back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Poemat e Hueja të afërta krejt – nga Erina Çoku

Gazeta

Entela Tabaku - Poemat e Hueja
Entela Tabaku – Poemat e Hueja

Poemat e Hueja të afërta krejt

nga Erina Çoku
“poemat e hueja” titullohet libri i ri i poetes Entela Tabaku, i cili do të publikohet së shpejti nga Botimet Pegi.
Një artiste, që me një shqipe të dashtun fort dhe krejt elegante, na sjell një poezi të latuar në mënyrë të përkorë, plot frymë, ajër e freski. Poemat. Poemën.
Poemë. I gjithë vëllimi është një poemë. Poemë, e cila ka në arkitekturën e vet poetike shumë poema. Çdonjëra mbledh nën strehën e saj poezi të lidhura dorë për dore, prej një ndjesie, ngjyre, tingulli, sendi, sekreti a përplot arsyeve të tjera që të këndellin, të mbajnë afër e të udhëtojnë në një botë poetike që pa dyshim bëhet edhe e jotja.
***
kjo dashuni asht ndryshe
i mbledh dromcat e bukës
në grusht
e ndigjon kangën e vet
deri në fund
Erina Çoku
Erina Çoku

Udhët e poezisë janë të ndryshme, të gjata, të shkurtra, lakore… por fundi i secilës, sido që të jetë, çfarëdo që të ndodhë, të çon drejt e në shpirtin e atij që i shkruan.

Çfarë gjejmë atje dhe pse pikërisht ajo çka gjejmë është diçka që na përket?
Kështu është poezia, shkojmë tek ajo dhe përballemi me veten tonë. Marrim prej saj gjithë ç’na është e njohur, gjithë ç’na mungon, gjithë çka është e jona. Gjithsej poeti këputi prej eteri me flurimet e mendjes dhe të zemrës së vet. Fruta të mbledhura në shportë të pangjashme, për ty.
Ne e njohim çka na përket, apo jo? Apo?
Kështu gjithherë. Kështu ndërtohet marrëdhënia jonë me poezinë, me poetin, me botën e ndërmjetme shpirtërore ku veten gjejmë dhe ku hera-herës duam të rindërtohemi.
S’ka më bukur se të shkosh në ndërtesën poetike të Entela Tabakut. Strehë që muzat vetë e ndërtuan.
Ajo është një grua e veçantë. Një poete symprehtë që ta sjell poezinë prej gjithkund, por të veshur me ngjyrat e saj.
Imazhi i saj poetik ka ravijëzime të ngrohta malli. Një vizitë te një mike ndoshta, te një njeri i dashur ndoshta, te motra ndoshta.
Mbase po nder rrobat në tel në një kopsht. Ka pemë me lule të bardha dhe ajo me buzëqeshjen e saj të ngrohtë, të hedh krahun në sup e të fton të hysh brenda.
Është errur, ambienti është i ngrohtë, fëmijët flenë, një dritë e mugët bie në dhomë dhe ajo ka shumë për të të treguar për dashurinë, mallin, jetën. Një zë i shtruar që të dëften aq i afërt për kohën e largësisë. Fletë të tëra të shkruara me shkrimin e saj të imët e të rregullt. Poemat e hueja. Poemat që nuk janë aspak të huaja. Poemat po aq të afërta sa vetë buzëqeshja e saj e ngjashme me tënden. Si humori i saj çapkën, që të mbështjell mendjen me një atmosferë lozonjare dhe të bën të harrohesh për pak. Poemat përplot poezi.
Shtëpia e saj është në një vend të huaj, s’ka gjë. I ka ndreqë kjo grua e hajthme të gjitha, dhe e ka bërë këtë vend që të mos jetë i huaj për ty. E ka bërë këtë vend që ti të gjesh vend.
***
historitë poetike nuk janë të vërteta
e vërteta sillet si me qenë e përzgjedhuna e jetës
jeta sillet si me qenë e lindun për ditë
dita si mos me qenë
e fjalshme
dhe mandej
mandej
a ta tregoj një histori të re
krejt?
Dhe ti tërë sy e veshë nuk i thua dot jo.
Tregomë pra poete, tregomë sërish për ato muza që poemat e hueja të afërta krejt i shkruan me duart e frymën tënde delikate.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.