back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Shqipëria, kjo këpucë e shqyer, në këmbët e Edi Ramës – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Kepuca e Kryeministrit Shqiptar
Kepuca e Kryeministrit Shqiptar

Shqipëria, kjo këpucë e shqyer, në këmbët e Edi Ramës

nga Rezart Palluqi

Patjetër që bëri bujë nëpër rrjetet internetike dhe sociale këpuca e shqyer e Edi Ramës.
Në një vend ku korrupsioni është nënmesatar kjo këpucë do të bënte bujë humane. Një zhurmë që zakonisht të zgjon ndjenjën e njeriut që kënaqet me pak edhe kur në duar i kanë besuar timonin e një vendi të tërë. Mirëpo kjo bujë bëhet e kobshme kur korrupsioni është më i madh se sa vetë hapësira gjeografike e një vendi, si në rastin e Shqipërisë. Ajo ka kohë që është bërë shumë e vogël për gojën përbindëshore të politikanëve shqiptarë. Ndaj dhe ata ashtu si pushtuesit modernë që me zotësi shpërndajnë firmat e tyre në të gjithë tregjet e botës, edhe korrupsioni shqiptar po dominon gjithnjë e më shumë vendet fqinje, kryesisht Italinë. E ky korrupsion jo vetëm që është zmadhuar në dimensione të frikshme, por edhe po ekspozohet në mënyrën më barbare. Ata që përfitojnë prej korrupsionit tashmë nuk kanë frikë ta mbajnë atë të fshehur. Janë aq të pakontrollueshëm dhe të paprekshëm prej ligjit saqë në mes të ditës të thonë troç: Po, ne shesim drogë anembanë botës. Të prezantohen me emër dhe mbiemër para kamerave. Madje shkojnë deri aty saqë në rrugë rrugaçërie të thonë: “nuk ka bir kurve e pidh nëne që më prek mua!” Kulmi i kësaj arrogance arriti kur kryeministri aktual (nuk e meriton t’ia përmend emrin) ekspozoi para kamerave shollën e këpucëve të tij, pothuajse e gjitha e shqyer prej sipërfaqeve të ashpra prej betoni apo lagështisë!!
Edhe njeriu më analfabet e di fort mirë se Edi Rama zotëron para sa të blejë një milion palë këpucë lëkure të cilësisë më të lartë. Përse atëherë na prezantohet kryeministri ynë me këpucë të shqyera? Ata pak socialistë (nëse kanë mbetur ende të tillë) mund ta interpretojnë si një gjest thjeshtësie. Dikush tjetër se kryeministri ynë kursen naftën veturës personale dhe udhëton kilometra të tëra për të kryer takime me të gjithë ato institucione me të cilat ai bashkpunon për mbarëvajtjen dhe ndërtimin e mëtejshem të shtetit.
Personalisht unë e konsideroj këtë gjest, ashtu si gjestet e tij të mëparshme si shpalosje e pushtetit të një kryeministri mafioz. Të një mafiozi shumë primitiv. Sepse mafiozi modern punon nën dhè e nuk bie në sy. Këpuca e shqyer e kryeministrit, është Shqipëria ime. Është Shqipëria jonë e dashur, që copëtohet çdo ditë nën këmbët e këtij Tirani që në fakt peshojnë sa ç’peshon kollona e një qiellgërvishtësi. Pjesët që kjo këpucë ka humbur janë Kosova që ky njeri e shiti. Është një copë e detit Jon, që ky përbindësh e shiti publikisht te pala greke. Deformimi i shollës janë rrugët tona plot gropa ku ne ecim. Çdo vrimë sado e vogël në këtë këpucë janë vrima në portofolin tonë të vogël që grabitet çdo ditë prej tij, banditëve të tij dhe opozitës përreth tij. Krisjet në këtë këpucë, janë krisjet në zemrat tona të stërlodhura, tradhëtuara dhe keqtrajtuara.
Edhe tabani që duket paq në këtë këpucë nuk është veçse durimi dhe shpresa jonë e pothuajse plotësisht e humbur.
Kjo këpucë nuk është e tij por mund ta ketë blerë në ndonjë këpucari, pronë e ndonjë fukarai që është vërtitur i pashpresë vite të tëra nëpër rrugët e Shqipërisë.
Sidoqoftë Edi Rama, e njeh mirë simbolikën e këtij veprimi skrupuloz. Ai duket sikur na thotë. Ja, Shqipëria juaj. Bëj ç’të dua me të. E trajtoj këtë këpucë si të dua unë. I bëj nënën, i bëj njëmijenjë të zezat. E ju nuk keni se ç’të më bëni.
Si për ironi të fatit opozitari ynë i lavdishëm i bën karshi kësaj këpuce duke e fotografuar atë me një të zgërdhirë prej palaçoje të pandreqshëm. Po aq sarkastike janë edhe zgërdhjeshjet euro-translantike që nuk do të na marrin si popull kurrë seriozisht për aq sa kohë ne do të sjellim në pushtet udhëheqës të egër barbarë e për aq sa kohë ne nuk do gjejmë forcën t’i ndëshkojmë ata në rrugë ligjore….
Amsterdam, 30 janar 2021
Rezart Palluqi
Rezart Palluqi
P.S – O, kryeministri im i skamur, o kryeministri im i keqtrajtuar.
Fati e desh që përkrah të të qenit intelektual të bëhem edhe tregëtar. Madje, fati me buzëqeshi dyfish. Ose do të thosha që fati ty të buzëqeshi dyfish, sepse përkrah këtij shkrimi unë mund të të gjendem ty edhe me këpucë moderne me lëkurë tejet të butë për këmbet e tua. O njeri, çfarë fati për ty dhe mua? Po, po! Unë tregëtoj këpucë këndej nga atdheu i tulipanëve dhe miqve të tu të mrekullueshëm, të miellit të bardhë e që e gatuajnë këndej me kërpudha dhe fara tulipani. Naiviteti im prej intelektuali të pastër më bën që të besoj tani se ju nuk keni para të majftueshme për të blerë këpucë të denja për këmbët tua madhështore. Në djall shkoftë shkrimi me sipër.
Të lutem, merr frymë thellë tani. E bërë? E hoqe zemërimin që të shkaktoi ai? Po, the? Në rregull! Po marr një helikopter nesër në mëngjes drejt Surrelit. Mbaje portën e hekurt hapur që të fluturoj pa problem drejt e në kopështin gjigand të shtëpisë tënde. Po marr me vete kuti plot me këpucë. Së pari dua të të mas këmbët me metër. Më pas do të harxhoj orë të tëra duke të veshur mbi njëzet lloje këpucësh derisa të gjejmë këpucën më besnike të Hirushit: të butë dhe higjenike për dhjetë gishtat dhe dy putrat, qafën, kërcirin e këmbëve tua.
I nderuari kryeministër. Me lejoni që t’ju prezantohem tani jo si një njeri i një mendjeje të thellë dhe të pandikuar prej shpirtvogëlsisë apo dritëshkurtësisë, por si “shkencëtar” këpucësh. E di o i vyeri kryeministri im, që mbart mbi shpinën e shpirtit tënd hallet e 6 milion shiptarëve, e di që kohën e ke të zënë, por të lutem bëj pakëz durim. Dua të të ndërgjegjsoj se sa e rëndësishme është një këpucë e mirë për shëndetin tuaj. E shëndeti tuaj duhet marrë seriozisht, sepse ashtu sigurohet apo mbrohet edhe shëndeti i 6 milion shqiptarëve që ty, dritën e syrit tënd e kanë më të shtrenjtë se sa drita e diellit. E si mbrohet kjo dritë syri më mirë? Si mbrohet thashë? Gjithçka fillon nga këpuca e duhur. Ajo duhet të marrë frymë, pra të jetë prej lëkurë. Sholla e brendshme duhet të jetë jo vetëm prej lëkure të butë, por edhe të jetë prerë sipas formës së brendëshme të këmbës tuaj. Qafa e këpucës duhet të jetë po aq e lartë sa qafa e këmbës. Sholla e poshtëme jo vetëm që duhet të jetë e fortë, por edhe e trashë dhe qepur me fije peri. Këpuca e përshtashme do të ndihmojë o lartmadhëria jonë që tensioni yt të jetë i qëndrueshëm. Shtylla jote kurrizore atëhere nuk do të deformohet. O zot, mos ndodhte kurrë kjo, sepse atëhere ne nuk do të mundemi më që të të shohim ty drejt e në sy. O Perëndi, na e kurse këtë fatkeqësi të madhe. Një këpucë e mirë ka sisteme pritëse ashtu si sustat e veturës. Kur ajo rrëshqet në një gropë sustat e zbusin shkundjen, po kështu edhe këpucët e mira do të minimizojnë peshën e trupit tënd selvi e kështu këmbët e tua të shenjta nuk do të rënkojnë, as lëndohen apo shtrëmbërohen. Nuk po hyj këtu në detaje se një burrë me gishta të shtembëruar ia shkreh gruas në shtrat.
Erdhe o kryeministri im. Erdha! Më prit nesër të lutem. O shqiptarë, o vëllezërit e mi shpresëhumbur. Duroni edhe pak. Shumë pak. E shumta 2-3 muaj. Sepse i shtrenjti kryeministri ynë do të na dojë e kuptojë plotësisht prej çastit që ai do të ecë në rrugë me këpucët me të mira për këmbët e tij. O atdhetarë! Kam ndërmend që kryeministrit t’i dhuroj 7 palë këpucë të rehatshme dhe luksoze me qëllim që çdo ditë të javës të mbathë një palë këpucë të hajrit që atë do ta bëjnë shumë më human dhe fin se sa ç’është tani.
Amin!
Rezart Palluqi, Amsterdam, 30 janar 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.