Ballina Jozef Radi Artikuj T’kishe me u bekue n’paskajore… cikël poetik nga Albina J. Gjergji

T’kishe me u bekue n’paskajore… cikël poetik nga Albina J. Gjergji

0
26
Poetja Albina J. Gjergji
Albina J. Gjergji

Poetja Albina J. Gjergji
Albina J. Gjergji: T’kishe me u bekue n’paskajore…

T’kishe me u bekue n’paskajore…*

cikël poetik nga Albina J. Gjergji

 

Nji tel violine për Poezinë e Albina Gjergjit

nga Jozef Radi

Poezia e Albina Gjergjit asht nji amalgamë e dashnisë,
dhimbjes, trishtimit, besimit, dritës, shpresës dhe nji spontaneiteti
të qepun jo veç me fillin delikat shpirtnor të sajin,
po edhe me nji gegnishte ledhatuese, çka të ban me u ndje
si n’nji fëshfërimë gjethesh në pyll, tretun n’melodi të flladit.
Vargjet e Albina Gjergjit,
janë asgja ma shumë pos nji shi i butë pranvere
që nuk bjen vërtik mbi objekte po veç lshohet si frymë mjegulle
e ndalet me nji butësi të rrallë mbi to dhe,
i jep gjithçkaje, tuj fillue prej atyne ma të thjeshtave
deri te ato ma të thellat nji vezullim kristalor…
Kjo mënyrë përceptimi poetik e lejon autoren
t’jetë përpos nji aromë e përzieme livadhesh
edhe rrjedhë e ndonji prroni të shtruem që shkon tuj magjepsë
me atë kantilenën e lmueme ndër gurë, barishte e shelgje.
Shija poetike e përftueme prej leximit dhe rileximit të këtyne poezive,
të shtyn me mendue se në kët triumf pothuej madhështor të antinjerzores
që e rrethon barbarisht të përditshmen tonë,
gjenden edhe do oaze të shlodhjes shpirtnore,
me nji humanizëm krejt të natyrshëm,
i cili na lejon me besue e me shpresue se ne
mundena me i zgjanue e me i thellue hapsinat e jetës,
mundena me e ba edhe gur’t edhe ranën e shkretinës me këndue…
Në këta pak rreshta të shkruem,
u rreka me thanë, atë çka mujta me marrë në formë emocionesh
prej këtij cikli poetik të Albina Gjergjit,
me dëshirën e mirë me ja kthye knaqsinë po n’formë fjalësh,
me shpresë dyshuese t’nji sintonie të përbashkët…
15 maj 2017
.

I ati Poetes, që i mungon prej shumë vitesh
Baba jem… ai andrrimtari i pandreqshëm
si e bija e tij sot…

Andrrat e babës

Kur isha e vogël baba jem
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Pinte kafen turke
nadje herët
e mbasi numëronte hallet
nji e nga nji
pa bá zá
e kishte zakon
veç thurte shporta
dëshirash…
T’njajten gja
bante përditë,
a thue se mbasi
mbaronte shportën
e rradhës
ándrrat i ishin realizue!
Nji ditë e thithi aq fort
kafen prej filxhanit
sa m’çoi prej gjumit
e m’shkputi prej
lojës me kuklla…
E pashë krejt hûndë e buzë
e tuj kalue nëpër duer’
fijen e thuprës m’qeshi
me nuanca dhimbsunie
si me dashtë me m’thanë;
“M’fal mor bab’,
por kjo shporta
që kam n’dorë
e që po e thuri
me fije shprese
për ty,
m’përhumbi…
E fyti m’u tha
kur m’u kujtue
sesi u këput thupra
e shportës
që gjyshi yt dikur
kish bá për mue…
Për bijen témé
ka me kénë
ndryshe,
koha ka me e ndihmue”!
Baba jem…
ai andrrimtari
i pandreqshëm
si e bija
e tij sot…
dështimet e ditës
i mbulonte me jorgan n’darkë,
por vetëm
pasi ju kishte thanë
“Natën e mirë”
dyerve t’pahapuna
t’miqve pa miq.
Ai kishte duer t’vrazhda
Shpirtin e butë,
Zemrën e bardhë,
Ftyrën e përvujt’
Fliste me sytë jeshil
krejt si ullini mijëvjeçar
poshtë t’cilit Jezu Krishti
dikur predikonte sesi duhet kénë
Njerì.
Kur isha e vogël,
baba jem
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Si Psalm më përsëritet
në kry dëshira e tij…
Bija jeme, Ti duhet me gzue”!
 .

Midis së kuqes dhe se zezës...
“Bija jeme, Ti duhet me gzue”!

Ah, me mujt’

Me mujt’
me e dashtë
në kohën e tashme,
kryefjalën e mendimeve të mia!
Asgjâ s’i kisha kërkue tjetër gegnishtes tande…
As për tosk’nishten “s’do doja t’ia dija”!
 
Me mujt’
Me e fut’ Paskajoren “me dashtë”
në kohën e pa kohë të çdo kohe në “T’due”…
Sa bukur kishte me kénë !
…se
Me dashtë
pa përcaktue vend
nuk ka nevojë për kohë.
As për folje ndihmëse
as për fjali t’përbâme.
Duhet vetëm numri njájës,
mbushë me dashni
Kryefjalë…
Unë,
Ti Nji.
 
Me mujt’
Me e dashtë
n’gegnisht
t’u‘j e njoftë si gjuhë e jo dialekt
paskajorja kishte me n’a lejue me kénë bashkë gjithmonë.
Me t’dashtë
E me m’dashtë
Edhe At’ Fishta kishte me n’a bekue…
n’Paskajore!
.

“Sëmurë”

Unë jam me zemër.
Edhe ti je me zemër.
Ma thotë zemra…
Pse nuk i bajmë
të dyja zemrat bashkë”
Se kështu ndoshta
Mundena me kénë ma t’fortë
Me jetue ma fort,
Me qéshë ma fort
Me kja ma fort,
Me dashtë ma fort,
M’u ngatërrue ma fort
M’u rrokë ma fort…
Me rráhë ma fort?!
Zemër!
Unë jam me zemër.
Edhe ti je me zemër.
Ma thotë zemra…
Që zemrat tona
Do t’ishin pa formë zemre…
Pa njanén
Zemër…
Tanden o tèmen!
.
Dhimbje... Nanë e e bijë...
poshtë nankresës tande flenë plagët e pashërume

T’i puth lotët nanë

Natën, kur kocat
shtrin n’shtrat,
nana jeme mos u ligshto.
S’asht mirë me kja natën!
Edhe pse poshtë
nánkresës tande
flenë plagët e pashërueme
Mos kjaj…
 
N’kjoft’se g’jujt
T’dhembin
prej peshës s’kohës
e sytë zgavra
t’janë bá jo vetëm prej moshës
…më ço edhe mue
kjajmë bashkë,
siç m’ke msue edhe me dashtë.
 
Nana jeme
ti e din!
Na bashkë jena msue
me e nda mallin
Bashkë jena mësue
me e mbulue hallin
Bashkë
jena msue edhe me pi kafen
Si dikur, n’votër
kur m’ndizje zjarmin.
Bashkë jena msue
me u pa g’jatë n’sy
e me i thanë njêna-tjetrës,
“Zot, ca kisha ba pa TY” (?!)
 
Nana jeme!
Nigjo…
kur vetëm t’mos jesh,
por vetëm t’ndîhesh…
kur t’marrësh me u çue
e me u kujdes për mue
pasi t’kesh fshi lotët
e kapërdi kocin…
Kujtohu shpirtmadhe..
Unë jam brénda teje.
fétus i strukun
gjithmonë n’formë zemre…
 
Fshiji lotët nanë
Se po s’i fshive ti
unë
kam me t’i puthë…

.

Diftongu i dhimbjes

M’thanë që t’kanë
pá tue ecë përkrah meje
E mes meje e teje
Kishin nigjue pasthirrma
shpirti!
Nji diftong kishte kjá
Aq shumë
Sa prej mallit
Ishte nigjue
Deri te stoli ku t’prisja
Ty e vedin!
.
Sonte gjeta kohë/  me mendu për ty...
Sonte gjeta kohë/ me mendu për ty…

Kjaj, kjaj, kjaj

Sonte
gjeta kohë
me mendue për ty
e me t’pa n’sy
teksa ecje n’kalldramin
e zemrës
mbushun me aromë Shkodre!
I lashë njén’anë telashet
që çdo natë
vé palë n’sirtar
e u struka poshtë batanijes
n’formën e nji fétusi
që frikë ka prej njeriut
pa ardhë
ende n’kët botë…
N’kët botë, që i premton shumë
e (as)pak i jep!
 
Sonte
gjeta kohë
me i fol vedit për ty
bash nj’ato gjana
që s’pata fatin
as me t’i pëshpërit’
kur ike me shpejtësi!
Duhet ta mbash mend!
Se si u çove prej tavolinës
e me vedi more
paketën e cingareve
plot me faj…
 
Harrove që tingujt
e “Hurt” të Johnny Cash
ishin fut’ poshtë astarit
të palltos tande.
Nën atë pallto,
me të cilën
m’rrethoje kur kisha
ftohtë prej kujtesës!
Ti nuk e shkunde
pluhnin e zemrës!
 
Por unë sonte
gjeta kohë
Me t’pa e me kja
Me t’dashtë e me t’falë!
Me u gri e me u shfry
Edhe me u pa guximshëm
n’sy!
 
Nëse ndodh prapë…
Domethanë… që të takohena
Ndonji mbramje
Në ndonji qiell korriku
Në ndonji breg deti
N’zemër qyteti
A hije shelgu
Kam me ta këndúe
Me za t’náltë
Atë melodi
Që kurrë s’mujte
Me e vallëzue me mu…
“T’du”.
 
Tesh… “Kjaj, kjaj, kjaj”
Ti.
Unë boll e “lëndova veten”!

.

“Efekti mungesë”

Ke nji meritë t’madhe
Në shpërmbamjen e asaj
Çka isha.
Se tésh… unë nuk jam má
Ajo e djeshmja
Që vrapoja me
Kapë trenin e lumtunisë!
E má s’shumti
Nëse don me e dit’
Vlerësoj faktin që
S’kena kénë kurrë bashkë…
Se po të kishim
Kénë bashkë
Shumëçka kishte
Me kénë ndryshe.
Për shembull…
S’do kisha pas kohë
Me kénë as kjo që jam
As kjo që shkruej
As kjo që vuej…
 
T’falemnders!
 
Tésh m’len me pushue
Se kambëkryq jam ulë
N’stacionin e zemrës
E me shkronja po godas
Shinat e nji bote
Të cilën nuk asht
Se ma zbulove ti…
 
fatet takohen n'përplasje...
fatet takohen n’përplasje…

“I dashtun i paemën”

I dashtun i pa’emën!
Nuk t’mbaj hatër
Pse ike natën
Pa hanë
Rrugëve t’qytetit
Tand
Mbushë me
Dashni anonime.
As pse u largove
Pa e kthye krytin
Mbrapa
T’u’j i dhanë krah
Flokëve
Siç m’pëlqente mue.
Nuk t’mbaj hatër
Se n’braktisje
Rrugët kanë
Edhe kryqëzime
Jeshile…
Ku fatet takohen
Ccuditshëm
Krejt pa u planifikue!
 
I dashtun i paémën…
Unë nuk mbaj hatër!
.

“N’mue…”

M’thuej!
Si ia ban
kur malli t’grryn
Për veden tande
Që gjîndet n’mu?!
Ku e takon
Ç’á i thue
Si i thërret
Kohës pa ty
E pa mue?!

2016.12.13

.

“Ik prej andrrave t’mia”

A ban mos me u takue ma
n’andrrat bardh e zi,
që n’térr
as më rrzojnë
as më mlojnë?!
As në aeroportet e tyne
që n’thirrjen e fundit
paralajmëruese
m’konfuzojnë
e nuk e di a jam njitë
a kam zbrit…
Mos hajde ma
me m’pritë.
M’lén aty,
t’shtrime përtokë
me sytë kah qielli
t’u’j numëru nji nga nji
bagazhet e udhëtimeve
t’pabame…
Mos më trazo ma
natën!
M’lén vetëm
e mos më thuej;
“të pres nesër
në t’njajten andërr
në t’njajten orë
në t’njajten zemër
me shpirt n’dorë”!
Njashtu, t’mbledhun shuk
në valixhen e dëshirave
t’mbetuna n’tentativë,
mos kërko t’strukem ma
se nuk kam për ta ba…
Ik prej andrrave të mia.

.

“Përgjithmonë e jetës…”

Na ka ndërru “rolet” jeta mam’!
Tesh jam unë ajo
që t’përkundi n’djepin
e andrrave ty!
Flej…
Edhe sonte m’ke mu!
Por edhe nesër!
Pasnesër…
Mbas nji viti…
Përtej jetës e vdekjes!
Edhe n’botën tjetër
kam me t’vu n’gjumë
t’u’j ta tretë mendjen…
si fmisë!
Ule kryet n’prehnin tem mam.
E di që s’feston ma.
.
të pres nesër në t'njajtën andërr...
të pres nesër në t’njajtën andërr…

“Rrej vedin”

Sonte nuk ka poezi
Ka vetëm qiell
det
ajër
e hánë në t’sosun.
Si ti në mue!
2016.12.13
.

“Me dhe pa ty…”

M’len me t’dashtë
edhe pa të pasë
Edhe pa kénë bashkë
m’lén t’thashë!
 
Nuk gaboj kur them do t’vij
e se do iki pa ba zhurmë!
M’len veç pak me ta puthë synin
E do t’zhdukem nëpër turmë!
 
T’dashurumtë s’do i çoj prej gjumit
edhe ata duen me gabue.
Mkatnorët e natës puthen ngutshëm
kur vjen orari me u largue.
 
M’len me t’dashtë pash hatrin e Zotit
Njashtu siç di, apo si t’mundem
Në mos dëgjofsha rrahje zemre
do t’di vetë sesi t’shkëputem.
 
Pa ba za do ec majë gishtash
prej gjumit betohem s’kam me t’çue
M’len veç sonte me t’dashtë pastër
Se n’ag t’ditës do të jesh pa mue…
 
Me za t'naltë kam me ta këndu  atë melodi që kurrë s'mujte me e vallëzu me mu
Me za t’naltë kam me ta këndu atë melodi që kurrë s’mujte me e vallëzu me mu

“M’ban habi”

A e ke vu ré qe s’kam kohë
As me mendue për ty?!
Unë s’kam kohë me mendue
As për vedin
Por m’ban përshtypje
Se sa e aftë paskam kénë
Me dështue me zemren témé
Ndërsa me shkruejt për dashninë
Kam gjetë gjithmonë kohë!
 
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakRruga Ime, rruga Juaj, rruga Jonë… mall dhe dhimbje për Korçën nga Ana Maria Dhamo
Artikulli tjetërJeta e Re Nr. 1 2017 – Treshet e mia Interviste me Ramiz Kelmendin
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

S'KA KOMENTE

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.