back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

Saga e familjes kryesore të Shqipërisë nga Agron Gjekmarkaj

Gazeta

Kulla e Markagjonëve në Mirditë e rrafshuar në vitin 1945 nga komunistët
Kulla e Markagjonëve në Mirditë e rrafshuar në vitin 1945 nga komunistët

Saga e familjes kryesore të Shqipërisë

nga Agron Gjekmarkaj

As historia e as legjendat nuk lindin kurrë rastësisht. E pamundur do të ishte që ato të bashkohen rreth një subjekti, nëse ai nuk do të ishte i denjë për to. Te familja Gjonmarkaj, ku mbaron historia, fillon legjenda e sapo mjegulla e kësaj të fundit davaritet shfaqet fakti, personazhi dhe bëma.
Duhet të kesh këllqe të forta të matesh, t’i ndikosh, të bëhesh subjekt i tyre, t’i dominosh apo edhe t’i tejkalosh përtej pritshmërive, sepse ato nëse nuk të gjykojnë të denjë për to, të lëshojnë dorë dhe harresa e detraktimi të zënë shpejt.

Autori Agron Gjekmarkaj
Autori Agron Gjekmarkaj

Me Gjonmarkajt kështu nuk ndodhi dhe ata lanë pas modelin, i cili mbetet veçse të admirohet në pamundësi për t’u ndjekur. Ata, domethënë, Gjon Marku, Lleshi i Zi, Bibë Doda, Preng Bibë Doda, Gjon Markagjoni, Mark e Llesh Gjonmarkaj, etj. Vërtet nuk janë më në Orosh, në kullat e tyre shekullore të djegura nga “opinga”, por janë kudo e kurdo në historinë e Shqipërisë, sipas ligjësish universale sanksionuar që nga Herodoti e këndej.

Lekë Dukagjini - Prej të cilit nis Origjina e Markagjonëve
Lekë Dukagjini – Prej të cilit nis Origjina e Markagjonëve

Pak ditë më parë u përcoll në banesën e fundit Dedë Gjonmarkaj, pinjolli i fundit i kapedanit Gjon Markagjoni dhe kjo ngjarje u bë shkas për këtë reflektim, i cili nuk synon të zgjidhë çështjen nëse Gjonmarkajt janë pasardhës të Dukagjinëve apo të ardhur nga Peja në Orosh të Mirditës për t’u bërë prijës të një krahine të madhe në agun e kohës së re, as të ankohet për fatin e 147 burrave, grave e fëmijëve të burgosur, internuar, të varur e të pushkatuar nga komunizmi, sepse është simbolika ajo e cila më intereson më tepër.
Deda, historia e të cilit e konsumoi të gjithë fatin e kësaj dinastie që mbiemrin e kishte më të rëndësishëm se jetën, siç do të shprehej njëri prej tyre në Burgun e Burrelit, nuk do të nderohej po të shkëputej veç.

Bibë Doda (1820-1868)
Bibë Doda (1820-1868)

Qysh kur mesjeta jonë ngre siparin e lavdisë së Kastriotit duke shënuar ndryshimin e gjendjes nga qëndresë në nënshtrim të dhimbshëm dhe otomanizmi, mbështjellë si çallmë për pesë shekuj, rri mbi kokat e shqiptarëve duke u kërcënuar identitetin, ndaluar gjuhën, ndërruar fenë e shumëçka tjetër. Vetëm një zonë, një komunitet dhe një familje më shumë se kushdo tjetër e ndalin kohën në kapërcyellin e shuarjes së fisnikëve arbër. Mirdita, mirditorët dhe familja Gjonmarkaj, një trini sa religjioze aq edhe pagane, a diçka mes të dyjave e bënë këtë.

Prenk Bib Doda (1860-1919)
Prenk Bib Doda (1860-1919)

Aty Arbëria mbeti e rrudhur, strukur mes malesh, arbrit mbetën arbër, princërit mbetën princër, abacitë abaci. Jetë të vështirë patën në shumëçka paguan çmim, por a nuk është konservatorizmi dhe jo nomadizmi doktrina e identitetit klasik europian!? Krahu françeskan i Rilindjes kombtare nuk duhej të shkonte larg, aty gjeti lëndën e parë për të lidhur fillin e këputur, “lekët” si masë popullore dhe prijësin “Preng Bib Dodën prej Mirdite që shkëlqen porsi hyll drite” e atyre me po aq zell u bashkohej edhe beu mendjehollë i Konicës, Faiku, në faqet e “Albania”-s, i cili vlerësimet nuk i lëshonte kot së koti, i dukeshin shqiptarë të vërtetë e nuk e luante topi kur ai shquhej në bërje listash patriotizmi e shqiptarie.

Kapidan Marka Gjoni (1861-1925)
Kapidan Marka Gjoni (1861-1925)

Po ashtu, në ato vise ku mungonte sherbeti, hallma dhe kadastra “cilivizuese” e mes atyre burrave veshur me tirq e grave me të zeza që ënda ua kishte të thoshin se atë ngjyrë e mbanin si shenjë zie për Gjergjin e madh, mblodhën dhe normuan Kanunin e Lek Dukagjinit si autenticitet kombëtar dhe provë vetëqeverimi në pragun e shtetformimit, kur trashëgim kishim vetëm sheriatin dhe kadiun. Gjonmarkajt ishin shtëpia e parë sipas këtij kanuni në themel të së cilit rrinte liria absolute e individit, ndoshta edhe prej gjakut të përbashkët me Lekën, që u rridhte dejeve.
Kryengritjet kryesore që nga viti 1492, 1570 u fermentuan atje e prej tyre për të mbërritur te ë ku vetëm Mirditës dhe princit të saj i njihej autonomia si peng nderimi për qëndresën antiotomane dhe ndonjë tjetër afinitet.

Kapidan Gjon Marka Gjoni (1888-1966)
Kapidan Gjon Marka Gjoni (1888-1966)

Po ashtu, sinjali se procesi i pavarësisë ka filluar nga prifti që do bëhej abat dhe princi gjeneral u dha për të vazhduar me mbështetjen e pakursyer ndaj Vidit europian dhe konsolidimit të shtetit. Shërbimi i tyre i fundit e moralisht më i vyeri është rezistenca e vetëdijshme dhe heroike ndaj diktaturës komuniste, e para dhe më konsekuentja në krejt lindjen europiane.
Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri, për sa kohë Mark e Llesh Gjonmarkaj, udhëheqësit e kësaj kryengritjeje, nuk nderohen si dëshmorë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe në shkolla nuk u thuhet fëmijëve tanë se, kur të gjithë hymë në shtrungën e një tirani oriental, ata zgjodhën vetëmohimin e ndërgjegjshëm, duke sfiduar tendencën e historisë. Ata provuan se heroizmi dhe moderniteti nuk janë armiq të njëri-tjetrit, por edhe që pas tyre u tret e mpak së tejmi.

Mark Gjon Marku
Mark Gjon Marku
Llesh Gjon Marku
Llesh Gjon Marku

Këtu saga mbaron. Atë që nuk e bënë dot otomanët, e bënë vetë shqiptarët. Kalvari i njohur tashmë, produkt i frustrimeve humane, politike dhe kulturore të lidershipit komunist, nuk përjashton asnjë që mban këtë mbiemër. Te lufta e klasave dhe ndarja veri-jug pushtetarët e rinj gjetën lubrifikantin e sistemit të tyre. Simboli i vazhdimësisë, i pushtetit tradicional të një krahinë të vetëqeverisur, të familjes më përfaqësuese të veriut ishin Gjonmarkajt, përjashto periudhën e Mbretit Zog, ndonëse me legjitimitet dhe autoritet historik shumë më të fortë se familja e Mbretit.
Mirditorët nopranë e nihilistë, nostalgjikë e krenarë tek nuk ve, paragjykues e gjykues të skajshëm, gjaknxehtë e të shtruar paq nga Kanuni, të lidhur ngushtë me territorin, me zanat kryesor mbijetese pushkën dhe cubninë, nuk do t’i pranonin kurrë si primus inter paris Gjonmarkajt, nëse ata nuk do të kishin të gjitha ato cilësi, të cilat alternoheshin sipas dobisë së tyre.

Ndue Gjon Marku
Ndue Gjon Marku

Ndaj ata funksionojnë si një binom unik pa një të dytë në botën shqiptare. Pas shuarjes së principatave arbërore, Gjonmarkajt janë e vetmja familje, që mund të konsiderohet pa ndoshta e sikur nobilta (fisnikëri) shqiptare. Familje të mëdha ka pasur edhe të tjera, të cilat deri pak para 28 Nëntorit 1912 mjaft syresh thoshin “alhamdyrylah jam turk” me gojë e shkrim, si testament flirtimi.
Gjonmarkajt ishin mbështetësit kryesorë të klerit katolik së bashku me malet nga vinin e njëkohshëm, edhe të mbështetur nga kleri në aspirata politike. Lidhja e tyre me Kanunin përsëri i shndërronte në simbol. Ata kishin mëtuar fronin e Shqipërisë jo pak herë. I ndiqte nga pas një legjitimitet historik e moral e mbi të gjitha një popullsi e madhe e me temperament, që i njihte si princërit e vet. Kështu që pa një e pa dy ata shfaqeshin pengesa kryesore për vendosjen e regjimit komunist në gjysmën e vendit. Ata ishin tradita shqiptare… dhe komunizmi mund të triumfonte vetëm mbi vdekjen e saj.

Familja e Markagjonit
Familja e Markagjonit

Forca të shumta ushtarake dhe disa vite terrori përcaktuan fatin e kësaj ndeshjeje të pabarabartë, e cila pas konfrontimit fizik vazhdoi e vazhdon me aparatin e propagandës socrealiste me aradhen e shkrimtarëve të pasoj, të cilët nuk ngurruan të shpikin realitetin virtual të “prapambetjes”, “primitivizmit”, “obskurantizmit”. “mesjetarizmit”, “klerikalizmit” dhe “reaksionit”, duke shfuqizuar çdo normë dialektike e etike frymëzuar së vërtetash.
Krahas tyre, me gëlbazën e Enver Hoxhës mbi letër, historianët, manipulatorët më të mëdhenj të vetëdijes kombëtare, të dalë nga llumi i revolucionit jakobin, mbushur me komplekse të vjetra dhe të reja, ngarkuar me kujtime topitëse stërgjyshërish e etërish, kund andartë e kund azapë të sulltanit, vetë produkt i injorancës, çirakë të ideologjisë, urdhrit, ligësisë dhe egërsisë sadiste vendosën këmbët mbi jastëk dhe kokat i prenë.
Në fillim iu turrën Kullave duke i djegur, pastaj familjes Gjonmarkaj duke mos kursyer asgjë dhe shumë më gjatë, me këmbëngulje, pareshtur,  iu përveshën kujtimit, simbolit pengues e përfaqësues, brendisë së tij, e cila mban në gji traditën e individit të lirë, qëndresën antiotomane, përpjekjet për një Shqipëri të pavarur e dinjitoze në bashkësinë e kombeve të qytetëruara, gegnishten dhe shkrimtarët e saj “malokë”, Kanunin e Maleve dhe njerëzit e tij, besimin katolik si urë lidhëse me Europën e një sërë kategorish të tjera.

Familja Markagjoni ne interrnim
Familja Markagjoni ne interrnim

Nëse kjo sjellje hienash do t’i mbetej vetëm si kujtim i keq nga e kaluara e afërt, ani, sepse do na frymëzonte shpresa që së paku e vërteta do të kthehet, keqardhja nuk do të ishte kaq e madhe sa ç’është kur sheh se i njëjti mentalitet, e njëjta gjuhë ideologjike, i njëjti qëndrim amoral mbahet në këmbë nga “pleqtë” e historiografisë shqiptarë, me të vetmin qëllim që të na bëjnë ne të besojmë se ata ende kanë një vepër, një etikë dhe dobi shoqërore, që nuk na paskëshin gënjyer, mashtruar, përqeshur dhe mbi të gjitha nuk i kanë shërbyer tiranit në mënyrë kriminale, por veç të vërtetës, etalon i së cilës janë!?
Por ende më shqetësues është mbajtja gjallë e këtij mentaliteti nga segmente të politikës shqiptare, të cilët Enver Hoxhës nuk ia ngrenë më dot shtatoren, por i admirojnë qëndrimet dhe urrejtjen përçarëse ndaj gegëve, përfaqësimit politik dhe kulturës së tyre shekullore, duke caktuar t’u bëjë hesapet me historinë Milon, këtë militant enverist, i cili e përdor penën si dyfek lidhur me gjalmë kundër çdo vlere të spikatur, që nuk identifikohet me komunizmin. Ndaj shteti me përfaqësuesit e vet, politika e madhe kostumosur “made in Europa”, por e lidhur njëqindfijesh me ata që iu vërsulen simbolit Gjonmarkaj, munguan në funeralin e Dedës. Duhej të kërkonin falje, ndaj s’kanë shkuar…

Brezat e Markagjoneve
Brezat e Markagjoneve

Princërit mesjetarë i trazojnë me modelin, i cili e përjashton interesin dhe imoralitetin, por ju kujton edhe se nga vijnë e të kujt janë, pra se kush janë.
Duke e mbyllur këtë reflektim ndershmërisht subjektiv, jam i bindur që shqiptarët sa herë kanë nevojë të mburren për ndonjë gjë të mirë në histori, duhet të trokasin në dyert e Gjonmarkajve dhe t’u kërkojnë leje për të përdorur emrin e tyre.
(marrë nga Panorama)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.