Tetova – Udhëtim në Kosovë – Bashkimi i Kombit, 1944

Një nga rrugët kryesore të Tetovës së Vjetër

Një nga rrugët kryesore të Tetovës së Vjetër

Tetova – Udhëtim në Kosovë

Tetova është më i bukuri qytet thjesht shqiptar që ka parë vilajeti i Kosovës. Është vendlindja e patriotëve që lanë kujtime fort të mira në historinë tonë kombëtare.
Në krye vjen Mehmet Pashë Dërralla prej një familjeje bujare dhe një prej personaliteteve që u ndodhën në Vlorë, në ngritjen e flamurit kombëtar. Pastaj në qeverinë e të ndjerit Ismail Qemali shërbeu si ministër i luftës në një kohë aq të vështirë: këtu ka lindur edhe trimi Tajar Bej Tetova, i cili duke qenë kapiten i ushtrisë turke, mundi të dalë në mal me batalionin shqiptar për të marrë pjesë në kryengritjen e jugut të kryesuar prej Mihal Gramenos, Çerçiz Topullit e Sali Butkës, për të luftuar kundra ushtrisë Xhonturke.
Tetova gjendet 40 km larg në perëndim të Shkupit, duke kaluar malin e Sharrit ka po atë largësi prej Prizrenit. Dikur ka qenë një prej prefekturave që varej prej tij, kurse tani ajo është prefektura më me rëndësi e tokave të liruara. Si qytet Tetova nuk është edhe aq e vjetër. Në mesjetë okupacioni serb vazhdoi deri në betejën e madhe të Kosovës dhe në atë kohë vendi u pushtua nga ushtria e Timur pashait, pa ndonjë luftë. Atëherë sllavët këtë qytet e quanin Bergancë, d.m.th. rrëpira e shpejtë, më vonë turqit e ndërruan dhe e quajtën Kallkan delen, kurse ne shqiptarët e kemi thirrur gjithmonë Tetovë. Në të 16 shekujt Tetova ka qenë qendra e episkopatës serbe, pastaj edhe episkopatën e Pologut, në atë kohë episkopata e kishte vendin afër manastirit të Shën Marisë, që ndodhej afër qytetit. Por nuk dihet nëse episkopatat vareshin prej metropolisë së Shkupit apo prej Patriarkanës së Papës.
Pamje e Tetovës së Vjetër

Pamje e Tetovës së Vjetër

Episkopatat u shkatërruan në shek. e 17, në kohën e shpërnguljes së patriarkut Arseni i III në vitin 1690 prej Prizrenit.
Tetova gjendet në juglindje të maleve të Sharrit dhe në mbarim të fushës së bukur që mban emrin e këtij qyteti. Lumi i vogël që rrjedh prej Sharrit e ndan qytetin në dy pjesë.
Në kohën e sundimit turk u bë kanalizimi i këtij lumi gjë që e lulëzoi edhe më tepër këtë vend duke i dhënë ujë të gjithë kopshtinave që ndodheshin në atë rreth. Kështu pra, mund të themi se Tetova është një çerdhe kopshtesh të bukura. Meqënëse klimën e ka fort të mirë banorët e saj janë të shëndetshëm dhe kanë një fizionomi shumë të hijeshme. Në verë bën pak të nxehtë, por erërat që fryjnë nga ana e vargjeve të Sharrit e freskojnë së tepërmi vendin. Qyteti ka mëse 2.000 shtëpi. Më të shumtët janë shqiptarë mysliman, një pakicë e vogël është ortodokse. E vërteta është se edhe këta të fundit janë me origjinë shqiptare, por janë sllavizuar më vonë nga kleri ortodoks, ndër kisha e shkolla.
Sipas statistikave të fundit rrethi i Tetovës ka 100.000 banorë me 161 katunde. Vetëm qyteti ka sot afër 20.000 banorë. Vendi ka marrë formën e një qendre urbanistike, sepse ndërtimet e shtëpive si dhe të rrugëve janë goditur me një stil modern, ka afër 1.000 dyqane, dy banja publike, 1 shatrivan, me qindra çezma, një fabrikë mielli dhe disa mullinj guri, dhjetë xhami, 1 kullë sahati, tre katër ura që bashkojnë dy pjesët e qytetit, 1 teqe bektashjane dhe një industri të vogël lëkure dhe stofi të vendit për të bëra çakshira. Pranë qytetit është edhe një farm moderne mjaft e pasur.
Fusha e Tetovës është shumë e begatëshme për bujqësinë, përveç drithërave, prodhon edhe një sasi të madhe duhani, aq sa të ardhurat e saj kapin me miliona franga ari e sidomos eksportimi i gjërave ushqimore, si groshë, patate e pemishte. Mollët e Tetovës kanë marrë nam në të gjithë gadishullin e Ballkanit.
Me profesion popullsia e Tetovës ndahet në tre kategori: Pjesa më e madhe merret me bujqësi, me gjithë që fusha nuk e siguron gjithë ushqimin e vendit, sepse pjesa më e madhe e tokave janë pronë e disa familjeve që i kanë trashëguar prej të parëve të tyre e kështu që bujqit që merren me punimin e tokës nuk kanë asnjë parmendë tokë për të siguruar ushqimin e fëmijëve. Pjesa e dytë merren me tregëtinë e duhanit. Duhani prodhohet në po atë vënd. Pjesa e tretë janë kurbertlinjtë.
Një pjesë e madhe e popullit detyrohet të dalë jashtë vendit për të fituar të holla e për të mundur prap të kthehet për të siguruar mbarëvajtjen e familjeve.
Në Tetovë ka pasë përparësi dikur edhe artizanati, sidomos dyfekët e këtij vendi kanë pasë marrë çmimin e parë për një imitacion “martini” të punuar me dorë në panairin e Çikagos, që u bë me 1890, por mjerisht sot edhe kjo mjeshtri po zhduket fare.
.
Pamje e Tetovës së Vjetër

Pamje e Tetovës së Vjetër

Tetova ka nxjerrë shumë njerëz të ditur. Disa ndër ta ende sot ndodhen në pozita të rëndësishme në Turqi, duke ruajtur origjinën shqiptare. Në kohën turke për herë të parë një i quajtur Etaullah Efendia sajoi abetaren shqip me shkronja arabe duke shtypur gazeta dhe libra për shkollat fillore të vendit. Jashtë qytetit në katundin Nigotin ndodhet një gur i madh që ka dy figura të vjetra, që nuk dihet ende të çfarë epoke janë.
Tetova është e pasur edhe nga pikëpamja e minierave. Në katundin Radosher, Gorancë, Kronikë dhe Istareslo ka krom dhe të tjera lëndë minerale dhe në katundin Becic ka burime vajrash minerale.
Nga ana e vargut të Sharrit, i pasur tepër me lëndë ndërtimesh ah, dushk, bredh që eksportohen jashtë vendit për të ndërtuar ura dhe gjëra të tjera. Ka edhe bagëti që i siguron vendit lesh e bagëti.
Tetova për herë të parë ra në duart e Serbëve në 1912, mbas Luftës së I Botërore. Në luftën e përgjithëshme qyteti mbeti nën sundimin bullgar. Por, pastaj sipas traktatit të Versajës mbeti përsëri si një dhunti në dorë të Serbëve deri në fillim të luftës së sotme.
Mbas shkatërrimit të Jugosllavisë në 1941, Tetova, që mban emrin shqiptar, u bashkua pas sa e sa kohe shekujve me nënën Shqipëri.
.
marre nga Bashkimi i Kombit, 1944, 18 Gusht
.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook