back to top
29.5 C
Tirana
E diel, 16 Qershor, 2024

Për ata që shqetësohen nga dekorimi i martirëve! nga Islam Spahiu (Në lidhje me një intervistë të z. Daut Gumeni)

Gazeta

Pushkatime Komuniste
Pushkatime Komuniste

Për ata që shqetësohen nga dekorimi i martirëve!

nga Islam Spahiu*

Në lidhje me një intervistë të z. Daut Gumeni

Mos bërtitni më,
Mos bërtitni!
Pushoni së mbyturi
Të vdekurit…
G. Ungaretti

Divjakë - 21 tetor 2016
Monumenti i martireve  – 21 tetor 2016

Zotëri Gumenin e kam konsideruar gjithnjë si bashkëvuajtës; e kam çmuar si të dënuar të mirëfilltë politik, me ideale të pastra patriotike, i papajtueshëm me farsën e demokratëve të rremë, i ditur, njohës i mirë i çështjeve ende të pazgjidhura të këtij tranzicioni cfilitës që po kalon vendi ynë. E kam bashkuar zërin tim me të tijin në situata të vështira për vendin, por kësaj here tek lexoja intervistën e dhënë një të përditshmeje u zhgënjeva, pra ndahem me të, për sa vijon:
Së pari, vrasja e 67 ballistëve në fshatin Matjan të Lushnjes 1943, nuk është bërë nga brigada e Mehmet Shehut; por nga vetë komandanti i saj, personalisht nga Mehmet Shehu me një “Parabel” gjerman në dorë. Masakra është kryer publikisht para popullsisë së fshatit të mbledhur posaçërisht aty, për terror. (Kështu bëheshin ekzekutimet prej të ashtuquajturës “Ushtri Nacional-Çlirimtare” por që në të vërtetë ishte vëllavrasëse). Kështu që, dëshmitarët janë të shumtë e, një nga ata që ka qenë një ish komandant batalioni i Brigadës së I-rë, i cili më ka rrëfyer teksa lavdëronte trimëritë e komandantit të tij, se si Mehmeti prapësoi skuadrën pushkatare, të bërë gati për zjarr, doli para rreshtit të ballistëve të lidhur, dhe nxori revolverin duke i qëlluar me radhë në lule të ballit; kur erdhi te gjysma e rreshtit, e zuri gjaku dhe ra përdhe. Pas pak u ngrit dhe e vazhdoi punën deri në fund. Ky ishte Mehmet Shehu; kujtimi i kësaj ngjarjeje nuk kalohet lehtë. Ata që e kanë njohur personalisht atë, e kanë përcaktuar temperamentin dhe karakterin e tij. Ai qe sadist, i etur për gjak. Dhe interesante është që, pasioni i tij ishte të vriste të lidhurit, robërit  e luftës. Këtë e ka zbatuar në luftën e Selenicës (para luftës vëllavrasëse),  në kombinim me forcat e Ballit. Forcat italiane u thyen e, në mes të robërve qenë ca oficerë italianë; pikërisht shokët e Akademisë ushtarake që kishte ndjekur vetë Mehmeti. Këta, ky i theri me thikë, me dorën e tij. (Ndodhí jashtë çdo norme tradicionale apo historike për robërit e luftës). Por nuk po zgjatemi më tej në këtë subjekt. Le të kthehemi edhe një herë te ngjarja “horror” e Lushnjes.

Partizanë duke prerë bagëti
Partizanë duke prerë bagëti

Në një të përditshme është botuar portreti i Mehmet Shehut; në kapelën ushtarake ai ka yllin e kuq me drapër e çekan në mes, ndërsa ballistët martirë duken aty, kokëlartë me qeleshet të bardha e me flamurin kuqezi në ballë. A kaq indiferent do të jetë një shqiptar, kur sheh këtë pamje kuptimplotë të fatit të Atdheut, dhe fyen përkujtimin si teneqe boshe të dekorimeve  alla Sulltan Hamiti? Prandaj zoti Daut kjo është një gafë. Nuk mund të shpjegohet si ngjarje e rëndomtë “Shën-Bartolemeu” i fshatit Matjan të Lushnjes më 1943. Ju në intervistën e dhënë e quajtët këtë çështje zhurmë të madhe që po bëhet kohët e fundit nga të dyja palët (dmth qeveri e opozitë?) – Po zotëria e juaj qenki asnjanës?! Të dyja palëve nuk u paskan shpëtuar teprimet. Atëherë ju, si soditës, mbani – sipas një shprehjeje popullore, – një dorë në hallvë, tjetrën në pilaf – e kështu e paski të lehtë të jepni gjykimin, veç kot e ke kur bën sikur u qan hallin ballistëve duke thënë: kam parë dhe zanatçinj të historisë që nuk lënë kriminel ordiner të asaj kohe pa ia dhuruar Ballit Kombëtar.
E përsa i përket presidentit të Republikës, kushdo qoftë, ai ka zbatuar shkëlqyeshëm detyrën. Respektin e rastit për të! Është cinike, dhe është turp t’i quash ballistët martirë të emëruar nga demokratikasit vendimmarrës dhe se dekorimi i tyre qenka bërë në fshehtësi dhe me qëllime elektorale.
Le të shohim pak: duhet ditur mirë se ngjarjet historike mund t’i shfrytëzojë kushdo duke i përdorur si argument. Por, fitorja e nderi i mbetet atij që thotë të vërtetën. Këtë duhesh të bëje ndoshta kundrejt “ish-Kryetares së Gruas” së regjimit totalitar komunist shqiptar, Vito Kapos. Ajo shfaqi menjëherë alergjinë e xhelatit ndaj viktimës kur pa dekorimin e Martirëve të Demokracisë. Por zoti Gumeni shfaq delikatesën, në kundërshtinë e tij ndaj saj duke thënë: ajo është ngarkuar si pema e vitit të ri me dekorata dhe nuk u zemërua njeri aq sa u zemërua ajo në këtë moshë të thyer. Zoti Daut tregon më shumë mirësjellje, në vend të qortojë; ai ia ngarkon moshës “mëkatin” e jo duarve të saj të lyera me gjak martirësh nacionalistë gjatë të ashtuquajturës “Luftë Nacionale Çlirimtare” (përkthyer fjalë për fjalë nga serbishtja). Nobelisti Albert Kamy ka deklaruar: “Unë urrej vetëm xhelatët!”; e me rastin e dhënë këtu, do të thoja se ai që është i butë ndaj xhelatëve, në një mënyrë apo një tjetër, është me ta. Po, sido që të jetë, duket se ka ardhur koha, kur historia ta thotë fjalën e saj. Mallkimi do të mbetet për xhelatët, ndërsa lavdia për martirët e kombit.
Islam Spahiu
Ish i dënuar politik

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.