12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Primo Shllaku dhe 5 novela për përjetsinë – Essays nga Gjergj Jozef Kola

on

|

views

and

comments

Primo Shllaku - Muzikantët  - Novela
Primo Shllaku – Muzikantët – Novela

Primo Shllaku dhe 5 novela për përjetsinë.

Essays nga Gjergj Jozef Kola

Botimi i vëllimit në prozë të shkurtë “Muzikantët“ i Primo Shllakut, vetëm tash, 27 vjet mbasi janë shkrue dhe kjo në Kosovë, kallxon edhe nji herë politikën antikombtare që ndjekin pronarët e botimeve në Shqipni.
Përshtatja e njeriut ndaj “bukurisë së mirë” përban kahun pozitiv të evolucionit, ndërsa përshtatja (nënshtrimi) ndaj së “shëmtimit të keq” asht kahu negativ. Nën kët kandvështrim të njoftun, konvertimi i shumë shqiptarëve në komunizmin-ateist asht i njillojtë për nga nënshtrimi me përshtatjen e dhunshme ndaj standartit. Të dyja së bashku kanë sjellë gjymtymin e genit të pastër, krijues shqiptar.
Mjafton me pa sot shkatrrimin e strukturave qytetnuese perëndimore të shtetit dhe shoqnisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyne me pazare orientale mesjetare, për me kuptue ma kjartë se kurrë damtimin e genit. Askund ma mirë se në politikat e botimeve nuk shihet ky shkatërrim.
Primo Shllaku përfaqson për fatin tonë të mirë ruejtjen e pastër të genit autentik shqiptar, gen i cili mbijeton tash mbi 500 vjet letra të shkrueme shqipe.
Vëllimi me novela “Muzikantët” botim i OM në Prishtinë me drejtues Xhemajl Avdylin kallxon edhe nji herë shijen e hollë dhe largpamëse të letërsise nga kjo shpi botuese.
Rregulla e artë e letërsisë mëson se “nuk ka randsi ngjarja që kallxojme se jeta i kallxon të gjitha, porse mënyra origjinale se si e kallxojmë”. Në kët rregull janë rrëzue dhe rrëzohen mbi 90 perqind e prozës shqiptare sepse kërkojnë me imitue të paimitueshmen: jetën njerzore.
Primo Shllaku asht nji fatlumni për letrat shqipe, sepse ai e ka gjetë cilësinë me anë të stilit dhe rrjedhës artistike me i mbijetue historisë që kallxon jeta, me anë të artit te tij.
Te 5 novelat e vëllimit “Muzikantët” mbajnë të njëjtin dorëshkrim, stil të paimitueshëm tue kallxue edhe nji herë se nji poet i mirë asht gjithmonë kushti i nji prozatori të mirë. Te vëllimi “Muzikantët” ata quhen tregime, këto novela te “Realizmit primojan” shqiptar.
.
Partitura...
Partitura…
Novela “Muzikantët”, kallxon nji ngjarje të përditshme krejt banale të 5 instrumentistave në kafen e madhe të qyteti të Shkodrës. Kafja asht e madhe me emën, porse jo jeta e instrumentistave. Magjia e ksaj novele mbështetet në këto elemente krejt të parandsishme, në kandvshtrimin 5 palësh të fabulës dhe në përzgjedhjen tejet realiste, të rrëfimit që nji studiues letërsie, për vetë origjinalitetin mundet me e quejtë: Primojan.
“Muzikantët” premton se rrëfimet e novelave kanë me e ruejtë të paprekun frymën e kohës.
Mbi të gjitha novelat e këtij vëllimi, novela Loja, kjo magji e trishtueshme e nji epoke zakonesh, për të cilën unë kisha kujtue se nuk do të shkruente kurrë, askush asnjihere, spikat fort.
Kjo novelë mbetet për mue si nji nga nga kryeveprat e pakta në prozë të shkurtë të letrave shqipe të tana kohëve.
Nuk ka shqiptar që nuk e njeh apo nuk e ka përjetu krejt afër fenomenin e “shkuesise”. Në kët “arrangieren” janë dy forca që lëvrijnë e përplasen në zemrën e njeriut: Ajo e erës së ngrohtë që të mbush me gzim se ma në fund e ke gjetë shokun apo shoqen e jetës dhe e vizaton atë me ngjyra romantike dhe ajo tjetra, era e vrullshme, e dashunisë së mungueme, dashunisë së zhgënjyeme, të papyetun kurrë, që revoltohet me të drejtë.
Nini, personazhi që vjen mes nji poezie me za dhe del me anë të nji proze pa za nga novela asht tipiku i periudhës së diktaturës, ku njeriu ishte i kufizuem në jetën shpirtnore njashtu si skllavnit e perandorisë romake. Kush martohej me dashuni ose kishte fat shumë, ose ishte i krisun. Kjo asht e njejta me artin: Kush ka stil te vedin ose asht gjeni ose ka vullnet të jashtzakonshëm me e krijue atë.
Mobiljet e kuqe të dhomës së t’fejuemes që bahen vishnje kur bjen hija, janë nji tablo e nji kohe që në letërsi ka me mbajtë emnin e Primo Shllakut.
Novela Unaza kallxon se Primoja asht mjeshtër i detajit. Me anë të këtij detaji tradicional siç asht nji unazë e shtrejtë e martesës që shumë familje e kanë trashëgue, ndriçohet honi shpirtnor që ka nisë me u hapë te nji çift i ri, të cilët sapo janë ba prind. Drama e shumë nanave të reja, të cilat me fëmijen e parë pësojnë ndryshime shpirtnore dhe fizike pasqyrohet shumë kjartë me tanë fuqinë e nji pende elegante, që të mban peshë nga fillimi në fund.
Te Novela Pema autori i bjen drejtpërdrejtë në ballë me nji metaforë gjigande kompleksit shumëshekullor shqiptar. Ndër shqiptarë shemben çdo shekuj toteme porse mbeten tabutë… Fishta i madh thotë “se shqiptarët ja mshehin vedit atë që ja din tanë bota” e Primoja në gjurmët e titanit Fishta na kallxon se koha e rrëxon ndër shqiptarët pemën e historisë e ata vrapojnë të marrin nga nji rrath e ta ruejnë në shpitë e tyne.
A nuk bajnë ata kështu me osmanët, me Zogun, me komunistat e sot me postkomunistat?

Novela Barbarët prek neurozën ma të thellë të njeriut që jeton në shkatrrimin e plotë dhe aty në shkatërrim e sipër nuk sheh gja tjetër, vetëm përfitimin e vet. Pronari i zyrës së varrimit asht krejt indiferent ndaj barbarëve, që vijnë e djegin e shkatrrojnë qytetin, sepse këtu ai u gëzohet të vdekunve që ka me varrosë.

Kjo sindromë e tmerrshme e disa popujve që janë mësue me nënshtrimin, jepet në mënyrë të pamëshirshme prej pendës aq te kujdesshme me detajin si kjo e Primos. Edhe në fund kur pushtuesi barbar shkatërron e djeg tanë qytetin, pronari i vdekun i varrimit lëviz si hije, si shpirt i truem e shkon nëpër qytet tue kërkue kufomat që ka me varrosë me pagesë.
Asnjiherë nuk ka kenë nji novelë e tillë ma aktuale se sot, kur shumë shqipfolësa, po shesin simbolet e kombit për dy pare që ju hjedhin të huejt, barbarët.
Primo Shllaku asht nji mjeshtër i drejtpërdrejtë i prozës shqipe, ku gegnishtja e tij asht nji shembull par excellence për tanë ata shqiptarë që dojnë me shkrue shqipen shekullore me tanë evoluimin e saj. Ai ja ka ba vedit përjetsisht vendin në letrat shqipe të prozës së gjysës së dytë të shekullit 20. Lexuesit pasionalë dhe kritika e ndershme profesionale kanë me i dhanë të drejtë këtyne rreshtave.
Primo Shllaku asht vazhdues i denjë i B-ve të mëdha të shqipes gege, i Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, që mbajtën gjallë 500 vjet gjuhën shqipe, në nji kohë kur ajo ishte e ndalueme me dekret sulltanor dhe zbatohej me po aq egërsi nga “elita e pashallarëve” shqiptare, sa vete sulltani habitej. Asnji elitë aristokratike në botë nuk ka dalë kundra gjuhës së vet, përveç asaj shqiptare të osmanizueme. Egërsia me të cilën post-realsocialistët po sulmojnë sot shqipen e natyrshme gege drejtohet ma fort kundra titanëve të ksaj letërsie, kundra Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Shantojës, Camajt dhe vetë Shllakut.
Shkrimi i shejtë thotë se “…kur dy qorra bahen bashkë kanë me përfundue në kanal e mos me dalë ma”, Mt 15.11 e ky do jetë edhe fundi i simbiozës postosmano-postkomuniste shqiptare.
Ardhja e Muzikantëve në letrat shqipe sjell me vedi edhe shpresën e madhe se këto 5 yje janë konstelacion i nji galaktike të tanë letrare dhe se Primo Shllaku asht Patriark vazhdues i letrave shqipe, të nisuna me Patriarkun e parë të madh: Gjon Buzukun.
Vjenë, Gusht 2017

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.