back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Shteti të na tregojë pse u vra babai ynë” Aurora Koromani

Gazeta

Dekorimi i Bujar Kaloshit
Dekorimi i Bujar Kaloshit

“Shteti të na tregojë pse u vra babai ynë” Aurora Koromani

“Duam të dimë se pse u vra babai ynë…!” – Vilma Kaloshi, kërkon që të paktën drejtësia shqiptare të gjejë se cilët janë vrasësit e babait të saj dhe ata të vuajnë dënimin e merituar.
“Shteti duhej të bënte më shumë për familjen time…”. 17 vjet pas vrasjes së ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshit, vajza e tij e madhe, i bën apel shtetit shqiptar që të zbardhë vrasjen e babait të saj: “Unë si qytetare di atë që dinë të gjithë, që babai im u vra nga organizata “Hakmarrja për Drejtësi”, por deri tani, askush nuk vuan dënimin për vrasjen e babait tim”, pohon Vilma. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, ajo rrëfen edhe njëherë ditën e vrasjes së babait të saj, kujtimet e fundit me të dhe amanetet që i ka lënë në jetë.

Vilma Kaloshi
Vilma Kaloshi

Si e kujtoni ditën e vrasjes së babait tuaj? Çfarë mbani mend nga ajo ditë? E kujtoj atë ditë, si ditën më të tmerrshme të jetës sime, e cila shënoi edhe të ardhmen, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time. Atëherë isha vetëm 15 vjeç dhe kam qenë shumë e lidhur me babain tim. Nuk e besoja dot, ashtu si nuk e besoj dot edhe tani. Ka qenë një traumë shumë e madhe dhe faktikisht nuk kam qenë në shtëpi atë ditë. Pasi unë atë ditë duhej të nisesha për inaugurimin e kishës në zonën ku ne kemi qenë të internuar. Kam qenë bashkë me xhaxhain tim dhe vëllain dhe ngjarjen e kam marrë vesh në të hyrë të Lushnjes. Jam kthyer. Gjatë rrugës më thanë që kishte vdekur gjyshja ime. Kur kam qenë tek Fusha e Aviacionit, kam parë shumë makina që kishin bllokuar fushën dhe nuk më hapej rruga që të futesha drejt shtëpisë. Dhe në momentin që kam parë gjyshen gjallë, atëherë thashë që kur nuk është e vërtetë, atëherë pse janë mbledhur gjithë këta njerëz. Kur dëgjova klithmën e nënës që qante babain, atëherë më janë prerë gjunjët, kam rënë e gjunjëzuar dhe thosha se kjo nuk është e vërtetë. E vetmja gjë që kam thënë në atë moment është se “nuk ka Zot” dhe kjo është fraza që më ka shoqëruar dhe më ka ngelur peng gjatë gjithë jetës, sepse unë jam shumë besimtare. Dhe këtë e kam të trashëguar jo vetëm nga familja, por edhe nga babai im që ishte shumë besimtar dhe ishte njeri i drejtë, njeri që besonte tek drejtësia, njeri që besonte tek ndershmëria, dhe e vetmja trashëgimi, i vetmi amanet që më ka lënë babai, ishin fjalët që mua të paktën m’i përsëriste shpesh. Më thoshte: Unë nuk do t’ju lë pasuri, por do t’ju lë ndershmërinë, drejtësinë dhe dinjitetin që në të ardhmen këto të jenë virtytet që do t’ju shoqërojnë gjithmonë në jetën tuaj. Dhe kjo më ka shoqëruar gjithmonë, edhe sot që jam nënë me fëmijë. Humbja e tij padiskutim për mua, që e kam ndjerë jashtë mase shumë, aq sa sot atë ditë e kam para syve. Pas kësaj ngjarjeje, jeta jonë mori drejtime të tjera. Mua m’u desh që të përballesha me një realitet shumë të hidhur, një realitet që nuk besoja më tek drejtësia, sepse besoja se njerëzit e drejtë dhe njerëzit që punojnë me ndershmëri, nuk duhet t’u ndodhin këto gjëra. Por, realiteti është ky që është dhe gjërat sot janë ndryshe. Besoja se familja ime ka dhënë një kontribut shumë të madh. Mendoj se ishte e padrejtë që u mor një jetë e pafajshme, por unë besoj tek drejtësia, besoj tek ajo që ai besonte dhe ndoshta e vetmja paqe që do kemi unë dhe familja ime, është kur vrasësit të kenë dënim të merituar. Por, padiskutim është një humbje që unë do ta vuaj gjithmonë dhe që do më shoqërojë gjithë jetën, sepse babain tim nuk do ma kthejë më asgjë dhe askush në botë. Nuk jam absolutisht as unë, as familja ime për hakmarrje, por vetëm drejtësia e atij njeriu, kontributi që ai dha për institucionet shqiptare, vlerësimi i tij si njeriu i idealeve, duhet të shkojë deri në fund dhe këtë gjë e dëshiroj me shumë insistim. Për mua është një humbje shumë e madhe, sepse unë vitet më të bukura të jetës sime i kam përjetuar vetëm dhe do të kisha shumë dëshirë që këto vite t’i kaloja pranë babait tim, kam dashur që ia njeri të më udhëhiqte në jetë. Por, jeta padrejtësisht iu pre në atë moment kur unë nuk kisha dalë akoma në jetë, sepse kam qenë vetëm 15-16 vjeç.
Çfarë dini për autorët e vrasjes së babait tuaj dhe mendoni se janë ata vërtet apo fshihet dikush tjetër pas kësaj? Unë nuk dua të mendoj asgjë për sa kohë që flitet dhe përflitet dhe për sa kohë që askush për këtë ngjarje nuk e ka marrë dënimin dhe nuk e mban askush. Përderisa nuk ka dënim, atëherë nuk pretendoj që pas kësaj ngjarje fshihet apo nuk fshihet dikush tjetër. Unë jam e informuar, ashtu siç janë gjithë qytetarët e këtij vendi për vrasjen e tim eti, që vrasja është bërë nga organizata “Hakmarrje për drejtësi”, dhe kjo është ajo që di unë si gjithë njerëzit e tjerë. Dua ta ritheksoj se drejtësia e tim eti, ashtu siç ai besonte, mendoj se do të triumfojë një ditë. Ndoshta vonon, por një ditë do të dalë. Me humbjen e babait tim, nuk humbi vetëm familja ime, por humbën shumë edhe institucionet shqiptare.
A keni pasur mbështetjen e duhur nga shteti shqiptar për gjithë këto vite? Pjesërisht po. Por, babai im meritonte më shumë. Familja ime meriton më shumë, sepse është një familje që e la vetë historinë. Babai im e la vetë historinë, për aq pak sa jetoi kontribuoi në historinë e shtetit dhe institucioneve shqiptare. Shteti shqiptar duhet që të bënte më shumë dhe se çfarë konkretisht, shteti shqiptar e di shumë mirë këtë gjë. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë për familjen time, e cila është atje ku është dhe në ato pozita që është. Por, ajo që unë dua të di nga shteti shqiptar është se pse m’u vra babai?! Dhe unë uroj që një ditë autori i vrasjes të dalë para drejtësisë.
Çfarë mund të më thoni për periudhën që familja juaj ka kaluar në internim? Unë kam dalë nga internimi në moshën 11 vjeç. Unë kam lindur në internim dhe kemi ardhur në Tiranë në vitin 1990. Mbaj mend që në atë kënetë moçalesh, ishin internuar familjet më të mira shqiptare dhe ndër to ishte edhe familja ime. Mbaj mend që babai im ishte shumë i dhënë pas librave, ishte njeri shumë korrekt me sistemin e atëhershëm, edhe pse iu prenë shumë shpresa, ëndrra dhe ato që ai kishte dëshirë, sepse edhe shkollën sistemi i atëhershëm nuk ia la që ta vazhdonte. Babai im lexonte jashtë mase shumë libra, dhe e vetmja gjë është biblioteka, që është e vetmja pasuri e tij që nga koha e internimit, si dhe shënimet e tij nëpër libra, vuajtjet që ai tregonte. Dhe ndryshimi i sistemeve ishte dëshira më e madhe dhe babai im thoshte gjithmonë, që nuk duhet të humbasë shpresa, sepse shpresa është ajo që e mban njeriun gjallë. Por, fatkeqësisht, ai kontribuoi, por nuk e gëzoi dhe kjo është shumë e padrejtë që të ngelet peng kur mendon një jetë, një kalvar të gjatë vuajtjesh të familjes sime dhe iu mor jeta një njeriu në mënyrë të padrejtë dhe iu prenë në mes të gjitha investimet që mund të jepte më pas për shtetin shqiptar.
Pse mendoni se u vra babai juaj? Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme që unë dhe familja ime duam të dimë, sepse një njeri kaq i drejtë, një njeri që iu bindej ligjeve, një njeri që thoshte gjithmonë se ligji është si kisha dhe xhamia, dhe ai që punonte ditë dhe natë për shtetin shqiptar, një njeri që thoshte se unë jap edhe jetën, nëse duhet që ta jap për shtetin, një njeri shumë patriot dhe unë dua të di pse u godit babai im dhe cila ishte arsyeja që ai duhej të vdiste.
Çfarë mbani mend nga babai juaj? Tre ditë para vrasjes i mora një axhendë dhe unë i kisha shumë qejf gjërat e bukura. Dhe gjithmonë më pëlqente që të merrja stilolapsa apo axhenda dhe ia mora një të tillë pa lejen e tij. E mora dhe doja ta përdorja për në shkollë, ai ishte në pushimin e drekës dhe po flinte gjumë dhe kur nuk e pa axhendën tek tavolina e tij, më tha: Vilma, kush e mori axhendën?, dhe unë i tregova që e kisha marrë dhe më tha që nuk duhet t’i marrësh asnjëherë gjërat pa pyetur më parë dhe unë i thashë në rregull, nuk përsëritet më. Dhe atëherë më ka përqafuar shumë më ngrohtë se herët e tjera dhe më mbajti në krahët e tij sikur ta parandiente që do ishte përqafimi i fundit. Dhe fjala e fundit që më tha ishte: Duhet të mësosh, që të ecësh vetë në jetë që nesër, pasnesër të mos përdorin emrin tim për arritjet e tua, por të jesh dikushi në jetë me forcat e tua…
(Marrë nga Gazeta Shqiptare, 16 dhjetor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.