back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Qentë ballkanas tregim nga Rezart Palluqi

Gazeta

Raca te ndryshme qensh
Raca te ndryshme qensh

Qentë ballkanas

tregim nga Rezart Palluqi

Qenin e Albanit, të quajtur Ilir. Ndodhte që e kafshonin fqinjët e tij, sidomos qeni serb dhe ai grek; ai italian më pak, pse qe ca dembel për të notuar deri në brigjet e Adriatikut, por edhe atij i pëlqente shumë vetvetja, paksa narcist pra…
Albani, i cili ndjehet mjaft krenar për qenin e tij, Ilirin, vendosi të hedhë hë për hë, qenin grek dhe atë serb në Gjyqin Ndërkombëtar të Kafshëve, i atashuar pranë Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës për kriminelët e luftës.
Edhe sot, ai i lidhi në qafë qenit shallin kuqezi me mjaft dashuri dhe kujdes, i dha një kockë të stërlëpirë në vend të sillës dhe i ledhatoi këmbën e djathtë, që qeni serb ia kishte kafshuar para disa ditësh.
Hetuesit europianë vendosën këtë herë të bëjnë hetime nga afër. Ata propozuan të vrojtojnë sjelljen e qenve ballkanikë për të kuptuar përse qeni shqiptar, Iliri, ishte ai që kafshohej më shpesh, dhe, më e rëndësishmja: pse ata i suleshin aq shpesh njëherësht drejt tij?
Së bashku me hetuesit erdhën edhe dy doktorë kafshësh, njeri i specializuar në mjekimin sa më të shpejtë dhe të mirë të plagëve, kurse tjetri, i specializuar në botën shpirtërore të qenve, pra, në anën psikologjike.
Grupi i hetuesve europianë u prit me salltanet në Aeroportin e vetëm shqiptar, Nënë Tereza. Naiviteti dhe servilizmi arriti kulmin kur vjehrri i Albanit, Koçoja, propozoi të bënin aheng në shenjë respekti për miqtë europianë.
-Po ata po vijnë për të shëruar plagët, dhe jo për të kërcyer – iu hodh gati në fyt nipi i tij, poet.
-Teveqel! – murmuriti ai i xhindosur.
Kështu i vjehrri, edhe pse me vështirësi u bind se ahengu ishte i tepërt për një ngjarje të tillë të trishtë.
Më në fund komisionerët mbërritën në shtëpinë e Albanit, e cila në sytë e tyre u shfaq si një vilë luksoze.
-Ku është qeni? – pyetën njëzëri komisionerët anglezë, holandezë dhe gjermanë.
-Atje, atje është krenaria ime – bëri me gisht Albani.
Komisionerët vunë re bollëkun e dhjamtë në barkun dhe në muskujt e Albanit.
Ç’të shihnin? Një kontrast tronditës ndërmjet trupit estetik e luksoz të vilës se Albanit dhe pamjes së trishtë të shtëpisë së qenit. Qeni i lidhur, i dobët kockë e lëkurë, me një trup anatomik, ku secili mund të numëronte brinjët e tij, lihte pa pushim. Ajo, që i ra në sy hetuesve ishte edhe mënyra si qeni Ilir, e mbante kokën kur lihte, ndërsa sytë dhe turirin i drejtonte nga të gjitha anët. Prandaj ata nuk e morën për bazë justifikimin e të zotit të tij, Albanit, se ai lehte gjithmonë ndaj të huajve.
-Po pse e mbani lidhur qenin? – e pyeti mjeku i dytë europian ose psikologu i qenve.
-Pse po ta lesh të lirë, ai nuk leh. Ai egërsohet kur e lidh dhe qeni kështu duhet të jetë. Jetojmë në Ballkan, në një gadishull plot egërsira dhe hajdutë.
-Njeriu tregon se nuk është shkëptur nga xhungla, nëse qenin e tij e sheh vetëm si roje shtëpie – u kundërpërgjigj psikologu i qenve.
-Pa shih kush flet! Ju andej nga Europa varni në dritare ose përbri portës kryesore tabela me fytyrën e qenve ku shkruhet: “Këtu ruaj unë” – u përgjigj Albani me një fytyrë pothuaj sarkastike.
“Këta qentë tanë kanë frikë nga minjtë dhe jo më të përleshen me grabitësit e shtëpive tona!” – mendoi holandezi në heshtje.
Ndërkaq, qeni i tij, Iliri, po lihte disi butë, e me bisht ndër shalë. Albani, për të treguar se sa e donte kafshën e tij shtëpiake, urdhëroi nusen t’i jepte gjellë. Pastaj i rregulloi shallin kuqezi, dhe, meqë bënte ftohtë, ia mbështolli trupin e rrëgjuar dhe të tretur nga pangrënia me flamurin shqiptar.
-Si e quajnë qenin? – pyeti mjeku tjetër, i cili po i mjekonte plagën dhe studionte shenjat e dhëmbëve të qenit serb.
-Ilir… Natyrisht, Ilir! – përsëriti Albani.
-Kjo kolibja e qenit tënd, e kalbur, i shkokërka mjaft përshtat kësaj vilës suaj… – mërmëriti mjeku i plagëve.

Qeni i Sharrit - Mollosi ilir
Qeni i Sharrit – Mollosi ilir

Mbasi hëngrën një drekë të mirë, mjekët hetues u nisën drejt qenve të tjerë ballkanas. Ata bënë hetimet paraprake dhe pas bisedimesh gjaknxehta, sidomos me pronarët e qenve serbë, grekë dhe bullgarë, arritën t’i bindin këta të fundit që t’i vrojtonin qentë në një fushë të hapur, gjatë një dite të tërë. Mjeku psikolog propozoi që çdo pronar të merrte shtëpizën e drunjtë të qenit të tij, për t’i ofruar atij njëfarë sigurie. Fusha vrojtuese u vendos të ishte asnjanëse për të mos krijuar privilegje psikologjike për ndonjë qen të caktuar.
Shtatë qentë ballkanas u zgjidhën nga zinxhirët dhe u lanë të lirë në fushë. Mjekët, kuptohet, po rrinin si në gjemba, me shqisa të mprehura në kulm për të parandaluar çdo lloj të papriture të pakëndshme, ndonjë kafshim dinak e të beftë, çka do ta minonte plotësisht projektin hetues psikologjik.
Sidoqoftë, psikologëve u ra menjëherë në sy sjellja e pasigurt e qenit shqiptar, Ilirit, i cili bishtin e mbante ndër shalë, turirin e gjatë dhe të ngushtë të drejtuar drejt putrave thonjthyera. Ai rrinte i heshtur, shmangte çdo shikim të drejtpërdrejtë me qentë e tjerë, të cilët nga ana e tyre, silleshin krejt ndryshe. Ata vraponin egër në të gjitha drejtimet. Qeni serb, dhjamplotë e me muskuj të fortë, reflektonte hijen e një ujku, sa dinak edhe krenar. Qeni grek dhe ai bullgar herë përqafeshin në ajër me putrat e përparme, herë hungërinin kërcënueshëm. Qentë e tjerë sillenin, gjithashtu, të hutuar, sidomos ai boshnjak dhe ai malazez. Ata, herë demonstronin sjellje agresive e herë vetëmbrojtëse, sidoqoftë ata ishin më aktivë, më të qartë dhe më të sigurt, sesa qeni shqiptar.
Psikologët u bindën plotësisht se sjellja e pasigurt dhe gjynahqare e qenit shqiptar ndikoi jashtëzakonisht në sjelljen e qenit serb dhe grek, të cilët papritur po bëheshin gjithnjë e më sulmues dhe më të rrezikshëm ndaj qenit shqiptar.
-E di ti që qeni yt, Iliri, është burimi i rritjes së adrenalinës të qenit serb dhe grek? Në botën e kafshëve, më i dobëti është i paracaktuar të ngordhë ose të paktën të kafshohet keq! – i pëshpëriti psikologu holandez Albanit, me qëllim që serbi dhe greku të mos e dëgjonin.
Albani rrudhi vetullat i zemëruar.
-Nuk e ke lexuar diplomacinë botërore? Qentë shqiptarë me sjelljen e tyre të urtë, si Iliri tani, krijojnë baraspeshë paqeje në Ballkan, përkundrazi do të kishim pasur vazhdimisht kafshime… – u kundërpërgjigj ai.
-Duhet të përkujdesesh për Ilirin më mirë. Ne, europianët kemi 70 vjet që nuk ju kafshojmë më. Si është e mundur që qeni yt, nuk është shëndoshur as edhe një kilogram? – e pyeti psikologu.
-Jepi të hajë më mirë dhe mësoje të vetëmbrohet. Në të kundërt, qentë serbë e grekë, dhe ai bullgar më pak, do të ëndërrojnë gjithnjë t’i shkëpusin ndonjë këmbë o ndonjë vesh.
Kur Albani e akuzoi holandezin dhe anglezin si tregtarë skllevërish të paparë, ata iu përgjigjën: “Po! Ne kemi tregtuar skllevër, por sot kafshët në vendet tona, sidomos qentë dhe macet, kanë më shumë të drejta sesa njerëzit. Si e shpjegon ti këtë?”
Albani i zemëruar shau nën hundë “Pederast”, holandezin, anglezin – “pijanec” dhe gjermanin – “hitleruc”!!
Në vazhdim, ai i vuri rripin në qafë qenit të tij, Ilirit, që po dridhej nga frika, dhe u largua.
-Bëje për të mirën tënde dhe atë europiane. Ushqeje më mirë Ilirin, rregulloja kasollen dhe mësoje të vetëmbrohet. Vetëm atëherë mund të themi se ju prodhoni paqe në Ballkan. Përndryshe, ju vetëm sa i mbani të ndezura epshet primitive të qenve serbë, grekë, bullgarë. Mos harro, që këto janë shekuj të artë, sepse më vonë… Europa mund të primitivizohet sërish dhe t’i ndërsejë qentë e saj në pyllin e çmendur europian, si dikur… dhe ti i di pastaj pasojat për Shqipërinë? – i rikujtoi psikologu holandez Albanit – i cili vazhdonte të largohej duke i nxjerrë gjuhën nga dritarja e xhipit të tij aq të të rehatshëm.

Rezart Palluqi
Holandë, 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.