back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Procesverbali dhe Statuti i “Bllokut Kombëtar Indipendent” (1946)

Gazeta

Tahir Kolgjini - Blloku Kombtar Indipendent
Tahir Kolgjini – Blloku Kombtar Indipendent

Procesverbali dhe Statuti i “Bllokut Kombëtar Indipendent”

Proces Verbal
(I mbajtun sod me 6 Nanduer 1946)

Të poshtshënuemit, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme indipendente të Romës, të mbledhun për nji shqyrtim të gjendjes dhe të aspekteve ma të ngutshme t’emigracionit, mbasi rrahën imtsisht të gjitha çashtjet që u paraqitën në bisedim e mbasi i drejtuen njizani mendimin e tyne mirënjohës Qeverisë Demokratike t’Italis për mikpritje në tokën e saj bujare; tue kujtue se vetë situata ndërkombëtare e sygjeron nji afrim sa ma të ngushtë e ma aktiv të gjithë atyne shqiptarëve të emigracionit që janë të frymëzuem prej ndjenjave ma të shejta të atdhedashunisë, shumë prej të cilëve çashtjes shqiptare i kanë kushtue tanë jetën e që prej saj nuk duen të hjekin dorë; tue pasun bindjen ma të thellë se sytë e të tanë shqiptarëve, sod të robnuem në atdhe, janë drejtue kah aktiviteti i emigracionit, tue kujtue mirëfilli se pa nji bashkim të ngushtë të gjithë këtyne fuqinave t’emigracionit, nuk asht e mundun me i sjellë ndonji dobi situatës së vajtueshme t’atdheut; me plot bindje se kryejnë nji vepër patriotike sikur në çdo kohë, e sidomos sod që vendi ynë u lëshue e u braktis prej mbarë botës;

Procesverbali I Bllokut Kombtar Indipendent
Procesverbali I Bllokut Kombtar Indipendent
Vendosën

1.Të formohet sikurse u formue Blloku i grupeve indipendente, i cili këndej e tutje merr emnin Blloku Kombëtar Indipendent.
2.Të kenë për parim bashkpunimin e përzemërt me të gjithë ata shqiptarë a grupe shqiptarësh që kanë për qëllim luftimin me çdo mjet ligjuer të përshtatshëm, për shpëtimin e atdheut nga robnija, nga terrori dhe nga çfarosja e racës, që dita ditës po i kërcnohet, e që duen t’i sigurojnë popullit sovranitetin e integritetin toksuer tansuer, si dhe të gjitha liritë demokratike e sidomos ato të shprehjes së votës për caktimin e formës konstitucionale të shtetit. Me përdorë çdo mënyrë për me e mbajtë në eficiencë emigracionin, që të veproj me anën e shtypit e me çdo mjet tjetër propagande për ndriçimin e mendimit të përbotshëm, e sidomos të kolonive shqiptare jashtë atdheut.
3.Ky vendim merr formën e preme mbasi të marrë pëlqimin e grupeve indipendente të Reggio Emilias e ngjeti.
4.Nënshkruesat e këtij proces verbali angazhohen e nuk do të zhvillojnë ndonji veprimtari politike individuale jashta Bllokut derisa të kthehen në Shqipni.
Romë, 6 Nanduer 1946

1.Gjon Marka Gjoni
2.Ndue Gjomarkaj
3.Qazim Mulleti
4.Dr. Xhemil Dino
5.Nebil Dino
6.Prof. Sotir Kozmo
7.Kap. Asllan Libohova
8.Pandeli Papalilo
9.Luigj Gjargjola
10.Safa Vlora
11.Jak Koçi
12.Dr. Eduard Liço
13.Dr. Ismail Vërlaci
14.Prof. Ernest Koliqi
15.Nexhmedin Vrioni
16.Dr. Xhelal Mitrovica
17.Prof. Namik Resuli
18. Don Frano Karma
19.Kap. Jorgji Ruçi
20.Kap. Kapllan Libohova
21.Theofan Qesari
22.Dr. Kadri Myftiu
23.Dr. Lin Shkreli
24.Prof. Stefan Gazulli

Prej mbledhjes u caktue nji komision prej tre vetash për ndërlidhje me mërgimtarët e kampit të Reggio Emilias me i vu në dijeni për krijimin e Bllokut Kombëtar Indipendent, e ata ishin: Nue Gjomarku për ata të Veriut, Xhelal Mitrovica për grupin kosovarë, Kadri Myftiu për ata të qendrës.
Mbas nji studimi të hollësishëm të gjendjes, themeluesit e Bllokut publikuen Statutin themeltar:

Faqja e pare e statutit te BKI-se
Faqja e pare e statutit te BKI-se
Teksti i Statutit

Blloku Kombëtar Indipendent përmbledh në gjinin e vet bashkatdhetarë të ndershëm qi, tue u ushqye nga ndiesitë ma të pastra të vllaznimit shqiptar, synojnë idealin e nji Shqipnije të lirë, të pavarun, demokratike e antitotalitare.
Blloku Kombëtar Indipendent, mbas ngjarjeve të mëdhaja historike, nëpër të cilat u përshkue vendi ynë në gjysmën e qindvjetit të fundëm, i dishron kombit nji mbarshtrim politik e shoqnuer, i cili, tue u bazue në traditat ma të shëndoshta të tija, të përfshijë të gjitha përparimet e botës moderne perëndimore.
Për ta arrijtun qëllimin, gjatë qëndrimit në mergim, Blloku Kombëtar Indipendent e frymzon veprimtarin e vet nga këto pika programatike:

Gjon Marka Gjoni
Gjon Marka Gjoni

1.Mbajtjen para sysh të ruejtjes dhe mprojtjes së të drejtave bashkë me pamvarsin, sovranitetin shtetnuer e integritetin toksuer dhe të përpjekjes me mjete paqsore për Shqipninë ethnike, tue luftue me të gjitha mundësit e veta komunizmin e çdo lloji qoftë.
2.Ndjekjen e kultit të vlerave tradicionale qi e cilësojnë kombin shqiptar, tue konsideruem të përfshim n’at kult nderimin e personalitetit njerzuer, t’insitutit familjar, të lirive shoqnore e politike, të nisjativës se lirë në çdo fushë të veprimtarisë kombëtare, gjithnji mbrenda qarkut të dobisë së pergjithshme.
3.Respektin e së drejtës së pronësisë private pa përjashtim reformash në përshtatje me frymën e kohës kur ato bahen vetëm e vetem për përparim ekonomik e shoqnuer të popullit. Pasunija e vogël toksore respektohet. Për sa i përket pasunisë së patundshme toksore, jo vetëm qi punuesi i saj i tashëm nuk detyrohet ta kthej por i njifet atij e drejta e pronësisë dhe prodhimet e saja. Për sa u përket ndërtesave të çdo lloji, si: shpija, dyqane, mullijë, hotele, magazina e të tjera, ju kthehen të zotëve po nuk u prekën interesat kolektive, e në këtë rast, shpërblehen.
4.Kërkesën, gjatë qëndrimit në mërgim, të çdo mjeti të përshtatshëm për ta lirue atdhen nga zgjedha mizore e sotme, tue pranue e lypë bashkpunimin e çdo personi, grupi ase enti qi frymzohet nga ndiesija e kulluet e çlirimit të Shqipnisë.
5.Konsideratën se zgjidhja institucionale në Shqipni asht nji e drejtë qi i përket vetëm popullit shqiptar kur këtij t’i kthehet lirija e plotë e votës, e qi sot detyra e nji partije në mërgim asht veprimi m’e vu në gjendje popullin shqiptar të shprehi lirisht vullnetin e vet.
6.Mendimin se në Shqipni të çlirueme nuk duhet të formohen:
a)partina politike me karakter fetar;
b)partina politike të subvencionueme prej burimesh jo shqiptare;
c)partina politike qi janë pjesë e formacioneve të hueja, kombëtare ase ndërkombëtare;
c)partina politike qi tue shpërdorue liritë demokratike synojnë të vendosin regjime totalitare, dhe
d)partina politike qi pagzohen me emna, mbiemna ase me
e)tituj personash;
7.Pranimin e laicizmit në punët shtetnore tue përkrahë e nderue lirinë e besimit, bashkë me ushtrimin e tij dhe të ndërgjegjes;
8.Idenë se arsimi do të synojë formimin e qytetarit të ri, i cili, tue mos u shkoqë nga vetit ethnike, të jetë i pajisun me të gjitha njoftimet theorike e praktike ma moderne qi nevojiten për të qenë faktor i mirqenjes kombëtare, tue naltësue njiherit edhe gjendjen vetiake e familjare. Arsimi drejtohet prej shtetit. Shkollat e komuniteteve të ndryshme fetare, tue gzue të drejtën me përpilue programet e tyne për sa i përket moralit dhe ushtrimit të besimit, detyrohen me zbatue programin mësimuer kombëtar dhe me i u shtrue kontrollit të autoriteteve arsimore qeveritare;
9.Përkrahjen e riatdhesimit të t’gjithë atyne të mërguemve me zanafillje shqiptare, qi kanë ruejtun kultin e dokeve dhe ndiesitë kombëtare, edhe sikur të kenë marrun shtetësin e huej;
10.Nevojën e përpjekjes për marrëdhanje miqsore, në nji rrafsh barazije të plotë, me të gjitha shtetet, e veçantisht me shtetet fqinj, tue ruejtë në mënyrë rigoroze tagret kombëtare;
11.Rregullimin ekonomik të vendit mbi përkrahjen e nismave private në harmoni me ato shtetnore, mbi ndalimin e krijimit të çdo monopolizimi ase privilegji dhe mbi ekuilibrin e të gjitha mjeteve prodhuese në përshtatje me dobinë e përgjithëshme të puntorisë së krahut dhe të mendjes;
12.Mos-ndalimin e ndërhymjes së kapitalit të huej kur ky t’i shtrohet kushteve të frymzueme nga moscënimi i interesave të ligjshme private e shtetnore;
13.Kundërshtimin në mënyrë kategorike, në kohën tranzitore qi do të krijohet në Shqipni me rasën e ndryshimit të regjimit nga komunizmi në demokraci të lirë, të çdo hakmarrje ase veprimi ekzekutiv pa gjyq të rregullt.
Mbas Statutit, Blloku Kombëtar Indipendent e filloi veprimtarinë e vet në drejtime të ndryshme. Në mars të vitit 1947 nxori në qarkullim numrin e parë të gazetës “L’Albanie libre”, e mbas saj revisten “Lajmtari i të mërguemit”

(Përgatiti Agim Morina, Marrë nga Idriz Lamaj, “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta” dhe burime të tjera.)

Marrë nga Muri i FB Agim Morina, 16 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.