back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

Sot… a beson shqiptari? Imzot Jul Bonatti (1874 – 1951) – nga Fritz Radovani

Gazeta

Jul Bonati (1874-1951)
Jul Bonati (1874-1951)

Sot… a beson shqiptari? Imzot Jul Bonatti (1874 – 1951)

nga Fritz Radovani

Pasojat e ateizmit komunist janë të pabesueshme dhe të pariparueshme!
Asht shumë e vështirë me e besue legjenden e Rozafës për të vërtetë,
bash ashtu, si asht e vështirë me besue “mirkuptimin vllaznor Shqiptar”!
Komunizmi në Shqipni hodhi farën e spiunimit dhe të vllavrasjes…
Dy nga shëmtimet ma të mnershme të shoqnisë dhe të familjes Shqiptare.
Kujtojmë në këte 70 vjetor masakrën ndaj atdhetarit Imzot Jul Bonatti!
.
Imzot Jul Bonati
Imzot Jul Bonati
Me 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, nga sigurimi i shtetit në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Dosja nr. 3616… “Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, e aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.” 
Imzot Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë gjithashtu edhe në vitet e fundit në Itali. 
Nji opinion që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“…Personat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjes së tyre ka karakter politik.” (datë 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti, spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “…Është i pa korrigjuar, t’i epet dënim i rëndë!”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç sa e sa deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “…Agjent i Vatikanit, spiun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vendimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vendimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vendosi: “Dënohet me 5 vjet heqje lirie!”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. 
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë… po edhe sot.
Letra e Imzot Jul Bonatit
Letra e Imzot Jul Bonatit

***

Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Një ditë ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…” 
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë” (një mëkat me peshë të madhe edhe sot), meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni… dhe çohet në manikomjo… 
Fantazia e kriminelit asht e pafund…
Imzot Prof. Jul Bonatti, një ditë thanë se ndrroi jetë! 
“Ndrroi jetë…!”, një fjalë goje! 
U gjet në një dhomë të manikomjos copa-copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! – Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqeheshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e.., ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobrës së zezë të fundit të Shekullit XX, që nuk u ngop kurrë me andjen e saj me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij. 
 .
Jul Bonati
Jul Bonati

***

A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë…?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetarë asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të Botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. 
Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu! 
I baj thirrje të gjitha Besimeve e Komuniteteve në Trojet Shqiptare!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodran, teolog, filozof, studjues dhe përkthyes i njohun i letërsisë dhe i gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikëpamje Europiane, në vizionin e të cilit qëndronte një nga përpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare! 
Përgatitja e Tij n’Austri, Itali, dhe shërbimi në Stamboll mbi 16 vjet, si dhe në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet pikënisje për një studim të plotë të përpjekjeve të të gjitha palëve; katolikë, myslimanë dhe ortodoksë për unifikim.
E ky unifikim nënkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një vepër e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite përpara At Shtjefën Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet për përpjekje të dy kishave për Bashkim, dhe për atë që sot asht urgjente: Bashkëpunimi. Kam parasysh edhe vlersimet. 
Nga studiuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue për fillimet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi asokohe marrëveshjet për unifikim dhe bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912. shihen dokumentat. Përpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe ato lidhje janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare shumë të nderueme. 
Porsa Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, edhe perdorimin e gjuhës Shqipe nder Kisha. 
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zëvendësin e Tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mbrriti në Korçë në vjeshtën e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shën Gjergjit. 
Hierotheosi emëroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila përmblidhte edhe Vlonën; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Vjen koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi (u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimitër Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli (u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetëm pse kanë vazhduen me punue për Unifikimin e Kishave, njëherit me persekucionin e tyne të vazhdueshem mbas 1944. 
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu dhe as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe tirani Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe mirkuptimin mes Fesë dhe besimtarve!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha dorëheqjen më 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në Manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afër Tiranës. Thuhej se vdiq papritmas nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishën e Shqipnisë si autoqefale vetëm nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem për të gjitha palët e interesueme, kryesisht për patrikanën e Konstantinopojës, për Popullin Shqiptar, për Klerin Ortodoks dhe për lidhjet e KOASH me Kishën Katolike Shqiptare. Ndërsa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në kënetën e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetëm, për lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar. Kjo ishte Kisha e vërtetë Ortodokse KOASH, për të cilën unë ruej respekt sot e gjithmonë, ashtusi për Hoxhallarët Martirë të Besimit Mysliman, nga të cilët kam njoftë disa prej familjeve të nderueme prej tyne në Shkodër!
Ishte pikërisht koha kur në Shkodër Hafiz Dërguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkëvuejtësit në hetuesi tek Kisha e Fretenve: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në vitin 1946? Studjoni preceset e Tyne e shifni ku jemi sot! 
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel? Apo, qëndrimin e Tij ndaj At Meshkallës para se Ai të vdesin! Kush asht Ai që sot mendon e vepron ndaj një Prifti Katolik si Hafizi?!
Ndërsa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve të sigurimit shtetit ndaj Bektashijve të Nderuem, vazhdonin me korrë koka njerzish, vetëm per qëndresën e Tyne në përkrahje të katolikëve Shqiptarë. Sa vrau Everi?!
Ashtusi mbytën At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vërtetat e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
Predikuesit e Parë të së Vërtetës Historike të Trojeve tona, Sot duhet të jenë Komunitetet Fetare Shqiptare, pa dallime krahinash si dikur…
 
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtu sikur paraardhësit e tyne anadollakë e filo turq’e grek, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”. 
Shihni Shqipninë Sot!!
Ngjarjet e ditve të fundit të kryeministrit Rama, më shtyjnë me rikujtue:
Në Sheshin Skënderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo çka ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vërtetë arrihet vetëm me hapjen e dosjeve të deputetëve…
Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kundër Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar asht detyrë! Kërkoni largimin e tyne nga detyra!
Shqiptarët duhet gjithnjë t’i bajnë vetes një pyetje: Kush po qeverisë sot?
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar nga sigurimsat?! 
Sot a duhet të pajtohet Ai me veprimet antikombtare të qeverisë Rama? 
Tradhëtarët e Atdheut ditë e natë mendojnë e punojnë me ju përça ashtu si kanë veprue në 1944, Enver – Tito – Stalin! Ajo vazhdimsi asht edhe Sot.
Shka tha Nana Tereze kur mori çmimin Nobel për prejardhjen e Saj? Shqiptarë! Bashkonju rreth Flamurit Kastriotit sa nuk asht vonë!…
Shqiptarët e të gjitha Trojeve janë europianë dhe i përkasin vetëm asaj! 
Melbourne, 7 Gusht 2021
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.