back to top
23.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Shumë qenie ndërthuren në ty… – Poezi nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone - Pikturë nga Buron Kaceli
Gentiana Kone – Pikturë nga Buron Kaceli

Shumë qenie ndërthuren në ty…

Poezi nga Gentiana Kone

L’eterna Notte

Eja ulmu pranë n’fole
Ëndrrën sa më gjatë ma rr’fe
Me zà fëshfëritës, erëbegatë
I magjepsur nga e argjënta frymënatë
 
Rrëfemë ndënë pupla si në përrallë
Me za t’tingllueshëm, flakëgjatë
Të qirinjve që djegin pranë e pranë
Parafinë kujtimesh të përmalltë
Me lot’ të shkrirë tek rrjedhin rruzullak
Drejt bregut t’zemrës të pamatë
 
Fytyrë m’fytyrë pa linja hijesh
Rrëfemë e hiç mos hesht
Unë dhe yjet të mbajmë vesh
Ngjizur me qiellin e trupave tanë
Asnjë syresh s’ndahet prej nesh
Në t’amshuemen natë
.

Hy i gzimit

Hy i gzimit, haresë, lumtunisë,
jetës, dritës, paqes,
mirkuptimit, vllaznisë,
shpagimit,
mos lejo të trandet shpirti em
prej dyshimit, trishtimit, mërzisë,
të frikohet prej errsinës, vujtjes,
vetmisë,
askurrë mos të ndjejë zemëratën tande.
Shpërej në Ty Perëndia eme
në këpucën tande të shenjtë
ku fus lutjet e mia
e bares në kopshtin e shpresës!
.

Më prit

Më prit
edhe pak arrij tek ty
me libra e çokollata ngarkuar
në zemër ruaj
frutin tënd të preferuar
me lëkurë ëndrre që nuk kalbet
me bërthamën e saj të lëmuar
do të lozim si gjithmonë
kujt e kujt ndër gishta
më shumë t’i shkasë
Më prit
s’jam aspak e vonuar
edhe nëse ura është shembur
do të arrij në bregun tënd
Malli numëron hapat,
ditët,
të parat zgjaten
ndërsa bijat e javës shkurtohen
Sa qef
me tyl lumturie je mbuluar
tek pragu i buzëqeshjes pret
me padurim
Ja dhe pak
sakaq e do përqafohemi
të qeshurat do ngatërrojmë
me të gjitha ngjyrat
që lulet dashurisë i kanë vjedhur.
.

Anversa

Sa e dua qytetin tim!
Vendi ku shiu nuk mund të qajë pa lot
ku lumturia ndërtohet me tulla resh
ku dielli del në gjueti për zjarrin
zemrën të ta ngrohë
në çdo stinë me dashuri të rinuar
me ndjenjën të bulëzojë mbi buzë
përbri lumit të gëzueshëm që rrjedh
mes ëndrrash blu si gjaku engjëjve
 
Dashuria ime zëulët
përmblidhet në një romancë
me aksin e dashurisë që rrotullohet
brenda thelbit të zemrës time
kur errësira fillon të bjerë
dhe Zonjanatë mbulon fëmijët e saj
me qetësi zëathët,
atëherë kur mesnata
më lyp dorën t’më shoqërojë
kur takat e mia shkelin zemrën e kalldrëmit
e në vetmi ndjehem si poeti me hijen e tij
në çdo hap që më bën rimë
me ndriçimin e pashtershëm të llampave
që me kurajo qyteti ndrit shpirtin e vet
në sytë e natës
si gurët e varëses që mbaj mbi gji
ngjyra-ngjyra të vringëllojnë
ylberin në qiellin e zi
 
Aroma e djathrave kapërcen pragun
me tinguj në çdo pianobar
ku brenda pak kanë mbetur
kokë më kokë të vallëzojnë
me nimfat që brenda tyre ëndërrojnë
tingujt e kësaj romance
kënduar nga muzikant’ i rrugës
në qoshen e tij
dhe unë në qoshen e zemrës time.
.

Ariana

Ariana ka lindur me dy sy qielli
Në njërin diellin, në tjetrin hënën ka
Dashuron gjithë të kaluarën
Me sytë drejt të ardhmes
E bukur si zjarri
Vështrimin ta ngroh
Rrallë e qeshur, por fytyrëndritur
Enkas krijuar për të puthur
Buzët që reçel i shtrydhin
Aq sa helmimin e dashurisë shkrin
Shpirti saj gërmon thellësitë e lumturisë
Me ndjenjën e saj të parrudhur
Që dashurinë ta mbush
Sikurse hapet boja në ujë
Asaj të gjitha ngjyrat i shkojnë
Ndonëse e bardha e hijeshon më shumë
Si heshtja e bardhë, virtyti i saj
Nga goja e saj si mulli
Fjala me forcën e erës del
Ajo tregon bukur përralla
Të mbjella në saksi ëndrrash
Me lule që rrënjët në formë zemre kanë
Dhe gjethet e pemëve si peshq
Duken në sfondin e qiellit të saj
Ariana gjithmonë mes librave
Ose vetëm me biçikletë
Mbi të cilën më e lartë duket
Sikurse dhe mbi taka kur ec
Ariana motërz e shtrenjtë!
.

Xhixhë nate

Përqafuar
në k’të masë të butë errësine,
i qeti syu yt
shpërndan një dritë të ngrohtë qiriri.
Në flakën e tij, portreti yt luhatet,
teksa liane gishtash
të ngrohtën cipën time prekin.
Okra të purpurta rrëshkasin lehtë mbi mollza
e të tuat buzë zhyten
aty ku drita nuk mund të thyhet më.
Sa shumë qenie ndërthuren tek ty i dashtun
e mbi çdo njërën të mushtat puthje vë,
me buzët
tek kërkoj një krehje të përkohshme
në flok’t e tua shpurpurisur mbi jastëk.
.

Përshkënditje

Të tuat fjalë
aromë mandarine më sjellin përreth
me një vorbull të ëmbël përqafimesh
Të tuat puthje
ngashnjenë pluskojnë
me cirka yjesh të argjentë dëshire
trupin ma spërkasin
Ëndrra ime e bardhë xhvesh
misterin ku hyjnorja frymon
me tik-takun e orës që shpejton
mbi krahët e përmallta që në të kam shtri
e pres momentin të të përqafoj.
.

Natë

Shuhen zërat e ditës butësisht
elipse të paqta mbi ujë
lehtazi puthen kanatat e portës
hapa shtegtues largohen pa kthim
në heshtje perëndon gjithçka përreth
në qelq mendimet kruspull rrinë
një yll diku larg fluturon e shuhet
Natë, asgjë s’pipëtin
.

Vetmi

Mbi shpatullat e vetmisë
ngrihet mbretëria ime
pa ndroje, pa frikë.
Në qetësinë e saj
më rri zgjuar lumturia.
Në këtë mbretëri kohe
heshtja e lumtun vrapon
brenda rrethit të zemrës
ku luhet cirku i dashurisë.
.

Flandër

Fushat e Flandrës flenë
nën lulet e bardha të ngricës
dheu i kaftë i njomësht
në terr diellin ëndrron
Hëna fytyrë melankolike e natës
si yll i vetëm në t’errtin qiell zbehton
e netve t’bardha pa fund
thirrjen e agut
me tinguj këmbanash ëndrron
E ajo më e bukra mes t’bukrave
si zanë e hirshme mbi kryqin e hershëm
një çast qëndron
e puthjen e malltë i jep qiellit
me afshin e ditës që zbardhon.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.