back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Vasilika Michalas – ose dashuria për librin ka emrin e nji gruaje nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi & Vasilika Michalas 2015
Jozef Radi & Vasilika Michalas 2015

Vasilika Michalas  –

ose dashuria për librin ka emrin e nji gruaje

nga Jozef Radi

Ka njerëz të cilët fati i vendos qysh në lindje përballë enigmash të mëdha…
Ata ngjizen me këtë enigmë, jetojnë brenda saj, rriten duke i bartur krejt përmasat e enigmës së tyre, dhe vonë, diku vonë ata përpiqen ta bindin veten se jeta e tyre si me atë enigmë, si pa atë nuk do të kishte ndryshuar asnjë presje…
Po nuk është tamam kështu…
Sepse, nji ditë të bukur, (më së shumti ajo është trishtim dhe shpresë), ata nisen në kërkim të asaj enigme që i ka shoqëruar gjithë jetën, dhe derdhen gjithkah edhe të çoroditur për të kuptuar, pse gjithë si mister rreth tyre, përse gjithë kjo fshehje, përse gjithë ky tragjizëm, kur është fjala për nji të vërtetë të thjeshtë, për nji mungesë sublime… siç është ai nji prindi që nuk të është shfaqur kurrë, as si figurë, as si emër… leri tjerat!!
Pikërisht në kërkim të kësaj së vërtete, e kur nisin të shfaqen gjurmët para, papritmas rrugët tona ndeshen, diku e katër vite të shkuara, kur një mbrëmje dimri, Vasilika Michalas më thotë kam kohë që kërkoj dikë, që e ka njohur mirë nji njeri që unë s’munda ta njoh kurrë! Nji njeri që të më flasë për të ashtu si ai ka qenë në të vërtetë…
Prej asaj dite ne jemi miq, dhe më shumë se miq sepse na u lidhëm përmes nji njeriu që ajo e kërkonte dhe që unë ja dhashë të gjallë me gjithë dashurinë time ndaj tij… Mu duk sikur desha ta ringjallja që ajo ta njihte ashtu siç kurrë s’e kish njohur. Tashti atë Njeri që s’është më, e kemi të përbashkët! Spiro Gjoka, “Xhaxhoja” im, i cili mbetet nji ikonë e gjallë e kujtesës sime; dhe “Ati” i saj, Ai shenjtori i dëshiruar që ajo s’arriti ta njohë kurrë… është si urë mes nesh…

Spiro Gjoka - Savër 1992 (foto Jutta Benzenberg)
Spiro Gjoka – Savër 1992 (foto Jutta Benzenberg)

Po ajo çka më lidh me Vason, nuk është thjesht ky njeri i dashur për ne të dy, por shumë më tepër, është dashuria për librat.
Unë nuk kam njohur lexuese më të vëmendshme se ajo, as kam dëgjuar ndonjiherë shpjegime dhe gjykime më të këndshme se ajo mbi librat; unë s’kam për të takuar ndonjëherë nji librashitëse pa librari, që i ka rritur dhe shkolluar fëmijët edhe përmes dashurisë që ajo kishte për librat… e në veçanti për librat e mirë.
Vasilika Michalas, është për mua modeli i nji dashurie të pakrahasueshme për librin, duke më dëshmuar se libri ka qenë dashuria më e madhe e jetës së saj, dhe padashtas më ka bindur se libri në çfardo krize që të kalojë, s’mund të vdesë kurrë…
Ajo ka shitur shumë libra në jetën e saj… ama kurrë nuk ka shitur nji libër që ajo s’e ka lexuar… Kurrë nuk ka shitur nji libër që s’e ka pëlqyer apo më shumë dashur; kurrë nuk ia ka dhënë dikujt librin në dorë, e pabindur se ai libër meriton jo vetëm të lexohet, por të jetë i dukshëm në bibliotekën e gjithkujt… prandaj nji kafe me Vasiliken nuk është vetëm krejt nji botë librash që të shfaqet ashtu magjishëm, po edhe nji botë disi e largët që ajo ta zgjon bukur, kështu që bëhet ca si e vështirë, që në nji tavolinë me Vason, të jeshë më shumë se dy vetë… e aq me keq të jenë në mes ca edhe jo fort të palexuar…
Kurrë s’e kam marrë vesh qartë misterin e Vasilikës me njeriun më të dashur të shtëpisë sonë Xhaxhon (Spiro Gjokën)… po kjo s’ka asnji rëndësi… rëndësi ka që ajo sot ka dashurinë time të vërtetë dhe respektin e thellë jo vetëm timin po të krejt atyre që e njohën dhe jetuan me atë Njeri, dhe kjo është gjëja që e ngushëllon më së shumti në mosnjohjen e saj me nji prind të munguar…
Sa herë shkruhemi, dëgjohemi apo edhe ulemi e flasim me Vason, aq shumë libra e aq shumë emra na futen në mes, sa është e vështirë të ndahemi, po edhe libër i “Aforizmave” nga krejt “Vepra e Balzakut” e botuar në shqip (30 romane) është punë e saj disavjeçare, që sot shërben si nji tjetër pikë afrimi mes nesh…

Honore de Balzak - Komedia Njerzore (Aforizma)
Honore de Balzak – Komedia Njerzore (Aforizma)

Sa herë ulem dhe shfletoj atë, mendoj se nuk mund të ketë ndonji njohëse kaq cilësore të veprës së Honore de Balzak, siç është Vasilika… Me laps në dorë, ajo ka lexuar as më shumë e as më pak po tridhjetë vepra të Balzakut të botuara në Shqipëri…
Ky leximi dhe shënimet e saj, nji ditë e shtynë t’i mblidhte gjithë lulet e shijeve të saj… dhe u shfaq kjo vepër me 230 faqe, plot aforizma të bukura, leximi i të cilave mund t’i ngjajë nji pasqyre të madhe ku seivili nga ne mund të gjejë përputhje mendimesh, pse jo edhe ta shohim diku veten tonë… Dhe kjo nuk është pak…
Eshte edhe nji respekt i madh që meriton kjo grua që kultin e librit brenda shpirtit të saj, e ka të pangjashëm me asnji prej nesh, e që me droje mund të thoja edhe të rrallë e monumental…
Të falemnderit Vaso, për shembullin tëndin…
25 gusht 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.