back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Pse sot kam vendosur të mos hesht më… – nga Endrit Shabani

Gazeta

Endrit Shabani
Endrit Shabani

Pse sot kam vendosur të mos hesht më…

nga Endrit Shabani

Çdo qelizë në trupin tonë ka një mandat të paracaktuar dhe jeton deri kur i vjen momenti për tu larguar. Mirëpo, ka disa qeliza që e refuzojnë këtë urdhër dhe vazhdojnë të jetojnë përtej afatit. Ato nuk i shërbejnë më për asgjë trupit, por vazhdojnë të rriten për hir të rritjes, duke iu marrë përditë territor qelizave të shëndetshme. Rritja e pakontrolluar e tyre, shkakton një sëmundje që e dobëson trupin deri sa e vdes. Siç e ke marrë me mend, kjo sëmundje quhet kancer.
Jo vetëm trupi i njeriut, por edhe trupi i shoqërisë ka një kancer të vetin, që quhet diktaturë. Ashtu siç qelizat kancerogjene nuk rriten brenda natës, edhe Enver Hoxha nuk u bë diktator në një ditë. Ai u ngjit ngadalë, dhe shpesh pa rënë në sy, deri sa një mëngjes shqiptarët u gdhinë në një makth, ku trupi i Shqipërisë filloi të vdiste ngadalë. Shumë prej nesh mbyllën sytë, por iu desh t’i mbanin të mbyllura për gati pesë dekada.
Nuk është e thënë që historia të përsërisë në mënyrë identike vetveten, por disa sëmundje kanë simptoma të përbashkëta, që nuk duhen neglizhuar. Kjo sepse, diktatorët nuk fuqizohen në boshllëk, por ata ushqehen nga heshtja, toleranca dhe neglizhenca e shoqërisë. Sjellje këto që për tridhjetë vite shoqëria jonë i ka shfaqur ndaj Edi Ramës, një fenomen ky që po zhvillohet në etapa.
 

Etapa e parë: Kryebashkiaku Rama

Në vitin 2000 Shqipëria kishte ndjekur një traditë të vendeve demokratike, duke zhvilluar debate mes kandidatëve në fushatën zgjedhore. Këtë bëri edhe një djalë i ri, që kandidonte për bashkinë e Tiranës, i cili mori pjesë në këtë debat, por dha një nga performancat më të dobëta politike të jetës së tij.
Mirëpo, në vend që të përgatitej më mirë për debatet e ardhshme, ky djalë i ri, i quajtur Edi Rama, me t’u zgjedhur kryebashkiak vendosi që të mos debatonte më me kundërshtarët e tij. Kështu në 2003, pasi kishte fituar një mandat si kryetar bashkie, ai refuzoi debatin duke instaluar një praktikë të re ku fushata bazohet më shumë në propagandë dhe manipulim, se sa në përballje dhe informim. Unë në atë kohë heshta, se ç’punë kisha unë se me kë debatonte Rama?
.

Etapa e dytë: Kryetari Rama

Në fillim të viteve 2000 Partia Socialiste kishte garë, grupime dhe rryma të ndryshme që bashkëjetonin brenda partisë. Në 2005 Nano dha dorëheqjen dhe Rama u bë kryetar i partisë, në një palë zgjedhje enigmatike, ku një kandidat humbet në darkë dhe fiton në mëngjes (disa thonë se fitoi platforma “një pallat, një votë”).
Me t’u zgjedhur në krye të partisë, kryetari Rama ia nisi nga eleminimi i të drejtës së fjalës. Deri në ardhjen e tij Partia Socialiste i ngjante herë nje ansambli polifonik dhe herë një grupi dasmorësh të rrumbullosur që ia merrnin këngës secili për hesap të vet. Këtë liri Rama ua mori përmes zyrës së komunikimit publik, duke i detyruar të flisnin në media vetëm pasi të kishin marrë aprovimin e tij.
Si mbaroi punë me të drejtën e fjalës, kaloi tek e drejta e zgjedhjes. Ai kishte hyrë në PS sepse kjo parti kishte precedentin që kur partia humbiste zgjedhjet kryetari jepte dorëheqjen. Mirëpo në 2009, pasi humbi zgjedhjet, Rama në vend të dorëheqjes, organizoi një garë farsë ku garonte përballë një kandidati fiktiv, i cili (thonë se) votoi për Ramën.
Dhe për t’ia vënë kapakun kësaj pune, shtatë vite më vonë, Rama ndryshoi statutin e partisë duke e eleminuar fare të drejtën e zgjedhjes. Unë në atë kohë heshta sepse ç’punë kisha unë ç’bëhej brenda PS-së?
.

Etapa e tretë: Kryeministri Rama

Gjatë tetëvjeçarit të parë në pushtet PS-ja ndërroi katër kryeministra dhe formoi rreth dhjetë kabinete qeveritare. Madje kaq të fuqishëm ishin deputetët e partisë, sa kryeministri Nano nuk guxonte të zgjidhte qeverinë pa marrë miratimin e tyre.
Mirëpo, në 2008, sëbashku me të ngjashmin e tij, Rama arriti të ndryshojë Kushtetutën, duke e bërë të pamundur shkarkimin e kryeministrit nga Parlamenti. Nuk habit njeri që në këto vite kryeministri Rama ka qeverisur i patrazuar fare nga (medemek) organi më i lartë vendimmarrës në Republikën parlamentare të Shqipërisë.
Reforma zgjedhore që pasoi këto ndryshime kushtetuese vrau dy zogj me një gurë: i dha kryetarit Rama kontroll të plotë mbi deputetët e partisë së tij, dhe eleminoi partitë konkurente brenda të majtës.
Mjafton të mendosh se në legjislaturën 2005-2009, në Parlamentin e Shqipërisë përfaqësoheshin 12 parti politike, si dhe kishte dy deputetë të pavarur që ishin zgjedhur direkt nga populli. Pluralizëm ky që e bënte të domosdoshme bashkëpunimin mes aktorëve të ndryshëm dhe qeverisjen me koalicion të gjerë, me deputetë që ishin zgjedhur direkt nga vota e popullit.
Por sot, për herë të parë në dekada, kryeministri Rama po qeveris pa patur nevojë për askënd, ose e thënë me gjuhën e tij: e ka të gjithë tepsinë për vete. Unë në atë kohë heshta, sepse ç’ndryshim bën kush qeveris kur këta janë të gjithë njësoj?
.

Etapa e fundit: autokrati Rama

Shumë shtete që kanë një kushtetutë të ngjashme me tonën e vuajnë problemin e ndarjes mes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativit, por pak prej tyre do quheshin demokratike nëse kryetari i një partie do të kontrollonte çdo pushtet në vend.
Për shembull, Shqipëria nuk mund të jetë demokraci kur Rama nuk është mjaftuar vetëm me kontrollin mbi qeverinë dhe parlamentin, por ka shtrirë kontroll edhe në sektorë të pushtetit të drejtësisë, në institucionet e pavarura dhe në media.
Kur Rama hyri në politikë, partia e tij kontrollonte plotësisht vetëm TVSH-në dhe Zërin e Popullit, ndërkohë që pjesa më e madhe e mediave ishin ose plotësisht opozitare, ose opozitare me mëditje.
Mirëpo sot ka shumë prova që lënë pak për të dyshuar se ai i kontrollon, deri në turpërim, televizionet kombëtare, dhe pjesën më të madhe të asaj që mbetet nga mediat audiovizive apo shtypi i shkruar.
Si askush më parë, Rama qeveris sot në një mjedis ku mediat i marrin kronikat me kaseta të përgatitura nga zyra e tij e propagandës, dhe ku pronarët e medias heqin nga puna gazetarët pikërisht se ata tentojnë të bëjnë punën e tyre.
Kur Rama hyri në politikë, ai gjeti një gjyqësor të korruptuar, por që nuk e kishte frikë qeverinë. Për shembull në vitin 2006, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë bashkisë që ai drejtonte për çështjen e mbikalimit tek Zogu i Zi, duke rrëzuar pretendimet e kryeministrit të asaj kohe.
Por sot jemi në kushtet ku as që kemi Gjykatë Kushtetuese, ku prokurori i përgjithshëm është zgjedhur vetëm me votat e tij, dhe ku gjykatat janë mbushur me gjyqtarë që kanë frikë nga kontrolli i qeverisë, në vend që qeveria të kishte frikë nga kontrolli i gjykatave.
Para se të më keqkuptosh, në asnjë moment nuk kam harruar unë korrupsionin e Nanos, abuzimet e Metës, apo autoritarizmin e Berishës. Të tre ata, sëbashku me çetat e tyre, janë po aq të rrezikshëm dhe të korruptuar sa Rama. Ama, Edi Rama është kryeministri i parë që nga fillimet e pluralizmit, që po afrohet më pranë autokracisë. Duke u ngjitur, pa asnjë dyshim, në shkallët që ia kanë shtruar paraardhësit e tij.
Por nëse do ende prova për këtë, më lër të të kujtoj se në zgjedhjet vendore të 2003, kur PS ishte në mandatin e saj të dytë në pushtet, njësoj si tani, ajo mori vetem 34% të votave. Ndërsa ditën e sotme, përmes skemave që i kemi dëgjuar me veshët tanë, por edhe si pasojë e mos futjes së opozitës në zgjedhje, ai po shkon drejt kontrollit të 100% të bashkive të vendit. Por sot unë nuk kam ndërmend më të hesht, sepse nëse nuk filloj të flas sot, mund të mos kem më kurrë këtë mundësi…
Prandaj, dita e sotme, kur fenomeni Rama është në etapën e fundit të zhvillimit të tij, ne duhet të zgjohemi e të kuptojmë që nëse nuk fillojmë të reagojmë tani, nesër do të jetë vonë. Pasi sot nuk na mbetet gjë tjetër veçse të nisim betejën e fundit kundër përpjekjes për të instaluar një diktaturë të re. Dhe për këtë punë, nuk ka përse të mos mësojmë nga kurat bashkëkohore kundër kancerit.
Ndryshe nga kimiot e të shkuarës, apo molotovi i opozitës, sot kanceri shërohet duke fuqizuar sistemin imunitar. Dhe ky sistem imunitar në shoqëri, nuk ka se çfarë të jetë tjetër, veçse fuqizimi i qelizave të shëndetshme shoqërore përmes një arkitekture ligjore që i jep mundësi popullit të zgjedhë direkt përfaqësuesit e tij në bashki dhe parlament, por edhe t’i shkarkojë ata në mes të mandatit (kur e trashin zullumin).
Nuk ka se çfarë të jetë tjetër ky sistem, veçse mundësia e popullit për të vendosur mbi pasurinë e vet në mënyrë direkte, përmes referendumit lokal apo kombëtar, nismave ligjore, peticionit parlamentar dhe asambleve kombëtare. Por mbi të gjitha që kushtetuta të shprehë vullnetin e popullit, dhe të ndryshohet vetëm nga populli, jo nga dy autokratë në një natë të gjatë Prilli.
Por duhet që ky sistem imunitar të ketë edhe një arkitekturë ligjore që mundëson ndarjen përfundimtare mes ekzekutivit dhe legjislativit, duke vendosur një president të zgjedhur nga populli, dhe me kompetenca për të ushtruar kontroll kushtetues.
.
Do të jetë ky sistem imunitar shumëçka, por jo pa përfshirjen direkte të publikut në politikë, sepse nëse njerëzit e përgjegjshëm nuk merren me politikë, oligarkët barkçpuar, kriminelët bishpëllumbas dhe batakçinjtë sqimëtarë do vazhdojnë të vendosin për fëmijët tanë, për shtëpitë tona, për shëndetin tonë, madje edhe për jetën tonë.
Prandaj, nuk ka dyshim që ndërtimi i një sistemi të fortë imunitar mund të vrasë çdo ëndërr diktatoriale të Ramës, dhe të garantojë që në trupin e Shqipërisë kurrë më nuk do të mbijë fara kancerogjene e diktaturës. Por na duhet të bashkohemi në këtë betejë, sepse të gjithë e dimë që vërtet demokracia nuk vdes në një ditë, por as diktatura nuk shembet brenda një nate…
.
Marre nga https://lapsi.al/2019/06/30
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.