back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Si lind dhe perfundon një mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani

Gazeta

Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani

Si lind dhe perfundon një mozaik

nga Erieta Koliqi – Gajtani

Afresku në fjalë ka në qendër Danaen –
të preferuarën e Zeusit,
i cili për ta ruajtur nga tërbimi i Herës, së shoqes…
i shkoi asaj në formën shiu… (Shiu i Artë)
Sipas mitologjisë greke, nga kjo mardhënie lindi Perseu.
Po mjeshtrat e kohrave të mëvona
e kanë punuar kët kuadër në Pompein e lashtë…
Duke shfletuar disa libra historie arti,
më lindi idea që kët legjendë të Antikitetit Grek
ta sjellë si mozaik… gjithnjë sipas perceptimit
dhe idesë sime modeste… Ju falenderoj!
.
Danae - Pikturë në Pompei
Danae – Pikturë në Pompei
Mozaiku më ka pëlqyer tërë jetën.
Fëmijë, kur shpirti adhuron çdo gjë të bukur, mozaikun e gjeja te gjërat më të zakonshme. Në gjithçka prekja, ndërsa luaja me tulla, me zaje, më kopsa, me rruaza, me copa të tepruara nga qepjet, kur ndërtoja shtëpi kukllash… apo kombinoja veshje, lodra… e që kurrë s’e kisha besuar se të gjitha këto mund të më ndihmonin një ditë të krijoja: si në art edhe në veshje.
Çdo guralec apo guackë që mblidhja buzë detit, mendoja se ç’mund të sajoja me të…
Duke u rritur, pak kokfortësia ime për të vazhduar, pak aftësitë e mia, pak edhe trashëgimia… si pa u ndjerë po e gjeja vetën në krahët e pikturës… e ku mozaiku mbetej një prej dëshirave të mia…
Para disa vitesh krijova disa tabllo të vogla, vetëm me guacka. Profile, vazosh me lule, kombinime me objekte të ndryshme, po që nuk ishin thelbësore si trajtim mozaiku…

.

Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - fillimi
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – fillimi
Dëshira që të punoja një mozaik të plotë, me lindi vetëm këto tri vitet e fundit, mbasi rashë në një dëshpërim të thellë nga humbja e më të dashurve të mi: motrës dhe nënës. Me penelatat s’po më punohej më! Doja diçka të më lodhte fizikisht, diçka që s’më linte kohë as të mendoja, as të qaja dhe as të vuaja.
Pa e kuptuar, kisha nisur të mblidhja çmendurisht bazën materiale… Merrja gurë në çdo breg lumi a deti, nga jugu në veri, mjaft të ishin të formave dhe ngjyrave nga më të ndryshmet..
Ne plazhet e Nydrit, në Lefkada, në ishullin Efrimja… në ishullin e Santorinit mblodha gurë të zinj, në plazhin Kamari gurë të kuq të vullkanit… gjithnjë duke pasur në mendje mozaikët po edhe antikitetin! Tabllotë e para sigurisht ishin të përmasave të vogla e të mesme… Një pemë e degëzuar me rrënjët në tokën me brazda ngjyrë dheu… Një vazo me lule… Një përrua mes kodrash… Një shpend… Hap mbas hapi ndjeja të fitoja siguri dhe mendja me punonte për një punë më të bukur e më të plotë…
Me intrigonin afresket e Pompeit… dhe njëra prej tyre më shumë.
Ishte Danae! Mënyra, si mjeshtrat e asaj kohe e kishin sjellë këtë femër me aq klas e feminilitet duke e lartësuar figurën femërore, më bënte mjaft përshtypje. Kështu vendosa! Mozaiku i ardhshëm do të ishte ajo: Danae! Por tashmë sipas perceptimit tim!
.
Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - faza 2
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – faza 2
E dija që ishte punë e vështirë… dhe një sfidë ndaj vetes! Më duhej bukurinë fëmërore ta sillja përmes gurëve që i kisha mbledhur gjithkund, me ngjyrat e tyre natyrale dhe me bukurine e tyre të virgjër…
Tashmë më prisnin kovat e mbushura me gurë. Prisnin daltën dhe çekiçin që t’u jepja formë. E dija, më shumë kohë do të më merrte parapërgatitja se vetë puna. Nisa përzgjedhjen me kujdes të tyre… Ndava gurët bezhë, nga ata okër që do më shërbenin për trupin, pak problem e kisha me nuancat e ndëmjetme të gurëve për të bërë dritëhijet… Flokët vendosa t’ia bëja të kuq (e kuqja në flokët e femrave është mjaft tërheqëse… pse ua bën të veçantë e të spikatur). Ndava me rradhë ngjyrat për jastekët, për shallin që do të mbulonte pjesët intime, për çarçafët, për sfondin, për shtrojen, për Zeusin, etj…
Gurët duhej domosdoshmërisht të ishin afërsisht të një mase. Kështu nisa procesin e thyerjes së tyre. Punë e lodhshme… pastaj ishte pjesa e përzgjedhjes së ngjyrave dhe ndarja me kujdes sipas përmasave. Një punë jo fort e këndshme për një grua, pa harruar se jetoj edhe në kat të katërt, ku jo zhurma po frika e zhurmave në shqetësimin e komshinjve të pallatit më stepte mjaft… Zgjodha orët që i mendova si më të përshtatshmet. Më pak shqetësueset… Kurse si orë pune, orët e vona të natës deri në orët e para të mëngjesit! Punoja paradite dhe pasdite: Deri në 1 dhe 2 të natës, për gati 2 muaj e gjysëm me ndërpremje të vogla, gjithnji nga 8 deri në 10 orë në ditë.
.
Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - faza 3
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – faza 3

Ja kështu çdo dite, çdo natë… për më shumë se një muaj e ca, nisur nga nga mesi i korrikut… Aty mbi atë tavolinën e thjeshtë kisha vënë telajon e drunjtë dhe një trung peme, për të amortizuar sa të ishte e mundur zhurmën e goditjeve me çekiç… Dhe ja ditë pas dite, ashkël pas ashkle guri dhe ngjyrë pas ngjyre, nën habinë e fëmijëve të mi skeptikë. Punova përgjatë një vere që më lodhi mjaft… po të kesh parasysh edhe mungesën e kushteve në shtëpitë tona. Isha i rrethuar nga indiferenca e vajzave, dhe djali që më nxiste vazhdimisht: “Mamë ti je e prerë për kët punë! Je dekorative në koncept dhe në mozaik ke shumë lëvizje!” Isha në luftë me veten, që ky mozaik të shfaqesh me gurët që flisnin, që shpina ime e tërhequr rrëshqanë nga lodhjet, ti jepte dritë atij puzzlle gurësh, që hap pas hapi t’i jepte formë jo një mozaiku, po një dashurie! Ishte prova më e madhe imja, në fushën e gurëve… Kishte ndonjë rast që më duhej ta shkepja punën e bërë, po përgjithësisht ecja mirë. Më pëlqente puna… Sigurisht, ndërsa punoja provoja emocione pozitive, një pjesë mozaikut e mbushja me muzikë: herë këndoja vetë, herë me pjesë muzikore të një radiojeje që më bënte shoqëri në orët e vona pas mesnate.

.

Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - faza 4
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – faza 4
Nuk e di!? Kur iu nisa këtij kuadri, mendoja ta lehtësuar disi dhimbjen time të humbjeve të motrës dhe nënës, përvjetori i të cilave përkonte në këtë periudhë, derisa t’ia mbrrija përfundimit. Besoja se lodhja dhe mundimi do të ma kishte vrarë trishtimin e humbjeve më të mëdha të jetës sime… I qesha dhënë me shumë lodhje kësaj pune… po edhe me shumë shpirt… edhe me shumë dashuri… përkushtim artistik edhe më shumë! Ishte një betejë antistres, dhe një sfidë ndaj vetes. Mund të kisha bërë 1000 zgjidhje, të kisha punuar me pllakëza të gatëshme… me ngjyra nga më të rafinuarat (siç përdorin mozaicistët fillestarë si unë, po edhe ata profesionistë) që thyerja të bëhej me një palë pinca për t’u dhënë formën… por jo, zgjodha gurët natyralë… Jo të më diktonin ata në punën time, por t’u diktoja unë atyre format që dëshiroja… Kjo ma bënte edhe më pasionante punën, njëherësh edhe tejet të lodhshme…
Edhe pse kishte ditë që rraskapitesha, ecuria e punës s’më ka mërzitë asnjë dite… Më pëlqen kur i nisem një pune dhe nuk tërhiqem as mërzitem derisa ta mbaroj. Gjatë gjithë kohës së punës këndoja, besoj që s’ka gurë i këtij mozaikut që s’e ka zërin tim. Di të them që punës i kam dhënë aq shume dashuri.
.
Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - faza 5
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – faza 5
E ndërsa punoja, dhe mbushja me gurë ta ngjashëm pjesët e trupit të Danaes, mendoja se çdo vepër arti ka një jetë të sajën… Vërtet s’po bëja kushedi se çfarë, por mendoja se duke e plotësuar këtë punë, po krijoja bindjen se askush s’e ka shkruar historinë e një kuadri të vet… Thashë pse të mos e bëj unë. Kështu mbajta edhe mjaft shënime.
Më vjen keq se pjesën e sfondit e doja pak më të errët, për ta nxjerrë më në pah trupin e Danaes… por nuk ma plotësonte asnjë lloj guri ngjyrën që doja! M’u desh t’i thyej në forma të vogla, duke i përzier gurë të zes me dy lloj jeshilesh… që ta realizoja disi sfondin e errët..
Kam derdhur kaq shumë lodhje! Janë të pafundme orët e fshehura pas atyre gurëve me ngjyra. Nuk e di sa mund të jetë vlera reale e këtij kuadri, di që kam punuar shumë, që jam lodhur shumë, që jam gëzuar shumë… Janë më se 50 ditë, të ngulfatura aty! Aty nuk është vetëm vlera e mundit, po edhe një vlerë e papërcaktueshme e dashurisë sime që ditë mbas ditë e kam ndjerë përballë kësaj Danae, që vetëm kur e mbarova e kisha kuptuar se më kish ndihmuar në të përditshmen time. Përmes këtij mozaiku kisha fituar një bast me vetveten, i kisha dhënë një dimension të ri anës sime profesionale po edhe shumë qetësi shpirtërore shpirtit tim në ditë të vështira.
Mund të them se kur i dola në krye kësaj pune kënaqësia ishte e madhe më shumë nga çprisja, mund ta kisha bërë edhe më mirë se e mira s’ka fund, por isha tejet e kënaqur kur merrja parasysh eksperiencën e pakët dhe sakrificën thyemjes së gurëve…
.
Danae - Mozaik nga Erieta Koliqi - Gajtani - faza 6
Danae – Mozaik nga Erieta Koliqi – Gajtani – faza 6
Kur e mbarova dhe rrija dhe e sodisja, të them të drejtën nuk e mendoja se tregu do të mund ta vlerësoshpirtin e kesaj pune, nga mbledhja e gurëve nëpër bregdetë, te përkushtimi i thellë, te orët e netëve pagjumë, apo dhimbja dhe bllokimi i mesit… që ende më dhemb… Ajo që mundem ta them është se e dashuroj këtë vepër dhe e kam mjaft të vështirë ta largoj nga vetja. Gjëja që dëshiroja më shumë është ta ekspozoja diku ku përpara se të shitesh te vlerësohet për çfarë përfaqëson ky kuadër…
Tashti që e kundroj të mbaruar këtë vepër, nga kënaqësia e saj, kam arritur ta harroj sa më ka lodhur. Por di që një tjetër do ta filloj pa frikë më të njejtën dashur dhe përkushtim?
Kujtoj faktin që një ditë korriku isha përballë një cope dërraseme një lapës në dorë. Tani kam përballë një botë dashurie dhe pasioni…
.
Danae - Mozaik punuar nga Erieta Koliqi - Gajtani
Danae – Mozaik punuar nga Erieta Koliqi – Gajtani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.