back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pashko Vasa për kombin shqiptar si Fichte për kombin gjerman – nga Ervina Toptani

Gazeta

Pashko Vasa - E vërteta me Shqipërinë dhe Shqiptarët
Pashko Vasa – E vërteta me Shqipërinë dhe Shqiptarët

Pashko Vasa për kombin shqiptar si Fichte për kombin gjerman

nga Ervina Toptani

Njerëzit e mëdhenj në ringritjen e një kombi, në themelimin e suksesin e një shteti, janë të gjithë të njëjtë në dimensionin e gjenisë së tyre, pavarësisht kombësisë që kanë. E përbashkëta e tyre është dëshira, dashuria e përkushtimi me të cilat përgjat historisë kanë shtruar rrugën e së ardhmes drejt suksesit e progresit të vendeve të tyre.
Dua të ndalem tek një shembull i bukur historik, jo pa qëllim, i cili në vetvete ka vlerë të veçantë edhe për Shqipërinë, jo vetëm në kohën kur ka ndodhur por aq më tepër sot.
Mbretëria Prusiane e viti 1806, historikisht, ndoshta pësoi humbjen më dërrmuese ushtarake të deriatëhershme. Nën goditjet e armatave të perandorit francez Bonapart, brenda një jave dhe në dy beteja e tërë forca ushtarake prusiane u shkri si vesa në diell. Kjo humbje katastrofike e çoi Mbretërinë Prusiane në buzë të varrit dhe i hapi rrugën pushtimit të saj nga trupat franceze dhe akomodimin e vetë Bonapartit në pallatin mbretëror të Berlinit. Eshtë një nga ato humbje të cilat rrallë përsëriten në analet e historisë. Por, gjithashtu një humbje e cila u bë zanafillë e burim për rilindjen e shtetit prusian, i cili ishte fara e bashkimit të ardhshëm gjerman.
Në këtë periudhë të vështirë të nënshtrimit të Prusisë ndaj Francës, dy politikanë veçanërisht morën përsipër barrën për rindërtimin e shtetit nga e para nëpërmjet reformave të domosdoshme. Ata ishin Heinrich Friedrich Karl von Stein dhe Karl August von Hardenberg. Në pak vite një punë titanike, atdhedashuri maksimale, me një politikë shumë të hollë e vizionare për të ardhmen e në bashkëpunim pak a shumë normal me fuqinë dominuese franceze, rindërtohet nga hiri i zjarrit shteti prusian dhe rindërtohet aq fort dhe aq shpejt sa në vitin 1814 pas “betejës së kombeve” në Leipzig ku aleatët europianë thyen përfundimisht ushtrinë franceze, Prusia ishte përsëri gati të nxirrte në fushën europiane të luftës mbi 300.000 ushtarë.

Johan Gottlieb Fichte
Johan Gottlieb Fichte

Të mbështetur në mendimin filozofiko-politik gjerman të filozofëve të mëdhenj të kohës ku spikatën Immanuel Kant e Johann Gottlieb Fichte, etj, Stein dhe Hardenberg realizuan një sërë reformash të thella e shumë të rëndësishme për ringritjen e shtetit e kombit. Ato ishin një seri reformash konstitucionale, administrative, sociale dhe ekonomike të Mbretërisë Prusiane në fillim të shekullit 19-të, të mbështetura fort në prapatokën dhe traditën kombëtare popullore gjermane. Reformat e kësaj periudhe ishin baza e krijimit të fuqisë së re prusiane e cila në pak dhjetëvjeçarë kulmoi në bashkimin kombëtar të popullit gjerman në vitin 1871, me krijimin e Perandorisë së Dytë gjermane nga kancelari Bismark. (nuk do të doja të ndalesha më tej në shpjegimin historik të këtyre reformave, sepse nuk është ky qëllimi primar i këtij shkrimi)
A ka pasur kombi shqiptar momente vështirësie ekstreme të këtij lloji përgjat historisë? A kemi pasur ne shqiptarët të tilla figura brilante që t’i shërbenin kombit shqiptar? A i njohim ne ato figura? A janë përsëritur në kohë momente të veçanta të vështirësive historike shqiptare dhe a kemi nxjerrë ne mësimet e duhura duke i analizuar ato siç kanë bërë kombe e popuj të tjerë?
Para pak ditësh shqiptarët përkujtuan Lidhjen e Prizrenit e cila për kohën ishte shfaqja e parë publike kombëtare e ndërkombëtare e shqiptarizmit, e ekzistencës së idesë kombëtare shqiptare ku morën pjesë ajka e Shqipërisë së kohës. Ata njerëz të cilët me mendjen, punën sakrificat e tyre hodhën bazat e shtetit të ardhshëm shqiptar. Duke mos dashur të analizoj historinë e politikën e kohës sepse zgjatem shumë më pas, këta shqiptarë dhanë më të mirën e tyre në shërbim të çeshtjes kombëtare, të tillë si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Iljaz pashë Dibra Qoku, Seid Sermedin Toptani, etj.
Dua t’i referohem veçanërisht figurës së të madhit Pashko Vasa, shtetarit, poetit, shkrimtarit, intelektualit e shumëçka tjetër ndërkohë që kemi fatin që Zoti e bëri shqiptar kemi dhe fatkeqësinë që ta njohim pak ose aspak veprën, rolin e vlerën e saj morale, shpirtërore, intelektuale e politike për Shqipërinë.
Pashko Vasa ka pasur poste shumë të rëndësishme në administratën e lartë osmane por veprimtaria e tij shihej si e rrezikshme për ndjeshmërinë e çështjes së cilës ai sikurse dhe bashkëkombas të tjerë, i kushtuan jetën, krijimtarinë dhe shërbimin. Pikërisht se ishte një ndër figurat kryesore të lindjes së nacionalizmit dhe Rilindjes shqiptare e caktuan në detyrë në Libi si guvernator i saj për të qenë sa më larg vendlindjes dhe çështjes kombëtare, post të cilin e mbajti deri kur vdiq, në vitin 1882.
Vepra e tij më madhore, besoj se është “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, një lloj testamenti historik në të cilin është ngritur në piedestalin më të lartë rëndësia e çështjes shqiptare, e shkruar dhe publikuar në 9 gjuhë të ndryshme. Kjo vepër është si një pjesë e pashkëputur e qindra memorandumeve, notë protestash e peticioneve që i janë dërguar Kongresit të Berlinit dhe Portës së Lartë gjatë përpjekjeve diplomatike të Lidhjes së Prizrenit.
Ajo u botua për herë të parë në maj të vitit 1879. Qëllimi kryesor ishte njohja e çeshtjes shqiptare kudo në botë, prezantimi i saj nëpërmjet historisë dhe rreshtimi në krahun e vërtetë të opozitës së fuqishme kundër padrejtësive dhe copëtimit të Shqipërisë. Publikimi i këtij libri është një kontribut i veçantë kundër politikave fraksioniste që Shqipëria përjetoi në vitet e Krizës Lindore të viteve 1876-1881. Ajo që ndjehet më thellë është se Pashko Vasa ishte tepër i lënduar nga propaganda e bërë nga qarqe e shtete të caktuara për të mohuar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe pikërisht e vërteta e thënë për kombin shqiptar në librin e tij paraqet çdo detaj të mundshëm për të kundërshtuar teza e mendime të tilla dhe për t’ia bërë të njohur gjithë botës këtë të vërtetë të pamohueshme.
Kjo vepër është një manifest politik mbi lëvizjen kombëtare shqiptare dhe kërkesave më emergjente që ngriheshin prej saj, njohjen e kombit shqiptar prej Fuqive të Mëdha dhe opinionit të gjerë publik europian si një komb krejtësisht i ndryshëm nga fqinjët e tij në rajon, duke mos qenë as grekë e as sllavë, por më i hershmi komb në Europë.
Shqiptarët, në veprën e Pashko Vasës paraqiten të ndryshëm nga çdo grup shoqëror në botë dhe me karakteristikat tipike të rracës së tyre. Ata janë të shpejtë, energjikë, aspak tolerantë kur është fjala për të ushtruar kontroll, skeptikë e të ndryshueshëm, njerëz që ia kanë dalë të fitojnë lirinë dhe në kushte të pamundura (siç thuhet tekstualisht në libër). Kjo vepër është shumë e rëndësishme jo vetëm për kohën kur u botua e arsyen, por mbi të gjitha për motivin kryesor të lindjes së saj e fare mirë do të duhej të konsiderohej si Libri i Shenjtë i çdo shqiptari (sa shqiptarë e njohin këtë vepër në realitet sot?)
Libri, fillimisht u botua në Europë në disa gjuhë njëherësh me qëllimin që dhe qytetarët më të thjeshtë europianë të njihnin shqiptarët dhe rëndësinë e tyre historike e në fakt kjo vepër bëri për vete shumë europianë të cilët e simpatizuan çeshtjen shqiptare dhe dhanë kontributin e tyre sipas mundësisë për të ndihmuar njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Është e panevojshme besoj të flas për poemën madhështore “O moj Shypni” të botuar në 19 gjuhë të ndryshme. Besoj është ndër poemat që njihet masivisht nga të gjithë shqiptarët. Pikërisht kjo poemë së bashku me librin e Pashko Vasës “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” është më e njohura e periudhës së Rilindjes shqiptare, e përkthyer edhe në arabisht në vitin 1894. Aristoteli, në shekullin e 4 para Krishtit shkruante: “Fisnikëri është për një komb kur të parët e tij janë autoktonë e shumë të vjetër në vendin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që i kanë lënë njerëzimit janë për t’u pasur zili” dhe Pashko Vasa është një ndër këta shembuj të gjallë historikë që e ilustrojnë kaq mirë thënien e Aristotelit të madh.
Në 1887, Pashko Vasa publikon “Gramatikën shqipe” për të huajt që dëshironin të mësonin gjuhën shqipe pa mësues, një ndër librat e rrallë të gramatikës së asaj kohe. Botimi i saj fillestar u bë në gjuhën frënge e jo rastësisht, pasi kështu gjuha jonë legjitimohej si e barabartë përkrah gjuhëve të tjera europiane. Kjo gramatikë u pasrend nga broshura me titull “Alfabeti latin i aplikuar në gjuhën shqipe” botuar në Kostandinopojë në vitin 1878, përsëri në gjuhën frënge. Po në të njëjtin vit u themelua “Shoqata për publikimin e shkrimit në gjuhën shqipe” ku Pashko Vasa ishte figura kryesore.
Ai ishte poet dhe një poet i mrekullueshëm. Vepra e tij e titulluar “Trëndafila e gjemba” botuar në Kostandinopojë në vitin 1873, përmbledh 41 poezi të cilat janë himne të vërteta kushtuar dashurisë, vuajtjes, vetmisë, e vdekjes ku ndjehet vazhdimësia e linjës poetike të vargut romantik të të mëdhenjve të poezisë si: Giacomo Leopardit, de Lamartinit e Alfred Musse-së. Ndër këto poezi meditative, dy veçanërisht vetë Pashko Vasa i kishte për zemër, poezinë kushtuar Francesco Petrarkës dhe atë kushtuar Torkuato Tasso-s, jetës së tyre në ekzil e tragjedisë së tyre familjare që i përngjante tepër historisë së jetës së Pashko Vasës.
Në vitin 1844, botohen në Itali dy letra të tij të shkruara në Bologna ku ai shpreh qëndrimin e qartë e të hapur pro-republikan e antiklerikal. Qëndrimit të tij në Itali ai i ka kushtuar botimin e veprës “La mia prigionia” botuar në Stamboll në vitin 1850. Një vepër tjetër mjaft e rëndësishme edhe për historinë e ditëve të sotme e jo vetëm për kohën kur u botua është “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditës shqiptare” botuar në Kostandinopojë në vitin 1872. Në vjeshtën e vitit 1877, ai ishte një ndër themeluesit dhe pjestarët kryesorë të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve në Kostandinopojë sikurse dhe pjesmarrës shumë aktiv në Lidhjen e Prizrenit një vit më pas. Pashko Vasa ishte autori i Memorandumit mbi Autonominë Shqiptare që iu paraqit ambasadës britanike në Kostandinopojë.
Do të vazhdoja gjatë të shkruaja për këtë shqiptar të madh, meritat e të cilit për kohën kur jetoi e veproi janë të jashtëzakonshme.
Ne i kemi pasur burra të tillë në historinë e kombit tonë por a i referohemi ndonjëherë në politikëbërjen e sotme veprës të tyre të mrekullueshme? Duhet vallë të përdoret emri “Rilindje” sot pa i kushtuar asnjë rresht të vetëm filozofisë krahasuese të burrave të mëdhenj të kombit tonë e arsyes se përse ata dhanë kontributin e tyre të çmuar në shërbim të saj?
Kur mendoj për shqiptarë të tillë e them me bindje e me zemrën plot se: jam krenare që jam shqiptare!
Marrë nga Muri i Fb i Ervina Toptanit, 25 prill 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.