back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Shqipëria e zgjidhi biologjikisht përballjen me diktaturën nga Lindita Arapi

Gazeta

Lindita Arapi
Lindita Arapi

Shqipëria e zgjidhi biologjikisht përballjen me diktaturën

nga Lindita Arapi

Hapja e dosjeve në Shqipëri – gënjeshtër 26 vjeҫare:
Vërtet parlamenti miratoi emrat e anëtarëve
të autoritetit për hapjen e dosjeve,
por vullneti për të parë në sy të vërtetën
mungon në Shqipëri, -mendon Lindita Arapi.
 
Ishte dhjetori i vitit 1990, ditë demonstratash të studentëve, ditë të lindjes së pluralizmit politik, ajri vibronte nga thirrjet e shpresës të një populli të rraskapitur nga diktatura asfiksuese. Unë, studente e vitit të parë, e vonuar për shkak të refuzimit të së drejtës të studimit për probleme biografie duhej të brohorisja, të mirëprisja kohët e reja, barrierat e biografisë po rrëzoheshin. Por veҫ ca shkëndijave gëzimi që ndizeshin e shuheshin ditë për ditë, asnjë brohorimë nuk më dilte.
Përpiqesha të rrokja më thellë kuptimin e fjalëve të reja që brohoriteshin pa pushim: “Liri, Demokraci!” Deri më atëherë ua dinim kuptimin, vetëm sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ku fjala demokraci p.sh. shpjegohej si: “Demokraci socialiste, tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, (me që ra fjala ende në vitin 2016, fjalori i gjuhës shqipe – online ka këtë shpjegim për demokracinë).
.
Diktatura
Diktatura Njishit

Kthesa

Pyesja veten, nëse ishte kaq shpejt e uzurpueshme demokracia, nëse u shndërroke në demokrat brenda natës, mjafton të ngrije dy gishtat lart e të brohorisje “liri – demokraci”, siҫ bënin ata që vetëm pak javë më parë i kishin shërbyer me besnikëri diktaturës, nëse me mantelin e demokracisë e mbuloke të vërtetën e së shkuarës tënde, – atëherë ose unë jam një nihiliste e padurueshme me këto dyshimet e mia, ose në gjithë këtë transformim kolosal të vendit tim diҫka nuk shkon…
Vite më vonë e kuptova pse nuk më entuziazmoi dot aq sa e kisha shpresuar viti i kthesës, 1990. Që kjo kthesë duhej të merrej, ishte kuptuar nga nomenklatura komuniste, nuk mbetej rrugë tjetër, por ajo me sa dukej duhej të bëhej pa dëmtuar ose shkatërruar privilegjet e atyre lart. Pavarësisht nëse ka ekzistuar apo jo fjalimi i shumë përfolur në media i Ramiz Alisë për strategjinë e Katovicës, e ndryshimin e pushtetit me “njerëz të zgjedhur nga ne”, në realitet ndërrimi i sistemit në Shqipëri u bë nga elitat e vjetra komuniste, të rinjtë me energji e koncept të ri kishin vetëm rol episodik. “Shqipëria nuk pati ndërrim elitash, por vetëm ndërrim të pllakës së elitave në politikë, në gjyqësor, në administratë, në jetën shkencore, të cilat amnistuan vetveten, me justifikimin, se në diktaturë “kishin bërë vetëm detyrën..”
.

Drejtësia dhe shteti i së drejtës

Fjalia lapidare e aktivistes gjermano-lindore për të drejtat e njeriut, Bärbel Bohley se “Ne kërkonim drejtësi, por morëm shtetin e së drejtës”, është mjaft domethënëse në kontekstin shqiptar: Vërtet drejtësia duhej të vihej në vend brenda shtetit të së drejtës, ajo nuk duhej të ishte një drejtësi hakmarrëse. Por kur mijëra të burgosur politikë në proceset gjyqësore nuk e thërritën dot për ndihmë shtetin e së drejtës, e për ata u përdor “shpata e diktaturës së proletariatit që qëndronte gjithmonë e mprehur”, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, kur u arrestua, kërkoi me arrogancë menjëherë në dhomën e hetimit avokatin mbrojtës. Shtetin e së drejtës e moshkeljen e të drejtave të personalitetit e zbuluan shpejt dhe e përdorën si mburojë elitat e diktaturës. Viktimat e diktaturës jo.
Kush fliste për të shkuarën komuniste, ishte një i djeshëm i pandreqshëm, sepse fryma e kohës nuk ishte katarsisi, por fshehja. Një imperativ tjetër i preokuponte elitat e dikurshme: ruajtja e favoreve të pushtetit, të stërviturut dinin të nuhasnin burimin nga rridhnin favoret e një pushteti të ri. Në diskursin shkencor për studimin e diktaturës në ish-vendet komuniste ka një koncept që njihet si “avantazhi i startimit”. Ata që ishin brenda korridoreve të pushtetit e kishin avantazhin jo vetëm për t’i bërë vend vetes në epokën e re, e nuk ishte fjala për të gjetur për fëmijët e tyre bursa jashtë shtetit, por për të qenë dora drejtuese që do të formësonte ndërrimin e sistemit në Shqipëri. Ishin ato që bënë edhe disa ligje lustracioni, me gjysmëzemre, të lëna në mes të rrugës në dy dekada, më shumë për t’u renditur në “detyrat e kryera të shtëpisë” që kërkonte Europa, por hapi final – hapja e dosjeve gjithmonë shtyhej.
.
Apoetoza e Diktatures - projekt nga Lek Pervizi
Apoetoza e Diktatures – projekt nga Lek Pervizi

Loja politike

26 vjet rresht ishte më e lehtë të hidheshin rregullisht shashka tymuese për hapjen e tyre, derisa opinioni të lodhej, në rast nevoje mund të akuzoje kundërshtarët politikë për dështimin e mos-hapjes së tyre, se sa të mbaje përgjegjësi. Pasoja: Teatri absurd i parlamentit shqiptar, ku deputetët thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën e spiunit dhe një lojë e pashembullt politike, e pakrahasueshme me asnjë nga vendet ish-komuniste të Lindjes.
Shqipëria nuk pati aktivistë të pjekur të lëvizjes qytetare si në RDGJ, të cilët bllokuan Zyrat e Stasit në janar 1990, e qëndruan aty, derisa u mor një vendim i posaҫëm. Shqipëria e viteve 90-të të këpuste shpirtin nga varfëria, ajo ishte në ethe për të blerë një makinë, për të blerë televizor me ngjyra, për të ndërtuar një shtëpi, për të pasur rroba të jashtme, për të paguar një vizë jashtë shtetit. Shqipëria që thërriste për hapjen e dosjeve, që kërkonte drejtësi për ata qindra mijëra viktima të diktaturës kishte zë të dobët, të papërfaqësuar me ndershmëri nga politika.
Në fillimet e demokracisë presidenti i atëherëshm, Sali Berisha i thotë revistës gjermane “Der Spiegel” se hapja e dosjeve do të thoshte prishje e familjeve shqiptare, sepse ka pasur raste që gruaja ka spiunuar burrin, vëllai vëllanë. U qanin hallin divorceve pushtetarët e rinj apo divorcit me veten? Ndërsa vite më vonë politikanë apo ish-drejtues të institucioneve të ndryshme e zhvlerësonin hapjen e tyre duke deklaruar, se shumica e dosjeve janë shkatërruar, ato ose gjenden të mykura nëpër thasë të arkivave, ose mund të jenë manipuluar. Konkluzioni: Epo mirë, meqënëse qenkan prishur, ta lëmë, nuk ia vlen t’i hapim, tani duhet të shohim përpara.
“Mos gërmo në të shkuarën se do të humbasësh një sy, harroje të shkuarën e do t’i humbasësh të dy sytë”, shkroi Alexander Solzenizyn në “Arkipelagun Gulag”. Politika shqiptare i humbi 26 vjet rresht, me dëshirë të dy sytë për këtë ҫështje, vetëm për të shpëtuar nga përballja me të vërtetën. Dosjet janë dështimi më i hidhur i tranzicionit shqiptar, këtë e ka regjistruar që sot historia.
26 vite pas diktaturës më në fund ka një autoritet për hapjen e dosjeve, edhe emrat e anëtarëve u miratuan nga parlamenti. I bëri kujt përshtypje ky lajm? Unë vetë, njësoj si në vitin 1990, nuk ndjeva ndonjë gëzim, as edhe një buzëqeshje të hidhur nuk ta nxjerr dot një lajm i tillë. Krijimi i autoritetit sigurisht nuk do të thotë se ato do të hapen shpejt, loja politike vazhdon. Me shpresën e disave, se deri sa të hapen ato, kanë ndërruar jetë shumë nga ata “të bezdisurit” që duan të dinë patjetër të vërtetën. Llogaria e elitave të vjetra për ta zgjidhur biologjikisht përballjen e Shqipërisë me të shkuarën komuniste ka dalë. Mos duan t’i urojmë tani edhe për suksesin?
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.