back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Vargje për dritën… gdhendun në terr… esse nga Jozef Radi

Gazeta

Lek Pervizi (Autoportret)
Lek Pervizi (Autoportret)

Vargje për dritën… gdhendun në terr…

esse Jozef Radi (2003)

(Rrekje me hy n’shpirtin e librit “Gjurmë të Humbuna”, të Lek Pervizit…)

Poet i heshtun e i ndrydhun në shpirt, dhe piktor i njoftun, (për ata pak që e njifnin) Lek Previzi, shfaqet me nji libër poetik ku ka shfry me forcë krejt dhimbjen, vuajtjen, shpresën, andrrën, po edhe perversitetin e tragjizmin asaj kohe dhe atij regjimi, tashma në trajtën nji libri poetik, ku jeta (mos me thanë tragjedia) e nji individi, mbart në vetvete krejt jetën (edhe këtu, mos me thanë krejt tragjedinë) e nji populli, e nji kohe, e nji shoqnie dhe nji epoke që e shkroi dhunshëm gjysëmshekulli i dytë i shekullit të shkuem.
Përmbledhja poetike “Gjurmë të Humbuna”, asht konceptue dhe ndërtue jo vetëm si dhimbje dhe klithëm, po hera herës edhe si kronikë e ftoftë ngjarjeje, si nji dëshmi e ruejtme me kujtesë (po edhe ndër skica), si vuejtje e pafund e nji tmerri pafund! Lind pyetja: Pse kaq vonë këto “Gjurmë të Humbuna”, kur e keqja, dhuna, ideollogjia e kësaj dhune, poshtnimi, lufta e klasave, terrori kanë shtypë përmes shtetit dinosaur, shpirtin e krejt nji populli, e në mënyrë t’veçantë “ato”: klasat e përmbysuna??…
Libri mbetet nji prej dëshmive ma të forta poetike, mbështetë mbi malin e pafund të dëshmive! Dëshmi, ndaj atyne, që sot kërkojnë me kambngulje dhe me krejt mjetet e popagandës që të harrohet e shkuemja!!
Ky libër shtohet si nji dëshmi ma shumë e skëterrës së atyne që e krijuen, prej atyne që e vuajtën ditë e m’ditë kët skëterrë për nji gjysë shekulli… Pse u dashkan humbë gjurmët e k’saj së keqeje të madhe, apo që ajo n’rastin ma t’parë me u rishfaqë edhe ma përbindshëm?!
Siç shpjegon vetë autori në prezantim të këtij libri: “…Lindja e këtij libri ka qenë e vështirë, gati gati në kufijtë e së pamundunës”, mbasi atij i asht dashtë me e rindërtue poetikisht gur për gur krejt at kështjellë të frikshme terrori, ma s’pari përmes mbamendjes, sepse vetëm kështu mund të shpëtohej poezia duke u ruejtë nëpër fletët e shpirtit, pa lanë gjurmë, duke e ba sa ma të pamundun shfaqjen e saj si dokument, që shpejt kthehej në akuzë, po thjesht si fjalë e mshehun në ma t’thellën thellsi të shpirtit. Kjo asht njiherit e vërteta dhe drama e librit “Gjurmë të Humbuna”, i cila pak vite ma parë asht shfaqë në trajtën e dy librave: “Ankimi i Zanave” dhe “Labirintet”.
Pervizi, kët libër të shkulun prej shpirtit, në “natën e pafund të kobit”, e konsideron “si nji detyrë për ta ndriçuar at të vërtetë, përmes përjetimeve të thella të asaj kohe të trishtë e të zymtë…”

Lek Pervizi: Psherëtima e Erës
Lek Pervizi: Psherëtima e Erës

***
Arti, për Lekë Pervizin, asht shfaqë qysh herët në trajta nga ma komplekset.
Në t’vërtetë, për ma shumë se pesëdhjetë vjet ai asht shprehë me piktorin: si njeri i ngjyrave dhe formave. Po si duket, në shtresimet shpirtnore të këtij artisti kompleks, njiherësh ai i ka ba strehë ose i ka dhanë azil në vetvete, njeriut të shumë fantazive: pse po të kqyrësh me vëmendje te ai mund të gjesh edhe piktorin e poetin, edhe estetin e kritikun, edhe përkthyesin e hulumtuesin, edhe gazetarin e editorin… po në dukje ma pak se gjithkënd ai ka bà poetin!!
Siç del e qartë edhe prej këtij libri, në klandestinitet të plotë, poeti në shpirtin e Pervizit, paska pasë pjesën e luanit, prandaj ky libër i të vërtetave të frikshme dhe i “fjalës së gozhdueme n’kryq”, ku krahas imazheve rrënqethse, sjell edhe mjaft grafika sugjestionuese, të krijueme n’kushte t’nji mungese të plotë lirie, realizue n’ato kohna t’hershme rinie, kur pengjet e mëdha baheshin andrra, dh shfaqen sot me na dëshmue fuqishëm at lidhje solide që ka jetue mbrenda këtij njeriu: fryma e shfaqjes si piktor dhe e fshehjes së poetit…
Sensibiliteti i naltë artistik, ku shpesh s’mundesh me përcaktue se ku mbaron poeti e ku nis piktori, dhe anasjelltas, si ndër poezi ashtu dhe ndër grafikat përcjellëse, e ban kët vepër të veçantë, si për rrethanat, shtrimjen kohore, epikën e dhimbjes dhe dëshminë artistike, duke na futë ashtu si pa u ndje n’at skëterrë danteske, ke qe zhytë pa shpresë krejt shoqnia shqiptare…

***
Në kët përcjellje modeste të kësaj vepre, e gjej t’arsyeshme që para se me u zhytë me thelbin e saj, të flas diçka për autorin, përmes njohjes sime, njohje e hershme, e cila detyrimisht më shtyn me i hedhë edhe nji refleks drite mbi kët poezi “të panjoftun” të shkulun prej shpirtit të nji piktori. Pse sipas meje, asht piktori, ai që m’ka bà ta ndjej dyfish leximin dhe përjetimin e këtij libri… pse edhe artin e fjalës Ai e përcjellë si nji artist ngjyrash dhe figurash, gja e cila m’i shfaq edhe ma t’gjalla, edhe ma t’prekshme të vërtetat e dhimbshme të këtij libri.
Autori i “Gjurmëve të Humbuna”, për gati nji gjysë shekulli asht vërtitë rrugve të ndëshkimit… Për gati tridhjetë vjet, jetoi në nji fshat të harruem të Myzeqesë, i quejtun Plug, i cili i shërbente regjimit si nji prej gulagve të shumtë të ndëshkimit klasor, shpërnda anembanë asaj fushe pafund. Shtëpia e Lekës, (o Zot… Si mund t’quhej shtëpi nji kthinë e përçudun, e ngushtë e pa frymëmarrje) në at përfytyrimin tim, ishte pa mure. Mbrenda asaj kthine të përçudun hyje nga nji bote terrori… dhe të shfaqesh nji hapsinë drite dhe ngjyrash, në muret mbushë përplot me veprat e tij. Nji pjesë të mirë të shpirtit, Lek Pervizi e kish vendosë n’ato mure… dhe unë ulun në nji karrige isha i lirë me e kundrue dhe me andrrue… Fëminia ime asht përplot me ato imazhe ku ndjehej shpirti i nji artisti, që ia kishin vra horizontin. Po që edhe prej asaj bote të gjymtueme e të dhunueme, ai gjente kohë dhe forcë me e dëshmue qenien e tij artist, me dhurue emocione: sepse ai kishte art, ngjyra, dritë, shpresë, dhe të dhuronte krejt hapsinën me ikë prej atij tmerri ku kishte ngecë përdreq e përditshmja jonë. Ajo dhomë, ashtu e ngushtë dhe e përçudun, pothuej pa dritare, ku jetonte artisti, me gruan (nji burim i pashterrë inspirimi) dhe tre djemtë e tij, ishte e vetmja ekspozitë ku ai mundi ta shpallë veteveten, jashtë kornizës së hekurt të realizmit socialist, e ku unë e shumë pak të tjerë, mundëm me e admirue pafund, at magji arti që s’guxonte me u shfaqë jashtë atyne mureve…
Besoj, ky detaj asht dëshmia ma e gjallë, e ruejtun prej nji fëmije, se si nji artist i vërtetë edhe në kushtet ma të skëterrshme krijonte jo vetëm art, por edhe liri, edhe shpresë, edhe kurajo, edhe forcë me e përballue të keqen, duke shtresue ndërgjegjen artistike: si sfidë mbi sfida ndaj asaj kohe! Sigurisht, sot s’asht as koha dhe as vendi me folë për piktorin Pervizi as për artin e ngjyrave të tij… për të mund të flasim qindra skica, kuadro e imazhe… që ndoshta nji ditë do ta dëshmojnë kët të vërtetë që shkruej… Sot m’duhet me u ndalë te imazhe të nji tjetër trajte: te ngjyrat dhe emocionet e fjalës së tij poetike, shtresëzue në shpirtin e piktorit-poet, që me forcën e fjalës na sjell tragjedinë e asaj kohe jo fort të largët, për të cilën sistematikisht po bahen përpjekje të shumta, me e përcjellë me shurdhësi dhe me e lanë të shuhet në harresë…

Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)
Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)

Nji fluturim mbi vepër

Edhe pse të shkuluna me mundim shpirti prej kujtese, poezitë e kësaj përmbledhje përfshijnë ngjarje, episode dhe figura të krejt hapsinës kohore të gjysëmshekullit të shkuem. Të përjetueme nën efektet e nji tmerri, apo nji tronditje të jashtëzakonshme, ato janë ripërtypë gjatë në mendje, për me jetue gjatë në shpirtin e autorit, pra nji ngjizje e pafundme në pritje t’kohnave me u lindë… që mund t’mos vinin kurrë… Me nji perifrazë kët libër do ta queja: “Klithma të shkuluna skëterre, vargje të gdhenduna në terrin e natës pafund…”
Brenda kësaj së vërtete vërtitet krejt jeta njerzore. Atyne njerëzve u ishte shkulë prej syve gëzimi njerzor, dhe duket sikur s’kishte me lé kurrë ditë nji ditë e bardhë për ta… Edhe pse nën efektin e fortë të këtij mallkimi, si në epos, poeti gjen forcë me besue dhe me shpresue te drita e lirisë…
Prandaj ky libër i dalë nga dhuna, ka nevojë për dashni, ashtu si nji i posadalë prej burgu. E jo vetëm për dashni. Duhet me hy thellë në shpirtin e këtyne kangëve, me zbulue krejt atë tmerr të asaj bote tashma të vdekun, po edhe krejt ata margaritarë të shpëtuem e të ruejtun ndër shpirtna…
Në leximin dhe rileximin e “Gjurmëve të Humbuna”, jam përplasë vazhdimisht me pasazhe danteske… Gjithkund jeta shfaqet si varr i hapun, si nji kryq i madh mbi shpinë të pafajshmëve, ku befas edhe ti vetë e gjen vedin aty me kryq mbi shpinë… dhe ndjen në trup të mbërthejnë gozhdët e tmerrit… dhe ti kërkon të kuptosh at fajin e madh që rëndon mbi ty… Po ma parë se të jeshë fajtor, të ngulë drejt e në kryqin e fajit…! Dhe vdekja befas shfaqet si shpëtim, si liri…
Libri mund të lexohet edhe si nji kronikë poetike e nji kohe ku të mbetunit gjallë, vërtet ishte nji fitore po edhe nji dëshpërim i madh përballë atij depersonalizimi…
Nën at ortek epitetesh për shpirtnat e trazuem, poeti e thërret natyrën në ndihmë për shpëtimin e jetës njerzore, dhe ikën i dëshpëruem edhe prej saj kur i duket se edhe ajo bahet pjesë e së keqes së madhe!! Aty ndjen se si poeti, në kushtet e rrënimit fizik e shtyn fajin prej njerëzve te objektet (Kalaja e Tepelenës, Porto Palermos, Buronjat e Kuçit) dhe rrebelohet me indiferencën njerzore dhe indiferencën e natyrës ndaj asaj që ndodh. Poeti, duke jetue me tmerrin e përditshëm, ndodh të mos gjejë forcë me e pà të nesërmen, atherë ai gjen ngushllim te e djeshmja e rinisë dhe te andrrat e dikurshme…
Vuejtjet e Krishtit, n’at skëterrë ku i ka syrgjynosë regjimi, poeti i kthen jo vetëm në ngushëllim, po edhe në besim e forcë. Ajo nuk ndjehet vetëm në vuajtjen e tij, po edhe kur e mbyt vetmia dhe metastazat e mosbesimit në vetvete… Imazhin e Krishtit autori e përcjell si pjesë e vuejtjes kolektive, si të vetmen rrugë shpëtimi, në fund të së cilës shpresohet drita… Te ajo dritë ai gjen dashninë e ndrydhun… dhe befas libri shpalos faqet ma të bukura të tij…
Poeti, me nji gjuhë shpesh sempliste, na jep at botë që kishte humbë çdo përmasë njerzore, ku përbindëshi i njeriut të ri thyente, shkatrronte dhe përbuzte çdo vlerë të traditës dhe kulturës shqiptare, ku mendimeve të burgosuna të shumicës, u bashkohen burgjet e shumta që gëlonin gjithkah (veç për të pafajshëm), ku filozofia e dyshimit në gjithkënd brente edhe gurin… Poeti Pervizi, i ndihmuem prej Piktorit Pervizi, e ka përjetue dyfish tragjedinë e Tepelenës, dhe po dyfish përmes ngjyrave dhe fjalëve e ka përcjellë atë. Ai kërkon ta braktisë at botë dhune e nëpërkambjesh, at botë hekurash e zinxhirash, dhe në mungesë të plotë të të shpresës dhe lirisë ai e krijon shpresën dhe lirinë mbrenda vetes, e kultivon me kujdes kopshtari atë, ndaj ky libër s’asht tjetër veçse nji imazh lirie i mbetun gjallë mbrenda tij… me udhëtue gjatë nëpër kohna…!
Si libër i dalë skëterre, ai s’mund t’u shpëtonte hijeve.
Aty ndesh poezi si kronikë, poezi si dëshmi, poezi si akuza të hapta ndaj krimit, të cilat shpesh ia zbehin frymën poezisë; ndodh që poezia të marrë trajta shpjeguese, apo rrëfimi i nji fakti a ngjarjeje të sillet si humbje e poezisë së vërtetë. Ndesh vende vende me tepri fjalë: si kobi (e kobshme, e kobtë), dëshmi thelbsore të asaj tragjedie, që përsëriten deri në humbjen e masës. Tek-tuk gjen ngjyrosje emocionale të vakta, trajta folklorike, apo rikthim tek e njejta figurë… Probleme krejt të vogla, të cilat me synin e nji redaktimi pak ma profesional mund të ishin shmangë, me e shprehë edhe ma me forcë britmën e këtij libri të vlefshëm. Ajo çka vlen të theksohet, asht fakti, që edhe pse i hikun fizikisht prej atij tmerri, shpirti i ndjeshëm i poetit Pervizi, asht peng i asaj tragjedie të hukubetshme.

Lek Pervizi: Zdrukthtar...
Lek Pervizi: Zdrukthtar…

Në mbyllje

S’mund të shprehem se Poezia e Pervizit asht ma nalt se Piktura e tij, ndërkohë të kundërtën edhe mundem ta pohoj nën za, qoftë si nji dobsi e hershme e adoleshencës sime… por, mund të them: “…nëse piktura ka jetue në shpirtin e tij si frymë dhe hera herës asht shfaqë edhe si shfrymje e butë dhe jo fort e rrezikshme, poezia asht përpëlitë gjatë në shpirtin e tij. Ai e ka vuajtë jashtëzakonisht Atë, qoftë si ndrydhje, qoftë si terror shfaqjen e saj. Kjo Poezi u shfaq pikërisht kur ai e kish humbë besimin se mund ta ringjallte, mbasi jo gjithçka që jeton mbrenda nesh nji ditë mund të marrë trajtën dhe formën e duhun dhe të mbrrijë diku në kufijtë e përjetsisë…”
Për kët lloj gjykimi ndjehem i ndihmuem prej dashnisë sime për pikturën, por edhe prej pasionit tim ndaj poezisë. Fakti dhe Fati që pikturat e Pervizit, qenë takimi im i parë me botën e ngjyrave, e dëshmojnë at botë, të cilën e njofta qysh herët pikërisht prej këtij artisti, dhe që po aq herët mbetem ndër adhuruesit e paktë të saj. Ky takim i vonë me poezinë e tij, s’asht tjetër veçse nji imazh i ripërtërimë i asaj çka s’mund të thuhej me ngjyra… vazhdim i asaj bote që ai e kish ndrydhë në vetvete, por që paska ruejtë energji të jashtzakonta për me mbrritë deri te ne…
nëntor 2002-shtator2003

Sqarim: Ky shkrim asht shkrue rreth dhjetë vite ma parë… Po në pamundësi të botimit, i paraqitet vetëm sot për t’parën herë, lexuesve… Meqë asht 20 vjetori i Revistës “Kuqezi”, që botohet në Bruksel, prej Zotit Lek Pervizin, radiandradi.com, do të përpiqet me i bà jehonë kësaj reviste të çmueme, për gjithë kontributin e saj përgjat këtyne dy dhjetvjeçarëve… megjithë heshtjes institucionale… tashma të njoftun… jr

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.