back to top
34.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Takimi me Diktatorin në zyrën e tij – nga Gjeto Vocaj

Gazeta

Gjeto Vocoj në Burgun e Spaçit
Gjeto Vocaj në Burgun e Spaçit

Takim me Diktatorin në zyrën e tij

nga Gjeto Vocaj

Të nesërmen u takuam në redaksi me prof. Bedri Dedjen, dhe ai në orën 9.30 mori në telefon Ramiz Alinë. Dëgjova t’i thoshte: “Shoku Ramiz, vajta në Dukagjin, siç e patëm fjalën, e takuam atë fëmijën dhe mësuesin e tij. Po ju them me shumë entusiazëm se atje gjetëm një xhevahir të vërtetë. Ai fëmi qëndron shumë më lart se ç’e paraqet artikulli, dhe ndoshta kam gabuar, por nga entusiazmi që m’u krijua, i kam marrë me vehte këtu në Tiranë. Edhe djalin edhe mësuesin e tij, i kam tani këtu në zyrën time!”
Nuk e dëgjova se si u përgjigj ai në anën tjetër, por prof. Bedriu e mbajti gjatë një copë herë, pa e ulur receptorin, sepse i kishte thënë të priste. Me sa dukej, Ramiz Alia kishte pyetur “shefin e madh” se si do të veprohej.
Dhe ja, u mor përgjigja përfundimtare. Bedri Dedja dhe unë duhej të paraqiteshim në orën 10.00 në zyrën e Ramiz Alisë, ndërsa fëmija duhej të sigurohej diku aty në redaksi, pa e shqetësuar njeri.
Ishte ora 10 pa 20 minuta! Vështirë për të arritur në orar nga aty ku ishim ne.
Na u desh të ecnim shumë shpejt për në qendër, nga ku morëm një taksi përpara Bankës së Shtetit.
U paraqitëm në hyrje dhe çuditërisht nuk patëm shumë formalitete për kontrolle, ndofta pse prof. Bedri Dedja ishte një personalitet aq i njohur aty. Mbasi vendosëm pardesytë në një gardarobë, na dhanë një karton me nr. 11! U ngjitëm të pa shoqëruar dhe koridoreve na jepnin drejtim me dorë njerëz me divizë.
Mbrritëm përpara derës me nr. 11. Pas pak ajo u hap. Ramiz Alia na bëri me shenjë të hynim dhe, sapo u bë prezantimi, na tha: “Nuk po ulemi! Kështu siç jemi, po shkojmë të shihemi një çikë me shokun Enver!”
.
Gjet Vocaj, "Takim Fatal me Diktatorin"
Gjet Vocaj – “Takim Fatal me Diktatorin”

.

Le të çvendosemi pak në kohë, dhe do më jepni të drejtë të them, se ato çaste, jo vetëm për mua, por edhe për çdo bashkëmoshatar timin 22 vjeçar, do të ishte padyshim një ngjarje e veçantë emocionale. Gjithsesi, Enver Hoxha ishte njëshi i Shqipërisë, ishte si të thuash “mbreti” që më kishte thirrur në audiencë, për një zbulim në punën time.
Por në atë përshkrim emocionesh të rastit, çuditërisht, filloi të më ngacmojë një parandjenjë shqetësuese… Pikërisht ai takim, përpara të cilit isha, do të bëhej shkak për t’u zhbiriluar deri në detaje të hollësishme biografia ime, e cila deri atëhere, për shans, kishte mbetur në hije, ndoshta edhe për shkak të largimit tim nga vendlindja, qysh kur isha tre vjeç!
Tek ndjeja në supin tim dorën e Ramiz Alisë që na shoqëronte, thoja me vehte: “Eh, sikur ta dinte Komandanti se besniku i tij po i çonte në takim në zyrë një njeri të cilit ata vetë i kishin pushkatuar gjyshin dhe që kishte lidhje të afërta gjaku me derën e Gjomarkajve, me siguri që ai do ta kishte jo pak pisk punën!!”
Nuk e di në sa koridore kaluam gjersa arritëm në paradhomën ku na priti me xhentilensë një burrë me kokë të madhe, i thinjur anash, që, me sa dukej, duhet të kishte qenë ndoshta kryesekretari i tij. Ai, mbasi komunikoi me Enver Hoxhën në telefon dhe mori miratimin e rastit, u ngrit në këmbë, i vuri përpara një bllok të madh dhe një pendë në dorë Ramiz Alisë, dhe ky i fundit hodhi një firmë (mbase ajo qe një hyrje garancie për ne). Mbas atij formaliteti, Ramiz Alia na dha shenjë me dorë nga dera.
Mbaj mend mirë se ai qëndroi një çast i heshtur përballë derës së mbyllur, lëvizi pak supet, preku lehtë kravatën dhe pullat e xhaketës, tërhoqi një frymëmarrje të thellë dhe pastaj zgjati dorën për ta hapur.
Më bëri përshtypje dera e trashë, e veshur e tëra me stof si të mëndafshtë.
Nga hapsira e derës na u shfaq përpara syve një sallon i madh, i shtruar në tapet jeshil, në fundin e të cilit, në një tavolinë disi të gjatë e ngritur në podium, ishte gjysmë i kërrusur mbi letra, Enver Hoxha. Pa vënë akoma këmbën te praku i derës, Ramiz Alia iu drejtua gjithë veneracion me pyetjen: “Mundet, shoku Enver?” Enver Hoxha ngriti kokën ngadalë si i mbytur në mendime, po me pozat e një aktori, hoqi gjyslykët e punës me finesë, ndrroi disi mimikën e fytyrës, duke marrë atë buzëqeshjen e tij të zakonshme të ngrirë, që ishim mësuar ta shihnim nëpër fotografitë dhe dokumentarët që shfaqeshin në kinema, u ngrit dhe u nis drejt nesh. U takuam në mesin e atij salloni ku Ramiz Alia më prezantoi duke i thënë: “Mësuesi i dukagjinasit të vogël”. Ajo çka më bëri më shumë përshtypje në momentin e takimit të duarve ishte se kur ai e shtoi edhe një gradacion buzëqeshjen, sytë i shkëlqenin aq shumë, sikur të ishin prej qelqi.
Na ftoi të uleshim në poltronat që rrethonin tavolinat e gjata të vendosura pranë dritareve, të cilat shihnin nga bulevardi. Të zotët e shtëpisë zunë vend përballë nesh, me shpinë nga dritaret. Përpara meje ndodhej Enver Hoxha.
Mbasi më ofroi me xhentilencë paketën e cigareve, filloi të më pyesë për jetën dhe shkollën time, gjithnjë nga pozicioni i të “barabartit”, me atë taktikën e imitimit të modelit të tij të “thjeshtësisë” – Leninit (siç e kishim lexuar nëpër tregimet për fëmijë).
Shpejt ai hyri në temë, duke na u drejtuar me këto fjalë: “E lexova me vëmendje artikullin tuaj, bile e rilexuam së bashku, apo jo, shoku Ramiz?” Ky i fundit pohoi me kokë, por edhe me fjalët: “Si urdhëron, shoku Enver”. Mandej vazhdoi: “Mua personalisht ai fëmijë më ka bërë përshtypje dyfishe, si prind dhe pse jo, si mësues, sepse mua edhe sot, me gjithë detirën e lartë që më ka ngarkuar Partia, më pëlqen puna e mësuesit!”.
Shprehja e fundit e “modestisë” nuk kaloi pa një reagim të Ramiz Alisë, i cili e shoqëroi me një tundje koke dhe lëvizje të shpejtë dore nga ne, që u duk qartë se donte të thoshte: “Ja, sa të thjeshtë e kemi, shikojeni vetë…!”
Mbas kësaj, Enver Hoxha shtroi pyetjen: “Si është e mundur që një fëmijë në atë moshë të shfaqë aftësi të tilla, në një shkencë aq të vështirë, siç është matematika?! Kemi lexuar për raste fëmijësh fenomen në muzikë, balet, gjuhë të huaja, por për matematikë nuk më kujtohet ndonjë!”
Në vazhdim, më drejtoi disa pyetje, se si u zbulua ai fëmijë, ku i kish marrë ato njohuri etj., dhe mbas përgjigjeve të mia, ai bëri përgëzimet e rastit dhe shtoi: “Zbulimi i tij si fenomen, ka një rëndësi të jashtëzakonshme; ai nesër mund të bëhet një shkencëtar në shërbim të popullit. Nuk duhet të publikohet më tej, të mos harrojmë se armiqtë i kemi fare pranë, ata mund të synojnë ta eleminojnë edhe fizikisht, ndaj duhet bërë vigjilencë e madhe…!”
Të gjitha këto i thoshte me seriozitet të veçantë, ashtu i tendosur, duke zgjatur zërin e tij kumbues, shoqëruar me xheste dhe poza prej aktori, me shikimin diku larg, sikur mbante një fjalim.
Mbas pak e mori vehten, ndrroi disi qëndrim dhe me një ton më të butë, u drejtua nga unë me këto fjalë: “Ju e zbuluat dhe ju duhet të jeni mësuesi i tij edhe më tej!”
Pas një pauze të shkurtër, më pyeti: “Ky fëmijë 6-vjeçar me zhvillim të parakohshëm, i cili është në gjendje të bëjë të tilla llogaritje përmendësh, që edhe një maturant nuk i bën dot, a ka njohuri për vijën e drejtë politike të Partisë tonë? I njeh ai me emra anëtarët e birosë?!”.
Unë me naivitetin e moshës iu përgjigja se jo, duke e justifikuar se gjer atëhere s’më ishte kujtuar t’ia mësoja, ndërkohë që u zotova se do punoja me të, në atë drejtim.
Mbas asaj përgjigjeje, mbaj mend se prof. Bedri Dedja, të cilin e kisha në krah të djathtë, më shkeli lehtë këmbën, që donte të thoshte se aty kisha gabuar.
Dhe vërtetë ashtu ishte, se pikërisht mbas asaj përgjigjeje, vure re se Enver Hoxha ndrroi disi qëndrim, duke e shprehur edhe me mimikën e fytyrës. Mblodhi pak vetullat, shikimi i tij u bë më i rreptë e depërtues, po ashtu kur mori fjalën, edhe toni i zërit pati të tjera nuanca, u bë më i ngritur dhe më i ashpër se më parë.
Një copë herë të madhe na foli për rëndësinë e edukimit të fëmijëve në përgjithësi, e të Nikës në veçanti me frymën e “shëndoshë” të Partisë dhe na vuri “detirë”: “Mbas këtij takimi, që të dy kështu siç jeni, do të ndaleni një çikë tek zyra e shokut Ramiz. Ai do u japë vijat kardinale të punës që do të bëhet për formimin e tij ideopolitik”.
Ramiz Alia pohoi fillimisht me kokë dhe si për ta përforcuar pohimin, instinktivisht kreu edhe një lëvizje me të gjitha gjymtyrët, duke iu afruar edhe më shumë tavolinës, ku Hoxha e pyeti: “Mirë që u zbulua, po ç’mendim keni ju për trajtimin e tij të mëtejshëm? U pies juve, sepse ju jeni më afër terrenit pedagogjik; unë tashmë jam shkëputur me kohë nga kjo fushë!”.
Kjo pyetje e Enver Hoxhës u duk se qe për prof. Dedjen, sepse ai ishte vërtet njeriu më kompetent në lëmin e pedagogjisë, por realisht nuk qe për asnjërin; ajo ishte diçka që i përkiste stilit të tij bisedor, për të krijuar idenë se ai ishte për thithjen e mendimeve nga specialistët, kur ai e dinte mirë se të gjithë në kësi rastesh ngrinin supet përpara tij.
Ashtu ndodhi edhe me ne. Prof. Dedja natyrisht kishte se çfarë të thoshte dhe të jepte mendime të vyera për trajtimin pedagogjik të një fëmije të tillë. Por ky qe absurdi, se kur ishte puna për të dhënë mendime, qoftë edhe specialisti më i kualifikuar, përpara atij njeriu duhej të ngrinte vetëm supet, sepse servilët shembullorë që polli sistemi, e mitizuan figurën e tij, duke e konsideruar si vetë perëndia mbi tokë. Kështu edhe ne, mbasi bëmë ritin e zakonshëm të mbledhjes së supeve, dëgjuam përgjigjen që ai vetë i bëri pyetjes së tij. Me një zë të trashë, kumbues dhe shpesh të zgjatur si në mendime të thella: “Meqë ndodhemi bashkarisht, le të shkëmbejmë ca mendime. Unë do jepja dy variante, por ju lutem të mos i mirrni absolute se kështu ka thënë shoku Enver, dhe kështu duhet të bëhet! Jo, kurrë nuk e dëshiroj një gjë të tillë!”. Krijoi një pauzë të shkurtër si për ta bërë më bindëse atë që tha, vazhdoi: “Varianti i parë do ishte ta sjellim këtu në krieqitet, sigurisht me gjithë familje dhe mësuesin e tij. Në pamje të parë duket bukur, sepse këtu pranë kathedrave, laboratoreve, bibliotekave, ka ambiente mësimi dhe përparimi. Por ki variant ka dhe anët negative, se ardhja e tij nga një zonë e thellë malore, nga një natyrë e qetë dhe e heshtur fshati, në mes të dinamizmit të shfrenuar të krieqitetit, mund të na e shkëpusë nga rruga e nisur, nga librat që lexoka me ëndje sot. Bota e librit nuk do të jetë më interesante për të, sepse këtu mund të tërhiqet pas gjërave të tjera që do ta rrëmbejnë në gjirin e tyre. Një anë tjetër negative e këtij varianti do të ishte se, kur të rritet edhe ca, do të shtrojë pietjen: pse ky ndrishim në jetën e tij familjare, ç’ishte ajo shpërngulje e familjes në Tiranë, etj. dhe njerëzit do t’i thonin kështu dhe ashtu… Sigurisht nga ato thënie, do fillojë t’i rritet mendja dhe dua të them se mendjemadhësia është fundi i njeriut, apo jo, shoku Ramiz?!”
Në atë monolog të gjatë, pati disa raste që ai e kthente kokën nga Ramiz Alia, si për të marrë miratim për ato që thoshte, dhe ky i fundit, në mënyrë sistematike aprovonte me lëvizje koke. Ndërsa në rastin e fundit që iu përmend emri, gjeti hapsirë për ta përforcuar mendimin e idhullit të tij dhe tha: “Vetëm argumenti i fundit që solli shoku Enver e hedh poshtë variantin e Tiranës, sepse sëmundja e mendjemadhësisë, siç tha edhe shoku Enver, është fundi i njeriut, dhe ne të paktën të mos ia përgatisim fundin me duart tona!”
Mbasi i kërkoi të falur për atë ndërhyrje të vogël, përsëri e mori fjalën Enver Hoxha: “Kjo ishte arsieja që unë nuk e takova djalin këtu sëbashku me ju, që mos të thotë nesër që më ka kërkuar shoku Enver në takim në zyrën e tij, sepse isha një fëmijë ndrishe nga të tjerët. Edhe ai ekspozim që i është bërë në Shkodër apo në Tiranë, duhet justifikuar në një farë mënirë përpara tij!”.
Më poshtë dha variantin e dytë, por përsëri me monolog; ajo çka tha në fillim “le të shkëmbëjmë ca mendime”, mbeti fasadë. Ai vazhdoi përsëri vetë: “Varianti i dytë: Sikur ta linim të kalonte edhe ca vite të fëmijërisë në fshatin e tij të lindjes, duke i krijuar ca kushte të veçanta, por pa u ekspozuar se shteti ka preferenca për të. Ai duhet të dijë se mësuesi kujdeset për gjithçka. Meqë ai është shumë i avancuar, Ministria e Arsimit të hartojë një program të veçantë për të, që ju mund t’ia zhvilloni edhe jashtë shkollës, në natirë. Lind nevoja që ju si mësues të jeni në dispozicion të tij, pa ngarkesa të tjera punë dhe të mirreni vetëm me të gjatë gjithë kohës; gjejeni mënyrën se si do ta zgjidhni. Vazhdoni t’i sillni libra nga Shkodra, mbani lidhje të rregullta me shokun Bedri. Meqë ajo zonë e ka shkollën verore, për arsye të klimës, në verë le të shkëputet një muaj për të shkuar në një plazh, në Durrës apo gjetkë, sigurisht së bashku me mësuesin. Atje do të marrë shëndet dhe do të fillojë të ambientohet pak e nga pak me jetën e qytetit. Gjatë asaj kohe në plazh, mund t’i zhvillohet edhe pak program mësimor dhe edukativ!”
Mbasi dha variantin e dytë, m’u drejtua mua me pyetjen: “Sa njerëz keni në shtëpi, ju mjafton rroga?”. Unë s’kisha si t’i përgjigjesha ndryshe, veç t’i thoja “Po, më mjafton!”. Ai shtoi: “Sigurisht, me gjithë ato lëvizje, shkuarje-ardhje në plazhe, blerje gjërash të nevojshme për të, ndonjë veshmbathje, libra, qerasje etj., të gjitha këto nuk duhet të rëndojnë në buxhetin tuaj familjar, prandaj le të vihet në rrogën tuaj një mijë apo dy mijë lekë plus, shteti nuk humbet gjë me aq”.
Mbasi “ramë dakord” me variantin e dytë, ai na uroi sukes, na porositi që të mos shkruhej asgjë për të në organet e shtypit dhe, së fundi, shprehimisht tha: “Kur ai të mësojë se si rrotullohet toka, bëni kujdes që t’i mësoni një çikë më përpara për vijën e drejtë marksist-leniniste të Partisë sonë!!”.
Mbas atij takimi, na mori Ramiz Alia në zyrën e tij, ku na dha udhëzime të detajuara, për brumosjen e Nikës si revolucionar, sipas mësimeve të shokut Enver etj.
 
Me fillimin e vitit shkollor atje, më 1 Mars 1963, nisën të vihen në jetë ato që u vendosën aty. Në fshatin e Nikës u hap për herë të parë shkolla 8-vjeçare dhe, për të më lënë kohë në dispozicion që të mirresha me të, sollën një mësues më shumë se plani, kështu që unë bëja vetëm 2 orë mësim në javë në shkollë, pra vetëm sa të kisha një lidhje dhe kohën tjetër t’ia dedikoja Nikës. Një komision i drejtuar nga Bedri Dedja, vendosi që Nika të kalonte nga klasa e parë në klasën e katërt. Pra, në moshën 7-vjeç Nika ishte nxënës në klasën e 4-t, ndoshta një rast unikal edhe në botë ky! Ishte programuar që në kohën e lirë me Nikën të realizoheshin edhe pjesë nga programi i matematikës i ciklit të 8-vjeçares.
Në mesin e verës të çdo viti, na vinte shkresa që bashkë me Nikën të niseshim për në plazhin e Durrësit, ku qëndronim një muaj.
Ndërsa shtesa për rrogën time prej njëmijë lekësh, siç ishte fjala, vonoi shumë dhe u realizua vetëm falë ndërhyrjeve të prof. Bedri Dedjes1) ato trajtime, përveç plazhit, nuk zgjatën shumë, sepse u bë shkëputja ime nga Nika, për të plotësuar studimet e mia në Tiranë.
.
Marrë nga libri Takimi Fatal me Diktatorin i Gjeto Vocajt faqe 18-26


 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Gjet Vocaj në fillim të viteve ’60, shërbente si mësues i ri në zonën e ashpër të Dukagjinit, në Palaj, ku midis nxënsave i takon të njohë edhe një fëmijë 6 vjeçar, Nikën që arrinte të bënte veprime matematike të një nxënësi të shkollës së mesme… Ai bën një shkrim Nikën, i cili mbasi u botua te gazeta “Mësuesi”, tërheq vëmendjen e kupolës politike. Kjo i jep rast Gjetës të futet deri në KQ të Partisë dhe të takojë personalisht edhe diktatorin… gjë e cila krahas vlerësimit të çastit do t’i sjellë edhe gërmimet në biografi, po edhe peripecitë më të mëdha të jetës, mbasi i zbulohen “kleçkat në biografi” dhe shpejt e pret burgu, interrnimi dhe shkatërrimi!
    Mbas ’90, Gjeto Vocajj shkroi librin “Takim Fatal me Diktatorin” ku rrëfen imtësisht këtë ngjarje po edhe krejt jetën e tij… Pikërisht këtë takim po e shkëpusim nga libri… për lexuesit që të mund ndjekin një skenë origjinale që aq shumë mund të ishte një skenë filmi tragjik…
    I uroj jetë të gjatë bacës Gjet Vocaj mbas gjithë vuajtjeve të jetës…
    jozef radi, 24 qershor 2020

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.