back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Tërmetet e Nëntorit – nga Alma N. Liço

Gazeta

Alma N. Liço
Alma N. Liço

Tërmetet e Nëntorit

nga Alma N. Liço

26 Nëntor. Toka u drodh fuqishëm. U tund dhunshëm, si për të na kujtuar se sa të pamëshirshëm e të papërgjegjshëm jemi treguar ndaj saj. Ajo shkundje e tmerrshme la pas viktima, shtëpi të shkatërruara, të kthyera në gërmadha. Mijëra të tilla. Pamje të trishtuara. Familjarë të pastrehë, të tmerruar, të mbytur nga pasiguria e mbështetjes së një shteti arrogant e grabitës. Mundi i një jete të tërë, i shndërruar në pirgje mbeturinash. E gjitha kjo gjëmë, në më pak se një minutë të vetme.
Mes rrënojave dallohen orendi të thyera e copëtuara. Shtretër të përmbysur. Dollape të shqyer. Libra të hallakatur. Pak më tutje një arush pellushi, çuditërisht i padëmtuar, i mbuluar pjesërisht nga pluhuri i inerteve. I braktisur në mes të shtyllave të betonit. Vogëlushja që disa orë më parë e shtrëngonte me krahët e saj të brishtë, ka mbetur nën rrënoja. E pa jetë.
Hapësirën mediatike që përcjell këtë tragjedi, e ka zaptuar kryeministri, që nëpërmjet një aktrimi të pashembullt, përpiqet të marrë rolin e shpëtimtarit. Ai di gjithçka. Ai është inxhinieri, administratori, urbanisti, sociologu, psikologu, etj. Me pamjen e një karagjozi megalloman, përmes batutash bajate tall, ironizon pa mëshirë ata të mjerë që nuk kanë një strehë ku të fusin kokën.
Solidariteti i qytetarëve të thjeshtë, ndonëse mbresëlënës, është kaq i pamjaftueshëm për të reduktuar pasojat e atij shkatërrimi, në këtë prag dimri. Çadrat e përbaltura vajtojnë nën peshën e shirave të stinës. Mjerim pa fund, pa zgjidhje, pa shpresë, pa shpjegim. Asnjë përgjegjës potencial i kësaj katastrofe, shkaktuar më së shumti nga abuzimet dhe korrupsioni i ndërtimeve, i lidhur me politikën dhe në shërbim të saj, nuk është proceduar e dërguar para drejtësisë. Të pandëshkuar.
.
Rrënoja tërmeti 2019
Rrënoja tërmeti 2019
***
Dhe nuk është ky i vetmi tërmet… Një tjetër godet, teksa kalon në bulevardin qëndror të Tiranës. Dhjetra foto të stërmëdha janë varur në të. Ato ngjasojnë me një kortezh absurd të përmortshëm, ku disa fantazma kërkojnë të ringjallen. Megjithë respektin dhe mirënjohjen e natyrshme për dëshmorët e vërtetë të lirisë, kudo që ata prehen, nuk mund të mos përmend se idealet e tyre për një Shqipëri të lirë, u shkelën e tradhëtuan. Vendosja e diktaturës dhe krimet monstruoze vëllavrasëse të kryera gjatë luftës, si dhe ato që pasuan vërtetojnë tradhëtinë e madhe ndaj aspiratave të lirisë e demokracisë.
Ndërmjet atyre fotove-postera, disa figura përgjegjëse të krimeve dhe genocidit ndaj bashkëqytetarëve nacionalistë, duket sikur qesëndisin e sfidojnë realitetin. Të pamëshirshëm në sundimin e tyre edhe ndaj familjeve të pafajshme, të cilët i syrgjynosën në burgje e internime. Dhjetra klerikë të masakruar, fotot e të cilëve, si për ironi, disa vite më parë u vendosën në të njejtin bulevard.
Ishin ithtarët e komunizmit ruso-jugosllav, që instaluan diktaturën më mizore të pasluftës, duke depersonalizuar, varfëruar, vjedhur, përçarë një popull të tërë. Fakte që dita ditës po ndriçojnë atë periudhë të errët të historisë sonë, të shtrembëruar nga historianet komunistë. Paradoksale, që në ato foto nuk ndodhet asnjë luftëtar që i përket formacioneve nacionaliste. A thua se luftën kundër nazi-fashistëve e zhvilluan vetëm komunistët. Manipulues, përjashtues deri në ekstrem.
.
Deputeti Spartak Braho & Drejtori Agron Tufa
Deputeti Spartak Braho & Drejtori Agron Tufa
***
Ehhh… edhe një tjetër tërmet ndodhi këtë muaj. Për fat të keq, ai nuk mori aspak vëmendjen e institucioneve. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në shumicë, ato dominohen nga ithtarë të diktaturës. Si fantazma të ringjallura, që Rilindja i ricikloi aq dhunshëm, ata vazhdojnë të helmojnë jetët tona. Të mllefosur, nuk rreshtin së kërcënuari e përçarë shqiptarët, në “NE” dhe “ATA”. Pushteti i tyre mizor u ngrit që në krye të herës dhe funksionoi si i tillë. Një shkrimtar, një studiues që detyrohet të arratiset nga Shqipëria. Kjo ndodh në vitin 2019. Fakt ulëritës.
Agron Tufa, Drejtor i Institutit që merret me studimin dhe botimin e krimeve të komunizmit, u kërcënua për shumë muaj me rradhë me jetën e tij dhe atë të familjes. Kërcënuesit nuk janë anonime. Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, pwrbën vepër penale. Asnjë mbrojtje institucionale për shkrimtarin, patriotin, që me kurajo, prej disa vitesh po bën publike krimet makabre të regjimit komunist, duke evidentuar me dëshmi dhe dokumente edhe autorët e implikuar në to.
Teksa përcjell me trishtim këtë revansh të barbarisë komuniste, nuk kam se si të mos bëj paralelizëm me krimet e Hitlerit dhe mënyrën si ato u trajtuan. Dënimi i diktaturës dhe genocidit hitlerian, u pasua nga ndjekja këmba këmbës e mijëra nazistëve që i kishin shërbyer makinës së tij kriminale. Mijëra të tillë iu dorëzuan drejtësisë e morën dënimet e merituara. Në Shqipërinë tonë ndodh pikërisht e kundërta. Ata që duhej të përgjigjeshin për implikimin dhe krimet e tyre në regjimin komunist, ende pas 30-vjetësh të rënies së tij, drejtojnë dhunshëm, skërmisin dhëmbët, sulmojnë, grabisin, kafshojnë me dhëmbët e përgjakur ata që guxojnë të dokumentojnë e denoncojnë krimet e tyre.
Pse ndodh kjo? Konkluzioni është tejet i thjeshtë. Mungesë e theksuar e vullnetit politik për të hedhur dritë e dënuar atë periudhë mizore.
Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, (ish-komuniste) natyrisht me porosi të kryetarit të tyre, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Kjo Rezolutë përmban 17 pika të cilat, po të ishin zbatuar, do ta kishin zgjidhur përfundimisht problemin e dënimit të krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.
Por, për fat të keq, pothuajse asnjë prej pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shumë se 13 vjet nga miratimi i saj.
Pasojat janë kaq evidente. Një shkrimtar, i kërcënuar kërkon strehim politik në një shtet perëndimor. Një popull i përgjumur, i pashpresë, në arrati, që po e kërkon të ardhmen jashtë kufijve të Shqipërisë. Trishtues gjumi letargjik në të cilin kanë rënë bashkëqytetarët tanë.
Në formën e një apeli të dëshpëruar, dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me një thënie të Albert Einstein.
“Bota është një vend i rrezikshëm, jo aq prej atyre që bëjnë keq, sa prej atyre që shohin e nuk bëjnë asgjë” .

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.