back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Tri poezi dhe jeta e Bilal Xhaferrit

Gazeta

Bilal Xhaferri (1935-1986)
Bilal Xhaferri (1935-1986)

Bilal Xhaferri
ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë,
kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit,
ose fitoren në Luftën e Dytë,
duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit.
Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën,
duket i lidhur me letërsinë e paraluftës;
po ky tashti të kaluarën
nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit,
si mbështetje për problemet aktuale,
po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik
për të kapur esencat krahas situatës kalimtare.
Në këtë vështrim,
kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën,
në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim
dhe fascinim me të kaluarën,
po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve.
Sabri Hamiti – “Poeti i nemun: Bilal Xhaferri”

Busti i Bilal Xhaferrit
Busti i Bilal Xhaferrit

Tri poezi te Bilal Xhaferrit

Balade Çame

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

Nate Çame

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.
Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?
Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

Pamje nga Cameria - Filati
Pamje nga Cameria – Filati

Ti je një pardesy

Ti je një pardesy.
Tek ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.

Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy e dalë prej garderobe.

Ti je njeri – pardesy.
Të shoh tek zhdukesh përtej – fëshfërimë – nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë.

Bilal Xhaferri (1935-1986)
Bilal Xhaferri (1935-1986)

Mbi jetën dhe veprën e Bilal Xhaferi

Bilal Xhaferri lindi në fshatin Ninat të Konispolit në vitin 1935, dhe vdiq në vitin 1986 në ShBA, ishte shkrimtar i shquar shqiptar.
Bilal Xhaferi (nip i dijetarit të shquar Hasan Tahsini) u rrit jetim pa nënë e pa babë.
Ja disa nga datat kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij:
1935, 2 nëntor – u lind në fshatin Ninat (Ninati) të Konispolit, në krahinën e Çamërisë.
1943 – i vdes e ëma.
1945 – i pushkatohet i ati nacionalist antikomunist.
1948 – largohet prej vendlindjes.
1948-1952 – jeton dhe punon në Sarandë, punëtor krahu, korier poste, etj.
1954-1955 – ndjek shkollën shtatëvjeçare natën në fshatin Sukth të Durrësit.
1962-1963 – boton poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, Ylli”, etj.
1966 – i botohet vëllimi me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” që pati një sukses jo të zakonshëm.
1967 – i botohet vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, i cili ndalohet nga censura komuniste.
1967 – shkruan romanin “Krastakraus” që u botua më 1993, pas vdekjes.
1968 – shkruan skenarin për film artistik “Era shtyn mjegullat”.
1968 – i hiqet e drejta e botimit, i ndalohen veprat e botuara, internohet në fshatin Hamalle të Durrësit, pasi ishte përjashtuar nga LSHA e Shqipërisë, me preteskin e kritikës që i bëri romanit “Dasma” të I. Kadaresë, u detyrua të arratisej për në SHBA.
1969, 30 gusht – arratiset fshehtazi prej Shqipërisë në Greqi, sepse nga Sigurimi i Shetit i ishte përgatitur dosja për arrestimin dhe burgosjen e tij.
1970 – shkon në SHBA, në Boston.
1970-1972 – punon në gazetën “Dielli” në Boston, në SHBA.
1972 – nga Bostoni dërgon për botim në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”, në Prishtinë, romanin “Ra Berati”.
1974, në tetor – në Çikago të SHBA themelon revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame.
 1974-1986 – drejton, boton dhe redakton revistën “Krahu i shqiponjës”, ku botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Kjo revistë ishte tribunë e mendimit të lirë që trajtonte vazhdimisht temat e problematikat e çështjes çame, çështjes kombëtare shqiptare, temat rreth diktaturës në Shqipëri e, mbas vitit 1981, më dendur problemet lidhur me Kosovën. Në faqet e revistës, Bilali botonte, përveç krijimeve të tij letrare, edhe krijimtari letrare e përkthime të autorëve të tjerë shqiptarë e të huaj. Ai arriti të nxirrte 39 numra të kësaj reviste, në dy gjuhë, shqip e anglisht, deri sa vdiq në rrethana të panjohura në 14 tetor të vitit 1986
1975 – boton fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” në revistën “Krahu i shqiponjës”.
1977 – boton fragmente të romanit “Hëna e kantjereve” në revistën “Krahu i shqiponjës”.
1978 – e plagosin disa njerëz të panjohur.
1981 – digjet redaksia e revistës “Krahu i shqiponjës” ku kishte dorëshkrimet e veprave letrare, studime, kërkime shkencore, përkthime, shënime politike, letra, piktura, fotografi, etj.
1986 – sëmuret dhe operohet prej tumorit.
1986, 14 tetor – vdes në spital në Çikago në rrethana të panjohura.
1995, 3 maj – Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Martir i demokracisë” (Dekreti 1089) me motivacionin “Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike”.
1995, 6 maj – shkrimtari Shefki Hysa drejtues i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare inicoi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në Atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.