10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Të çmendurit e fëmijërisë sime – nga Mark Simoni

on

|

views

and

comments

Në burg të mendjeve tona...
Në burg të mendjeve tona…

Të çmendurit e fëmijërisë sime

nga Mark Simoni

Akoma dhe sot e kësaj dite, pas kaq e kaq vitesh, kur tashmë unë jam bërë burrë dhe qyteti im i vjetër nuk është më, (u shemb e u rropos i tëri nga tërmeti i tmerrshëm i prillit ‘79), nëpër rrugët e vjetra me kalldrëm, ashtu dhe në kujtesën time, vazhdojnë të barisin e bredhin të marrët dhe të luajturit mendsh të qytetit të fëmijrisë sime, megjithëse ata kanë vdekur e shkuar prej kohësh.
.
Mark Simoni në adoleshencë
Mark Simoni në adoleshencë
Njëri prej tyre ka qenë Luma, një plak që mbante lidhur në brez një rreth të madh, në të cilin pati vënë qindra çelësa, të mëdhenj e të vegjël, të ndryshkur e të rinj, të saktë e batalla. Aq çelësa sa nuk i kishte dot i tërë qyteti. Dhe shëtiste me ta gjithë ditën e ditës, dhe i binte vërdallë qytetit qosh e më qosh. Unë nuk e di nëse nga tërë ajo tufë çelësash ka funksionuar të paktën ndonjëri. Luma qe i mjerë, dhe s’kishte për të hapur kurrë në jetën e tij ndonjë kanavetë teneqeje ku fshihte lekët, ndonjë valixhe letrash e dokumentesh të rëndësishëm, ndonjë arkë teshash të reja, ndonjë kapanxhë a kapak. Ngaqë jetonte i vetëm, në një kthinë të vogël nën ca shkallë, për çudi dhe dera e vet nuk kishte çelës, mbasi ai e mbyllte vetëm me një gozhdë të madhe. Kurrë nuk mësova se, a hapën ndonjëherë gjë ato çelësa. Por ama për një gjë jam krejt i sigurtë. Ai padyshim e ka kujtuar veten për tjetër njeri, (që patjetër i duhen çelësat), mbase gardian burgu, mbase njeri banke, mbase pronar hani, mbase ruajtës thesaresh. Se nuk kishte se si ndodhte, që Luma i ruante me aq shpirt çelësat e tij.
Kjo më ka kujtuar shpesh Shopenhaurin, që në prag të vdekjes, i mundur nga çmendimi thoshte: “Më duket vetja fatkeq, kam një pështjellim në kokën time. E kam ngatërruar veten për një tjetër njeri. Herë jam i pandehur në një proces, herë ndihmësi i një perandori, herë një ulok që s’del dot nga shtëpia”.
.
Marka Fana - Mbreti i Arabisë (Përvathi)
Marka Fana – Mbreti i Arabisë (Përvathi)
Dhe kjo më ndihmon të kuptoj budallenjtë e qytetit tim, atje në fëmijëri, ku të marrët janë më shumë interesantë, se sa budallenj, shumë më tepër personazhe përrallash dhe trillesh, se sa aq realë sa dukeshin. Njëri bridhte me një hinkë të madhe sa gazepi në dorë, e i binte pash e në pash qytetit, duke dhënë lajmet për luftën në Kamboxhia, Vietnam e Laosi. E thërrisnin Hidri i Milotit. (Mbase pati ardhur aty pikërisht nga Miloti). Tjetri, Marka Fana thoshte se qe “Mbreti i Arabisë”. Mbante në brez ca thika dhe shpata të ndryshkura, kishte mjekërr dhe rrifte gjoksin e bërtiste me të madhe se, qe mbreti i Arabisë. Dikush më tutje, i veshur me një xhaketë të vjetër polici, (ku dukeshin akoma shenjat ku patën qenë gradat dhe spaletat e dikurshme), drejtonte në mes të pazarit, me një tabelë allosoj, trafikun e atyre pak makinave që iknin rrugës. E kam dhe sot në kujtesë Nuzin e Sarikanës, që në një bodrum të errët, nëpër ca kazanë të mëdhenj, mes avujsh e magjishë, ziente lëngje parfumesh, dhe lutej që blerësit të kishin fat në martesë. Prena e spitalit, që bekonte ujin e përrenjëve ku lante kokën, me ca flokë të gjatë shtrigash. Më kujtohet Ndoc Kadoshi, me kostumin e tij bezhë, dhe këpucët e bardha, me mustaqet spic dhe favoritet si harta e Italisë. Thoshte se kishte qenë aktor i madh filmash, (por filmat i qenë ndaluar), dhe se kishte qenë parashutist në kohë të luftës. “Më mirë të mos i ishte hapur parashuta, dhe të mos e kishim sot nëpër këmbë, me gjithë këto rrena që na thotë, e të kishte vdekë njëherë e përgjithmonë”, e mallkonte Tina, gruaja për të cilën thuhej se qe e dashura e fshehtë e Ndocit, por që e urrente për vdekje sa herë që ziheshin. Po, a harrohet Nedusha me këpucët me taka që ishin dy numra më të mëdha se këmba, me një buzëkuq të ndezur dhe që e zhgrryente pa kujdes rreth e rrotull buzëve, dhe që kishte merak pikat në fytyrë, që i bënte me laps kopjativ. Po Neja që i binte dajres së shpuar dhe Qerja hidhte valle, këmbë zbathur, mes pluhurit, në breg të Drinit. Dhe befas, në mes të valles, ia shkrepte të qarit, se i kujtohej që ishte jetime. (Qerja atëherë i kishte kaluar të 70-tat). Po Kurti i dhive, që i binte mes përmes qytetit, me dyqind këmborë dhe këndonte këngë të trishtuara, (në të cilat kishte vdekur vetë ai)?
Të gjithë të fandaksur, të luajtur mendsh, interesantë e artistikë në marritë e tyre, të lafitur e bërë jerm nga halle dhe ndodhi kushedi se çfarë. Të lezetshëm herë herë, e të bezdisshëm herë të tjera, të mallkuar e të bekuar njëkohësisht, që megjithëse ishin ashtu siç ishin, ndjeheshin mirë në fantazinë e realitetit të tyre .
Patjetër që në kokat e tyre ata mendonin se qenë tjerë njerëz nga ajo çfarë ishin vërtetë. Njëri spiker radioje, tjetri polic trafiku, madje dhe ai tjetri që qe mbret i Arabisë.
Kështu ka ndodhur dhe me Xhonatan Suiftin, autori i famshëm i “Udhëtimet e Guliverit” Ai deklaron: “Jam si ajo pema që fillon të vdesë nga koka”. Po kështu ka ndodhur edhe me Floberin. Eshtë shkruar shumë për delirin, frikën e çmendurisë, marrosjen e Suiftit dhe idenë në kokën e tij se, ishte dikush tjetër, dhe jo vetja e tij, Suifti.
Po të thellohemi në metaletërsi, në çastet kur ndërgjegja dhe koshienca e disa shkrimtarëve ka qene e trazuar dhe e turbullt, ata kanë bërë vërtetë letërsi shumë të mirë. Këtë na e provojnë patologjitë, që herë herë ngërthyen Kafkën, Edgar Allan Poe-n, Buzzatin, Heminguejn, Silvia Platin e plot të tjerë. Sharl Rishe, autor i “Shqisa jonë e gjashtë” thoshte se: kokat e të sëmurve kanë dalldi të përfytyrimeve dhe gjendjeve metaforike. Duke vazhduar logjikën, po hidhemi tek Borhesi që, tek eseja “Sfera e Paskalit” nis me thënien: “Ndoshta historia e letërsisë është histori e disa metaforave” .
Apo të marrim pak ëndrrën, si një spunto, për të shtyrë autorët në vepra të shkëlqyera. Dimë të gjithë se gjumi është një realitet jo koshient. Por historia e letërsisë përmend disa brilante të ardhura nga realiteti i ëndrrave, nga ankthet e gjumit, nga gjendjet depresive të jermit. Lirika e gjatë “Kubla k’han” është parë në ëndërr, krejt e vargëzuar dhe e rimuar nga Coleridge, në një periudhë shëndetligë. Kompozitori Xhuzepe Tartini pa në ëndërr Djallin, që i binte me violinë një sonate. Dhe u ngrit vrik e hodhi në partiturë “Dridhja e Diallit”. Kemi rastin e bariut Caedmon, rastin e Stevensonit në 1884, e plot të tjerë.
Le të kthehemi edhe një herë tek Luma dhe të çmendurit e tjerë, krejt të marrë, të lehtuar e të bërë brrut. Ne kurrë nuk kemi për të ditur se çfarë rrokte fantasia e tyre, dhe deri ku mund të shkonte ajo. Por ama mendoj se, realiteti mental i tyre është po kaq interesant sa dhe i fantazistëve të letërsisë, i fshehtë po aq sa dhe bota e ezoteristëve, mbase më fiction se letërsia e disave. Gjithë ato simbole, shenja, frikëra, gjuhë të padeshifrueshme si vetë marrrëzia e tyre, jehona të vjetra të koshiencës së turbulluar që i kanë bërë të marrë e të lehtuar, pa dyshim që janë dhe një materje e jashtëzakonshme situatash e subjektesh, personazhesh të çuditshëm që fantazia jonë nuk i formon dot. Ndaj është shumë interesante të dijmë zemrekun e mënyrës se si proçedonte fantasia e tyre, mrekullia që na bën ne t’i kemi kaq gjatë në kujtesë, madje shumë më tepër se të gjithë njerëzit uniform e të zakonshëm.
(Në foto, unë adoleshent, në klasë të 8, në ato vite kur i njoha këto personazhe interesantë e të këndëshëm të qytetit tim, që akoma dhe sot më kujtohen si përsonazhe të mrekullueshëm artistikë).

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.