back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Për një Rilindje shpirtërore të patrajtuar kurrë, ndonëse prej saj vjen shpëtimi një letërsi që tenton të ngrejë lart qiellin e rrëzuar për tokë… – nga Robert Martiko

Gazeta

Koha tani - Vendi këtu - Kasem Trebeshina - Tregime
Koha tani – Vendi këtu – Kasem Trebeshina – Tregime

Për një Rilindje shpirtërore të patrajtuar kurrë,

ndonëse prej saj vjen shpëtimi

një letërsi që tenton të ngrejë lart qiellin e rrëzuar për tokë… 

nga Robert Martiko

rreth tregimit “Kukudhi – Tregim i një akinxhiu”, i Kasëm Trebeshines

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Në këtë tregim shfaqet para lexuesit një shkrimtar i pa zakontë. Me temën që trajton, Kasëm Trebeshina, di të futet thellë në zemrën e problemit klasik të shoqërisë shqiptare, që nuk është gjë tjetër veçse armiqësia në gjirin e shoqërisë, e shumëfishuar nga diktatura e fundit gjysmëshekullore, me flamur “Luftën e Klasave”, apo vëllavrasjen e organizuar shtetërore. Kam përshtypjen se autori e bën këtë si askush tjetër deri më sot. Pasi nuk qëndron në sipërfaqe, por di të futet thellë në problemet shekullore të njeriut tragjik, tradicional. Përdor ëndrrën e për më tepër Demonin për të pasqyruar atë tragjedi të thellë, që quhet përçarjeje shoqërore, diçka që vijon deri në ditët e sotme. 
Tregimi bazohet në një ëndërr me Demonin, protagonist, e gjithë botën e tij të përgjakur perverse, që e vijon. Në fund të romanit shfaqet një vajzë e re me rroba nusërie. Është e vërtetë që ëndrrat kanë karakter vetjak, por problemi është absolutisht i natyrës kolektive. Gjen në tregim përçarjen, shpirtin e copëtuar në mijëra pjesë, vëllavrasjen midis shqiptarëve. Ikonat e ëndrrës kur shprehen, hedhin urë lidhëse me fjalë. Në këtë nivel, bota vetjake e gjumit dhe bota kolektive e gjendjes së zgjuar, takohen. Gjuha dhe fjalët nuk janë veç bota e gjendjes së zgjuar. 
Merita e veçantë e autorit është se ka zgjedhur temën e përçarjes duke e parë atë si problem jetik për shoqërinë. Kushedi nëse dhe mendimi akademik në Shqipëri, e vë në qendër të vëmendjes këtë temë, për të mbledhur e organizuar mendimin aktual, që sot gjendet në stratosferë. Nëse letërsia kufizohet vetëm në figura letrare, stile e metafora pa përmbajtje, pa thelb e pa vënë në qendër Njeriun, nuk do ndryshojë asgjë. Do të jetë thjesht një letërsi e mbyllur në rreth vicioz, me lavdërime të cekëta, pa përmbajtje. Prandaj duhet vlerësuar Kasëm Trebeshina. Ikona e ëndrrës nuk është si ikona e syve. Pasi në ëndërr merr pjesë shpirti i preokupuar për botën rrethuese. Përmes fjalëve, objektet kthehen në problematikë ekzistenciale për njeriun. Kështu ndodh aktivizimi i shpirtit. Shmanget shpjeguesi i ëndrrave për të mundur diçka të bëjë në gjendje të zgjuar, njeriu me mendje të hapur. Ëndrrat nuk duhen veshur me magji, karakteristikë e gjithë vendeve jashtë Kohës e Historisë.
Autori i shton ëndrrës elementin djallëzor të Demonit. Mund të duket çudi, por ky fenomen është i pranishëm edhe sot. Ndodh kur bota materiale mbizotëron mbi vlerat shpirtërore. 
Në tregim, krahas Demonit dhe shoqëruesve të tij, bie në sy agresiviteti maksimal. Psikologjia mbizotëruese e njeriut të grupit, nuk mund të shohë përreth vetes, veçse armiq. Nuk di të shikojë gjërat në aspektin e një rilindjeje shpirtërore. Popuj të tërë në botë jetojnë në këtë lloj gjendje. Kjo lloj optike kërkon përralla, gënjeshtra, teori konspiracioni, kurbane, politikanë që dinë të hedhin kripë në plagë të hapura. Kur këto i ofron një dorë e panjohur, siç ndodhi në vitin 1944, shpirtrat mijëra copash, rrëmbehen thellë në shpirt. Pa e kuptuar, përsëritin traditën duke kryer krime. Pikërisht kjo e shqetësonte Kasëm Trebeshinën. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Shenjat tregojnë se çfarë agresiviteti të fshehur ka brenda vetvetes njeriu pa rilindje shpirtërore. Nuk e nxjerr dot në sipërfaqe përveçse duke dëgjuar përralla. Për të gjetur çlirim beson se gënjeshtrat do ta çojnë në parajsë. Dhe mbetet në Ferr, duke paguar në arkën e historisë në breza pa fund.

Në këtë kuptim ëndrra në Botën e Artit bëhet mjaft origjinale me vlerë shpirtërore, për të kuptuar se ato janë projektim i vetvetes dhe i ambientit përreth. Nuk durojmë dot realitetin dhe gjejmë mundësinë për t’i projektuar diku në një vend tjetër për t’u zgjuar më mirë. 
Autori përfundon tregimin me shfaqjen në ëndërr të një nuseje të bukur të veshur me rroba nusërie. Është simbol i fuqishëm ngarkuar me pritshmëri. Emocionet e përjetuara në ëndrrat në të cilat vishet fustani i nusërisë janë shumë të rëndësishme. Ndihmojnë për të hedhur dritë mbi aspektet e realitetit të ëndërrimtarit, të cilit i referohet simboli. Kuptimi i ëndrrave me një fustan të bardhë nusërie me vello është i lidhur me nevojën për pastërti, integritet, përsosmëri, mendim për një Botë të Re, më e bukur nga ajo ekzistuese. Jashtë Ferrit! 
Prandaj duhet parë letërsia e thellë e Kasëm Trebeshinës nën një dritë të re rilindëse. Vetë shpirtrat njerëzorë, ngjarjet, individët e spikatur, duhet parë në aspektin real të gjërave, jo të rrumbullakosur, shenjtëruar, siç është zakon sot. Përndryshe shoqëria e mendimi nuk do të mund të hyjnë dot në Kohën e Kulturës Universale Perëndimore. 
Dhe gjendja nuk do të ndryshojë…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.