Sensi i Historisë nga Dr. Lazër Radi

0
16
Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

 

Lazer Radi 1916-1998
Lazer Radi 1916-1998

Sensi i Historisë (1993)*

nga Dr. Lazër  Radi

Bota, jeta, realiteti në zhvillim të vazhdueshëm e të pandërpremë: kjo asht historia, ky asht sensi i saj.
Shumë diktatorë janë përpjekë  me e ndalë rrjedhën e historisë duke pretendue se çdo gja zinte fill nga jeta e tyne, nga vepra e tyne, nga fjala e tyne, e cila, në ma t’shumtën e rasteve ishte e mbrapshtë. Historia nuk lejon as mashtrime, as fsheje faktesh e as përçudnime ngjarjesh. Historia asht mësuese e jetës dhe për me qenë e tillë ajo duhet të synojë absolutisht të vërtetën, duke qenë e paanshme dhe krejtsisht objektive. Nji histori e plotë paraqet tansinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive ma të randsishme të lidhuna ndërmjet vedit, të mira a të këqia qofshin, pozitive a negative, duke e paraqitë të kaluemen e nji populli apo të nji kombi në imazhin e saj sa ma të vërtetë.
Për fat të keq historia e këtyne 50 vjetëve të fundit, u shtrembnue, u fallsifikue; u lanë në heshtje ngjarje e fakte të randsishme, u lanë në hije ose u zhdukën personazhe që kanë luejtë nji rol të randsishëm në jetën e Kombit tonë, u hodh baltë mbi traditat tona ma të bukura, duke ngritë kështu nji mur ndamës, nji mur të madh kinez midis përpjekjeve fisnike e patriotike të mbasrilindasve tanë nacionalistë dhe internacionalistave stalinianë e sllavo-serbë, të cilët nën maskën e çlirimit kombtar krijuen vllavrasjen dhe përçamjen kombtare ma të madhe në histori, pasojat e së cilës po i vuejmë sot dhe ka mundsi me i vuejtë edhe për kushedi sa kohë të tjera.

Diktatura
Diktatura

***

Le të analizojmë nji kohë fare të shkurtë, nji periudhë dyvjeçare, at  që stalinistët shqiptarë e quejnë periudhën e tyne ma të lavdishme e që n’fakt asht ajo që determinoi pushtimin e Shqipnisë nga serb-sllavizmi nën maskën mashtruese të komunizmit dhe të internacionalizmit proletar. Kjo periudhë shkon prej 8 nëntorit 1941 – formimi i partisë komuniste shqiptare – deri më 29 nëntor 1944 – festa kombtare e çlirimit të Jugosllavisë, pra edhe e jona: “Dita e çlirimit të Shqipnisë!” Ishin vitet e fundit të luftës së Dytë Botërore kur vendi ynë – në kundërshtim flagrant me vullnetin dhe me prirjen e vet – kaloi në orbitën e sundimit komunist serb. Populli shqiptar, në përgjithësi, e ndjente kët rrezik, them realisht: ma tepër e ndjente se e shihte. Pa marrë parasysh mashtrimet, gënjeshtrat e “lugës së artë”, mbrojtjen e vegjëlisë dhe të varfërve, të sundimit gjoja të klasës punëtore e sa e sa gjepurave të tjera, populli shqiptar e ndjente qartë se herët a vonë do të konfrontohesh me format kolektiviste dhe pseudonacionaliste të stalinizmit: me konservatorizmin, me natyrën individuale e me shpirtin nacionalist të shqiptarit. Pra, me qëllimet ma djallzore e mashtruese prej komunistave. Nji konflikt po sorollatej edhe pse nuk ishte i perceptueshëm, në fakt ishte sa real aq edhe kërcënues. Ishte nji rrezik si ato dallgët e thellësive oqeanike që arrinin gjer në dhjetra metra naltësi, por që nuk shihen në sipërfaqe.
E tillë ishte kjo periudhë!
Do t’ishte krim kombtar sikur forcat nacionaliste të mos ndërhynin në kët operacion nopran komunist, po të qëndronin sehirxhinj. Indiferentizmi jo veç që do t’ishte i pafalshëm, por mund të merrte nji cilësim tejet negativ si para historisë, ashtu edhe para brezave të ardhshëm të Shqipnisë.

***

Pra mashtrimi i madh nisi më 8 nëntor 1941!
Mbledhja “e shqetësueme” zgjati 5 ditë. Pjestarët e përfaqësimit të komunizmit shqiptar ishin nda në dy grupe: luftonte e keqja komuniste me të mirën komuniste. Me të keqen komuniste ishin Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha. Të tjerët ishin kundra. Kjo bani që ma vonë ata të dënohen si antimarksistë dhe antikombtarë. Triumfatorët e asaj mbledhje historike kërkonin të rritej dhe të forcohej dashuria e bashkëpunimi luftarak me popujt serbë, grekë e malazes.
Më 16 shtator 1942, u krijua nji intrigë, e cila do të kalojë në histori si kurthi i parë i madh i mashtrimit kombëtar. Në Konferencën e Pezës, u ftue edhe Abaz Kupi dhe nacionalistë të tjerë, të pastër e të ndershëm e të padjallëzuem e me qëllime të mira e të shejta për çlirim kombëtar. Partia Komuniste, mendonte t’i shfrytëzonte këto rrethana dhe e shpalli konferencën si nji tubim me karakter mbarëkombëtar. I mbetun në kurthin e këtij mashtrimi, populli i shtoi rradhët e luftëtarëve të lirisë. Përfaqësuesit nacionalistë aty ishin vetëm si figura, ndërkohë që komunistët banin ligjin. Në Shqipëri nisi gjithçka të bahej e mbrapsht, gjithçka po manipulohej mjeshtrisht nga komunitët dhë miqtë e tyne sllavë….
Forcat antikomuniste shqiptare mbetën në minorancë! Duhej veprue. Aty nga fundi i vitit 1942, Balli Kombtar ngriti organizatën e vet. Në gjirin e saj banin pjesë forcat ma të shëndosha nacionaliste të Shqipërisë. Balli vendosi sinqerisht të bashkëpunonte me komunistët. Takimi i parë mes tyne u ba në Tapias, me 26 gusht 1943, kurse mbledhja e dytë pak ditë ma vonë në Mukje të Krujës. Të dyja delegacionet arritën në konsensus të plotë qoftë për tokat etnike shqiptare, qoftë për çlirimin e Shqipërisë duke krijue: “Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë”. Sikur komunistët shqiptarë ta kishin pranue këtë sens të historisë, fatet e Kombit tonë sot do të ishin krejt ndryshe. Mirëpo organizatorët komunistë dhe padronët e tyne sllavë, së bashku me kllounin e tyne, Enver Hoxhën, mbasi e firmosën, e kundërshtuen kët vendim dhe e shpallën kët vendim tradhëtar, duke i hapë luftë të pamëshirshme Ballin Kombëtar dhe çdo grupimi tjetër nacionalist në Shqipëri.

Kështu shqiptari nisi të vriste shqiptarin: dhe këto vrasje po baheshin për llogari të serbo-sllavizmit. Do të qanin nanat shqiptare, e toka do të mbushej me kufoma atdhetarësh.

Pushkatime...
Pushkatime…

***

Mora në shqyrtim të shkurtën vetëm dy çaste vendimtare, ku u përcaktue vllavrasja, aty ku u nda “shapi nga sheqeri”, d.m.th. Pezën dhe Mukjen. Kështu lufta çlirimtare u ngarkue historikisht me “hijet e luftës civile”. Ishin pikërisht kjo kohë kur Shqipnia u shkëput nga tradita perëndimore dhe stalinizmi shqiptar e drejtoi timonin e politikës kah lindja. Prej këtij çasti u futëm “kokë e kambë” në harkun politik e kulturor të Jugosllavisë, të Rusisë Sovjetike dhe Kinës.
Këtu fillon tragjedia e nji populli dhe e nji kombi!
Nëse do të ishim përpjekë me hy në orbitën e perëndimit, Shqipëria s’do të kish ndërpremje por vazhdimësi dhe ecje përpara dhe jo siç ndodhi që ndali në vend, bile pati edhe kthim mbrapa për disa shekuj. Ka plotësisht të drejtë Prof. Arshi Pipa kur thotë: “Shqipëria gjeografikisht asht e vendosun në bregun e Adriatikut, prandaj edhe kultura shqiptare duhet të synojë kontekstet europiane”.
Jetojmë sot nji periudhë të vështirë qoftë ekonomike, qoftë kulturore. Na duket sikur jeni ne nji shestim të brendshëm të tokës mbas nji tërmeti të fuqishëm. Unë besoj se do ta kalojmë edhe kët të keqe kombtare. Besoj në vitalitetin e popullit tonë e sidomos te rinia shqiptare: “Ju do ta gjeni at rrugë të mbarë dhe do t’i prini popullit drejt begatisë dhe përparimit… Vetëm Ju!”
Sa herë mundohem t’i largohem politikës, por s’mundem t’u shpëtoj hijeve dhe tentakulave të saj. Me politikë s’duhet të merren në asnjë mënyrë ata që janë angazhuem me punue me tekstet e historisë. Ata duhet të frymëzohen vetëm nga e vërteta, nga e ndershmja, nga profesionalizmi i vërtetë dhe nga thellimi në studimet, në mënyrë që në veprat e tyne të mos lanë asnji lloj politizimi. Me objektivitetin ma të madh duhet t’ia nisin punës aty ku e ka ndërprerë stalinizmi. Historia e sotme asht përplot me deformime, përplot me të pavërteta e fallsifikime të turpshme. Shumë ferra e barna të këqia po na nëpërkamben drejt së vërtetës! Duhen pastrue sa ma parë ato që të kemi nji histori sa ma afër së vërtetës, e kulluet si krojet e bjeshkëve tona. Nuk asht as e vështirë dhe as e pamundun që të kthehemi te historia e vërtetë, te nji histori e painfektueme nga dogmat ideollogjitë dhe gënjeshtrat.
Duhen shfrytëzue gjithë format e mundshme për me iu afrue sa ma pranë së vërtetës. Historian i vërtetë asht ai që e pranon të vërtetën edhe kur jo asht e hidhun. Nga historiani kërkohet domosdoshmërisht të mos jetë politikan. Politika për vet qëllimin dhe profesionin e vet e ka për detyrë të luej me të vërtetën: politikani në punën e tij udhëhiqet nga taktika, strategjia dhe interesi i grupit që përfaqëson. Nji njeri i tillë s’mundet me e shkrue kurrë historinë e mirëfilltë, nji histori pa tendenciozitet!

(*Ky shkrim u shkrue dhe u botue ne vitin 1993)

Related Images:

Artikulli paraprakPoet i internuar, me shpirt prej loti… Kozeta Zylo (Dielli)
Artikulli tjetërMbivetëdia poetike Ilir Seci 09 Prill 2012 (standart)
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.