back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Si ma pushkatuan vëllanë në kohë të diktaturës komuniste – bisedë me Edmond Halilin

Gazeta

Vrasjet e djemve të rinj në kufi
Vrasjet e djemve të rinj në kufi

Si ma pushkatuan vëllanë në kohë të diktaturës komuniste.

bisedë me Edmond Halilin

aktor i Teatrit “Migjeni”

Ka qeshur dhe ka bërë humor edhe kur i qante shpirti. Idhësinë e shuante çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje në një gropë gëlqereje. Dhe si të mos ishte ai që ishte, hiqte kominoshet e punës, ngjyer krejt në të bardhë dhe ngjitej në skenë për të bërë të tjerët të qeshnin. Ky është aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Edmond Halili, i cili ka një peng të madh në jetën e tij. Një makth që nisi në kohën e diktaturës dhe që e përndjek dhe sot e kësaj dite. Më shumë se tre dekada më parë, i ekzekutuan vëllain 25- vjeçar në kufi, teksa po tentonte të largohej nga vendi i zhytur në mjerim dhe skamje. Edhe sot e kësaj dite, Mond Halili kujton ditën kur trupin e bërë shoshë nga plumbat të të vëllait, Tristanit, e vunë në një zis dhe e shëtitën në të gjitha lagjet e qytetit të Shkodrës me vulën e tradhtarit të armikut të popullit. Edhe sot e kësaj dite, aktori i mirënjohur i teatrit më të zëshëm në vend kujton se ai dhe të afërmit e tij nuk guxuan të hapnin dyert e mortit dhe të qanin Tristanin. Dhe pas kaq vitesh ende nuk e dinë se ku ndodhen eshtrat e tij. Edmond Halili, i cili prej disa vitesh jeton në Durrës, në një rrëfim të parë për jetën e tij në “Gazeta Shqiptare” vjen pa maskën e aktorit, por më i sinqertë se kurrë më parë. Me 200 role në skenë dhe një karrierë mbi 40-vjeçare, aktori falënderon popullin shkodran që i ka qëndruar afër familjes së tij në ditët më të errëta.
.
Edmond Halili, aktor teatri
Edmond Halili, aktor teatri
Zoti Halili, ju keni një histori të trishtë në jetën tuaj. Të parrëfyer më parë. Çfarë i ka ndodhur familjes tuaj në verën e vitit 1982? Më 17 gusht të vitit 1982, vëllai im, Tristani tentoi të arratisej jashtë shtetit, në ish-Jugosllavi. Atë ditë ma vranë vëllanë në kufi. E hipën në një zis me sponde të hapura dhe së bashku me shokun e tij të ngushtë, me të cilin tentoi të largohej i shëtitën si armiq të popullit nga fshati Zogaj që ishte zonë kufitare dhe në të gjithë lagjet e Shkodrës. Trupat e tyre ishin bërë shoshë nga plumbat. Në atë kohë thoshin se kështu e pësojnë të gjithë ata që tradhtojnë atdheun. Ndërsa, unë shkoja nga pas makinës me biçikletë që të shihja nëse ishte apo jo vëllai im.
.
Ju i bëtë ceremoni varrimi vëllait dhe a jua dorëzuan trupin? Bah, kush të linte atëherë të bëje ceremoni varrimi. Nuk të linin as të qaje. Një ditë pas vrasjes së vëllait, ne të gjithë ishim në punë. Askush nuk mbajti zi. Neve, mua, nënës dhe motrave na vinte për të qarë dhe kishim frikë. Kur ishim në punë na shkulej zemra nga dhimbja e qanim pa lot. Atëherë punonim në NSHN. Brigadieri, Kujtim Gjylbegu na fuste në një dhomë e na thoshte: Qani këtu, shfryhuni.
 
Ju i hapët dyert e mortit për vëllain 25-vjeçar? Ku hapeshin dyert e mortit atëherë? Unë u quajta vëllai i tradhtarit. Familja ime quhej familje tradhtari (qan). Por populli i Shkodrës është popull heroik se na mbajti shumë afër. Qytetarët e Shkodrës na hodhën krahun e na thanë: Jemi shokë deri në vdekje.
 
Po nëna e babai si e përballuan vrasjen e djalit? Babai u dënua me 25 vjet burg pas vrasjes së vëllait. Ishte oficer në lirim dhe u konsiderua si babai i armikut të popullit. Ai doli nga burgu kur erdhi demokracia.
Vrasjet e viteve '90 në kufi
Vrasjet e viteve ’90 në kufi

Komente dhe rrëfime të miqve dhe shokëve të Tristan Halilit

Selim Selimi
E kujtoj si sot atë ditë, me Lucon jemi rritur në një lagje, dhe punomin bashkë në hekurudhën e Shkodrës, Lucoja kishte atë natë për të dalë turn i tretë por nuk kishte shkuar në punë, kur dolëm në punë në ora 7 gjejmë tek zyra e drejtorit në mos gaboj ka qenë Mustafa Pipa disa hetues të Degës së Brendshme Shkodër, na morën në pyetje një për një, aty e morëm vesh se kishin vrarë Lucon në kufi, sa ikën ata i hipëm biçikletave e shkuam në Zogaj, e kishin bërë shoshë me plumba dhe e kishin lidhur me tel me gjëmba ne karroceri, një masakër monstruoze e bishave komuniste, ata flokët e zeza ishin bërë me gjak, ajo buzqeshja që e kishte gjithmonë ishte ngrire në buzë. Të nesermen erdhën nga Kom. Partisë dhe nga Dega e Brendshme na mbajtën tre orë në mbledhje, për të dënuar armikun e partisë thonin, kriminelë të lindur, nuk respektonin as të vdekurit.
U prehtë në paqe, se paqen deshi sa jetoj.
 
Xhevahir Haskocelaj
Asnjë nuk u dënua për krimet e bëra po dhe sot ata janë, ose bijtë e tyre. Në vendet ish komuniste janë dënuar të gjitha krimet e komunistave. Ndërsa te ne jo. Por kjo sepse ne vazhdojmë në rrugën e Lavdishme të partisë së pjerdhme
 
Selim Selimi
Nuk e di sot, se kanë kaluar shumë vite, por në ’92, kur ndërroj sistemi të gjitha kanë qenë të dokumentuara se kush ishin vrasësit e torturuesit, shto këtu se ishin dëshmitare të gjallë, dhe familjet e viktimave kishin hulmutuar se kush ishin vrasesit
 
Agustin Miraka
Jo që nuk u dënuan por kudo që vajtën përfituan azil politik në Europë dhe Amerikë!
 
Xhevahir Haskocelaj
Po dihen dhe sot kush janë. Por ne jemi popull kot, tallet dështaku me ne. Na vendos President një lëtyrë dhe kryetar një kriminel.
Ne flemë gjumë.
.
Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi
Zek Bardhi
70 % e kriminelëve dhe vrasësve komunista janë arratisë dhe financu nga shteti. Ky shtet për çdo kriminel i garanton financimin për të shkue në Amerikë dhe atje strehohen si politikanë dhe marrin të drejtat e azilit (politik) apo janë politika për kriminela!!
 
Agustin Miraka
Zek Bardhi ki inatin folu hakun janë shumë të poshtër prej vitin 1943 janë t’u ba në këtë popull çfarë t’u donë qefi na vazhdojmë t’u lujtë në FB. Janë nji familje e mrekullueshme i kam njoftë personalisht si familje, bile: e kam pasë në burg zotërin Medi Halilin nji burrë i vogël me trup: apo shumë i respektuem. Rrinte në vetmi dhe shumë i mërzitun: kam pi disa herë kafe me Zotni Halilin: ishte jabanxhi nga jugu: apo të gjithë na Rinija Shkodrane e kena dashtë dhe respektu ne burg: dhe për vet faktin se na vinte shumë keq për atë që i kishte ndodhë,
 
Mehmetaj Hamez
Zoti i vraftë! O Zot, po ne jemi popull shumë i marrë po çfarë kemi hjekë e prap nuk hjekim dorë nga fara e keqe… për Zotin trupi mu rrethqit kur e lexova!
 
Perlat Spahiu
Një fat te tille barbar pati edhe një familje tjetër që jetonte, punonte në Shkodër: familja e Tomorr Spahiut, të cilit sigurimsat kriminelë, bynkeristë i vranë djalin 25vjeçar, Skënder Spahiu, e me pas e hodhën pranë brigjeve të plazhit të Shirokës. Janë të shumta krimet e bëra gjatë diktaturës kriminale, e sot po klyshet e bynkjeristëve qeverisin.
 
Kristaq Ziu
E dhimshme. Tragjike! Te len pa fjalë!
 
Luljeta Boci Koka
Krime pa fund!
 
Frrok Brunga
Nje ngjarje tepër e dhimbëshme, me e egër se e hitlerianëve. Ata i vrisnin po të paktën familja i varroste.
 
Helidon Neni
U prehtë në paqë! U shoftë raca e kriminelëve që vranë njerëzit e pafajshëm
 
Musa Nurja
Unë e kam pasë shok shumë Lucon, një djalë fantastik. Kam pa Zisin me sponda të hapura dhe të dy të lidhur me tela me trupin shoshë prej plumave. Kriminela! Hala nuk kanë dalë me kërkue falje që është minimalja.
 
Niko Shpresa Sota
Ata i qëndrojnë besnik gjer në vdekje kryekriminelit, enver hoxha po ja shkruaj me gsrma të vogla siç kishte shpirtin, të vogël.
Dhe më e keqja qëndron se populli voton dhe do, që ta udhëheqin, të pjelltë e Enverit.
 
Faik Uraj
Te truma e Dugajve të Reja e kam pa zisin me të tri spondat e hapura në të majtë në krahun e shoferit sipër ishte një person me megafon në dorë që bërtiste kështu do të përfundojnë të gjithë tradhtarët e popullit. Në mes të kabina i lidhur me tela ishte një person në qëndrim në këmbë i vdekur dhe një tjetër në mes të karrocerisë i shtrirë po i vdekur. Makina shkonte drejt spitalit.
Marrë nga Muri i FB i Agustin Mirakës

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.