back to top
17.5 C
Tirana
E diel, 26 Maj, 2024

Përballë “Pasqyrës…” së Erida Petritit – nga Jozef Radi

Gazeta

Erida Petriti dhe dy Librat e saj ne Italisht - Nel Muro Riflessa in uno specchio rotto
Erida Petriti dhe dy Librat e saj ne Italisht –
– Nel Muro & Riflessa in uno specchio rotto

Përballë “Pasqyrës…” së Erida Petritit

nga Jozef Radi

Libri me tregime i Erida Petritit “Riflessa in uno specchio rotto” (E shfaqur në një pasqyrë të thyer) hyn te ajo kategori prurjesh letrare që tërheq vëmendje, në veçanti pse është fjala për një letërsi të sjellë nga femra shqiptare, e cilat prej vitesh po kategorizohet si një sukses i letrave shqipe jashtë habitatit, e që po ndikojnë drejtpërdrejt në realitetet e reja që pëson kultura shqiptare e tridhjetë viteve të fundit.
Nëse nisemi nga ideja, se të parat janë ato, femrat shqiptare, që fillimisht u futën në kronikat e zeza, janë po ato që guxuan të dalin kokforta në letërsinë e vendeve ku jetonin, kryesisht në atë italiane po edhe gjetkë si fjala vjen: Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Besa Myftiu, Griselda Doka, Denata Ndreca e ndonjë tjetër… të cilat tashmë mund të konsiderohen si flamurtare të të shkruarit të letërsisë me probleme shqiptare në gjuhën e përkatësisë së re. Pikërisht, në vazhdë të këtij kontributi, vjen edhe Erida Siqeca – Petriti, e cila mbas librit të saj të parë, “Nel muro” (Në mur) po futet me seriozitet në rrafshin e vlerave letrare, të cilat jo vetëm shkruhen po edhe botohen edhe debatohen, në ato realitete ku ato tashmë ndjehen pjesë e janë funksionale prej një kohe relativisht të gjatë, duke dhënë kështu një shembull integrimi në gjuhët dhe kulturat e vendeve respektive, po edhe duke transplantuar tematikat dhe problemet e botës nga ato vijnë…
Si ndjekës i vëmendshëm i fenomeneve letrare, në veçanti i atyre jashtë realiteteve shqiptare… konstatoj se kjo lloj letërsie në ekspansion modest, është në kërkim të një lexuesi tjetër, të një gjuhe më klasifikuese, që sigurisht kërkon kohën e vet, e duhet të jetë paksa më ndryshe nga konceptet e mëparshme, sepse kjo lloj letërsie vërtet prodhohet në realitete jashtshqiptare, por më së shumti bart problematika që u përkasin realiteteve të origjinës së autoreve, edhe pse gjejmë edhe trajtime të realiteteve të dyfishta, në veçanti ato të integrimeve. Kjo frymë e dyfishtë e realiteteve, e bën edhe librin e fundit të Erida Siqecës, një kontribut me interes. Simbas konceptit që buron nga leximi, ka dukshëm një tejkalim të rrafshaltës letrare, por ka përpara një rrugë e gjatë për t’u kualifikuar në rrafshin e realiteteve paralele, të cilat në njërin rrafsh janë: të vuajtura, të përjetuara e të akumuluara, në rrafshin tjetër janë: të shkruara, të botuara tashti edhe të lexuara vëmendshëm…
Në komunikimet me autoren, ajo dëshmon se veprën e saj e ka shkruar, e ka lexuar, e ka komentuar dhe e përhap vazhdimisht në realitetet italiane duke tërhequr vëmendje, pra ajo shpaloset si zëdhënëse e problemeve të mbartura, traumave të pësuara, që personazhe të shumtë të tregimeve të saj, i shfaqin përgjat gjithë librit… Autorja përfaqëson atë brez, që edhe pse e jetoi fshikas diktaturën, mori traumën e mjaftueshme, si gjenerata e tretë e ndëshkimeve, për ta bërë tashmë pjesë të realiteteve të reja.
Ajo përjeton në të njëjtën kohë, si dhunën politike që e shtyu të braktisë vendit, edhe dëshirën për integrim e kurajon për të dëshmuar, vështërsitë e botimit gjithnjë në kërkim të një mënyre adekuate, për një komunikim më të gjerë me lexuesin italian…
Nëse ndjekim trajektoren e zhvillimit të tregimeve të librit “Riflessa in uno specchio rotto”, vërejmë se në të shumtën e rasteve ajo sjell realitetet e jetuara e të përjetuara të vendlindjes, situatat e ndryshimeve politike apo spostimet e familjes së saj nga një realitet në tjetrin në kërkim të lirisë, apo edhe ajo vetë, si në realitetet shkollore apo edhe ato jetësore, derisa së fundi mbrrin te braktisja.
Krahas një akumulimi të pasur problemor, gjejmë edhe tendencën për t’u shmangur prej traumave, të cilat ende vazhdojnë ta grryejnë psikën e atij brezi që i përjetoi me habi grahmat e diktaturës, po edhe guximin për të shfryrë ndaj së Keqes, përmes trajtave letrare. Prandaj mund të thuhet se botimi në fjalë për Erida Siqecën, është një akt i guximshëm lirie, gulsh i një çlirimi shpirtëror, që gradualisht merr ngjyrat e një ylberi shpresdhënës, edhe pse e Keqja e pësuar prej saj dhe rrotull saj, bëhet hera-herë determinues në rrëfimet e saj.
Duke qëmëtuar me kujdes në librin e Erida Siqecës, vërej se ajo e ndërton bukur tensionin e dialogut, futet mjeshtërisht në botën e personazheve, ka zhdërvjelltësi të një ketri në kalimet e pasazheve, çka i bën tregimet e saj të rrjedhin e të lexohen me emocion… Ndaj jam përpjekur ta kuptoj frymën e saj dhe sa e vlefshme mund të jetë një këshillë o sa vlejnë enët enët komunikuese në këtë rrafsh. Për të qënë më e plotë në realitetet e vuajtura prej saj, vërejmë tendencën për të qenë sa më e sinqertë në rrafshin e rrëfimeve të veta… duke të futur paksa në krizë dallimin midis rrëfimeve apo tregimeve!
Prandaj në libër ajo është detyruar të bëjë edhe pak gjeografi, pak histori, pak politikë, pak psikologji, si të thuash u ka paraprirë realiteteve të braktisura, me një narrativë që nganjëherë e largon paksa prej letërsisë… Por kjo narrativë është e domosdoshme, e detyrueshme edhe pse mund të ishte me nuanca më të holla, e disi më e rezervuar…
Simbas meje, këto nuanca me kohë do të shmanget dhe me siguri do të gjendet trajtime më efikase në zgjerimin e rrethit të komunikimit me lexues të rinj, në të njëjtën kohë ajo do t’i mëshojnë më fort letrares dhe asaj çka ndërmend të realizojë në të arthmen…
Diçka tjetër që dua ta theksoj është mënyra e zhdërvjelltë e rrëfimit të autores, tendencat e kërkimeve nga njëri tregim në tjetrin, ku ajo është një vetvete në ndryshim e në dinamikë të vazhdueshme.
Në mjaft tregime të autores, vërejnë trajtimin e unit ose vetvetes. Edhe në ngjarje që s’kanë lidhje me të, ajo e ndërfut veten bukur, në raporte herë të drejta e herë të tërthorta me realitetin, duke u përpjekur të transplantohet bukur prej realitetit që i përket tashmë në realitetet prej nga i sjell ngjarjet, duke u mbivendosur mbi to o duke ikur prej tyre.
Në mbyllje, të këtij vështrimi të vetëtimtë, mbi kët vepër të re por thelbësore për Erida Petritin mund të them se ky libër përbën një realizim mjaft serioz të saj, dhe shpejt ajo ka për t’u ndjerë në rrafshin e tregimtareve të spikatura, vazhdimësi e shkrimtareve që përmenda në hyrje të tekstit, i bindur se ajo ka talent mjaftueshëm, vullnet të paepur dhe kokfortësinë e domosdoshme për t’i shkuar në fund synimeve të veta.
Në të njëjtën kohë, mendoj se komunikimi i saj letrar, është mjaft i ngrohtë, ngulmuese, çka më forcon bindjen se e nesërmja e saj do të ketë një trajektore ngjitëse, jo vetëm ndaj atij lexuesi që i shfaqet sot, po edhe atij që do t’i bëhet bashkudhëtar edhe në atdhe.
Besoj, edhe ai do të jetë kureshtar ta ndjekë hap mbas hapi krijimtarinë e saj si në rrafshin e vlerave të realizuara prej paraardhseve të saj, po edhe kontributet e mëvona të tyre.
Unë besoj se kultura e gjerë e letrave në këtë vend të madh të kulturës edhe integrimeve, do të jetë mikpritëse ndaj këtij produkti letrar duke dëshmuar një shembull të admirueshëm për të, për letrat dhe kulturën e vendit të saj të origjinës…
jozef radi, nëntor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.