back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Katër shkrime përtej Një Vdekje – Bardhoshi – Guma – Zaloshnja – Stefanllari

Gazeta

Dritero Agolli (1931-2017)
Dritero Agolli (1931-2017)

Për Kulturën e Vdekjes dhe Lirinë

nga Nebi Bardhoshi

Në këto vite që shkruaj në fb dhe më gjerë, edhe pse nuk kursehem aq shumë në kritika, nuk kam pasur reagime kundër. Kurse për tre persona kjo ka ndodhur dhe ata janë Ismail Kadare, Dritero Agolli, Enver Hoxha. Besoj se kjo flet deri diku vetë.
Për rastin e Driteroit ndodhi sot. Ajo që më kërkohet nga miq të mirë, është të ndjek një ritualen e heshtjes ose respektit për të vdekurin. Pra, për Agollin me kërkohet të shpreh respekt. Ndërkohë që penda ime s’bën asgjë tjetër veçse bënë copy and paste një pjesë të poezisë së këtij autori.
Për miqtë e mi të mirë, kjo është vepër jo etike. Ndërkohë pyetja duhej shtruar ndryshe. Përse nuk ndodh që një njeriu t’i kërkohej llogari se përse ka menduar t’ia japë zemrën, frymën, vetë jetën duke e shkulur atë me dorën e tij, për t’ia dhënë Atij, pra Diktatorit.
Madje, miqtë apo njerëz të njohur marrin përsipër të të fyejnë sepse mendojnë se ti nuk di të respektosh të vdekurit. Kjo është një ftesë tej mase etike. Dhe kështu e vlerësoj. Por ja që unë dua të jetoj në një rrafsh tjetër të etikës. Unë dua që liria dhe dinjieteti njerëzor të jenë kriter. Nëse rrimë te etika e një shoqërie që dinë vetëm të respektojë të vdekurit kjo nuk është një shoqëri e duhur, por është një shoqëri e mirë për të zgjedhur vdekjen sepse të përcjellin shumë në atë botë. Pak prej tyre që dinë të ngushllojnë sot kanë vrarë mendjen kur ai që po ikën në atëbotë jetonte këtej. Këtë e dintë mirë dhe Agolli, prandaj zgjodhi cepin e jakës së xhaketës.
Një tjetër gjë më shqetëson më shumë, dhe më besoni Driteroi ka pasur simpatinë time, për të vetmin fakt se kurrë s’u përpoq të thoshte se s’e ka dashur diktaturën komuniste, është se si një shoqëri mund të ketë ende heronjë e vet, poetë e shkrimtarë të diktaturës! Më kuptoni jo ata që kanë jetuar në diktaturë, por shkrimtarë që i kanë bërë himn jetës në diktaturë, diktaturës dhe diktatorit. Ky është një tregues krejt kokëfortë mbi shoqërinë që jetojmë. Një shoqëri e tillë s’ka të drejtë të kërkojë liri! Në cilën shoqëri të lirë, pra të lirë, do të mund të vijonin këta heronj?!
Kjo ndodh vetëm në shoqëritë e dështuara, të rëna, të dorëzuara. E thënë ndryshe, reagimi im s’ka të bëjë me njeriun që ndërroi jetë, po ka të bëjë me të gjallët që e adhurojnë. Adhurues që unë pranoj t’i kem miq, por ruaj të drejtën të habitem se përse ata ndjejnë dhimbje për një shkrimtar që ka i thurur lavde Diktatorit, dhe jetës në diktaturë!
Unë s’dua të humbas miq për heronjtë e prodhuar prej diktaturës, edhe kur këta janë pak të njohur për mua.
Por të vërtetën do ta them!
Shkrimtaret Dritero Agolli & Ismail Kadare
Shkrimtaret Dritero Agolli & Ismail Kadare

Diktatura nuk ka rënë ende nga letrat shqipe.

nga Arlinda Guma

M’u bë koka daulle nga kjo shprehja: “Kolos i letrave shqipe”!
Nuk ka asgjë kolosale në poezinë e Agollit.
Ajo është një poezi e zakonshme, që pushtetit të asaj kohe i hynte në punë… dhe kështu ai ia glorifikoi.
E vetmja gjë kolosale, është ndikimi i tij në burgosjen e disa poetëve, një nga ata ishte Frederik Rreshpja, ky i fundit është i madhi i vërtetë i letrave shqipe! Por ka një marrëveshje të heshtur që të mos flitet për të. Diktatura nuk ka rënë ende nga letrat shqipe.
Dhe mos më thoni që ashtu ishte koha, sepse brenda strukturave të Partisë së Punës, ka patur edhe njerëz me integritet, që i kanë mbrojtur poetët kur turma injorante i vinte përpara. Këtë ma kanë rrëfyer prindërit e mi. Ata më kanë rrëfyer gjithashtu se shpesh lufta e klasave ishte thjesht një justifikim, një maskë për të mbuluar shkakun e vërtetë: xhelozinë ndaj të kulturuarit, ndaj të diturit.
Ndiej keqardhje për vdekjen e njeriut dhe poetit Agolli, por jo për vdekjen e kolosit!
Çfarë është irrituese në shoqërinë shqiptare, është kjo mungesë ndjeshmërie për atë qè ka vuajtur një dënim të padrejtë, dhe adhurimi për të fortin e Partisë! Ky përcmim për të dobëtin, të pambrojturin, dhe ky servilizëm për të glorifikuarin e padrejtë është i tmerrshëm. Një shoqëri e papjekur!
Ndalohet çdo lloj replike në këtë status, kjo edhe për faktin se për nja një javë do largohem nga facebooku, derisa njerëzia të ketë mbaruar së shpalosuri erudicionin e saj të plotë mbi krijimtarinë e Agollit.
Ku paskan qenë këta leximtarë kaq të mëdhenj tè poezisë?
Po kur lexojnë kaq shumë, pse librat me poezi dergjen në pluhur nëpër librari?
Pse librarët, kur u kërkon një libër me poezi, të thonë me përçmim se poezia nuk shitet?
Hipokritë!
Që shkrimtarin e duan vetëm për një çast vaniteti në facebook!
Kjo është poezia e vërtetë! E një poeti, të cilit nuk i shkoi asnjë pushtetar në varrim.
“Duke kërkuar Itakën” ka dëshmi rrënqethëse për kolegët që denoncuan Frederik Rreshpjen, të cilët poeti i quan “Skllevër e bij skllevërish”!

Agolli dhe Protopapa
Agolli dhe Protopapa

Kur Dritëroi takoi Sali Protopapën…

nga Eduard Zaloshnja*

 
Në një mbrëmje të fillimvitit 1992, në derën e apartamentit të Dritëro Agollit (te pallati përballë MAPO-s në rrugën e Dibrës), trokiti një burrë i thinjur. Kur Dritëroi hapi derën, burri i thinjur e pyeti: “A e di kush jam unë?”. Dritëroi ngriti supet. Dhe me të drejtë. Burri i thinjur kishte ikur nga Shqipëria qysh në vitin e largët 1944, kur Dritëroi kishte qenë vetëm 11 vjeç.
“Jam Sali Protopapa,” – i tha burri i thinjur.
Pas disa të dhjetash të sekondës hutimi, Dritëroi e ftoi Protopapën në shtëpi.
Kur Dritëroi i ofroi raki e mish, Protopapa i tha se, ndryshe nga ç’ishte portretizuar në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”, ai nuk e kishte vënë kurrë rakinë në gojë dhe nuk preferonte mishin, por peshkun.
Në atë takim, Dritëroi mësoi se Protopapa kishte qenë student në Itali deri në vitin 1942, dhe ishte kthyer në Shqipëri, për të luftuar fashizmin (me shokë si K. Tutulani, M. Tutulani, R. Alia, etj.). Gjithashtu ai mësoi se çeta balliste e Protopapës kishte bashkëpunuar me misionin anglez, për të luftuar kundër pushtuesve nazi-fashistë deri në fund të vitit 1944.
Në fund të takimit, Protopapa i tha Dritëroit se romani i tij (dhe filmi i ndërtuar mbi atë roman) i kishte shkaktuar shumë vuajtje gjatë regjimit komunist të gjithë atyre që e kishin mbiemrin Protopapa. Dhe Dritëroi iu përgjigj se nuk e kishte ditur që protopapët ishin një fis i zgjeruar – i vetmi njeri me këtë mbiemër që kishte njohur ishte Xume Protopapa, i cili kishte patur ‘biografi të mirë’ para ’90-ës…
*Siç ma ka treguar im ungj
Dilemë... dhe dritëhije
Dilemë… dhe dritëhije

“Gjeniu”

nga Mariela Stefanllari

“Gjeniu” dëgjova të thuhet për poetin a shkrimtarin Agolli, në lamtumirën që i jepnin dje, komunistë, artistë, shkrimtarë, farisenj e saducenj nga pushteti, të tjerë të ashtuquajtur “të përzgjedhur”, pak nga populli. “Gjeniu” kështu e cilësuan!
Gjeniu?!!!
Kam lexuar se:
Gjeniu është individi që 1 përqind e ka inspirim dhe 99 përqind e ka perceptim, – do të thoshte Tomas Edison.
Gjení cilësohet njeriu që mbart virtyte mentale dhe morale të nivelit më të lartë shumë larg nga njerëzit normalë.
Dikush, nga panteoni i të shquarve britanikë të letrave, gjenìun e konsideron njeri pa padron.
Si mund të jetë gjení poeti që i thurrte elegji diktatorit më të egër të kohëve…?!!!
Si mund të quhet gjeni dikush që në radhët e PPSH hartonte politika diktature…?!!!
Si mund të quhet gjení një njeri i kompromisit…?!!!
Si mund të quhet gjení ky i gjunjëzuar tek padroni?
Si mund të quhet gjení një i rreshtuar në armatën e atyre që vranë, prangosën, burgosën dhe internuan mendjet më të mira të kombit?!!!
Një fjalërimues i destinuar të thurrte lavde për komunizimin, diktatorin, komisarin dhe për çdo hajvan tjetër të sistemit…
Nuk e kuptoni?!
Gjenitë e diktaturave janë vetëm ata të cilët diktatura i rreshk, mbyt, than, zhduk, izolon, masakron, por që nuk i ndryshon dot, ata mbeten “të pandreqshëm”, për të merituar nga ne cilësimin “gjení”…
Gjeniu poet është Lasgushi, që vdiq në vitin 1987 dhe na dukej sikur kish vdekur para Luftës së Dytë Botërore…, sepse nuk i lëpihu me vargje, as nuk thurri bejte për injorantët kriminelë që kishin zaptuar pushtetin, as pranoi të kishte padron, pranoi të jetonte si i varfër, si i izoluar dhe mospërfillës ndaj këtyre llojeve…
Ky poet është ateisti, që nuk dimë si ta përcjellim në jetën tjetër, me shprehjet e popullit të mençur, që mbështeten tek besimi në Zot…
Nuk i themi dot “ndjesëpasti”, sepse ndjesën e jep Perëndia… Por as “i përjetshëm kujtimi” nuk i themi dot, sepse vetëm populli i mençur i besimit në Perëndi flet për jetë të përjetshme…
Kthehemi tek shprehjet “kazmë” të diktaturës: “i paharruar në mendjet dhe zemra tona…!” “Ai jeton me ne dhe brezat që vijnë…”
Të gjitha këto me afat skadence…
Ndërroi jetë një poet i sistemit komunist, vegël e partisë dhe realizmit socialist, që shkroi edhe vargje të bukura, teksa partia dhe diktatori i dhanë kohë pafund që ai vetëm të shkruajë ndonjë varg, sepse popujt kanë nevojë edhe për ca poetë, diktaturat gjithashtu.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.