back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

“Podmoskovnije Vjeçera” – ese nga Kastriot Fetahu

Gazeta

Kastriot Fetahu
Kastriot Fetahu
“Podmoskovnije Vjeçera”
Ese nga Kastriot Fetahu

Askush nuk e di sesi udhëtoj, kur jam i vetëm në makinë. Duket sikur i ngjaj një ushtari të vetmuar që shkon i heshtur në misionin e tij. Diku kam lexuar se një komandant perëndimor i priste ushtarët pas stërvitjes së mëngjesit me një këngë të adhuruar nga unë në kohën e jetës studentore. Këndohej nga “The Animals” dhe titulli i saj është “House Of The Rising Sun”, me tingujt magjikë të kitarës së tyre.
Njëherë kur udhëtoja për në shtetin e Vermont, ju “qepa” këngës greke “Mi Mou Thimonis Matia Mou” kënduar nga George Dalaras.
Kështu edhe këtë rradhë nuk e tradhëtova veten në udhëtimin për në Stemford (Connecticut), me “Podmoskovnije Vjeçera” nga Dmitri Hvostorovsky dhe Anna Netrebko, një këngë ku romanca ruse i thotë të gjitha.
Nën tingujt e saj më kaluan në mendje ruset e qytetit tim, inxhiniere Ina Shahe dhe dizenjatorja Nadjezhda Nasto.
Interesi im prej një fëmije kureshtar, gërshetuar edhe me dëshira të mëtejshme për të njohur vajzat e tyre, buronte nga leximi i librave që na “dhuruan” heronjtë për moshën tonë, si Çuku dhe Geku, apo Atamani kazak nga Zaporozhia e Ukrainës, Taras Bulba me djemtë e tij Andrea dhe Ostapi e libra të tjerë…
Ndërsa më vonë u “dashurova” me Tonja Tumanovën e autorit Nikollai Ostrovskit në romanin e tij “Si u kalit çeliku” edhe pse nuk isha më shumë se një adoleshent.
Vajzat e inxhinieres Ina Shahe, Mariana dhe Ira, më dukeshin jashtëtokësore të paarritshme, thjesht i shikoja si “substanca laboratorike uraniumi” dhe meditoja përtej realitetit tim.
Në këtë “fond të artë vajzash” bënte pjesë edhe Lusia e Nadjezhda Nastos me motrën e saj, Tatiana.
Mariana (e shquar në matematikë) dhe Lusia me flokët bionde, Ira një brune, nuk ja mësova kurrë qeshjen, po ashtu dhe Tatiana dhe të dyja nxënëse që shkëlqenin në mësime, po dyert e universitetit kurrë nuk u hapën për to…
Engjëll Shahe, një burrë i hijshëm, i heshtur, aristokrat, babai i Marianës dhe Irës, ishte një model që kërkoja të ndiqja. Një ish-debatikas, motra e të cilit bashkëshorte e Teme Sejko, u shëndrrua nga pushteti i kohës në… armikun tonë.
Ata ishin familje e bukur dhe ndoshta më e bukura në qytetin tim, por kjo gjë në diktaturë nuk të jepte resurse pozitive.
Nuk e di pse komunizmi e urren krenarinë, kryelartësinë dhe dinjitetin, nuk e kam kuptuar kurrë armiqësinë e komunizmit me të bukurën.
I kam urryer rusët që rrëzuan Carin Nikollaj, të fundit nga Dinastia e Romanovëve dhe shkatarraqja “Aurora” nuk lajmëroi një botë të re e të bukur, por…
Shpesh kam pyetur veten dhe kurrë nuk gjeta dot një përgjigje.
Pse e duan akoma një sistem me standartin më të ulët ekonomik dhe numrin e madh të të vrarëve nga mungesa e lirisë dhe luftës së klasave që mbillte urrejtjen e njeriut ndaj njeriut, krahasuar me Perëndimin?
Kur këmbehesha rrugës me Irën nuk e kisha nën kontroll të plotë mendimin dhe kapërcimet e çastit i ngjanin udhës së Sizifit, i cili nuk arriti kurrë në majën e malit.
Nuk vonoi dhe… Nëna e saj arrestohet, inxhiniere Ina Shahe u akuzua si një spiune.
Sapo kisha lexuar Mata Harin…
E mendoj sot se sa shumë djem janë bashkuar me vajza të huaja dhe jetojnë me shtetësinë shqiptare.
Po sikur të ndodhë e njëjta gjë si me Ina Shahen?
Diktatura është antinjerëzore, por… ngelet vetëm një kujtim i largët, që nuk më lejonte të mendoja për ruset e bukura të qytetit tim.
“Kënga” e tyre ishte si e sirenave të Homerit tek “Odiseu” i tij dhe dylli nuk mjaftonte vetëm për veshët, sepse duhej shpikur edhe dyll për sytë.
Ina Shahe, një grua me personalitet të spikatur, jetonte e lirë, pasi ajo nuk dinte të jetonte ndryshe dhe për këtë gjë ata që “kujdeseshin për lirinë tonë” e trajtuan sikur po ushqenin kobrën.
Ina Shahe ishte një etalon që nxirrte në pah diferencën e lirisë së individit dhe natyrës së tij edhe brenda vendeve të sistemit komunist.
Është shumë domethënës absurditeti dhe puritanizmi i mbështetur në ligësinë për të dërrmuar armikun, tek njerëzit që vendosnin fatet tona.
Radikalizmi i tyre ja kalonte inkuizicionit mesjetar.
Kur bisedova me Marianën përjetova çaste ku tmerri dhe komikja jetonin brenda një historie.
Vëllai i një heroi të popullit, ishte prokuror i Ina Shahes dhe i kërkoi asaj të tregonte një barcoletë “të fortë,” sepse anekdotat e Inës ishin popullore, sikur të ishte një “neo Ezop”
Ajo i tregoi dhe prokurori u rrëzua në kolltuk nga të qeshurit, por e mblodhi shpejt veten se përballë kishte… armikun e popullit…
Inxhiniere Ina, nuk e di pse më kujton Maria Oktober në këtë rast, pranoi që nuk e donte Enver Hoxhën, po kurrë nuk pranoi të ishte një spiune.
Ina, ajo gruaja simpatike, e qeshur dhe e çiltër përtej idesë së kësaj fjale.
A ka spiunë kaq të çiltër?

Lusia Nasto
Lusia Nasto

Pse ne si popull na shoqëron akoma fataliteti që e dënojmë intelektualin, e përjashtojmë atë dhe vendimet e rëndësishme për jetët tona i marrin akoma sozitë e “Meke partizanit?”
Që para afro 2000 vjetësh, gjenerali Maximus Decimus Meridius i kumtoi perandorit filozof Mark Aurelius se pas luftës do të kthehej në fshat të punonte tokën…
Bashkëshortin e Inës ndërkohë që e survejonin dhe pritej vetëm çasti…
Engjëll Shahe kishte lënë Tiranën për të ndihmuar sistemin e naftës me njohuritë e tij teknike në shkallë sipërore.
Një ditë një punëtor hypi në një vinxh, në ndërmarjen ku punonte ing. Engjëlli, lidhi një litar, kur të tjerë prisnin që litari të këputej dhe inxhinier Engjëlli… të arrestohej!
Punëtori ja doli dhe kur zbriti ju drejtua atij dhe i tha: -Inxhinier, vetëm për ty e bëra këtë –
Ishte një kohë kur stigmatizohej si mendjemadh, ky ish-debatikas me shtëpinë bazë e luftës çlirimtare, që në sytë e mi e kishin transformuar si ing. Kujtim Shaqirin te “Këneta” i Fatmir Gjatës.
Ashtu si arinjtë polarë hanë këlyshët e vet, ashtu dhe komunizmi bën të njëjtën gjë me bijtë e tij.
Një ditë kur isha në vit të fundit si student, në ‘84, bashkë me një shokun tim dhe të dashurën e tij shkuam në plazhin e Durrësit. Aty pranë po kalonte inxhinier Engjëlli dhe unë iu tregova miqve të mi për të.
Vajza duke qeshur tha – do të dashurohesha me inxhinierin nëse nuk do të ishim bashkë…
E dëgjoja “Podmoskovnije Vjeçera” dhe mendoja Tatianën, vajzën e vogël të Nadjas së bukur e, më kujtohej historia që nuk e bënë komandante shkolle, sepse ishte kontigjent armiqësor!
Edhe Tatiana, vajza e Car Nikollajit, nuk kishte fat më të mirë se ajo dhe bashkë me Dmitrin, të dashurin e saj, oficer të oborrit të Carit, shpresonin aq shumë tek rusët e bardhë, por ngelën përsëri nën efektin e gënjeshtrave romantike, të cilat i predikonte diktatura e re në emër të popullit memec. Enigma e fundit të jetës së saj endet mes dy “të vërtetave.”
Sa herë i jam rikthyer idesë së fatit të botës nëse do të fitonin rusët e bardhë me në krye Kollçakun dhe Denikinin…
Ina nuk do të ishte burgosur dhe as babai i Lusias, inxhinieri gjeolog Thanas Nasto.
Bota nuk do të kishte luftë klasash dhe urrejtja do të ishte zëvendësuar me dashurinë.
Më brente mendimi se pse dashuria e sfidonte nacionalitetin në sistemin diktatorial por ideologjinë kurrë dhe madje duhet saktësuar se as sektet ideologjike brenda sistemit komunist.
Pse duhet të ketë largësi morale mes jetës faktike në lindjen komuniste dhe demokracive perëndimore?
A është kënaqësia, mëkatare për ideologjinë komuniste?
Vendosa duart në kokë një çast, mbylla sytë dhe imagjinoja skenografinë e ngjarjes që më tregoi Lusia…
Lusia ishte një vajzë mjaft simpatike dhe flokët e verdhë të saj ishin pjesë e ëndrrave djaloshare të një qyteti.
U bë tejet serioze dhe filloi…
Kur shkuam tek Burgu i Spaçit, (Mauthauseni shqiptar), mamin e lamë me babin dhe vetë do të flinim te kasollja. Një grua, punëtore e burgut si pastruese, i thotë mamit që do t’i marrë unë vajzat në shtëpi se 15 minuta larg jam me autobuzin e punëtorëve dhe t’i sjell në mëngjes, ndaj ikëm me të.
Kjo grua vejane kishte tre fëmijë, njeri prej tyre i sëmurë me zemër.
Ishin shumë të varfër dhe shtëpia shumë e pisët me koloni mizash që fluturonin mbi kokat tona.
Fantina e Hygoit me Kozetën qëndronin më lart se “Fantina” që na mori në shtëpi dhe “Kozeta” e saj.
Na gatoi gjellë me qepë të thata, po nuk e prekëm. Na dha fruta më pas.
Dera ishte me një lloz të madh.
Na shtroi çarçafë të bardhë, sikur të ishim miq të veçantë.
Gjatë kësaj kohe erdhi një vajzë, shoqe e saj dhe më la shijen e një rrugaçeje.
Kur iku ajo dhe ne po bëheshim gati të flinim, dëgjoj një trokitje, e zonja e shtëpisë doli dhe po bisedonte me një mashkull.
Kthehet e nuk na tha asgjë.
Në mëngjes na përcjell me dy kokrra mollë.
Unë ndjehesha shumë keq me atë varfëri.
Gjatë rrugës ajo më thotë:
-E pe atë burrin që erdhi mbrëmë? I tregoi shoqja ime për ju! – vazhdoi – Ai spiuni solli një bidon me mjaltë, që ta lejoja në këmbim të hynte në dhomën tuaj, por unë nuk pranova! –
U shtanga dhe pasi mora veten e falenderova dhe i dhurova lekë, por ajo nuk pranonte.
E bëra fakt të kryer për fëmijët… mbaroi Lusia.
Portat e Ferrit në sytë e mi ishin të hapura dhe engjëjt i shpëtoi momenti i asaj gruaje…
Immanuel Kant – Ekzistenca e Biblës, si një libër për njerëzit, është përfitimi më i madh që ka përjetuar ndonjëherë raca njerëzore. Çdo përpjekje për ta nënçmuar atë është një krim kundër njerëzimit.
Në vemendje më erdhi Ukraina e krizës së urisë në kohën e Stalinit… prindërit therën fëmijën më të dobët, që po vdiste nga uria, për të ushqyer fëmijët e tjerë.
Kant nuk e njohu komunizmin lindor.

Familjet Shahe dhe Nasto dhe grate e tyre ruse...
Familjet Shahe dhe Nasto dhe grate e tyre ruse…

Vetëtimthi mendova se persekutorët e donin mitrën e këtyre grave e vajzave edhe si një “shtëpi publike” edhe si një varrezë dhe për këtë më ndihmon edhe “Vdekja e kalit”.
Vuajtjet e Lusias më sjellin në vemendje Anna Akhmatova, që priste me muaj në portat e burgut të Leningradit për të takuar bashkëshortin e arrestuar nga NKVD e frikëshme e Yagoda-s, Nikolai Punin.
Djajtë nuk janë më të zinj sesa persekutorët e komunizmit.
Dialogova gjatë me ato vajza të bukura të qytetit tim dhe koka më buçiste nga kaq shumë gjëra, ku tmerri ishte si një variabël pa limite…
Nadja e bukur vizonte me të bardha rrugën automobilistike Fier-Lushnje në vapën e gushtit nën rrezikun e jetës nga makinat, vetëm pse ishte ruse dhe gruaja e armikut që u burgos politikisht se u martua me një ruse të shtetësisë së Hrushovit revizionist, luftë egoiste sektesh demagogjike brenda llojit.
O tempora, o mores!
Hvorostovsky me atë zërin magjik bas nuk më shkëputi dot nga errësira e tmerrit të rikthyer si mëngjesi i një dite të ftohtë dimri me shi papushim…

Një film i viteve ‘80, “Vizitorë nga kozmosi,” mbaron me një shprehje domethënëse: “Life Is Possible!”
Ruset e bukura të qytetit tim e vërtetojnë me stoicizmin, që buron nga koncepti i jetës dhe i lirisë në mendimin e tyre.
Ndërkohë “Podmoskovnije vjeçera” mbaroi dhe në veshët e mi buçiste fjalia e fundit: “Mos harroni këtë verë mbrëmjet e Moskës, sepse dimrin e “dorëzoi” tek unë.
Ndaj më pas nuk munda “të këndoja dot sëbashku me Taylor Swift…!”
Boston, 7 prill 2024

Marrë nga Muri i FB Kastriot Fetahu, 13 prill 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.