back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024

Poeti Shpirtlirë dhe Poezia e Burgut – nga Ndue Lazri – Takim në Parma me poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti, Ndue Lazri & Eda Agaj - Zhiti
Visar Zhiti, Ndue Lazri & Eda Agaj – Zhiti

Poeti Shpirtlirë dhe Poezia e Burgut

nga Ndue Lazri

Takim në Parma me poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti

Ai përgjithësisht flet pak dhe sidomos nuk ka dëshirë të flasë për veten. Lë që më shumë të flasë poezia e tij, arti i tij. Kjo u vu re edhe në takimin që kishin organizuar shkolla “Scanderbeg” në Parma e drejtuar nga i mirënjohuri Durim Lika, në bashkëpunim me Forum Donne Indipendenti. Takimi u bë në katin e nëndheshëm të Muzeut të Artit Kinez e të Etnografisë. Ishte një takim në vazhdim të turneut që poeti Visar Zhiti bëri kohët e fundit nëpër Itali.
Tek flitej për poezinë në atë ambient veprash delikate arti, vargjet e poezisë së Zhitit fitonin një shkëlqim të ri si ato zbukurimet në ar të gdhendura mbi vazot e çmuara kineze. Ky shkëlqim fitonte edhe më shumë dritë po të mendoje që pjesa më e madhe e atyre poezive ishin shkruar në burgun e errët të Spaçit, ku autorin e mbyllën në moshën më të bukur të rinisë e në kulmin e forcave e energjive të tij krijuese. Ai kërkonte më shumë dritë e diell në poezitë e tij, në një vend ku drita ishte e pakët dhe me fjalën diell duhej të kuptohej vetëm partia. E ia mohuan diellin e universit duke e mbyllur në qelitë e errëta të burgut e në galeritë e thella të nëntokës. Donin t’ia shuanin dëshirën për jetën. Por nuk ia shuan dot as dëshirën për jetë, as ëndrrat, as talentin. Me qindra poezi u shkruan në qelì. Autori i mësonte përmendësh sepse po t’i shkruante në letra ia rrëmbenin. Disa që u shkruan në letra i bëri të dilnin nga burgu solidariteti midis të burgosurve të tjerë, që nuk shkruanin poezi, por e donin poezinë e poetit, që edhe nga nëntoka shkruante për lirinë e mohuar. Ata i fshihnin dhe arritën t’i nxirrnin nga burgu. Poezia e burgut të errët pa dritën e botimit dhe tani lexohet nga kushdo e recitohet nëpër takimet që autori bën me lexues.

Denata Nd reca, Visar Zhiti & Ndue Lazri
Denata Ndreca, Visar Zhiti & Ndue Lazri
Visar Zhiti & Denata Ndreca
Visar Zhiti & Denata Ndreca

Pas urimit të mirëseardhjes nga zonja Elvira Lashi e Forum Donne Indipendenti, takimi u zhvillua në formën e një bisede midis gazetares Denata Ndreca dhe autorit. Denata, me ndjenjë poetike, me profesionalizëm e me mjeshtëri gazetareske përcolli vlerat më të spikatura të poezisë së Visar Zhitit. Nga ana e tij, autori, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares, por edhe të pjesëmarrësve në takim, solli kujtimet e tij nga jeta e burgut, detaje se si lindte poezia në galeritë e nëntokës e si arriti të mbijetojë ajo. Ai kishte sjellë me vete edhe kopje të librit Sulle strade dell’inferno (Në udhët e ferrit), ku tregon jetën e tij në burgun e Spaçit. Është vetëm njëri nga dhjetra librat me peshë që ka shkruar Zhiti. Të gjithë librat u morën nga pjesëmarrësit me autograf nga autori.
Delikatesa e poezive të Zhitit përcillej herë pas here me finesën e flautistes Monika Bekolli, e cila, me meloditë e ekzekutuara mjeshtërisht i dha bukuri këtij takimi.
Pastaj nisi bashkëbisedimi i pjesëmarrësve me autorin. Në një moment ngrihet një ish-i burgosur në kampin e Spaçit i së njëjtës kohë me Visarin.
-E pata pyetur, – thotë Visari, – pse të kanë futur në burg?
-Kam folur keq për Mao Ce Dunin, – ishte përgjigjur ai.
-Çudi, – kishte shtuar Visari, – unë kam folur mirë për Mao Ce Dunin e megjithatë ja ku jemi të dy në burg. Njëri nga ne të dy logjikisht duhej të ishte jashtë burgut.
Tek i dëgjon sot këto, duket si një barcaletë, por ai regjim i tillë ishte, gjente motive nga më absurdet për të të burgosur. Shkrimtarin e mirënjohur dhe të pranishmit i përshëndeti komisarja për diasporën pranë konsullatës së përgjithshme shqiptare ne Milano, zonja Luljeta Çobanaj.
Në takim ndërhyjnë edhe shkrimtarë si Lumturi Lume Plaku, Robert Shkurti e Durim Taçi. Sekretarja e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali, gazetarja Lori Duka i dorëzon Visarit një çertifikatë mirënjohjeje për veprën e tij të shquar letrare.

Takimi i Parmës me Visar Zhitin
Takimi i Parmës me Visar Zhitin
Takimi i Parmës me Visar Zhitin
Takimi i Parmës me Visar Zhitin

Një moment shumë i bukur e prekës ishte ai kur aktivistja e palodhur Nereida Xhakolli, e cila ka ardhur me bashkëshortin Renzo Bonafini, mik i përhershëm i shqiptarëve, i dhuroi Visarit simbolin e Këmbanës së të rënëve që ngrihet në qytetin e Roveretos në përkujtim të të rënëve në luftë. Visari, në kohën kur ishte ministër i kulturës në Tiranë pati ardhur në Rovereto për marrëveshjen e bërë me iniciativën e shoqatës “Besëlidhja” për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar përkrah 90 flamujve të vendeve të tjera pranë këmbanës së të rënëve.
Ky aktivitet i bukur i organizuar në Parma më dha rastin e kënaqësinë të takoja e të bisedoja nga afër pas shumë vitesh me mikun tim Visar Zhiti dhe bashkëshorten e tij Eda. Visari gjithë jetën është përpjekur që të jetë vetvetja, larg pompoziteteve e tendencave për t’u dukur. Pasi doli nga burgu, atij si intelektual i spikatur dhe shkrimtar i shquar me një zë shumë origjinal e unikal në letërsinë shqipe, iu ofruan edhe vende në politikë, si deputet, ministër e ambasador. Por ai, me zgjuarsinë e thjeshtësinë e tij kuptoi në kohë dinakëritë, kurthet e pisllëqet e politikës, ndaj iu përkushtua letërsisë e mbeti gjithnjë vetvetja, në personalitetin, karakterin e integritetin e tij moral të palëkundshëm.
Duke marrë prej tij me autograf librin “Në udhët e ferrit”, më dukej sikur ai po më dhuronte atë pjesë të panjohur të jetës së tij, kur regjimi i hoqi vite të çmuara të rinisë e të lirisë së tij.

Gazeta e Parmës rreth takimit me shkrimtarin Visar Zhiti
Gazeta e Parmës rreth takimit me shkrimtarin Visar Zhiti

Marrë nga Muri i FB Ndue Lazri, 4 tetor 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.