back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Dosja e gjallë – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Dosja e gjallë

nga Muçi Xhepa

“Nga kabina e vinçit, pjesa e prapme, më zuri syri një kostumgri që bënte me dorë të zbritja poshtë. S’ishte gjë e lehtë. Më duhej të lëvizja ngarkesën e rëndë dhe ta pozicionoja në vendin e duhur. Antinjeriu filloi të verë në punë edhe dorën tjetër. Si një urdhër që duhej ta ndaloja vinçin menjëherë. 
-Ç’është ky ngut i madh?
-Ore Dyl Sula, kujton se po na e hedh. Hajde me mua në zyrë.
Operativi që mbikëqyrte uzinën e çelikut ishte një i ardhur nga Librazhdi. Mes nesh e quanim ‘figurë pa prerjen e artë’. Dimensionet e fytyrës, balli, hunda dhe mjekra ishin në largësi të ndryshme. Pamje komike”. 
Më tregon Dyli në mesinxher. Ka shumë vite që jeton me familjen në Nju-Jork.
Dyli dhe unë jemi rritur në të njëjtën rrugicë. Shtëpia e tij në hyrje, e imja në fund. Lagja “Bodurre”, në qendër të qytetit, ishte po aq e lashtë sa edhe vetë ai. Banorët e saj kishin dhënë e marrë me njëri-tjetrin dhe ishin bërë si një familje e madhe. Dyli kishte një zgjuarsi të lindur. Familje qytetare. Babai shquhej si një burrë i urtë dhe i prirë për të bërë mirë. Cilësi që i trashëgoi edhe i biri. Por, përpos tyre, Dyli kishte zhvilluar një humor të hollë. Gjë, që e shoqëronte më të qeshur të ëmbël.
-Është kthyer Edi nga Kina, hajde të bëjmë pak gallatë.
-Po, sikur do të qëndronte gjatë për specializim?
-Atë do të mësojmë sot. 
Te parvazi i dyqanit të “Pionierit”, me ne u bashkua edhe Agim Mushi, peshëngritësi kampion i Elbasanit. Djalë trim. Mik i ngushtë i Dylit. Nuk vonoi dhe u shfaq Edi. Veshur me xhaketë kadife të zezë, prerë me dy të çara anës. Pantallona xhinse. Të tëra të blera në Kinë.
-Na trego ç’pe te “motra e madhe”?
Dyli qeshi me shpoti.
-Lëre atë, por a bërë qejf?
Agimi hapi vend për Edin të ulej.
-Prej atij e hëngra.
-Këtu më rri!
Dyli i ra në sup me dorë Edit.
Ed Abazi ishte djalë i gjatë, me tipare të theksuara, zeshkan, flokët me valë i binin mbi veshë dhe i jepnin pamjen e një të huaji. Fundi i viteve ’70, ndonëse kulm terrori ndaj shfaqjeve te huaja, Edi krahëngrohtit si kishte hyrë gjemb në këmbë.
-Udhëzimi ishte i prerë, me kineze të mos ngatërroheshim.
-Motra e madhe!
Dyli qeshi ëmbël.
-Lëre të na tregojë.
Agimi u ngrit në këmbë.
-Një muaj bëra si bëra. Më kishin vënë të mësoja nga dy vajza. Njëra më e bukur se tjetra. Liberale. Tjetër jetë atje. Këtu burg. I zi.
-Atë e dimë por vazhdo.
Agimi vuri duart në mes. Kishte diçka prej Herkuli. Trupi i tij muskuloz dukej se do ta shpërthente xhaketën.
-Njëra, Liling, nuk më shqitej. Eja në shtëpi të njoh me familjen, më ftonte çdo ditë. Në fund i thashë vetes, në djall të vejë, po e marr te parku. Jo larg vendit ku qëndronim. Konvikt shkolle më duket se ishte. Ashtu bëmë. Vendi ishte i mbushur me çifte. Vura xhaketën poshtë.
Edi zuri jakën me dorë.
-Këtë kisha veshur. E ula mbi të. Pa më thënë gjë më kërceu në buzë me të puthura. S’më kish ndodhur më parë. E mora në krahë, e hajthme, nga gjinjtë aromë që më dehu.
-Fundin!
Agimi qeshi. 
-Ashtu me sy të mbyllur, deshashpirt, më pëshpëriste në vesh, xiangshang, xiangshang… xiangshang. U ngritëm të shkojmë. Mbante kokën ulur. Iku në errësirë. Ishte bërë natë. Për dreq, nuk po orientohesha dot. Të gjitha ndërtesat njëlloj. Hyra në një dyqan. I tregova emrin e vendit shitësit. Ai doli jashtë dhe duke bërë me dorë nga rrugë që ngjitej lart, përsëriti fjalën xiangshang… xiangshang.
-Ç’ke bërë Edi?
Gimi u shkul së qeshuri. Ndërsa Dyli përsëriste fjalën. Të mos e harronte.

Muçi Xhepa - Përtej kësaj Jete - Tregime
Muçi Xhepa – Përtej kësaj Jete – Tregime

“Në zyrë po na prisnin dy fytyra pa gjak. Ai me vetulla të trasha të kallte tmerrin. Hetuesi që më solli mori një karrige dhe më bëri shenjë të ulesha. Vetë zuri vend pranë tryezës, ku ishin ulur dy të tjerët.
-Dyl Sula të kemi thërritur të na tregosh çfarë ke dëgjuar nga biseda e shokut tënd, Mit’hatit, me inxhinierin e repartit, kur ishit në zbor?
Operativi nga Librazhdi, Përparim Balla pyeti i ngrysur. Fytyra i mori pamje bishe.
-Nuk po ju kuptoj.
-Ishe ti, Mit’hati dhe inxhinieri. Të kujtohet?
-Ne ishim të tërë bashkë. Nuk mbaj mend të kemi qenë vetëm.
-Kishe në shpinë një paisje ushtarake.
-Po dhe po më këpuste shpinën.
-Nuk po të pyes se si ndjeheshe. Ato po flisnin për armikun Mehmet Shehu. Dhe kritikonin udhëheqësin për mungesë të vigjilencës. Ç’kujton nga biseda? Mit’hati! Ç’thoshte?
-Tani po sjell diçka në mendje. Ato ecnin përpara. Unë mbeta, nga pesha e rëndë.
-Dëgjo Dyl Sula! Ne nuk duam t’ia dimë se je familje dëshmori ti. Nëse nuk tregon: edhe ti je bashkëfajtor me ta. Dhe, vendin e di. Përfundimin. Hë!
-Lëre, lëre të mendohet. 
Ndërhyri vetulltrashi.
-Nuk kam ç’të mendohem. Ato ishin përpara. Zëri nuk vinte deri tek unë.
-Ne e dimë të tërë bisedën.
Ndërhyri ai pranë vetulltrashit.
-Kemi përdorur TO.
-Nuk ju kuptoj.
-Teknikë Operative.
-Përsëri nuk ju kuptoj. Por, derisa e dini ç’ju duhem unë?
-Ore, të duket vetja i mençur ty!
Balla u ngrit në këmbë. U afrua të më godasë.
-Lëre, do të vijë edhe… ajo. Tani le të përpiqet të kujtojë bisedën.”
Dyli më tregon dhe mua më vjen e freskët nata kur erdhi duke iu marrë fryma në shtëpi.
-Shpejt, ka ardhur një i huaj. Interesohet për gjendjen e të burgosurve të “14-Dhjetorit”. Foli për Mit’hatin. Ta nxjerrë jashtë. 
Udhëheqësit e revolucionit antikomunist të “14-Dhjetorit” kishin kohë që i torturonin në Degën e Punëve të Brendshme Elbasan. Një pjesë të tyre i kisha miq. Ashtu bëra. I huaji ishte Lordi Nikolas Bethell. Ishte i shoqëruar me një vajzë të gjatë, nga Tirana, të cilës i kërkoi të na linte vetëm. I fola gjatë duke i dhënë edhe emrat. Ai mbante shënime. Më vonë mësuam se kishte ndërhyrë pranë qeverisë tij, Angli, që të kërkonte lirimin e tyrë. Dhe ashtu u bë.
Dyli, heroi i ditëve të para, që shpërndante gazetën “RD” pa iu trembur kërcënimeve të policisë ishte ngritur edhe për mua në teatrin “Skampa”. Zhvillohej mbledhja e përzgjedhjes së kandidatëve të “PD”-së për zgjedhjet e 22 Marsit. Unë nuk isha anëtar i ndonjë partie. Kishte propozuar emrin tim. E kishte mbrojtur duke ngulur këmbë. S’e kishin dëgjuar. “Duhet të të aprovojë Sigurimi”, më tha të nesërmen me shpoti.
“U bindën se nuk kisha ç’të tregoja dhe më lanë të shkoja. Të mendohesha. Atë natë, vonë, udhëzova vëllanë e vogël, Tokun, të sillte në shtëpi Mit’hatin. E pruri. I tregova me hollësi ç’kish ndodhur. Pas pak kohe, ndërsa isha duke pirë kafe në hotel “Skampa” me Agim Mushin, në tryezën karshi u ul Përparim Balla. Agimi kërceu nga vendi. I shkoi pranë.
-Mos më dil përpara se do të…
Njerëzit përreth mbetën të tromaksur. Kostumgriu u ngrit duke folur nëpër dhëmbë. Doli jashtë.
-Plehu më thërriti që të spiunoj ty. Të të provokoj.
Turfullonte me inat Agimi.  
I shtrëngova dorën.
-Mirënjohje për jetë miku im. 
Sot ai na vështron nga lart. I bardhë, pranë Krijuesit”.
E mbylli bisedën në mesinxher Dyli…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.