back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Spiuni i birucave… – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Edhe i burgosur... edhe në shërbim të Sigurimit
Edhe i burgosur… edhe në shërbim të Sigurimit

Spiuni i birucave…

nga Kastriot Dervishi

Ata që vinin nga kategoritë që partia i quante “antiparti”, rekrutoheshin fare lehtë dhe në të shumtën e rasteve pa qenë nevoja për material shtrëngues. Nëse shtëpia kishte qenë “bazë e LANÇ-it”, rrethi farefisnor me pushtetin, e bënin rekrutimin fare të lehtë. I dënuari vriste mendjen se ku e kish tradhtuar partinë e si e si t’ia shpërblente mirë asaj. Rasti i një të dënuari që komandohej nga Drejtoria e Hetuesisë në MPB nëpërmjet Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, por që për raste të rralla përdorej për Sigurimin e Shtetit aty ku vuante dënimin. Puna e tij kryesore ishte në dispozicion të organit të hetuesisë. Kjo kategori që bënte pjesë te spiunët e birucave, njihet fare pak si teknikë. Duke menduar se kishte shërbyer, mirë, ai i shkruan autoriteteve për të ndërhyrë në faljen e dënimit të mbetur. Megjithatë, vuajti plot 9 vjet.
.
Burgjet e diktatures komuniste
Burgjet e diktatures komuniste

Letra e spiunit të birucave

Jam X.Y….
Familja ime ka qenë e lidhur me luftën nacionalçlirimtare që në vitin 1942, nëpërmjet prindërve dhe vëllezërve të mi…Jam arrestuar më 1 tetor 1975 me akuzën e agjitacionit e propagandës dhe për këtë u dënova me 10 vjet heqje lirie. Gjatë qëndrimit në hetuesi dhe gjyq, për fajet e mia, kam mbajtur një qëndrim korrekt dhe autokritik. Mbas vajtjes në Repartin e riedukimit edhe pse u dënova, nuk rashë nën prehrin e armiqve të partisë dhe të popullit, por ju futa rrugës së riedukimit që ma tregoi komanda e Repartit 309/1 Ballsh, ku vuaj dënimin, duke përqafuar të gjitha format e edukimit pa përjashtim, si të vetmen rrugë për rikthim në gjirin e shoqërisë dhe të familjes, i shëndoshë nga të gjitha drejtimet.
Në Repartin e Riedukimit kam luftuar ballë për ballë elementin armik dhe keqbërës duke bërë demaskimin e tyre në vend, por edhe në forma tw tjera, që na janë vënë në dispozicion nga komanda si: estrada, ora gazmore, etj. Në asnjë çast nuk kam ngatërruar dënimin që me të drejtë m’u dha, me dashurinë për partinë dhe në këtë prizëm duke mbajtur një qëndrim të rreptë dhe autokritik ndaj vetes, jam bërë shembull i mirë dhe kam punuar edhe me elementin që kam menduar se shërohet dhe kam pasur rezultate të mira në drejtim të njohjes së fajësisë nga ana e tyre, futjes me ndërgjegje rrugës së riedukimit. Gjatë kohës së lirë jam marrë kryesisht me studimin e materialeve të partisë dhe të udhëheqësit, si të vetmet që më mësojnë të njoh veten dhe bazën që më rrethon. Gjatë qëndrimit në repart, sa herë më është kërkuar ndihmë nga organet e Sigurimit të Shtetit e kam dhënë atë me dëshirë dhe pa marrë parasysh asgjë. Për sqarime të mëtejshme mund t’iu japë ato ndonjë person i autorizuar prej jush. Deri tash, pothuaj kam kryer 6 vjet nga dënimi. Kam për të vuajtur edhe 4 vjet të tjera. Por duke u nisur nga qëndrimi im gjatë kohës që vuaj dënimin si dhe nga gjendja e familjes, dy pleq të vjetër, të ndershëm e patriotë, të cilëve dëshiroj t’u jem pranë në vitet e fundit të jetës së tyre, të mundohem t’ua zbardh sadopak atë pleqëri që ua nxiva si mos më keq si edhe të jem krah gruas time, lumturinë më të madhe, të cilën unë e konsideroj si vepër dhe dhuratë të partisë. Me lirimin tim z. ministër, ju premtoj se shoqëria do të ketë në gjirin e saj një njeri të shëndoshë plotësisht nga sëmundja e kaluar. Partia do të kenë një ushtar më tepër, të gatshëm për vënë kokën atje ku shkel këmba e saj. Megjithëse këtë kërkesë e quaj të domosdoshme për shoqërinë, familjen dhe veten, por pavarësisht nga kjo, në rast se nuk shihet e arsyeshme lirimi im para kohe me kusht, unë ju premtoj se përsëri do të punoj me këtë vrull revolucionar që më ka karakterizuar deri tani.
Me nderime, i dënuari XY
Tiranë 20.3.1982
.
https://55news.al/dossier/item/252032-spiuni-i-birucave
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.