back to top
27.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

“Pranvera vieneze” në kandvështrimin tim – nga Leon Lekaj

Gazeta

Leon Lekaj në Vjenë
Leon Lekaj në Vjenë*

“Pranvera vieneze” në kandvështrimin tim

nga Leon Lekaj

Sapo zbrisje në Vienë, ekzistonte një ndjesi shtypëse, e cila nuk të lëshonte lehtë dhe të jepte pak mundësi të zbrazeshe prej famës së artistëve të saj. Dinastia e Shtrausve dhe tingujt e valseve dukej sikur shpërthenin edhe prej bisqeve të sapoçeluna të pranverës në Vienë.

Gjergj Jozef Kola…
Asht mikpritësi im i parë. Ai asht aty, tue pritë aeroplanin që zbarkon nga Athina e bardhë dhe e lashtë. Nuk e kisha njoftë ma parë mikun tim virtual, por takimi me të nuk pati as ma të voglin zhgënjim. Përballë meje kisha shkodranin Gjergj, qytetarin e nji kryeqyteti europian si dhe krijuesin kambëngulës e të pamposhtun, autorin e shumë veprave letrare, ma së shumti në gjininë e dramës dhe romanit.
I angazhuem shpesh me vendosjen në skenë të dramave të tij, me përmbajtje kryesisht patriotike e antikomuniste, apo edhe me temën e dashunisë, shkrimtari kishte lanë mënjanë përditshmërinë dhe në harkun e tri ditëve, do të ishte miku dhe bashkudhëtari im. Bisedat për letërsinë, në tavolina të thjeshta, ku serviret birrë austriake, do të kapnin orët e vona. Ai qe kujdesë për gjithçka deri edhe për hotelin, ku do të qëndroja netët e Pranverës Vieneze, i cili qe buzë një pylli plot gjerbërim, ku spikatnin ca zambakë të verdhë, si dhe ketrat e vegjël, që merrni guximin të afroheshin deri tek dora.
“Pranvera Vieneze” – një veprimtari e shkrimtarëve të diasporës (kryesisht pjesës evropiane) ishte planifikuar të mbahej në një godinë të bukur, EUROPAHAUZ në mes të një gjelbërimi të mrekullueshëm, karakteristikë e kudondodhun kjo, e kryeqytetit austriak. Organizatorët e saj, Hazir Mehmeti, Mendu Thaqi dhe Musa Jupolli, ishin kujdesë që gjithçka të ishte në vendin e duhun. Së bashku me morinë e njerzve të letrave, pjesmarrës të atij aktiviteti të randsishëm, qe edhe violinistja shkodrane, banuese në kryeqytetin austriak, Valbona Naku, si dhe një grup folkorik të rinjsh.

“Pranvera Vieneze” - Veprimtari e Shkrimtarëve të Diasporës - 2023
“Pranvera Vieneze” – Veprimtari e Shkrimtarëve të Diasporës – 2023

Ajo çka u vu re në këtë veprimtari, veç pjesëmarrjes masive nga njerëz të letrave në vende të ndryshme europiane, ishte disiplina e këtij eventi. Dukej qartë që shqiptarët e Austrisë, kishin adaptue shumë nga vendi ma mik i Shqipërisë dhe lidhjet e vjetra qenë forcuar edhe ma shumë.
Në fillim referuan Dr. Prof. Isak Shema si dhe Dr. Ornela Radovicka.
E konceptueme në dy pjesë, veprimtaria e drejtueme kandshëm prej karizmatikut Mentor Thaçi, apo bacës Mentor, me të cilën shpesh i drejtoheshin ma të rinjtë, solli për shqiptarët e Vienës, por edhe më gjanë, një ngjarje të re artistike.
Në pjesën e parë u prezantuan disa vepra në prozë si dhe referate mbi vepra të ndryshme, ndërsa në pjesën e dytë të saj, mbas një pushimi, u prezantuen poetët.
Atmosfera e mallit midis të pranishmëve dhe diskutimet mes njeni-tjetrit, tematika e përqëndrueme e krijimtarisë së tyne, e cila ma së shumti shigjetonte mardhaniet e mërgimtarëve me atdheun e tynë, më “detyruen” që të lija mënjanë materialin e përgatitun dhe t’i drejtohesha auditorit me nji video-poezi për qytetin e lindjes, Shkodrën, të interpretuem prej aktorit Astrit Fani.
Në atë mjedis me tone të theksueme patriotike, u duk se ato vargje qenë eliksir për të pranishmit, të cilët me bujari të pashoqe i dhuruan shumë duartrokitje vargjeve për qytetin tim.
Mbas veprimtarisë, të organizuar në grup, të pranishmit ju drejtuen muzeut të Vjenës, ku mbahen të ekspozueme armët e heroi tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Pas tri ditësh, ju drejtova sërish aerodromit, nën shoqërinë e mikut tim Gjergjit, me dëshirën për t’u kthye prapë në atë qytet të mrekullueshëm, me përjetue çaste, të cilat për çdo krijues, janë një shtysë e bukur dhe e vlefshme.
Leon Lekaj, Athinë, 07 maj 2023

*Tabela poshtë dorës, thotë se aty kishte kaluar një pjesë të kohës së lirë Gëte.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.