back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Rreth problemit të paskajores në gjuhën shqipe – nga Besim Bokshi (2010)

Gazeta

Prof. Besim Bokshi
Prof. Besim Bokshi

Rreth problemit të paskajores në gjuhën shqipe

nga Besim Bokshi

(Kumtesë në Aktet e konferencës gjuhësore – Durrës, 15-17 dhjetor 2010)

Sikur të pranohej me dashamirësi ky konglomerat argumentimesh
nga profesori karizmatik Dr. Besim Bokshi sot do të mendonim,
flisnim e shkruanim një shqipe më normale e më të natyrshme
dhe do të shpëtonim nga iritimi me “standardin” si rebelim i heshtun
i brezit të ri, i cili më me lehtësi flet e shkruan në anglisht se në shqipen “standarde”,
e cila shkatërroi gegnishten letrare duke e përzanë nga shkollat dhe nga letërsia…
Ka ardhë koha që standarti të reformohet që t’u mundsohet shqiptarëve
të flasin ashtu si mendojnë dhe të shkruajnë ashtu si flasin
pa paterica artificiale dialektore. Standardi pa paskajoren gegnishte brenda,
ashtu si e zbërthen prof. Bokshi në shkrimin e Tij,
e ka ba standardin të papërdorshëm. Refuzimi i gjuhëtarëve
që të bëjnë me urgjencë reformat e standardit rrezikojnë që standartin
të refuzohet në tërësi, që nuk do të ishte e drejtë…
Fadil Hysaj

Drejtesia
Drejtesia

Të nderuar kolegë e kolege,
Paskajorja me + forma e pjesores pësore e së kryerës është krijuar para formimit të mbiemrit të nyjshëm, që domethënë se ishte e tërë shqipes, ashtu si dhe privativi pa + forma e pjesores. Krijimi i kësaj forme nuk e pengoi përdorimin e mënyrës lidhore, që ishte para kësaj forme infinitivale. Përveç në disa raste tepër të pakta, ku nuk ishin të zëvendësueshme nga njëra-tjetra, lidhorja e paskajorja e tillë ishin variante stilistike, variante të lira, d.m.th. funksionuan e funksionojnë edhe sot si të tilla në dialektin e gegërishtes, ashtu siç funksionojnë edhe në disa gjuhë të tjera. Kuptohet, prandaj, se dalja nga përdorimi i kësaj paskajoreje vetëm nga të folmet toske do të jetë bërë nën ndikimin e jashtëm, nën ndikimin e një gjuhe në kontakt intim, që për dialektin e toskërishtes mund të ishte greqishtja e mesme, që e kishte humbur paskajoren, në kohën kur në gjuhën shqipe ishin dobësuar së tepërmi lidhjet veri-jug. Ajo doli nga përdorimi nga preferenca e shprehjes me lidhore.
Nga kjo kuptohet se toskërishtja, që domethënë edhe shqipja standarde, nuk e kundërshton praninë e një paskajoreje, që do të ishte në funksion varianti me lidhoren. Nga ky aspekt paskajorja e tillë e ka vendin e zbrazët në sistemin foljor të shqipes standarde. E meqë një paskajore e tillë ekziston në gjuhën shqipe dhe është shumë e përdorshme në dialektin gegë, në kushtet e bashkëjetesës së intensifikuar të të folmeve të dy dialekteve tona, kjo paskajore ushtron presion për të hyrë në standard dhe po shfaqet e përdorur te folësit e gjuhës standarde gjithnjë e më tepër, sidomos në të folurit e shpejtë, për shkak se, duke qenë formë foljore pa vetë e pa numër, është e seleksionueshme më me lehtësi se lidhorja e ngarkuar me këto kuptime.
Në këtë paskajore është përcjellë ndryshimi i formës së pjesores. Ajo qe me formë të njëjtë për tërë shqipen jo vetëm në kohën e përftimit të kësaj paskajoreje, që është e periudhës para përfundimit të huazimeve latine, por edhe kur ra -n-ja fundore te pjesorja në -on: *ka shko, *ka puno dhe deri kur kjo -o u diftongu a në uo: shkuo, punuo etj. dhe kur ra më vonë edhe te pjesorja me zanore të tjera: ka pre, ka ble, ka ra, ka pi, ka thye etj. Kjo gjendje e përbashkët e formës së pjesores dëshmohet në format e habitores: la-kam, pre-kam, thye-kam., shkuo- kam etj., që mendojmë se është krijuar kah shek. XI. Pas kësaj kohe toskërishtja formën e mbiemrit prejpjesor e kaloi edhe në pjesoren në përdorim foljor: i,e pre-rë – ka prerë, i, e la-rë – ka la-rë, i, e thye-rë – ka thye-rë, duke e barazuar formimin e mbiemrit nga pjesorja, siç ishte në formën e pjesores me apofoni: ka mbjellë – i, e mbjellë, ka dalë – i, e dalë e në -në: ka thënë – i, e thënë, ka lënë – i, e lënë -, ka marrë – i, e marrë etj. dhe te pjesoret në konsonant: ka pritur – i, e pritur, ka ardhur – i, e ardhur, ka djegur – i, e djegur etj. Pjesa më e madhe e gegërishtes ndoqi rrugë tjetër. Ajo e ruajti dallimin e formës së mbiemrit prejpjesor nga pjesorja në zanore e në diftong në përdorim foljor, duke e lënë formimin e mbiemrit nga pjesorja + prapashtesë: ka la – i la-m – i la-në, ka pre – i pre-m – i pre-në, ka thye – i thye-m – i thye-në, ka punuo – i punuo-m – i punuo-në etj. dhe e përgjithësoi këtë mënyrë formimi të mbiemrit edhe me format e tjera të pjesores: ka mbjellë – i, e mbjell-un, ka mjelë – i, e mjel-un, ka tjerrë – i, e tjerrun, ka lanë – i, e lan-un, ka marrë – i, e marr-un , ka thanë – i, e thanun etj. Në realizim të këtij kriteri që mbiemri të formohet nga pjesorja plus prapashtesa, në gegërishte u shkurtua pjesorja në bashkëtingëllore, kështu që nga ka ardhunë – i, e ardhunë u kalua në ka ardhë – i, e ardh-unë, nga ka pritunë – i, e pritunë në ka pritë – i, e prit-unë etj., në një proces të përfunduar pas autorëve tanë të vjetër, te të cilët shihet se ky proces porsa kishte filluar. Kështu e vetmja formë e pjesores që mbeti e barabartë në të dy dialektet është forma e foljeve apofonike në sonante: vjelë, mbjellë, dalë, marrë dhe në ato që përfundonin në -n: thënë, lënë (thanë, lanë) etj. me dallimin fonetik a – ë.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe
Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

Kjo formë e përbashkët e pjesores e lehtëson përdorimin paskajoren me + pjesore brenda gjuhës së folur standarde: me vjelë, me mbjellë, me dalë, me marrë, me lënë, me nxjerrë etj., ndihmuar edhe nga format e pranuara më parë në toskërishte si me thënë, me qenë (do me thënë, me qenë se, me qenë që ).
Humbja e paskajores, që duket të jetë kryer kah shek. XIII si në disa gjuhë ballkanike, u bë kur format e pjesores në toskërishte ishin këto që u shënuan, d.m.th. këto që janë edhe sot. Paskajorja e tillë është e dëshmuar si formë reliktore e ngurosur në shumë pak raste në ndonjë të folme të arbërishtes në Itali, siç na e thotë edhe Altimari: për me ngrën, për me pir, për me qeshur, për me bler, e në ndonjë rast të izoluar në toskërishte, siç dalin format tuk me mbaruar, tuk me thënë në të folmen e Beratit. Këto të fundit duket se janë mbetje të paskajores në toskërishte edhe nga shkaku se në këtë përdorim paskajorja nuk mund të zëvendësohej nga forma e lidhores.
Pas mënjanimit të kësaj paskajoreje, toskërishtja qëndroi vijimisht brenda arsyeve që e përjashtuan nga përdorimi, kështu që nuk mund të pritej që të fillonte ndonjë proces i krijimit të një paskajoreje të tillë. Përdorimet e paskajores te disa shkrimtarë toskë të Rilindjes me + pjesorja e toskërishtes si: me (mos) pasurë, për me (mos) prishurë, për me (mos) mbeturë etj. janë çmuar me të drejtë si trajta të formuara si “përpjekje të vetëdijshme për afrimin e dy dialekteve të shqipes në të shkruar”. Format e tilla të paskajores nuk mund të jenë krijuar nën ndikimin e gegërishtes, sepse me formën toskërishte të pjesores janë të paqena edhe në gegërishte, d.m.th. janë krijime artificiale, të cilat prandaj nuk i pranoi as toskërishtja e folur, duke i lënë jashtë përkrahjes që të bëhen edhe formë e shkruar. Kështu paskajore në gjuhën standarde mund të bëhet vetëm paskajorja e gegërishtes nën presionin e përdorimit intensiv në gegërishte, paskajore me format e pjesores së saj bashkë me format e toskërishtes: lënë, thënë etj.
Duke u bërë pjesë e sistemit foljor të shqipes standarde, paskajorja nuk imponon ndryshimin e formës së pjesores të kësaj gjuhe, sepse kjo formë është e mbështetur nga dialekti toskë në të gjitha funksionimet e saj, përveç të tjerash, siç u tha, edhe me mënyrën e formimit të mbiemrit të nyjshëm prejpjesor drejtpërdrejt nga pjesorja, edhe me krijimin e emrave asnjanës prejpjesorë: të vrapuarit, të ushqyerit etj. edhe brenda formave të ndryshme foljore e emërore. Atë e mbron funksioni i saj identifikues si pjesë e sistemit foljor të toskërishtes. Kështu paskajorja e gegërishtes imponohet të hyjë në shqipen standarde edhe për arsye se nuk provokon efekte ndryshimesh të tjera në morfologjinë e kësaj gjuhe.
Mundësia e hyrjes së kësaj paskajoreje të gegërishtes në shqipen standarde për arsyet që u shënuan, ka mbështetje edhe te disa forma të pjesores së gegërishtes që kanë hyrë në standard me formën e habitores: la-kam, thye-kam, prit-kam, marr-kam, ardh-kam etj., te mbiemrat prejpjesorë në -shëm: i punue-shëm, i thye-shëm, i afrue-shëm, i pa-shëm, i bleshëm, i rrit-shëm, i prek-shëm, i bind-shëm etj., te emrat e vepruesit: mësue-s, ndërtue-s, thye-s, pritë-s, ardhë-s, djegë-s, prekë-s, prishë-s etj. si dhe te formimi i disa emrave të prejardhur me prapashtesën -je, që figuron e shtuar mbi pjesoren e gegërishtes: ardh-je, mbet-je, vërejt-je, humb-je, fol-je etj. Edhe këto pjesore të gegërishtes në kuadër të këtyre formave nuk kanë ushtruar presion që të bëhet e njëjtë pjesorja e gjuhës standarde dhe nuk ka bërë presion as pjesorja e standardit që të dalë në vend të këtyre formave gege të pjesores (me pak përjashtime). Kështu pjesorja e standardit e toleron pjesoren e gegërishtes në përbërje të formave të shënuara foljore e emërore.
Paskajorja po vjen në përdorim gojor të shqipes standarde, tash me trajtim si devijim nga standardi. Duke e pranuar në standard, si lejim i standardit e jo për hatër të gegërishtes, do të përshpejtohej përdorimi i shlirshëm i saj, inkuadrimi me tërë begatinë e saj funksionale që do t’ia sjellin folësit gegë të gjuhës standarde.
Me paskajoren e tillë si variant i lirë me lidhoren në gjuhën standarde të shkruar bëhet e mundur edhe një shprehje stilistike me përzgjedhje herë të lidhores, herë të paskajores, që i mungon shqipes standarde.
Kjo formë e paskajores, si kategori foljore që “përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemin foljor të një gjuhe”, nuk është futur në gjuhën standarde në Kongresin e Drejtshkrimit për shkak të mendimit të gabuar se me të do të imponohej ndryshimi i pjesores së standardit, gjë që do ta lëndonte shumë bazën dialektore të saj.
Shqipja standarde e ka paskajoren e gegërishtes mundësi të begatimit të shprehjes. Në rrugë të realizimit të kësaj mundësie duhet të ndihmohet, me u ndihmue duhet.

Marrë nga Muri i Fb i Agim Morina, 19 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.