantë…
Përgatiti Stafi “Milosao”

***
Atjonin e Visarit, e kam përcjellë nga koha kur ishte ëndërr… dhe kam ndjekur me kujdes kur mbrriti te koha e “zhgarravinave”, te koha kurreshtjes për dije, te koha e pyetjeve të rafinuara e deri te koha e shkrimeve të tija serioze që po paraqesim herë mbas here… Ndersa kërkoja, gjeta në arkivin tim të fotove edhe disa foto të tijë që datojnë nëntë vite të shkuara… Atjoni mbetet nji dhimbje e pangushëllueshme, dhe unë mbetem gjithnji afër prindërve të tij që kishin investuar krejt jetët e tyre te nji ëndërr si Atjoni…
jozef radi, 31 mars 2015

Atjon Zhiti 2006 (arkivi j. radi)
Atjon Zhiti 2006 (arkivi j. radi)

Kulla eme nuk asht e vetme…

nga Atjon V. Zhiti

Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.
Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saje t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.
Ndërkohë, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon njifarë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të naltë interesash e idealesh t’përbashkta, mbasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i nji vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mundte me ba ma shumë, po kurrë s’kena dijtë me e frymzue e me shfrytzue.
Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtinë, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.
Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocërr un s’e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jetë, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin e rrëxuem që rrethonte kullën tonë, kisha mundësi me folë e me studjue gjana shumë e ma shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.
Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.
Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa n’disa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.
Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte e ba me duert e veta, nuk mbrriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbrriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thanë: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka mbetë njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum për kullanët e mi.
Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nji jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojtë antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shpërndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort te gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dijtë t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.
Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesantë, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administratës osmane, roli i fiseve/tribuve ka kenë diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji manner origjinale me pa jetën, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit. Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shumë ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

Shkrim i botuar te Milosao

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Edhe vdekja zgjedh!
    E zgjodhi këtë trëndafil të vesuar ta kishte në kopshtin e saj! E dhimbshme deri në palcë! Një dhimbje që do t’i shoqërojë prindët e tij deri në sekondat e fundit të jetës së tyre!
    E sa për shkrimin… “Dardha bie nën dardhë!”… Nuk kish si të ndodhte ndryshe! Një bir shkrimtari, që shkruan po aq bukur sa i Ati!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.