back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Të mbash lart Kryqin e Golgothës… nga Robert Martiko (shkrimtar)

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Të mbash lart Kryqin e Golgothës…

nga Robert Martiko (Shkrimtar)

Të mbash lart Kryqin e Golgothës
do të thotë të zbresësh nga qielli Hyjnoren
për ta bërë të pranishme në jetën reale… r. m.
Promovimi i dokumentarit "Golgota e Lazër Radit"
Promovimi i dokumentarit “Golgota e Lazër Radit”
.
Ndonëse kanë kaluar njëzeteshtatë vjet nga rënia e Murit të Berlinit, ende në Shqipëri ndjehet i fortë ferri i mendimit komunist. Të shkruash in memoriam, për një erudit me vlerë dhe mbi të gjitha Njeri, si Lazër Radi, dhe t’ia dalësh në krye me sukses, nuk mund të mos ketë një vlerë të veçantë për shoqërinë e sotshme shqiptare. Mbasi, është koha kur ende qarkullojnë përbindësha të vërtetë: intelektualë gjysmakë, në trajtë akademikësh të lartë, profesorësh e gjoja shkrimtarësh të lartë, të dalë nga shkollat e të ashtuquajturit Njeri i Ri Socialist.
Duke dashur të shpreh thelbin e dokumentarit me titullin Golgota, do të dëshiroja të shtoja se ndaj vështirësive skajore në jetë, Lazër Radi doli fitimtar. Siç është gjithmonë karakteristike vetëm për një grusht njerëzish të zgjedhur të shoqërisë njerëzore, vuajtjet e tejzgjatura nuk mund të mos i shenjtërojnë të tillë bijë fisnikë të ndërgjegjes.
Në qoftë se kthehemi pas në kohë, më parë se në Shqipëri të futej komunizmi, dallojmë në vija të trasha dy rryma mendimi. Njëra bazohej në frymën klasike të filozofëve të parë të botës, përpunuar gjatë shekujsh, në terren evropian dhe tjetra, në filozofinë vëllavrasëse të Marksit. Ndër intelektualët e paktë të shtresës qytetare të viteve tridhjetë, ndjehej deri diku mendimi niçean, i shprehur veçanërisht me forcë te vepra e famshme ‘‘Mbinjeriu’’, që përfaqësonte një lloj heroi të admirueshëm, romantik. Por reagimi i ideologjisë marksiste, pavarësisht, se asnjë nga partizanët e saj, nuk njihte as ngjyrën e kapakëve të ‘‘Kapitalit’’, bëri që gjithçka të zhubrosej, duke i hapur rrugën të keqes, e cila do të mbërthente më vonë Shqipërinë. Në këtë mënyrë, nëse shkolla e parë e mendimit u bë faktor thelbësor, për të hedhur themelet e Civilizimit të Sotshëm Perëndimor, tjetra la pas miliona të vrarë, së bashku me gërmadhat morale, në gjithë botën, nëpërmjet Njeriut të Ri Socialist, prania e të cilit, në trajtën e ideve, do të vijojë të mundojë për një kohë veçanërisht të gjatë vendet ish komuniste dhe, akoma më shumë, shoqërinë e sëmurë ballkanase.
Pyetja thelbësore që mund të shtrohet në këtë rast është kjo: ‘‘Kur vendoset diktatura komuniste në një vend, si shpjegohet që vetëm një pakicë individësh arrin të rezistojë shpirtërisht, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë dorëzohet, shkrihet dhe bëhet njësh me të Keqen?’’ Përballë këtij fenomeni shoqëror lind padashur e drejta, të bëjmë fjalë se kategoria e parë njerëzore, ruan brenda vetes së vet një lloj flake shpirtërore e cila e mban atë mjaft larg nga konsumi moral i sistemeve politike.
Nën këtë dritë morale duhet të vrojtohet eruditi i shquar, Lazër Radi.
.
Lazër Radi (1916-1998)
Lazër Radi (1916-1998)
.
Nëse shkolla e parë e mendimit bazohet në tezën se arsyeja njerëzore është parimi bazë i njohjes, mendimi komunist organizohet në bazë skemash emotive, të cilat, duke mohuar realitetin, nxisin instinktet më të ulëta shtazore, te njeriu. Bëhet fjalë në këtë rast për një psikozë të vërtetë me karakter psikopatologjik, paranojak, e cila për fat të keq vijon të shfaqet edhe në ditët e sotshme. Më shumë se njëqind milionë jetë njerëzore u asgjësuan në gjithë botën, në vendet ku u vendos komunizmi.
Një karakteristikë tjetër thelbësore, e cila bëhet shkak për të lartësuar Lazër Radin në sytë e një shoqërie të civilizuar, është ndërgjegjja e tij e pastër, të cilën e ruajti deri në çastet e fundit të largimit nga jeta. Nuk ka kurrfarë lidhje me komunistin dështak, me identitet fals, të shkëputur krejtësisht nga realiteti, diçka që e bën të ndjehet, brenda vetes së vet, të mbushur plot e përplot me impotencë shpirtërore, nën një zhgënjim të qëndrueshëm.
Kur një individ i rrallë si Lazër Radi, ngre sytë drejt botës së bukur të yjeve, nëpërmjet ideve, mendimeve, shkrimeve, leximeve, përkthimeve të tij të mrekullueshme, bota tjetër, komuniste, mallkon fatkeqësinë e saj ekzistenciale, ku shfaqen me madhështi perverse, instinktet më të egra, të kopesë primitive njerëzore. Pikërisht në këtë gjendje pasigurie me karakter psikotik, u kryen krimet më të shëmtuara në historinë e njerëzimit. Është karakteristike se udhëheqësit komunistë, madje ca më shumë ata që u bënë të dëgjuar në botë, nuk ishin gjë tjetër përveçse një bandë e mjeruar aventurierësh dhe dështakësh. Dhe kjo për faktin se asnjë prej tyre nuk mundi të bëjë dot popullin e tij të lumtur. Duke qenë të shkëputur nga realiteti, ata u shndërruan qysh në hapat e para në kriminelët më të mëdhenj që njohu historia botërore.
Si bir i denjë i shkollës së parë të mendimit, Lazër Radi përfaqëson lirinë, shoqërinë e hapur, altruizmin, dashurinë, individualizmin pozitiv dhe të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, dinjitetin njerëzor, moralin, zhvillimin e njëkohshëm të të gjitha shtresave të shoqërisë, në bazë të parimeve të ekonomisë private. Janë pikërisht këto karakteristika që, në ditët e sotshme, vendet e Civilizimit Perëndimor, përbëjnë një ëndërr të madhe, jetike, për miliona emigrantë nga gjithë bota.
Nëse mund të bëhet fjalë për Patriotizëm sot, në kohën e Shoqërive të Hapura, kjo cilësi e rrallë shpirtërore, që dallon bishën e verbër nga njeriu fisnik, nderon vetëm humanistin. Atë dhe vetëm atë! Nderon individin që dashurinë dhe ndjenjat e tij pozitive i ka të drejtuara për Njeriun në radhë të parë. Që ka dhënë prova reale në ditët më të vështira të jetës së tij, për të mbrojtur jo vetëm mikun dhe të afërmin, por edhe të panjohurin. Është diçka që e ka bërë në dëm të vetvetes. Me kosto vetë jetën e tij. Këtu konsiston edhe patriotizmi i veçantë i Lazër Radit. Bëhet fjalë në këtë rast për një humanizëm të pastër, që nuk ndien nevojën e askujt, sado i dëgjuar të jetë, për t’u provuar. Pikërisht në këtë lloj mesazhi shpirtëror bazohet zemra e Civilizimit Evropian, që në kuptimin praktik, në krahasim me pjesën tjetër të botës, ka mundur të shpërthejë vetë Kohën, ta bëjë krijuese, të përgjegjshme dhe njerëzore. Në kuptimin praktik, të mbash lart kryqin e Golgotës, do të thotë të zbresësh nga qielli vetë Perëndinë, për ta bërë të pranishme te Njeriu. Kështu shpjegohet sot në Perëndim të bëhet fjalë për Historicitetin apo Kohën si formuese të Përjetësisë. Sot, pas mijëra vjetësh kanibalizmi e luftërash vëllavrasëse, nuk ka sukses më të madh për shoqërinë njerëzore, të vijojë të mbizotërojë kjo ide me vlera të jashtëzakonshme.
Lazër Radi bën pjesë në kategorinë e individëve të rrallë që mbrojtën në jetë ballëlartë idenë e Golgotës, me vulë shqiptare…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.