
Sektori i pikturës
nga Lekë Pervizi
Marrë nga Libri “Tri stinë të jetës” i Lekë Pervizit
Në atë kohë, në sektorin e ndërtimit të fermës, kishte ardhë si drejtor inxhinjeri Hysen Sinoimeri. I përfshirë nga vala e burokracisë, ku nga kryeqyteti i largonin specialistët në rrethe. Ai ishte i nivelit intelektual, sigurisht brenda kritereve të sistemit komunist. Të dilje jashtë tyre hyje në kategorinë e të dyshuemve, me pasoja deri edhe tragjike. Ai karakterizohej nga një cilësi e veçantë për të hapur pune e për inovacione, sigurisht mbasi u njoh edhe me ne, me mua dhe me Lazër Radin, që ishim punëtorë të sektorit të tij dhe punonim si dizenjatorë e piktorë për propagandën e punës së fermës, siç quhej në atë kohë, emulacioni socialist.
Në fakt, nuk ka pasur një vend pune të caktuar, saqë shumë punë për plakatet e parullat, për raste të ndryshme, i bënim në sallën e mbledhjeve të Drejtorisë, por na caktonin edhe me punë të tjeram, si marangozë apo edhe mekanikë. Me punët e mia në oficinë në bashkëpunim me inxhinjer Ali Butkën, ai e kishte marrë vesh se unë arrija të zgjidhja edhe probleme që hynin në atë që quhej shpikje dhe racionalizime, për të cilat i kam përshkruar më sipër.
Në këto rrethana, ai sa vinte e na njihte më mirë dhe na çmonte më shumë. Në atë kohë, Ferma kishte marrë përsipër të realizonte një pjesë teatrale, nga lufta partizane, me bunkerë e llogore e të tjera objekte, ku unë edhe Lazri duhej të punonim me skenat. Po ku? Në sallën e Drejtorisë, sepse aktorët duhet të bënin prova me lëvizjet e tyre sipas dekorit të skenës. Duke qenë se shfaqja do të jepej në kinoteatrin e Lushnjës, për t’ju përgjigjur më madhësisë së skenës ishte zanë e gjithë salla. Inxhinier Sinoimeri jo për atë punë, por erdhi për një problem të tijin dhe hyri drejt e në sallë dhe mbeti shtangë. “Po kët skenë se bën dot as Teatri i Tiranës, po ç’do të thotë kjo të zësh sallën e drejtorisë?! Pse? A s’ka vend tjetër?”
Ne ngritëm supet. Ndryshe ajo skenë nuk mund të bëhej.
Shfaqja u dha dhe korri sukses. Edhe skenat tona lanë përshtypje të mirë. Kur s’vonoi dhe veç kur na erdhi aty në Pluk, u mbështet mbas një ndërtese, që ishte vendi i lirë e shtroi me çimento, dhe të rrethuem me disa kolona dy metroshe, ku i çoi ustallarët që ndërtuan me llamarina të nxjerrja nga çarja e fuqive të naftës. U ngrit një barakë e madhe e mbuluar me panela katramaje, dhe na thirri: “Ja ku e keni, sektorin e pikturës e mos të kemi më llafe!” Ai me Lazrin kishte mjaft muhabet. Se ia njihte kushërinjtë dhe nipat në Tiranë që punonin në aktivitete të ndryshme kulturore si këngëtarë, artistë filmash, spikera lajmesh në televizion.
-Shiko Lazër, se kam aspak të vështirë të ndërtoja një objekt shumë të përshtatshëm për ju. Por, do të merrej si privilegj që ju bahet juve. Prandaj e bëra këtë barrakë shkatërraqe me copa llamarinash e përshtatshme për ju si të internuar, të cilësuar si armiq të popullit e të partisë.

Kështu, Hysen Sinoimeri e zgjidhi dhe problemin dhe sektorin e pikturës u njoh si vend pune edhe ne tashmë si punëtorë e efektivë. Meqë të ardhurat që vinin nga bujqësia si Ferma më e madhe në shkallë republike, në këto kushte unë arrita t’i jap nji ndihmë dhe t’i ofroj zgjidhjen e nji problemi inxhinjer Hysen Sinoimerit që po orvatej të gjente mënyrën për të prodhuar një rrjetë teli rrethues, e cila importohej nga jashtë. Mua më kishte rastisë ta njoh kët teknikë kur isha në shkollë, në Romë. Shkolla jonë po merrej me ndarjen e fushave sportive me rrjetë teli. Unë i kisha pa specialistët se si çmontonin dhe montonin rrjetën pa përdorur vegla prerëse. Një ditë kur e pashë inxhinjer Sinoimerin që po lodhej me një usta se si mund të ndërtohej ajo rrjetë, i thashë se mund t’ia bëja unë një metër rrjetë të punuar e të montueme, dhe praktikisht t’i tregoja se si bëhej. Atëhere ai më urdhëroi të merresha vetëm me mekanizimin e kësaj pune, me një tornitor që u caktua për këtë punë. Arritëm ta ndërtojmë atë aparat si tub që punonte përmes një manovele që e nxirrte telin në formën që kërkohej. Ai krijoi dy reparte për këtë punë. Ku në njërin punonin gjashtë gra e në tjetrin gjashtë punëtorë të tjerë. Kështu u zgjidh çështja e rrjetës rrethuese, i njëjtë me atë të importit. Kjo bëri që atë aparat ta merrnin edhe oficina të tjera dhe importi i rrjetës u pezullua. Një ditë, duke bërë shaka inxhinjeri më tha se: “Ne jemi në gjendje që ta rrethojmë gjithë Shqipërinë me rrjetën e telit që prodhojmë në Pluk të Lushnjës.” Me këtë “shpikje” unë e mbylla punën time me çështjet mekanike. Dhe sigurisht për këtë ndikoi edhe largimi i inxhinjer Ali Butkës që më mbante të angazhuem për shpikjet e tija ekstravagante.
Krijimi i sektorit të pikturës edhe pse në një barrakë shkatërraqe, na mundësonte tashti mua dhe Lazrit të përqendroheshim në punët figurative. Por ndodhi, që Lazrin pak vite më vonë e përfshiju heqja nga puna e specialistëve të internum që u kaluan në bujqësi. Unë isha i vetmi që i shpëtova kësaj vale spastrimesh, mbasi punën time si piktor dhe si modifikues makinash s’e merrte përsipër askush. Kurse mue mbas do kohësh kur m’i shtuan edhe pesë vjet internim, më çuan edhe mua në punët e bujqësisë, por u detyruan të më marrin prap, mbasi punët që unë kisha nisur s’i prekte askush me dorë. Makina e sekretarit të parë të Partisë së Lushnjës mbeti për mëse një muej e bllokueme e nuk i dilte askush për zot ta modifikonte.
Por le të kthehemi te tregimi, për të respektuar kronologjinë e jetës dhe të aktiviteteve të mia që lidheshin edhe me situatat e ndryshme që krijoheshin në Shqipëri.
Marrë nga Libri “Tri stinë të jetës” i Lekë Pervizit (faqe 233-235)