Udhëkryq – esse nga Artan Kafexhiu

0
14
Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Udhëkryq

esse nga Artan Kafexhiu

Pamuk, nobelisti turk në librin e tij “Emri im është e kuqja”, me kujton pengesën kulturore, që akoma nuk e kemi kapërcyer ne shqiptarët. Ndoshta, ndoshta, nga që fatkeqësisht, kemi jetuar, jo domosdoshmërisht gjeografikisht, por ndoshta në periferi të vëmendjes së perandorive. E siç është provuar në mijëvjeçarë, periferia është vrastare, veçanërisht për etnitë e papërfillura. 
Ishte fundi i shekullit të 16-të, kur ngjarjet e romanit të Pamukut janë vendosur në qendrën perandorake otomane, në Stamboll. Sulltan Murati III-të, ka urdhëruar të punohej në mënyrë sekrete për përgatitjen e një libri, ku do të kurorëzohej, festohej jeta e tij, sëbashku me historinë e perandorisë osmane. Në fshehtësi, kishin filluar punën e tyre, mjeshtërit e mëdhenj të miniaturistikës dhe artit osman në traditën e moçme të teksteve arabo-islamike. Përse e gjithë kjo fshehtësi? Ilustrimet do të ndiqnin modelet e Rilindjes Europiane, do të sillnin realizmin Rilindas alla-europian në stil dhe konceptet hapsinore; do të përdorej teknika chiaro-scuro(hije-dritë), perspektiva si përqafim tre-dimensional i hapsirës në vizatimet e vobekta ilustruese, deri atbotë të dysta e primitive, dhe gjithshka tjetër të re, që ofronte arti i ri europian. 
Flitej për një herezi në sytë inkuizitore, aspak tolerantë të Islamit, nën hundën e standarteve të mykura islamike. Madje herezia kapërcente të paimagjinueshmen. Në libër do të përfshihej edhe një portret i sulltanit, Mehmetit të III-të, portret real, njerëzor, me ngjyra të ndezura, ashtu siç mund ta nxirrte një mjeshtër europian i portreturës të njerëzve të pushtetshëm. Mehmeti III-të po thyente tabunë, ku piktura e gjallesave, sidomos fytyrat, portretet e njerëzve, ideolatria ishte haram. Kur ndërkohë, sipas traditës, duhej që çdo përmendje e sulltanit, kërkohej të shihej, rrethohej, dhe prezantohej me lajlet dhe lulet e fjalëve të Allahut. Libri sekret i sulltanit, ndërkohë që sillte të renë, fare pak nga aroma e frymës së re të rilindjes europiane, të dëshirueshmen, ndryshimin, i duhej të përballej me traditën islame, ishte shprehje e sekularizmit, që po i kundërvihej teokracisë mendjengushtë, intolerante.
Ndërkohë, përtej kufijve perandorakë osmanë, Europa po përjetonte jo pa dhimbje, – ashtu siç janë të forta dhimbjet e lindjes, – debatet filozofike e shkencore, – mbi të vërtetat e sistemit kopernikan, ku Toka nuk ishte më në qendër të Gjithësisë, ashtu si edhe njerëzimi, që ngjante të ishte krejt insinjifikant, përballë një Universi, që duhej të njihej, të eksplorohej. Europa po reformohej dhe teologjia kristiane nuk ishte më monolite. Gjithçka po shkërmoqej; një lloj përqasje tjetër, pa të cilën nuk mund të kishte progres, individi në qendër, si krijues dhe nxitës i kreativitetit, ndërkohë që shkenca duke dyshuar autoritetin e teologëve dhe filozofëve dishepuj të Platonit, që kishin sunduar për mijëra vjet, po thyente kallupin mijëravjeçar të dogmës, duke hapur qiejtë e zbuluar misterin e tyre. Revolucioni shkencor ishte i paevitueshëm, por fillimet e veta, i kishte në transformimet në arte, përqafimin, përqasjet më realiste e kreative të jetës në artet e bukura. 
Duke shkuar pas, rivizituar kohën e përgatitjes së librit të Mehmetit të III-të, atje ndoshta do t’i kishin qenë fillimet e transformimit të perandorisë. Pamuku përdor artificën e tij artistike të vrasjes, duke na ekspozuar para nesh dy vrasjet misterioze, që na mbajnë peng kureshtjen deri në fund, në faqet e fundit të librit. 
A është e mundur që dy vrasje të kthejnë mbrapa rrotën e historisë? Shekulli i 16-të për osmanët ishte shekulli i iluzioneve dhe deziluzioneve të mëdha. Fillimi ishte shumë premtues, civilizmi islam, nën flamurin e sulltanëve, po kalonte periudhën e artë. Ngjante sikur brenda një periudhe të shkurtër do të dominonte kontinentin europian, të tërin. Por ja që jo, pavarsisht pritshmërive, zenithi i osmanëve ishte lënë pas. Çka pritej, nuk ndodhi. Konstelacionet dhe kombinimi i yjeve, nuk ishin në anën e osmanëve t’i ndrisnin fatin. Turqit hoqën dorë nga rrethimi i Vjenës në 1529. Më vonë, në 1571, humbën në një disfatë të madhe, betejën detare të Lepantos. 

Orhan Pamuk me librin e tij "Emri im është e kuqja"
Orhan Pamuk me librin e tij “Emri im është e kuqja”

Por këto dy thyerje, nuk tregojnë historinë e plotë: përse osmanët humbën shkëlqimin e zenithit të tyre. Europa i kishte sfiduar në një realm tjetër, në revolucionin e mendimit, në botën dhe realm-in e ideve. Fati i perandorisë, nuk u vendos në fushën e luftës, ndeshjet fizike midis Europës dhe perandorisë osmane, nuk u përcaktua në fushëbetejat. Europa fitoi në fushën e progresit të mendimit filozofik e shkencor, supremacisë teknologjike, revolucionit industrial. 
Është shumë simbolike fati i orës organo mekanike që mbreteresha e Anglisë, Elizabeta I-rë i dërgoi si dhuratë sulltanit, Mehmetit të III-të. Ora me avantazhet teknologjike në matjen e kohës, ishte në thelb, simboli i asaj çfarë duhej Turqia të ndiqte, të merrte si shembull. Ishte simbol i progresit shkencor, inovacionit që e kishte kthyer teknologjinë, si mjeshtëri dhe artin e kohës. Sulltani, Mehmeti II-të, ndoshta e kishte kuptuar këtë, ndoshta, prandaj kishte dashur të fillonte në fshehtësi, në heshtje, pa bujë, transformimin e imazhit të perandorisë, në sytë e vet osmanëve. Përgatitja e librit, ishte simbolika më e fuqishme e shembullit europian, që i duhej perandorisë të ndiqte. 
Pamuku përdor vdekjen e Mehmetit të III-të, si momentin e humbjes së shpresës, kthimin mbrapa, regresin. Trashëgimtari i fronit, Ahmeti I-rë, me topuzin perandorak, e bëri dhuratën e Elizabetës I-rë, orën mekanike, copash. Gjithë kjo, në emër të Allahut. Po ashtu edhe librin e mbuloi si dikur, me lajlet dhe lulet, si ilustrime mondane të islamizimit, ku figura, silueta, fytyra njerëzore, individi, si krijues e transformues mungon. Njeriu, individi përsëri mbetet i padukshëm, i humbur pa nishan, në ilustrimet e ngarkuara, si zgjatime të predikimeve të Kuranit, në emër të Allahut, e të yshtur e justifikuar, prej frikës së ideolatrisë. 
Së fundmi, edhe fati i shqiptarëve gjithmonë ka ngjashmëri me fatin e perandorive që e sunduan. Duke qenë gjithmonë në periferi, ndoshta jo gjeografikisht dhe larg vëmendjes dhe interesave perandorake, lajmet dhe ndryshimet ishin e mbeten, gjithmonë të vonuara. Një nga arsyet është edhe sundimi i shqiptarëve, – prej padronëve lokalë të vegjël, – si miniatura perandorake lokale, të vobekta, të shëmtuara, të sulltanëve në qendër të perandorisë osmane. 
© AK
.

Related Images:

Artikulli paraprakPak dritë mbi figurën intelektuale Izet Bebeziqi – përgaditi Fatmira Allmuça
Artikulli tjetërDosja e gjallë – nga Muçi Xhepa
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.