back to top
34.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Rrugëtimi i mundimshëm i një monumenti simbol – nga Klodi Stralla

Gazeta

Pamje të Shën Gjergjit në vite e pika të ndryshme në një kolazh - Kristaq Kotonika
Pamje të Shën Gjergjit në vite e pika të ndryshme
në një kolazh – Kristaq Kotonika

Rrugëtimi i mundimshëm i një monumenti simbol.

nga Klodi Stralla

Askujt, në Romë, nuk mund t’i shkojë ndërmend të prishë apo modifikojë Koloseun, në Paris, Luvrin apo në Vjenë, Belvederen. Çdo qytet ka simbolet e tij, që e dallojnë prej të tjerëve, që janë krenaria e tij. E tillë ka qenë për Korçën dhe korçarët katedralja monumentale e Shën Gjergjit, që me aq lehtësi e dashakeqësi u rafshua nga komunistët ne vitin 1971.
Shën Gjergji, në traditën mesjetare, ka qenë për Korçën shenjti mbrojtës i qytetit. Ishte kjo arsyeja që korçarët ortodoksë kishin ndërtuar, në zemër të qytetit, një kishë që mbante emrin e tij. Sipas kodikëve mbi 400 vjeçarë të Mitropolisë të Korçës dhe Selasforit, ajo daton të jetë ndërtuar aty nga viti 1253, pra shumë më herët nga sa kemi mësuar për datën themeluese të Korçës nga Ilias bej Mirahori, në 1498. Për vjetërsinë e saj ka edhe dëshmi të tërthorta, si vorezat rreth saj, që u zbuluan rastësisht kur u ndërtuan pallatet përreth, në kohën e komunizmit, apo një dokument nga kodiku që përmend një dhurues voskopojar, të quajtur Dhimo Bakalli, që në vitin 1710, ka dhuruar një shumë të kosiderushme të hollash, me kusht që të përdoreshin për rikonstruksionin e saj apo edhe fakti që ryfeti (esnafi) i tabakëve të Voskopojës, shtroi me kalldrëm gjithë rrugën, nga kisha deri në Varosh.
Me rritjen e qytetit të Korçës, në shek.19-të, sidomos me lagjet e ndërtuara përreth kishës të vjetër, u bë e domosdoshme ndërtimi i një kishe të re, me kapacitet shumë më të madh se ekzistuesja, e denjë për një qytet të madh.
Kështu, në vitin 1881, mbi themelet e kishës të vjetër, filluan punimet për ndërtimin e kishës të re. Ishte filantropi i mirënjohur korçar Anastas Lakçe, milioner me banim në Bukuresht të Rumanisë, që finacoi 5000 napolonat e para flori për fillimin e punimeve. Kisha e re u inagurua në vitin 1905 dhe për përfundimin e ndërtimit të saj financuan shumë korçarë, qytetarë e mërgimtarë. Projektimi dhe ndërtimi iu besua kallfës (mjeshtrit), korçar, Naum Trasha. Godina ishte e gjitha prej guri, me blloqe të mëdhenj, të lidhur me njëri-tjetrin me plumb (brezi ynë e mban mend mirë sesa shumë vuajtën ata që e prishën!). Kjo vepër cilësohej nga më të bukurat dhe më madhështoret, në vend e më gjerë.
Mbi portën e saj të hyrjes ishte një pllakë me mbishkrim për mirëbërsin që e ndërtoi dhe vitin e ndërtimit. Anastas Lakçe, që vdiq në Bukuresht në 1894, u ballsamos dhe trupi i tij u varos aty. Afresket e saj ishin pikturuar nga mjeshtër vendas, nga Dardha, Hoçishti dhe Ziçishti. Në këtë kishë, në vitin 1923, meshoi për herë të parë në gjuhën shqipe Fan Noli, me rastin e autoqefalisë të saj, nën një entusiazëm të papërshkruar të popullit të Korçës.
Por u desh të vinte viti 1971, që me urdhër nga lart të shtetit komunist, ajo të rrafshohej dhe në vend të saj të ndërtohej biblioteka e qytetit, që pas një ‘prehje’ mbi 40 vjeçare, drejtuesit e sotëm, delirantë e injorantë të qytetit, ta shndrojnë atë në një shtojcë të Bashkisë, jashtë çdo tradite historike, estetike urbanistike apo logjike ekonomike.
Mbase ka ardhur koha që t’i kthehet qytetit kjo trashëgimi e munguar, kjo kujtesë e gjallë e historisë të tij. Rindërtimi i saj, ashtu siç ka qenë, nuk është as fantazi dhe as pamundësi. Mjafton vetëm vullneti e dëshira e korçarëve.
17 mars 2017
.
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë

Opinione dhe Kujtime mbi Kishën e Shën Gjergjit në Korçë

Gëzim Zilja
Paska qenë një mrekulli…!
 
Vangjush Marko
Mendoj se është tamam koha e duhur….
 
Vjollca Grazhdani
Më kujtohet fare mirë kur mundoheshin ta prishnin dhe njerëzit kalonin kokëulur pa folur dhe me siguri zemra ju dridhej. Ishte vërtet madhështore, një tjetër krim i komunistave.
 
Ilia Karanxha
Nga pikpamja arqitektonike për kohën kur u ndërtua mund të krahasohet edhe me ndërtimet më të bukura në Firenze. Ishte ndërtesa më simbolike që përfaqësonte kulturën korçare që u pasua më pas me ndërtimin e mitropoisë.
 
Albens Tabaku
Jo vetem kaq, por kam dëgjuar (nuk e di sa është e vërtetë) që llaçi lidhës ndërmjet gurëve kishte në përbërje lesh dhie si strukture lidhëse që mos ridhte në të çarat e gurëve.
Thuhet se vareja e atyre që e godisnin për ta thyer kthehej mbrapsht nga kundërgoditja, e tillë strukturë qe.
Mbi të gjitha veç simbolit fetar ishte simbol qytetar, i ndërtimit të përbashkët i financimit me paratë e gjithkujt që mundte. Ishte simbol edhe i humusit qytetar i gëzimit të një vepre të përbashkët që e lidh edhe më shumë ndjenjën e bashkësisë.
Sot mungojne iniciativa të tilla prandaj mungojnë edhe vepra të tilla komunitare (përveçse fetare). Iniciativa të cilat, produkt kanë ndërtime që shprehin karakter dhe histori në vetvete.
Arkitektura është shpirti dhe historia e ngurtësuar në kohë, ashtu si shkrimet në libra e gojëdhenat. Arkitektura është folklor në vetvete.
Në sheshet para kishave janë bërë mbledhje janë marrë vendime.
Pazaret e qyteteve lidhnin organizata profesionistësh.
Aty lindinin idetë etj. Pra të parët tanë duket se kanë qenë më të zgjuar, me të respektuar, më liberalë duke lënë hapësirën e banimit e ndërtimit. Kanë reflektuar një stil jetese.
Prandaj sot të merret fryma në labirinthet e betonit që shprehin më së miri, ekspansionin ndërtimor kundër hapësirave publike e ndërtimeve private. Jo rastësisht sot pjesa dërrmuese e gjyqeve bëhen për cënim pronësie apo kanë lidhje të tërthortë me të. Sepse mungon tharmi në kohën e ndertimit të kësaj Kishe.
 
Entela Dvorani
Po, lidhësja e strukturës ndërtimore ishte si ajo që përdorej në Voskopojë, lesh me përzjerje veze! Ndërtuan Bibliotekën dhe ja ku degjeneroi popullata: të rinjtë ekselentë emigrantë, të mbeturit në atdhe, analfabetë! Meqë do bëhet Bashkia do ketë edhe ajo “dekoratën” e saj nga shenjti që iu lëviz vendndodhja e frymës shpresëdhënëse!
 
Albens Tabaku
Edhe këtë që kishte lidhje me vezë e kisha dëgjuar po isha ca i pasigurt për ta shkruar! Entela Dvorani, po e kam dëgjuar edhe këtë dhe jam habitur!
 
Entela Dvorani
Brirët e dhisë janë përdorur kurorë si simbol i qëndrueshmërisë dhe forcës që nga koha e Aleksandrit, Gjergj Kastriotit sepse lidhësja e kështjellave tona të ndërtimeve e para ka qenë produkt i saj!
Simbolikat në origjinë interpretohen sot, sepse kanë qenë të lidhura me faktet e jetuara!
 
Gjergji Cikopana
Historiku dhe çfare duhet mbrojtur me patjetër; përforcohet me informacionin që ju Klodi përcillni – dhe, që jo pak nuk e njohin. Edhe një fakt që nuk duhet nënvleftësuar: Në Shën Gjergj është bërë Lutja e Parë në gjuhën Shqipe. Nuk është e vërtetë se nuk ka patur reagim qytetar! Dëgjesat janë nënvleftësuar!?
.
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Lumturi Lapardhaja Demiri
Nuk ka qenë reagim i organizuar dhe i fuqishëm, asgjë nuk u bë… dhe sa dëmtime do ketë tërë ai kontigjent librash, këtë fundi do ta tregojë… Do të ishte e denjë, të paktën nga tempull besimi, të mbetej në tempull kulture, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu… në një bisedë me një të madh të poezisë korçare, ishim në një mendje se intelektualët korçarë duhet të bënin shumë që kjo të mos ndodhte… Uroj që ajo ndërtesë të kthehet në identitetin fillestar, pra Kisha e Shën Gjergjit.
 
Agim Xhafka
Rrofsh, Klodi. E mbaj mend dhe unë si ka qenë. Por dhe tek Trikotazhi, ku ishin varrezat e vjetra ka pasë një kishë që më vjen ndër mend e madhe dhe e bukur. Mbase Shën Gjergji është shkatërruar më parë se 1971.
 
Klodi Stralla
Ajo tek trikotazhi Gimi, ishte kisha e Shën Marisë (aty ishin edhe vorrezat e qytetit).
 
Agim Xhafka
E bukur ka qenë. Pse nuk e rindërtojnë? Sa më shumë kisha aq më shumë qytetërim, kulturë e turizëm.
 
Andrea Alushi
Pyetje e bukur z. Agim Xhafka, dhe me vend për një mrekulli të tillë të trashëgimisë së Ortodoksisë Shqiptare.
Përgëzime edhe Profesor Klodit për trajtimin e problemit dhe sensibilizimit të ndërgjegjegjes tonë kombëtare në lidhje me trashëgiminë tonë kulturore.
Ku i dihet, ndoshta mund të rindërtohet kur të kemi një kryepeshkop shqiptar, me ndjenjën, ndërgjegjen kombëtare dhe shpirtin e madh të Fan Nolit dhe, natyrisht, edhe një shtet të shqiptarëve…!
Edhe pse nuk jam ortodoks, si shqiptar, që e dua vendin dhe popullin tim, pavarësisht besimit fetar apo politik, do të vija me kënaqësi në inagurimin e saj.

 

Agim Xhafka
Uau, kryevepër. Pazarin tek foto e parë e kujtova të gjithin. Do këto qenë deri në mes të viteve ’60. Tek një qoshk blija libra nga viti 1965…
 
Meri Lalaj
Kishat dhe xhamitë u shembën në vitin 1967.
 
Gjergji Sulioti
Kisha e Shëngjergjit ishte një mrekulli për Ortodoksit duhet t’i kthehet besimtarëve të kryejnë shërbimet e fesë së tyre! Respekt për ato objekte fetare që i takojnë kishes tonë!
 
Stavros Trakos
Po ç’na hap plagët o Klodi. Unë mbaj mend dhe nuk mund të harroj lotët që u derdhën në prishjen e saj, një monument i madhërishëm i qytetit. Ahhh
.
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Tatiana Sherko Prela
Në çdo shkrim që poston Klodi mësojmë të paktën nga një gjë të re. Po ashtu edhe te ky shkrim që është sh. interesant dhe informues. Flm… Nëqoftëse këta pushtetarë e quajnë veten korçare dhe duan të krijojnë një Korçë si ka qenë mos mjaftohen vetëm me Pazarin por të lëshojnë vendin që i përket Kishës dhe të hapin rrugën për ndërtimin e Shën Gjergjt. Ajo kishë i takon Korçës dhe duhet ta rindërtojnë atje ku ka qenë. Përshëndetje, një fundjave të këndshme…
 
Dolores Minga
Tatiana, ajo vlerë artitektonike & ndërtimore, nuk mund të zëvendësohet dhe s’mund të arrihet me tjera ndërtime, po të paktën mos bëhen marrëzi më tej, nën pretekse rilindjesh!
Ju përshëndes!
 
Agim Xhafka
Po kisha tek Ushtari i Panjohur mbi kishë është ndërtuar?!
 
Koço Kaskaviqi
Edhe unë e mbaj mend nga vegjëlia. Mendoj se nuk është vendi ai, që do të ringjallë vlerat e mëdha arkitektonike dhe ndërtimore që u shkatërruan tek Shën Gjergji. Ne i patëm rastet për t’i risjellë, bile dhe lartësuar ato vlera në objektet e reja religjioze të ndërtuara vitet e fundit. Nga që janë objekte të paarritëshme, ndaj dhe na dhemb më shumë!
 
Γιώργος Τράσας
Ndërtimi i objekteve të reja të kultit që bëhen sot kanë një veçori vendosjeje. Për arësye urbanistike gjithmonë kemi çvendosje të themeleve të vjetra në ato të themeleve të reja.
 
Kristaq Kotonika
Disa pamje të Shën Gjergjit në vite dhe pika të ndryshme të horizontit në një kolazh. Kliko mbi foto të zmadhohet.
 
Tatiana Sherko Prela
Unë mbaj mend që turistët në vitet ’60 vizitonin Shën Gjergjin dhe Mitropolinë, këto ishin dy objektet monumentale të Korçës. Që fatkeqësisht i zhduku shteti komunist shkatërrues!
 
Al-fredo Pilika
Urdhëri për shkatërrimin u dha nga lart… nga Tirana. Dhe u zbatua nga nxënësi i zellshëm i binomit Jihaidizëm-komunizëm… I sekretarit të Partisë në Korçë, shoku Myftar Grabocka.
Shtepia e Kostureve ne sfond - Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Shtëpia e Kosturëve në Korçës
Ne fond – Katedralja e Shën Gjergjit
Kristaq Kotonika
Myftar Grabocka në ato vite ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Sekretar duhet të ketë qenë Mihallaq Ziçishti.
 
Gjergj Trebicka
Në përgjithsi nuk kemi respekt për punët e të tjerëve… kudo prishen gjëra të vjetra me një të rënë të lapsit… As komisione as arkitekte… Nuk mbledhim… Vetë politikanët trutharë i dijnë gjërat si janë…
Ja vlen ta shpërndash prap e prap…
 
Robert Koleci
Shumë bukur! Të lumtë, Klodi! Faleminderit për kënaqësinë që na dhuron dhe për nostalgjinë që provojme ne, që i kemi jetuar ato ngjarje, të cilat kanë lënë gjurmë te çdo korçar! Shëndet e mbarësi të keshë mik, koleg, shok e mallaxhi, shumë i nderuar e i respektuar! Respekte!

 

Al-fredo Pilika
Perëndeshë e bukurisë më je…
 
Niko Ballco
Shumë e saktë Klodi, ka ardhur koha kur Korça ta ketë këtë simbol.
 
Thoma Kristo Note
Kisha e Shën Gjergjit nuk u prish nga ateistët, i dashur Klodi Stralla, por nga regjimi diktatorial antikombëtar i Enver Hoxhës. Termi “ateist” ishte një etiketë për veglat injorante të diktatorit. Sipas mendimit tij, ajo nuk mund të ribëhet më, sikurse ka qënë. Vetëm shandanët e saj të kristaltë mund të gjenden vetëm në kishat më të mira të qytetërimit perëndimor, prandaj diktatori Hoxha vetëm për këtë krim duhet të digjet në flakët e ferrit.
 
Klodi Stralla
Gjatë Luftës të Dytë Botërore, veçanërisht nga bombardimet e aleatëve anglo-amerikane, u shkatërruan apo dëmtuan, shumë godina monumentale dhe historike, në qytetet kryesore të Europës. Tipik është qyteti artistik i Dresdenit, në Gjermani, i cili u rrafshua pothuajse i gjithi, me 200 mijë të vrarë pas. Por pas lufte, gjermanët, që e kanë të shenjtë kujtesën dhe krenarinë historike, i rindërtuan të gjitha nga e para. Unë ruaj bindjen, se kur Shqipria të bëhet shtet normal, katedralja historike e Shën Gjergjit do të rindërtohet, ndonëse sot duket si e pamundur, nga problemet e tjera që kemi.
 
Thoma Kristo Note
Aj! Kur të bëhet… Por në Gjermani nuk vidhet banka e shtetit dhe thesari çdo pesë vjet si në vendin tonë dhe nuk dënohet askush… Në Gjermani një zyrtar i lartë u detyrua të jepte dorëheqjen vetëm pse kishte përdorur makinën zyrtare jashtë orarit të punës, kurse këtu Ilir Meta e thotë me krenari “të ligjshme” që s’ka makinë personale!!
 
Ariana Strati-Bino
Kjo është kisha që mbaj mend. Një kishë shumë e bukur, një mrekulli dhe krenari e qytetit! Ke të drejtë Klodi. Kisha ishte e ndërtuar për të rrojtur në shekuj për gjenerata të tëra. Regjimi famëkeq shkatërroj shumë shumë godina të mrekullueshme që ishin ndërtuar me lekët e bamirësve dhe jo të nxjerra nga taksat e popullit. Godina të ndërtuara me mjeshtëri nga mjeshtrat vendas që breza të tëra duhet t’u ishin mirënjohës. Isha e re kur buldozerët nuk mund ta prishnin dhe u deshën shpërthime dinamitesh me muaj të tërë që të prishej. Nga dinamitet na tundej shtëpia sikur binte tërmet. Problemet janë sigurisht të mëdha në këtë kohë në vendin tonë, por probleme me të mëdha do të shtohen, nëqoftëse prishen godina që janë funksionale për momentin. Sado i varfër të jetë populli, po të bëhet një fushatë nga njerëz që ndershëm për të rindërtuar kishën e Shën Gjergjit. Besoj se çdo qytetar do të ndihmonte. Kam nostalgji për këtë kishë të bukur që sot po të eksiztonte do të tërhiqte shumë turistë. Përshendetje dhe faleminderit Klodi, për ngritjen e këtij problemi .
Llarisa Mitrushi
Një postim që e lexova me një frymë, dhe me shumë interes. Si gjithmonë më ekpliks Klodi!
 
Artur Qoku
Nuk kanë ekzistuar qytetet, kisha e xhami deri në vdekjen e Skënderbeut… kështu që 1698, do ts ishte ms e besueshme si dats, dhe jo 1498!
 
Klodi Stralla
Shkodra, Durrësi, Berati, Gjirokastra, mbase edhe ndonjë vendbanim tjetër, që dihet se kanë ekzistuar para Skënderbeut, çfarë të kenë qenë vallë?! Unë i kam ditur për qytete, natyrisht mesjetare.
 
Artur Qoku
Jo, janë në vazhdën e gënjeshtrave mbi të gjithë historinë e njerzimit!
 
Ariana Strati-Bino
Artur Qoku, ti e ke gabim. Edhe Kruja ka patur një kishë të vogël sipas së vërtetës.
 
Koço Broka
Eshtë shumë simpatike tema që sjell i nderuar z Klodi. Ndërkohë ju shtroni disa ide. Midis të tjerash idenë e ndërtimit nga bamirësi Anastas Lakçe dhe me gurë që sejcili nga ne i mban mend… A mund të rivitalizohen këto? Ndoshta Po. Unë jam ateist, por duke e konsideruar të drejtë idenë tuaj për ruajtjen e vlerave dhe ripërtëritjen e tyre (Rindërtimi i Varshavës ose shumë ndërtesave ashtu siç kanë qenë para djegies ose shkatërrimit) jam gati të paguaj si ateist. Përvoja e ringritjes së kishës në fshatin tim tregon se nuk mjafton bamirësia por dhe një organizim për të rindërtuar një kishë dinjitoze. Më ka lënë mbresa se edhe monumenti i Themistokli Gërmenjit që ju dhe unë e shihnim përditë sa kohë jetuam në Korçë dhe ndjehemi shumë mirë kur e rishohim në Korçë është ngritur me bamirësi. Le të ripërtërihet kjo traditë. Kjo do t’i shërbente dhe paqes dhe mirëkuptimit social, pavarësisht nga dallimi midis besimtarve dhe ateistëve. Shumë nga komentuesit me sa di unë kanë qënë ateistë si dhe unë. Përshëndetje për postimet me kulturë që sjell.
 
Klodi Stralla
Ndajme të njejtin mendim Koço, edhe unë rindërtimin e shoh si vlerë monumentale më shumë sesa fetare, ndonse nuk jam ateist. Të përshëndes!
 
Ariana Strati-Bino
Unë nuk jam ateistë, dhe jam gati më sa kam mundësi të ndihmoj në momumente të tilla që i ngrenë vlerën qytetit.
.
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë - e rrënuar
Katedralja e Shën Gjergjit Korçë – e rrënuar
Arben Kallamata
Dy saktësime historike, Klodi. E para, dikur në Romë i ka shkuar dikujt ndër mend ta prishë Coloseun. Iu ka shkuar krerëve të Kishës Katolike, të cilët vodhën gurët e asaj kryevepre për të ndërtuar kisha në Romë. Është një nga masakrat kulturore më të mëdha. Se dyti, kishën e Shën Gjergjit në Korçë e kanë prishur komunistët, jo ateistët. Regjimi i Enver Hoxhës ishte diktaturë komunistë dhe ai regjim shtypte njëlloj të gjitha rrymat ideologjike dhe politike që binin ndesh me të. Feja për ta ishte ideologji konkuruese.
 
Ariana Strati-Bino
Komunistët theshin që ishin ateistë. Kisha dhe feja i mësonte njerëzit të ishin të mos spiunonin njeri-tjetrin, por të rronin në harmoni, gjë që sistemi komunist nuk e pranonte!!
 
Klodi Stralla
Po e dëgjoj për herë të parë që Kisha katolike ka përdorur gurët e Koloseut për ndërtim kishash të reja, ndërsa për të dytën s’ka dyshim që e prishën komunistet (bile mendoj se nuk është bërë pa lejen direkte të E. Hoxhës), por përdorimi i termit “ateist” në kontekstin e shkrimit ka të bëjë me motivet që i shtynë komunistët, si ateistë që ishin, për ta prishur një objekt të tillë, që si e thua edhe ti, për ta feja ishte një ideologji konkuruese.

 

Arben Kallamata
Të krishterët kanë prishur Coloseun në Rome, kanë vjedhur dhe shkatërruar bibliotekën e Aleksandrisë, kanë rrafshuar dhe prishur me qindra monumente të lashtësisë në Greqi. Në fakt, sjellja e krishterimit ndaj kulturave paraardhëse ka qenë po aq, ndoshta edhe më e egër se sa sjellja e komunizmit andaj kulturave paraardhëse. Historia duhet lexuar me mendje të hapur edhe paanësi, jo në mënyrë subjektive. Jo rastësisht ajo që pasoi periudhën e ndritur të Perandorisë Romake dhe pararendëse se saj, qytetërimit grek, ajo periudhë që u çel me ardhjen e krishterimit në fuqi në të gjithë Europën quhet Dark Ages, periudha e Errësirës.
Ndërsa për motivet që i shtynë komunistët që të prishnin kishat dhe xhamitë, ato ishin thjesht politike – lufta për pushtet absolut duke eliminuar gjithë rivalët e mundshëm. Ateizmi nuk është lëvizje politike. Ateizmi është mungesë e besimit në ekzistencën e fuqive të mbinatyrshme që quhen zot ose perëndi. Ateistët, njerëzit që nuk besojnë në zot mund t’i përkasin çdo lloj krahu politik, të djathtë apo të majtë, ose edhe asnjë krahu. Bindja politike për ateistet s’ka lidhje fare me mungesën e besimit në krijesa imagjinare. Kërkoj ndjesë për gjatësinë e ndërhyrjeve por e shoh të nevojshme të saktësoj.
 
Burbuqe Myftiu
Arben Kallamata, sa i qartë që je more djalë. Do të shtoja se urrejta për komunistët në shumicën e rasteve drejtohet vetëm për prishjen e kishave dhe xhamive dhe jo për diktaturën apo problemet e tjera sociale që predikohen në këto instuticione.
 
Klodi Stralla
Për Mesjetën ndajmë mendime të ndryshme Ben.(por kjo është një temë tjetër). Në tekstet e Historisë ajo periudhe njihet si Middle Ages (anglisht) dhe Moyen Age (frëngjisht). Emërtimet e tjera mund të jenë nga letërsia apo studiues individualë. Komunist = ateist, e kundërta nuk është gjithmonë e vërtetë!!!
 
Evelina Mborja Mitace
Të përshëndes i nderuar Klodi! Vërtet, kjo kishë me ka ngelur në kujtesë megjithëse kam qenë e vogël, por aty ishte dhe një rrap madhështor që mezi e kanë sharruar. Karshi me kishën ishte edhe një merkato qe në i theshim gastronom ushqimor e më sipër një furrë bukë. I mbaj mend, bulevardin e gjerë dhe ato trotuare po të gjera që të lejonin të merrje frymë lirisht, eh nostalgji, megjithatë kisha s’duhej prishur. Kur shohim kishat në Evropë se si mirëmbahen e njeriu gjen një qetësi e lehtësim… më vjen keq që këto vlera i mungojne sot korçarëve. Duke parë fotot e vjetra i kujtova të gjitha, ishin ndërtime me arkitekturë simbas stilit evropian, nejse…!
 
Klodi Stralla
Paske kujtesë të fortë Evelina! Edhe unë të përshëndes!
 
Thomas Skendi
Eshte fole e shkatrruar si kombi shqiptar dhe ashtu do mbetet!
 
Andrea Pepi
Kishat dhe xhamia e Mirahorit shpëtuan nga vlerësimi që ju bë kësaj kishe nga një partiak i lartë që i quajti: “Piramida e Keopsit”, nga rëndësia që kishte ajo në vlerat, historike, arkitekturore dhe artistike!!
 
Thoma Kristo Note
Vlerësim për partiakët e lartë zoti Andrea Pepi!? Po kisha e Shën Gjergjit pse nuk u vlerësua? Apo s’duhej shkuar drejt perëndimit por drejt lindjes?!
 
Klaudio Ligori
Kisha si ajo e Shën Gjergjit me gurë masivë dhe plumb, nuk besoj se do marrë kush guximin t’i rindërtojë. Dëm i pariparueshëm. Por shkrimi i prof. Klodit, shërben shumë mirë që ne sot duhet të kuptojmë se ka ardhur koha të ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit dhe t’i kthehemi qytetarisë, besimit, dashurisë dhe vlerave të humanizmit. Mbas kësaj, mund të fillojmë të shpresojmë që do të përparojmë si popujt e tjerë europianë…
Zoti na ndihmoftë!
 
Anila Kopali Kripa
Krim i madh! Urrejtje komuniste për çdo vlerë kombëtare e shpirtërore!
 
Zhaneta Faber
Kam qenë e vogël, por më kujtohet shumë mirë, Kisha e Shën Gjergjit, në bulevard! Një kishë e madhe me gurë. E mbaj mend salla ku mbaheshe mesha ishte shumë e madhe dhe skalitur me ikona. Të Djelën e Pashkës së Madhe e dëgjonim meshën në këtë kishë me familjen. Mbaj mend që theshin: “Nuk i prishen muret!”
 
Jani Tane
Diktatura nis nga rrënimi i kishave. Kisha e Shën Gjergjit në Korçë, që nga historiku i saj daton nga viti 1253, ruante vlerat e arkitekturës dhe afreskeve të rralla. Jam pagëzuar në këtë kishë në vitin 1951. Të parët e mi më ruajnë gjymin e nxirë nga koha e pagëzimit. Edhe Duçja, Stalini, Hitleri, nuk i prishën kishat. Vetëm kisha e Shën Franceskos në Assisi të Peruxhias, ndërtuar po ne këtë kohë 1235-1255 vizitohet nga 5 milion besimtarë në vit. Bini këmbana të Mitropolisë, për të rindërtuar Kishën e shën Gjergjit në Korçë.
 
Klodi Stralla
Një status i para dy viteve për miqtë e rinj të fb-ut, kushtuar një monumenti simbol të Korçës, siç ishte Katedralia e Shën Gjergjit.
 
Niko Urumi
Si gjithmonë i saktë dhe simpatik në shkrimet tuaja. E mbaj mend mirë sidomos prishjen e asaj mrekullie. Një pyetje: trupi i A. Lakçes ishte në krah të djathtë apo mbrapa kishës?
-A nuk ka ardhur koha që pavarësisht përpjekes së Kishës për rikthim, a nuk duhet përshkallëzuar përpjekja e jonë si korçarë për të bërë të mundur kthimin dhe rindërtimin e këtij monumenti? Me sa di për rindërtimin e Mitropolisë është hapur një Nr. llogarie.
 
Klodi Stralla
Trupi i ballsamosur i A. Lakçes ishte në krahun e djathtë me pamje ballore të Kishës. Nëse ka vullnet qytetar ajo ndërtesë mund të ndërtohet nga e para.
 
George Kotmilo
Unë mendoj se qytetarët e Korçës ndoshta dhe pushteti lokal duhet t’i kërkojnë Qeverisë kompensimin Moral dhe material për humbjen e kësaj vlere të çmuar të qytetit si ëngjelli mbrojtës i qytetit, gjithashtu e ka për detyrë që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të gjejë mënyrat dhe format për të rivendosur Kishën e shenjtit mbrojtës të Qytetit të Korçës Shën Gjergji!
Theodhos Dhosi Treska, Niko Urumi, pothuaj se jemi bashkëmoshatare dhe ti duhet ta mbash mend mirë se je edhe mallaxhi me Shëngjergjasit, por po ua rikujtoj se sarkofagu me Lakçen të ballsamosur ishte në krahun e djathtë të kishës (parë nga përpara) dhe aty përballë tij ishte edhe Dhespoti po i ballsamosur, tek ai rrethimi me kangjella që duket në disa foto.
.
Shetitje te Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Shetitje te Katedralja e Shën Gjergjit Korçë
Thanas Pilafas
Pamja e kësaj kishe më ka mbetur në kujtesë shumë e mjegulluar, në vajtjet e mia të rralla në Korçë kur isha fëmijë. Është Kisha e Shën Gjergjit, – më tha mamaja kur hymë një herë në të, duke më treguar ikonën ku Shën Gjergji i hipur mbi kalë të bardhë ia kishte ngulur heshtën në grykë një kafshe të çuditshme në ngjyrë të gjelbër që i ngjante krokodilit. – Puthe, të të japë shëndet!
 
Klodi Stralla
E ngjashme me të, por më e vogël si përmasa, është edhe Kisha e Hoçishtit.
 
Steljan Ilia Kapurani
Lexova me kujdes dhe kureshtje disa komente të miqve tanë në fb, nuk di ta shpjegoj atë që ndjeva. Të gjithë flisnin me një dashuri dhe respekt për atë kishë. Të gjithë ndjenin mall dhe dëshirë ta shikonin edhe një herë ashtu siç ishte madhështore dhe krenare që i jepte një nur dhe vlerë qytetit Tonë. Por fati dhe regjimi më mizor që mbajti Shqipërinë 50 vjet na i mohon atë dëshirë dhe i sotmi vazhdon të njëjtë rrugë (masakër dhe vuajtje mbi shqiptarët dhe Shqipërinë). Dëshira e madhe për ta turpëruar popullin dhe Shqipërinë në opinionin botëror…! Atëhere them pa ndrojtje; më mirë do të ishte të ishim të pushtuar nga ndonjë shtet tjetër kapitalist . Populli do të ishte shumë më mirë dhe ato vepra do të ishin në vendin e tyre gjithmonë të reja dhe të mirëmbajtura ashtu si ju takon, ashtu si i mban gjithë bota dhe mburret me to… Neve na i kanë hequr atë të drejtë për t’u krenuar, gjithmonë duhet të fshihemi pa patur faj… për veprën e tyre të qelbur. Na kanë dënuar që të mbyllim sytë vetëm duke ëndërruar për bukuritë që nuk mundën t’i shpëtojnë kriminelëve dhe injorantëve. Tani po shoh Duomon në Firence!
 
Thanas Pilafas
Ne flasim për komunistët që e prishën këtë kishë – Vepër Arti, sikur ata të ishin alienë të ardhur nga planete të tjerë. Ndërkohë që midis atyre shkatërruesve ishin edhe etërit e disave që diskutojnë këtu plot afsh e pasion!
 
Thoma Kristo Note
Do isha i gatshëm të kontribuoja nëse do të rindërtohej kjo kishë.
 
Agim Sulejman Fazlli
Dhe nuk mjaftonte me kaq, por e vizatuan përdhe, për të thënë nesër… tek ajo nesër, që mos e dhëntë zoti të vijë çmendurisht e të mburret: Po, po unë dhashë urdhër, të shkelet me llucën e llucanikëve! Poshtë, antizoti!
 
George Kotmilo
Agim ke thënë një të vërtetë të fshehtë, gati ogurzezë!!
 
Alda Kotti Vincani
Me ide & shkrime si gjithmonë tepër të vlefshme Klodi! Me gjithë zemër uroj që Kisha e mrekullueshme e Shën Gjergjit të kthehet në misionin e saj historik.
 
Rozi Xexo Dhjaku
Sa mirë që sjell e rikujton të tilla tema… Historia që po harrohet e bashkë me të edhe traditat. Të jemi mirënjohës. Para të tillëve patriotë duhet të përkulemi…
 
Bardhyl Panolli
Si gjithmonë ju godisni kujtesën e moshës sonë të lidhur aq fort me “kalldrëmet” e saj, që aq me rregullsi hynin në çdo portë, në kohën që prishej Shën Gjergji në pushimet e verës hynja në punë në NShN për punë hamallëqesh për të bërë ndonjë palë pantallona se gjendja ekonomike na detyronte. Ditën e parë më çuan në brigadën që spostonte blloqet e gurëve që i rrëzonin me traktor me kavo. Vërtet mes tyre ish derdhur plumb, squfur, gëlqere e përzier që si linin të lëviznin, mes gurëve shihja dhe foto të shenjtëve të shpërndara, prej të cilave me kujdes për mos më parë i futa nën këmishë… e për çudi (punëtorët ishin nga fshatrat Kamenicë, Barç, etj me besim mysliman) një bllok guri i madh, nga lodhja a forca e peshës i ra dhe i shtypi gishtin e këmbës një punëtori nga Kamenica. Thirrja e tij ende më kumbon në veshë, por pas kësaj mes punëtorëve më i vjetri, një nga Barçi tha: “Kemi erdhur në një vend të shenjtë të tillë e në fshatin e tyre të lashtë, të gjithë lanë punën, e unë për një ditë fiksova shumë detaje të asaj kishe, e për varret në të djathtë (Lakces, Dhespotit) Më çuan të thyej beton ku sot është qendra e Zjarrfiksëve të qytetit. Aty dëgjova që pjesa më e madhe e punëtorëve nga fshatrat që s’pranuan të punojnë aty u dërguan pranë kooperativave përkatëse… Pas shumë vjetësh kam takuar “barçarin” që largoj punëtorët… dhe përsëri ai besonte se në vendet e shenjta është gjynah të vesh dorë, por ajo që u bë nuk ç’bëhet. Na vjen thellësisht keq për atë vepër kulti, arti, kulture të lartë të qytetit që s’është më. Për mua është dyfish e dhimbshme se dhe kisha e Shën Gjergjit në Dardhë, u shkatërrua e vodh nga ornamentet në atë kohë kur nuk mund të kundërshtonim çka ndodhte! Gjithsesi për mua Shën Gjergji ishte mbrojtës e nga privimi i lirisë që më erdhi rrotull në ato kohë kur dhe ata që hiqeshin shokë ishin të pabesë (këtë do e konsumojme kur të takohemi në Tiranë) dhe që sot hiqen si të persekutuar.., pra mbetem në mendimin tuaj të titullimit: “Rrugëtimi i mundimshëm…!”
 
Tatiana Sherko Prela
Korçës i mungon Katedralja e Shën Gjergjit. Eshtë simbol i qytetit!
 

Pamje të Shën Gjergjit në vite e pika të ndryshme në një kolazh - Kristaq Kotonika
Pamje të Shën Gjergjit në vite e pika të ndryshme
në një kolazh – Kristaq Kotonika

.

Vangjush Nikolicari
Me këtë shkrim na solle ndërment kujtimet e vegjëlisë. Ne, ish nxënësit, e Tu, fëmijë të lagjes 12, jemi rritur duke luajtur në shkallet e Katedrales së Shën Gjergjit. Prapa Katedrales ishte një kopësht fëmijësh, ku në vitet 1962 deri 1964 brezi ynë ka bërë vitet e kopështit, e ku midis edukatoreve mbaj mend zonjat Stefani dhe Kaliroi. I mbaj mend shumë mirë momentet e prishjes së kësaj kishe!!
Jam dakort me idenë e ringritjes së kësaj Katedraleje me inisiativën dhe financimin e vetë qytetarëve korçarë. Ka qenë simboli i qytetit tonë!
 
Antonis Mellios
Jevtushenko kur erdhi ne Shqipëri tha se “…kanë qenë pushtetarë shumë të zotë që mundën të bënin një shkatërrim kaq të madh!”
 
Thomas Skendi
Antonis Mellios, Shtet diktatorial! Vetëm një urdhër, asnjë diskutim!
 
Albens Tabaku
Une nuk i përkas komunitetit ortodoks, por jam dakord me shumë dëshirë që të ngrihet Katedralja e mbrojtësit te qytetit e “Shën Gjergjit”. Madje të kontribuojmë edhe pak secili nga banorët do të ishte mjaft e dobishme dhe do na lidhte të gjithëve akoma më shumë si komunitet korçar, kjo do të ishte edhe si simbol i largimit të përçarjeve që janë futur qoftë nga komunizmi apo edhe faktorë të tjerë. Shenjtorëmbrojtësit e qytetit jane në një pjesë të madhe të Europës!
 
Danja Jata
Çfarë masakrash bëri komunizmi dhe çfare masakrash edhe tani ne rilindjen e famshme sidomos, ku po prishet përditë ajo histori që i shpëtoi prishjes nga djalli komunizëm!
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.