Republika e Askundit – nga Elona Caslli

Gazeta

Elsa Demo
Elsa Demo
Republika e Askundit
nga Elona Caslli

Në këtë ditë përvëluese gushti, kur mezi mbushesh me frymë, nuk e di nëse bëj mirë apo keq që i shkruaj këto fjalë, por, duke qenë se në këtë vend asgjë nuk funksionon mbi një rrafsh logjik, ndoshta edhe unë mund të dorëzohem përballë pamundësisë për të gjetur arsyen e këtyre fjalëve.
Para disa ditësh isha në një aktivitet. Ndër të pranishmit ishte edhe Elsa Demo. Recitoi një poezi të Ervin Hatibit.
Sa bukur tingëllonte Hatibi në zërin e Elsës, ose sa natyrshëm hynte Elsa në poezinë e Hatibit, ose të dyja bashkë, ose… Ka kaq shumë “ose” në ekzistencën njerëzore, sa kjo fjali mund të mos mbaronte kurrë.
E përshëndes Demon. E pyes:
“Ku je tani?!”
“Jam askund”, më përgjigjet.
Elsa Demo është askund.
Nuk ka një ekran ku ta shohësh e ta dëgjosh. Nuk ka një hapësirë të përjavshme ku prania e saj të të kujtojë se mendimi, kultura dhe fjala e mirëmenduar mund të jenë ende pjesë e jetës publike.
Duket se në Shqipëri shumica e të tepërve është gjithkund, ndërsa pakica e të paktëve është askund.
Dhe pyetja lind vetvetiu: A mund t’ia lejojë vetes shoqëria shqiptare që një gazetare kulture e një niveli të dallueshëm, të respektueshëm dhe të rrallë si Elsa Demo, të jetë banore e Republikës së Askundit?
A ka Shqipëria kaq shumë Elsa Demo, saqë mund të mos i bëjë përshtypje mungesa e njërës prej tyre?
Unë mendoj se jo.
Njerëzit, që mendojnë, janë të paktë kudo, por në Shqipëri, ku zhurma shpesh ngatërrohet me zërin dhe dukja me praninë, mendimi i mirëfilltë duket se ka vetëm dy mënyra për të mbijetuar: ose të emigrojë, ose të tërhiqet në Republikën e Askundit, në mënyrë që të mos deformohet deri në atë pikë sa të mos e njohë më veten.
Ndoshta ky është edhe paradoksi ynë më i madh. Ata, që duhet të ishin askund, janë gjithkund, ndërsa ata, që do të duhej të ishin gjithkund, janë askund.
Dhe kështu, ngadalë, Republika e Gjithkundit zgjerohet, ndërsa Republika e Askundit mbushet me njerëz që kanë ende diçka për të thënë.

Post Scriptum: Republika e Askundit është e mbushur plot me mendim, kulturë dhe dinjitet. Republika e Gjithkundit është e mbushur plot me mediokritet, zhurmë dhe poshtërsi. Ndoshta prandaj e para është askund, ndërsa e dyta është gjithkund.
Elona Caslli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit