back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

T’i kthejmë Vatrës dhe Diellit legjitimitetin – nga Elida Buçpapaj

Gazeta

Elida Buçpapaj
Elida Buçpapaj

T’i kthejmë Vatrës dhe Diellit legjitimitetin

nga Elida Buçpapaj

Botuesit e Voal.ch kanë mbi tri dekada kontribute në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe shqiptimin e së vërtetës. Platforma mediatike Voal.ch operon prej mbi 15 vitesh në Zvicër. Përpara saj, po nga Zvicra, Skënder Buçpapaj dhe Elida Buçpapaj përkatësisht si kryeredaktor dhe editore kolumniste e gazetës Bota Sot, për një dekadë të plotë, e transformuan këtë gazetë në më të madhen shqiptare në gjithë historinë e shtypit në shtetin amë, trojet shqiptare dhe diasporë. Prej 1991, Skënder Buçpapaj shërbeu si zv/drejtor dhe drejtor i Përgjithshëm i RTSH, ndërsa Elida Buçpapaj, reporterja e parë nga Tirana për Zërin e Amerikës, më pas si redaktore dhe editore në shtypin shqiptar derisa u vendosën në Zvicër në mars 1996. Pra, kemi një angazhim të pandalshëm në shtyp.
Me diasporën, këtë arterie kaq të rëndësishme të kombit, krijuam lidhje prej kohës kur jetonim në Shqipëri. Fillimisht me Federatën Panshqiptare VATRA, që identifikohej me antikomunizmin dhe me gazetën e saj Dielli, me Illyrinë prej kohës kur ishte pronë e z. Harry Bajraktari. Kemi bashkëpunuar me Ing. Agim Karagjozin, Dr. Buçajn me editorët e Diellit, veçanërisht me z. Dalip Grecaj, kohë edhe kur Dielli doli në botimin online. Veprimtaria e Vatrës, vatranëve dhe diasporës në SHBA, ka qenë për gjithmonë në fokusin tonë për shkak të peshës madhore, e cila për fat të keq nga shembulli për të mirë, modeli shembullor që priste e përcillte Ibrahim Rugovën me liderë, është kthyer në një organizim patronazhistësh që udhëhiqet nga hija e Edi Ramës dhe ingranazheve të tij.
Bashkëpunimi ynë i pandalshëm me Federatën Panshqiptare dhe Diellin u ndërpre që kur kryetari ilegjitim i Vatrës, shtrëngoi duart me Gramoz Ruçin dhe filloi censurën duke shkelur Amendamentin e parë të Kushtetutës Amerikane. Të njëjtën metodë kryetari jolegjitim i Vatrës përdori edhe ndaj Vatranëve, duke ua mbyllur derën e shtëpisë dhe zhvleftësuar shenjtërinë e votës përmes manipulimit që arriti kulmin në procesin zgjedhor në shkurtin e shkuar. Kryetari jo legjitim i Vatrës do të hyjë në historinë e turpit, sepse ka hedhur në gjyq një grup vatranësh me në krye ish kryetarin Dr. Gjon Buçaj të cilit ia mbylli derën e Vatrës, derisa ai u nda nga jeta. Tani me bandën e vet mban nën kontroll Vatrën, Diellin dhe ka bllokuar çdo rrugë komunikimi ndërnjerëzor. Personi në fjalë ia hapi dyert e Vatrës Lindita Nikollës, xhandares së opozitës në Parlamentin e Tiranës, ndërsa i ka vënë drynin e Vatrës Vatranëve!

Stema e Vatrës
Stema e Vatrës

Botuesit e Voal.ch kanë mbi tri dekada që e kanë mbështetur Vatrën, Diellin dhe veprimtarët e saj të shquar që, me plot sakrifica, kanë qenë në krahë të zhvillimeve demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, sepse gazeta Dielli dhe Federata Panshqiptare, prej kur janë krijuar prej Etërve të tyre, kanë patur mision të jenë si qeveri në mërgim në mbrojtje të Shqipërisë së sapokrijuar. Vatra dhe Vatranët janë dalluar për qendrimet antikomuniste, prodemokratike dhe proAmerikane. Për rolin e saj të fuqishëm Vatra dhe Dielli kanë qenë halë në sy për regjimin komunist. Krerët e Vatrës, diktatura komuniste i ka burgosur dhe pushkatuar në Shqipëri dhe i ka përndjekur deri në SHBA.
Prej 2017, Vatra ka shkitur majtas, nuk përfaqëson më idealet e atyre që e themeluan, nuk përfaqëson më idealet e Vatranëve që kanë 111 vjet që e kanë ndjekur, brez pas brezi në kauza kombëtare, nuk përfaqëson më idealet e Ing. Karagjozit, të Dr. Buçajt që u arratisën nga regjimi komunist dhe e gjetën Atdheun e tyre tek Amerika e vlerave të lirisë, nuk përfaqëson as Vatranët që iu bashkuan sapo fituan lirinë nga internimet në tri breza, kur Shqipëria u hap më 1991 dhe i janë bashkangjitur Vatrës vetëm me kontribute.
Prej kur kryetari jo legjitim i Vatrës shtrëngoi duart me Gramoz Ruçin dhe hapi dyert e Vatrës për Lindita Nikollën, ndërsa ka mbyllur dyert e Vatrës dhe Diellit për Vatranët dhe bashkëpunëtorët e vjetër, botuesit e Voal.ch e kanë pasqyruar me besnikëri këtë veprimtari përçarëse, bllokuese, në dëm të interesave kombëtare, në dëm të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe sidomos Federatës Panshqiptare, të kthyer sot si Vatra e Dielli si NGO në shërbimin e Edi Ramës, i cili, pasi ka shkatërruar sistemin demokratik në Shqipëri, i është kthyer me të njëjtat mjete diasporës duke keqpërdorur pushtetin, duke keqpërdorur projektet dhe financimet, duke keqpërdorur shtetin shqiptar, duke eleminuar çdo lloj mundësie për transperencë e kontroll, sikur Shqipëria të jetë prona e tij. Të njëjtën metodologji përdor edhe kryetari jolegjitim i Vatrës me bandën e tij. Përse përdor termin “bandë”. Përderisa kryetari ilegjitim i Vatrës kundër botuesve të Voal.ch përdor censurën dhe shkel Amendamentin e parë të Kushtetutës së SHBA, ata mund të jenë vetëm bandë.

Themeluesit e Vatrës 1912
Themeluesit e Vatrës 1912

Voal.ch mban qendrim shumë korrekt bazuar në etikën dhe kodin e gazetarisë dhe do të jetë konseguente në mbrojtje të Vatrës dhe Diellit si trashëgimi e Etërve për brezat, derisa Vatra t’i nënshtrohet një procesi të hapur demokratik, ku dialogu, komunikimi dhe zgjedhjet e pakontestuara t’i hapin rrugën demokratizimit dhe kthimit të Vatrës dhe Diellit në identitetin kombëtar.
Botuesit e Voal.ch ftojnë mediat shqiptare që nuk janë të kapura nga regjimi i Edi Ramës, që të ushtrojnë ndikimin e tyre, që Vatra dhe Dielli të shpëtojnë nga prangat e deligjitimitetit.
Botuesit e Voal.ch mbajnë qendrime të qarta, pa ekuivoke në mbështetje të të gjithë Vatranëve që e shohin Vatrën një thesar të kontributit kombëtar shqiptar dhe janë kundër brutalitetit të kryetarit jolegjitim që ka shkelur edhe vlerat e konsitucionit shpirtëror shqiptar mijëravjeçar dhe është kthyer një dryvënës në shtëpinë që është e të gjithë Vatranëve dhe nuk do të jetë kurrën e kurrës shtëpia e tij. Vetëm diktatura komuniste i detyroi shqiptarët që vëllai t’ia mbyllte derën vëllait, tamam sikur është duke ndodhur në Vatrën sot, ku kryetari ilegjitim hap derën për eksponentët e Partisë Socialiste, militantëve të saj, ndërsa i lë jashtë shtëpisë së tyre Vatranët.
Kur PS e Shqipërisë, trashëgimtare e PKSH-PPSH, të ketë pranuar krimet e njerëzimit ndaj shqiptarëve që nuk mendonin njëlloj me persekutorët, kur PS e Shqipërisë t’iu kërkojë falje viktimave të regjimit komunist dhe t’i rehabilitojë ato, duke ua hequr njollat e vendosura nga krimineli Enver Hoxha, kur PS e Shqipërisë të distancohet nga Edi Rama dhe të reformojë partinë si një parti Perëndimore, që mbështetet në vlerat e meritokracisë dhe jo në korrupsion, klientelizëm, nepotizëm, komprometim dhe shkelje të ligjit, vetëm atëhere Vatra mund të tregojë mikpritjen e saj.
Do të jetë një ditë e bukur ajo ditë, por duhet t’i kontribuojmë të gjithë, sepse Edi Rama po e drejton Shqipërinë në një tatëpjetë marramendëse, një shkitje e sigurt drejt fashizmit dhe Vatra aktuale është një hallkë e regjimit të tij, sikur organizatat e partisë në kohën e diktaturës. Prandaj legjitimiteti i Vatrës me votë është imperative.

Ps. Autorja e këtij shkrimi është e kërcënuar me gjyqe dhe përveç kësaj prej majit 2021 është nën një proces gjyqësor me pretendimin se ka shpifur. Elida Buçpapaj respekton etikën profesionale, beson në vlerat e shtetit laik, i falet parimeve mbi të cilat është ndërtuar sistemi demokratik, i falet familjes dhe Zotit në qiell, i cili në të tria fetë me Teurat, Kuran e Bibël në mënyrë të qartë e ndalon shpifjen. Pra, Elida Buçpapaj tregon vetëm të vërtetën sido qoftë ajo e hidhur, e thartë, pelin.
Marrë nga www.voal.com, 20 dhjetor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.