back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Të lindun në shtrëngatë! – nga Kazanova Aliaj – refleksione mbi librin “Mrì Dedja e Merrnaçajve”

Gazeta

Jozef Radi Mri Dedja e Merrnaçajve
Jozef Radi – Mrì Dedja e Merrnaçajve

Të lindun në shtrëngatë!

nga Kazanova Aliaj

refleksione mbi librin “Mrì Dedja e Merrnaçajve”

Nji ditë do të ndigjohesh deri në Amerikë “Ushëtima e Sharrit” e Lazër e Jozef Radit..!
Oshëtima e dhimbjeve që tronditi me jehonën e sajë luginat e ja përcollën kreshtës së maleve jo si kujë, por si kushtrim… po kushtrim. E kjo grue burrneshë e lindun në shtrëngatë, i mbijetoi kohnave, kjo nanë e dhimbsun e nuse bujare, e puthi tokën e sëbashku me burrin e familjen e tijë, kapërdinë luginën e dhimbjeve dhe e çanë më dysh mllefin dhe ligsinë e hijenave, që kishin etje për gjak. Ata morën kryqin e vuejtjeve mbi shpinë e me besim të patundun në Zot, filluen shtegtimin drejt lirisë, për të cilën kishin pague me shumë dhimbje, të drejtën ma njerzore, të qenit të lirë… at liri që Zoti ua dhuron njerzve me e vazhdue jetën si krijesa të bekume. Shtegëtimi i arratisë asht proces i vshtirë… por me besimin në Zot, duheshin kapërcye hendeqet, e dora dorës ata u futne në shtegun e Lirisë së shenjtë, si katolikë e besimtarë të devotshëm. Liria kushton shtrejtë. Gjithçka ndodhi në jetën e kësaj familje, kësaj grueje e nane shembullore, Jozef Radi e evidentoi artistikisht, e me përkushtim tue shkrue gjithçka foli kjo grue e fuqishme. Nji ditë rrëfimet e saj morën formën e nji libri, ku asht biografia e njerzve të fuqishëm, model i qëndresës njerzore. Therëse u ndje ndër kreshta malesh jehona ikjes. E përcollën at oshëtimë deri n’Amerikën e largët! Ishte jehona e dhimbjeve të nji populli, jehona e shpirtit të nji grueje burrneshë, e nji nane trime, e nji malsoreje që mori djepin e dhimbjeve në krahë, ngriti kryqin e me besim në Zot i dha lamtumirën tokës së sajë, pse bishat e egërsueme e hijenat kishin akoma etje… e nuk ishin mjaftue me at gjak të thithun ndër njerz të pafajshëm…!
Me besimin në Zot, ata kapërdinë gjithçka që e kishte emnin dhimbje edhe ruejtën identitetin e tyne, zakonet e traditat, ruejtën besën dhe emnin malsorë, që as frigohen e as tuten nga diktatura, por i qëndrojnë gjithçkaje, me at që quhet dinjitet.
E libri vazhdon… Gjithçka shkruhet në të, janë fjalë shpirti dhe qëndrese të atyne njerzve, që as u thyen, as iu dorzuen së Keqes…
Natyrisht, kur do ta lexoni, keni për të pa e lexue jetën e krijesave kreshnike, por ana tjetër e madhështisë së këtij libri biografik dhe artistik, asht nji tregues, i cili dëshmon për mashtrimin, që vazhdon me këto qeveritë pseudodemokratike të nji pushteti monopartiak, ku ndjehen kompromiset e dy krahëve për t’ia delegue pushtetin njeni-tjetrit, e nuk zbatuen asnji ligj, nuk dhanë asnji ndihmë, nuk zbatuan asnji kriter damshpërblimi për të persekutuemit e vërtetë, por aty-këtu hodhën diçka sa me ua mbyllë gojën, e asgja ma shumë. Mbasi nji pjesë u larguen, nji pjesë vdiqën dhe nga e gjithë kjo mbeti veç nji mashtrim i madh i kastës së djeshme. Të gjithë këta kriminela, që dikur mbushën burgjet me të burgosun të pafajshëm e patriotë, me qytetarë e malësorë krenarë e liridashës, askush s’u dënue… po ndëshkimi asht proces që do të ndodhë… e ja si po ndodh, pikërisht nëpërmjet fjalës së vërtetë.

Dom Pjeter Popaj & Mrì Dedja e Merrnaçajve
Dom Pjeter Popaj & Mrì Dedja e Merrnaçajve

Pushteti i fjalës asht i pamatë, e shkon përtej kohës në auditorin ma njerzor e ma të fuqishëm. Nëpërmjet fjalës së lirë, gijotina e drejtësisë godet mizorë e ndëshkues, e naltëson qëndresën e nji grueje të zakonshme, si kreshtat e majave të Këlmendit. Ja, fuqia e fjalës e këtyne gjyqeve të fuqishme me dëshmi që trondisin, po njikohësisht dëshmojnë për këto kriminelë, që sot i ruhen kësaj përballje, këta bastardë, që janë shpërnda gjithkah si mijtë nga mortaja ata nga ankthi i krimeve… E vërteta i godet e do t’i godasë edhe ma fuqishëm deri në ngordhjen e tyne, si zvarranikë që tërhiqen drejt ngordhjes…
Tashma kontributi në auditorin tuej asht nji mision, që kryen funksionin e drejtësisë së mungueme e të shpërfillun nga ky pushtet bastard, që vazhdon e mohon të drejtat njerëzore. Por, koha me të tjera promovime do jetë akoma ma e ashpër në gjykimin e këtyre mostrave. Këtë gjykim të fuqishëm qytetarët e presin me padurim. Auditori e kryen dhe funksionin ma njerëzor, fuqizimin e drejtësisë njerzore të mungueme, po me nji specifikë të veçantë, nëpërmjet artit dhe fjalës se lirë…
Pushteti i artit asht ma i fuqishëm se gjithë pushtetet, edhe ju e keni vu në shërbim të ligjit dhe së vërtetës, në mbrojtjen e mungueme nga diktatura e vjetër dhe e re…
E ky asht nji mision i fuqishëm!

Urime Jozef Radi për gjithë sfidat tueja…

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Leke Pepaj
    I nderuem zotni Jozef Radi!
    Me librin kushtue Mrisë, bijës së vetme të Dedë Bajraktarit, kishe skalitun nji kryevepër e prume aq bukur me fjalët e saj përmes kujtimeve, prej ku vjen e vërteta tragjike me krejt kalvarin e familjes saj edhe e krejt Këlmendit e Malsisë Madhe. Më gjan se në fjalët e Mrì Dedes i historinë e saj, e gjejmë vedin qindra familje të kësaj treve! Nuk po zgjatem se ka aq shumë me shkrue e me thane në mirënjohje falenderimi për juve. E gjitha në kët libër asht spërkat edhe me pikat lotve të mi, por sa mirë e bukur e ke mbyllun me pasthanien tande e krejt kah po lexojshem flet pas flete më vinte ndërmend edhe Nana juaj dyerve të burgjeve baltnave të internimeve po ashtu edhe Nana ëme si qindra e mijra Nana tjera si ato, që provuan e kaluan kalvarin e vuejtjeve e sakrificave të mëdha; shumica e shqiptarve hjekën tejet keq të mjerët, por na katolikët shumë ma shumë se të tjerët!
    Zoti Jozef Radi,
    për kët punë të shkëlqyeshme jam mase i bindun në vetin se edhe e ndjera Nana juej prej Parajse ndjehet mirë për kët vepër të pavdekshme që ke ba, e cila ka gjithçka mbrenda saj ferrin dhe parajsën, shenjtorët edhe djallin e kuq, ka thjeshtësi që arrin deri në madhshti!
    Paskam shkrue me gabime se shkruaj me celular direkt këtu, por me beso edhe këto pak fjalë kah t’i shkrova m’u pengue shikimi se prap lotova!
    Zotni Jozef, të lumtë 10000 herë!
    Zoti ta baftë mbarë e mirë tanë jetës tande!

    Jozef Radi,
    Fort i Dashtun Lekë,
    Ma së pari Ju shpreh kënaqsinë që së fundi mujtëm me u takue e me ndejtë së paku për nji kafe bashkë dhe me kënaqësi po ta them se nji herë tjetër, kena me ndejtë ma gjatë e ma shtruet.
    Së dyti të falenderoj që e ke lexue librin, sepse për mue leximi i këtij libri, ka mjaft randësi sepse aty nuk asht thjesht jeta e Mrìsë, po edhe krejt Kelmendi ka diçka të vetën mbrenda librit, mbasi Familja e Merrnaçajve kanë kenë gjithherë e kudo nji Derë e hapun e asaj krahine…
    Fjalët e tua, ashtu siç thue edhe vetë, si të kanë emocionue ty më emocionuen edhe mua ndrsa po ju lexoja, e kjo ashtë vlera e vërtetë e këtij libri, që asht pritë mirë prej shumë lexuesve dhe ndigjuesve të kësaj vepre…
    Fort i dashtun Lekë, të falenderoj dhe të uroj çdo të mirë…
    Kët shënimin tuej po ja nisi edhe familjes së Mrisë, po njiherësh po e baj pjesë të komenteve edhe te shkrimi që para pak ditësh kishte shkrue zonja Kazanova Aliaj, mbasi ajo e kishte lexue librin…
    Ju uroj çdo të mirë dhe dëshiroj të shihena sa ma shpejt…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.